Data 21 Janar, po largohet gjithnjë e më shumë prej kalendarit. Tashmë ndodhemi në fillim të Marsit. Afërsisht po bëhen dy muaj që prej ngjarjes tragjike që u mori jetën katër qytetarëve shqiptarë, mu në mes të Tiranës.

Shumë ujë ka rrjedhur që atëherë deri tani...

Më së shumti ka qënë ujë propagandistik, ndotës, shpifës, ujë jo i pijshëm.
Kjo rrjedhë, ky burim ndotës, ka marrë përsipër të mbysë dhe të mbulojë çdo reagim qytetar ndaj krimit makabër që ndodhi atë ditë. Gjithashtu kjo përmbytje, ka nxjerrë në sipërfaqe shumë qënie veshtullore, krimba e kafshë pa shtyllë kurrizore. Ka nxjerrë në sipërfaqe, ato krijesa të shpifura të natyrës, që dalin mbi tokë pas shiut dhe ujit të ndotur (ndodhen në natural habitat-in e tyre). Sasia dhe qënia e tyre, e ka bërë të përditshmen shqiptare shumë neveritëse.

E kam fjalën për të gjithë ata analistë e gazetarë, njerëz të medias dhe mbështetës pa kushte të pushtetit, që kur nuk justifikojnë veprimet e ndyra të pushtetarëve, zgjedhin të neglizhojnë, atë ngjarje dhe atë krim që mori katër jetë.

I kam parë të shkruajnë gjithçka, analiza mbi të gjithë e të gjitha palët, por kanë neglizhuar sistematikisht, arsyen madhore për të cilën duhej shkruar, kërkesën e menjëhershme dhe të panegociueshme për drejtësi!

Kjo nuk është diçka për tu marrë lehtë. Nëse aty nuk do të ketë drejtësi mbi ngjarjen të cilën e pamë vetë me sytë tanë, do të thotë se do mbizotërojë ajo pjesë e njerëzve që kanë bërë kompromis me të vërtetën. Është një pakt i shkruar me djallin. Nëse drejtësia mungon, atëherë çdo pjesë e shoqërisë që do përfitojë si pasojë, do ta ngrejë suksesin e vet mbi këtë premisë. Mbi drejtësinë e munguar të asaj ndodhie, në atë ditë të ftohtë Janari. Në rast se drejtësia mungon, kjo do të thotë se ai vend do jetë dorëzuar në dorën e krimbave që ushqehen me kufoma. Nga këta lloj njerëzish, sot, nesër dhe në të ardhmen, gjithçka mund të presësh. Prandaj është e rëndësishme që drejtësia të vendoset mbi ta, për të sjellë përsëri qetësinë sociale dhe civile në vend.

Ndërsa për çdo qytetar të ndershëm, nuk ka më kohë për dilema hamletiane “to be or not to be”; a do të dëgjojnë “ata” liderin, do u besojnë shpifjeve, intuitës, oportunitetit, vendit të punës, militantizmit, e shumë të tjera. Nuk ka vend për të shprehur disfatizëm dhe pesimizëm. Një i vetëm në qoftë dikush, duhet t’i bjerë këmbanës së drejtësisë, këmbanës makbethiane. Kjo është rruga e vetme.

Këmbana Makbethiane.

Prej Shekspirit, dimë se në tragjedinë e tij “Makbethi”, sinjali që e fton personazhin kryesor për të kryer krimin e neveritshëm, është tingulli i një këmbane, të cilës i bie Lady Macbeth.

Noli, si mjeshtër i përkthimit dhe muzikalitetit të gjuhës, pjesën kur këmbana jepet si shenjë për atë çka e pret Dunkanin, mbretin legjitim të Skocisë, e shqipëron kështu:

“Dunkan, mos e dëgjo, se kjo këmbanë, po të thërret në qiell a ferr hapsanë”

Vini re muzikalitetin e gjuhës, në mbaresat e fjalëve.
“Dunkan...
këmbanë...
hapsanë...”
Dëgjohen si kumbimi i një këmbane, dang, dang, dang!

Është ajo këmbanë që fton Makbethin në krim, prej të cilit duart nuk iu lanë asnjëherë më pas. Dhe besoj që dridhej brenda përmasës njerëzore që i kish ngelur pas krimit të kryer, sa herë i dëgjonte tingujt.

