Këshilli i Ministrave.org sot pësoi një goditje të rëndë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, i cili publikoi të dhënat e verifikimit të pasurive të 200 zyrtarëve, mes tyre edhe të kreut të opozitës Edvin Ramës.

ILDKP, ky institucion shtetëror që paguhet bujarisht nga Këshilli i Ministrave.org ka guxuar të deklarojë se kryetari i Bashkisë së Tiranës na qenka medemek “i pastër”.

Këshilli i Ministrave.org shpreh indinjatën e thellë ndaj ILDKP,këtij tempulli të verifikimit pasuror por që Edvin Rama arriti të korruptojë duke dalë pa lagur.

Si mundet të dalë i pastër Edvin Rama kur vetëm harxhimet e dasmës ishin sa 5 buxhete qeverie?

Por po të mbedhësh vetëm lekët që janë hedhur në dasëm kur ka kërcyer cifti dhe dalin rrumbullak miliona euro napolona flori. Dhe Edvin Rama na dilka “i pastër”.

Këshilli i Ministrave.org është thellësisht i ofenduar jo vetëm nga rezultati i dështuar i inspektorëve por edhe nga epiteti “i pastër” e cila është mund të përdoret vetëm ndaj atij që e meriton, pra vetëm për prof.dr.rroftë Sali Berishën.

Ky është një sakrilegj i paprecedent në Shqipëri që nga koha e verifikimit të pasurisë së Lek Dukagjinit.

Paftësia e ILDKP është e pafalshme dhe duhet dënuar sipas Kushtetutës së Përhershme të Kryeministrit Berisha i cili ndihet i lënduar nga kjo përdhosje e tempullit të verifkimit. I detyruar nga kjo situatë, kryeministri mori këtë vendim:

Vendim i Momentit

ILDKP duhet të bëjë detyrën e saj, duke nxjerë deklarimin e Edvin Ramës të zezë si këpuca.

Këshilli i Ministrave.org u kërkon fajtorëve të ndreqin urgjentisht gabimin e rëndë ndaj Qeverisë dhe ta korrigjojnë atë brenda 24 orësh.

Në të kundërt të gjithë personat në atë ndërtesa duke përfshirë edhe pastrueset tregojnë se nuk duan të mbajnë më vendin e punës.

Ky afat hyn në fuqi menjëherë.

Afati skadon menjëherë pas botimit të vendimit në fletoren zyrtare.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).