Fasten your seatbelt

Diktat stjuardesash:
tea or coffee,
nuk kam shumë zgjedhje, është ngushtë në qiell,
mërzi greke, “stenohoro”, hapësirë e ngushtë,
klasë ekonomike -
a është nevoja të ta rikujtojnë çdo herë?
Apollon me t-shirt, pa çorape,
i linjtë vende vende,
i volitshëm si vuajtje vij,
carefree,
ngadhnjimi lips përkime ngjyrash dhe hekurosje
dhe mua fundpantallonat udhët e botëve m’i kanë brejtur
dhe pakëz, ndoshta, rrëgjimi kalcik i gjymtyrëve,
i pandalshëm si gërryerje dheri;
një re seç m’u duk si nudo, të paktën pa pantallona,
ia rrihte era krahët, e ftohtë siç thonë ekranet
me fahrenajte të çuditshëm në mijëra këmbë lartësi,
teshtijnë flegrat e qiellit sot
ngacmuar nga pluhuri i mendimit për ty,
s’guxoj të t’mendoj me copa të mëdha,
një limë bren drurin tënd me durim,
do të ha nga pak, me kulturë dhe maniera,
pa bërryle të mbështetur mbi syprinë,
me lexim të qytetëruar skllavi,
i duruar si sharra
mbi krahun e një gozhde
kokën kur preh.
Më fort se gomat e mishta t’avionit mbi beton
buzët e mia mbi konceptin tënd u përplasën prap,
fryrje prej boksieri, dorëzat kishin hekur përnën
si në tregim xheklondoni,
kam parë mijëra zbritje avionësh, të kam menduar po aq herë,
një tym i përtuar
plogështon
pas përplasjes,
tym i revolverit të krimit,
i fryj me instinkt,
i jap frymënxjerrjes një qëllim,
zakon i vjeter dueli,
gjithnjë mendimin tënd kur e vras
ngashërehem më pas
kapakun syrit ia mbyll
si një libri pas kapitullimit,

limat e moskuptimit më brejnë ngadalë
me durim prej kryemjeshtri,
nuk do vdes deri sa prej meje të kesh bërë një David.




Lypëse me lunga afër Campo de’ Fiori

Urrejtje e syve të vetes që panë sytë e saj,
u zhbë shenjtëri e kalldrëmit,
pëllumba grierrët u ngrinë gur,
këlthitja e tyre
zëri’ saj ndijuar
aq i afërt me këlithitjen e nënës,
shpezë bregu
nga bot’ e përtejme;
ngriva një cast,
qe pjesa ime “fair” e gurit kalldrëm,
njëmijë shoje lëkure anglishtfolësish
ma shkelën shpinën e lëmuar
dhe unë këlthita
me dhembje brejtëse
prej miu kapur keq nën thundër
me zë nga botë e përtejme
aq të ngjashëm me zërin e nënës
se zë tjetër s’njihja
si zog gurit.

Tringëllima e centëve përpëlitës
më zgjoi
si kambana e përzishme e një fshati bosh, ku megjithatë
vdiq dikush,
më hipi në një nga njëmijë shojet
e pandjeshëm që shkelnin gurët e lëmuar, të zinj,
me rrënjët thellë, xhufka në katran të ngrirë kohës,
këlthitjet s’dëgjohen më -
vuajtje lakuriqësh natës n’agoni.
U largova
kallus i ri në tavanin e mërzisë së ditës,
therje e re në krahun e majtë,
sythët përtëritës në degët e kotnisë bubrruan për diçka
lëvores së drurit mbi parakrahë.

1 Komente

Mbyllja e poemes se pare eshte nje thyerje shume e forte, dhe qe ben krejt ndryshimin ne te.  E ka shndrruar nga nje narracion neutral ne nje shperthim fantastik. Nje nga ato rastet e rralla, ky egocentrizmi eshte 100% vlere.

Poema e dyte nuk me bind. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).