Vajta mijëra vjet larg duke t’kërkuar,
në lugina rëre të thatë silikoni,
ç’kërkon, më pyetën dhe kur ua thashë
u habitën shumë sa folën samsung,
një lloj japonishte të gjermanizuar,
Homeri Boolean i tyre nuk vonoi
dhe nxori një poemë me varg algoritmik
pas së cilës thembrën ma kqyrën imtësisht,
një plagë po kërkonin, çarje gozhde mbase,
kushedi ç’mendonin për këto çizmet tona,
“thembra të ka shkuar” thanë, “dhe dashuria
ashtu siç e përshkrove është një ekuacion
që nuk sillet mirë, pa zgjidhje të mbyllur,
të saktë relacioni dhe vetmia jote
thjesht rrënja katrore e minus njëshit është,
gjithkush me to mësohet pas një farë kohe,
me rrënjë negativësh, dhe pasiguria
në një relacion është gabim normal,
shpërndarë anembanë mu si një kambanë
që s’dihet për kë bie, por bie vazhdimisht”.

Nga logjikë e ftohtë më shkuan mornica
dhe mbeta bosh, gërryer si zgafellë kitare,
me telat paralelë që pas mijëra vjetësh
takohen mu tek nota e heshtjes në g string,
varur në çengel të një integrali
t’aferës dixhitale mbeta pa shpjegim
mu deshe aq shumë si një zemër guri,
provë e si-gurtë për anën dobiprurëse
të çmendurisë së hirshme që vlen sakrificat
por ti atje s’ishe, as pas mijëra vjetësh,
u këput dhe ra akordi i heshtjes
duke lënë pas një heshtje pa akord,
nga strofullat ata nxorën iriqët e logjikës
të bënin shetitjen e mbrëmjes silikone,
ndërsa përdrejt hënës m’jehuan angullimat
e llojeve të zhdukur të qenve guximtarë.

7 Komente

qenke knaq duke loz.

nuk e di pse me pelqeu aq shume ajo"rrenje negativesh"

ndoahta mu kujtu Z.Lumja qe na i bojte me tebeshira ngjyra-ngjyra smiley

@ mirazh:

The sun is the same in a relative way, but you're older
Shorter of breath and one day closer to death

Every year is getting shorter, never seem to find the time
Plans that either come to naught or half a page of scribbled lines

Pink Floyd

akvll, xhen, flm qe e lexuat! smiley

 

Friede sei mit uns! smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).