Kjo këmbanë, që i thërret ndërgjegjies njerëzore, është në duart e kujtdo qytetari.

Këmbanat nuk duhet të pushojnë, sepse bien mbi ndërgjegjien e atyre që janë zënë në faj. Bien mbi ndërgjegjien dhe të atyre që vullnetarisht u bënë një me pjesën e fajtorëve, duke justifikuar, ironizuar dhe mashtruar paturpësisht opinionin publik.

Çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, duhet t’i bjerë këmbanës për drejtësi, për të parë nëse do tkurret njeriu makbethian brenda qënies së vet, për të mbizotëruar kafshërorja, apo përmasa njerëzore do gjejë një shteg për të triumfuar mbi të.

Bjerini këmbanës pra, dhe shurdhojini, mundojini, nga mankthet e tyre mos i çlironi. Sa të keni duar dhe zë, bjerini këmbanës!

Bjerini këmbanës si refuzim për të pranuar të uleni në nivelin e atyre që sugjerojnë se në këtë vend nuk mund të ketë drejtësi.

Bjerini këmbanës mbi çdo justifikim, që pengon të dënohet një krim makabër.

Bjerini këmbanës për të ardhmen tuaj dhe atë të fëmijëve tuaj, bjerini këmbanës!

Bjerini këmbanës për sytë e Anës...

Është rruga e vetme, zgjidhje tjetër nuk ka.

4 Komente

 MJEGULLA 

  Kur do te largohet,              Kjo mjegullnaje             Nga qielli yne                   i kalter,Kjo mjegullnaje             Qe u ka zene syte                           politikaneve tane.             Nuk i zgjidhen              popullit hallet                       me njeri tjetrin                            duke u share.                    Zoterinj politikane,              Zoterinj deputete,Lerini sharjet                 me nje ane,                  dhe beni politike                                te vertete.                                        

Mjegulla 

nga Mati i Ri

Kure do te      
          largohet               
                kjo mjegullnaje
Nga qielli              
           yne i kalter
Kjo mjegullnaje
           qe u ka zene syte
                     politikaneve tane.
Nuk i zgjidhen
           popullit hallet
                          me njeri-tjetrin
                                        duke u share
Zoterinj politikane                     
                 zoterinj deputete
Lerini sharjet              
            ne nje ane                    
                    dhe beni politike
                                    te vertete.

 Nuk dua te merrem me hermeneutike tek kjo teme, pasi nuk dua te zhvendos vemendjen nga thelbi i debatit, por kam frike se i ke lexuar mbrapsht Hamletin me Macbethin. Dilema e Hamletit nuk eshte dileme qe ve ne dyshim faktin qe drejtesia duhet te vihet ne vend, por dileme mbi mjetet se si do arrihet kjo drejtesi, dileme mbi kufirin qe duhet te arrijne keto mjete dhe a eshte i njejte ky kufi me kufirin mes te qenit e te mos qenit, jetes dhe vdekjes, to be or not to be. Eshte Hamleti ai qe lufton per drejtesi, dhe tragjedia qendron pikerisht sepse kete lufte e ben me cdo mjet a menyre te mundshme. Atij i therret fantazma e babait te vrare. Shekspiri madje ben nje loje fantastike qe ne fillim, ku pa i dhene asnje fjale fantazmes, thjesht i jep komanda: Hyn Fantazama; Del Fantazma; Hyn Fantazma. Lidhja me e bukur qe mund t'i beje me pjesen e pare te shkrimit eshte pikerisht kjo: te gjithe ata qe flasin per vrasjet e 21 janarit, nuk bejne gje tjeter pervecse fusin fantazmen ne skene. Kadareja e kish kap bukur kete pune: Ne skene hyri vdekja, tha. Nderkohe qe ke nja dy probleme me kambanen e makbethit. Asaj i bien ata qe vrasjet nuk i konsiderojne legjitime per te folur, por legjitime per hir te rendit kushtetues, e qe turma, populli, sovrani, Dunkani, ne vend qe ta injorojne kete kambane, shkojne drejt saj si cjapi tek kasapi. 

 Nuk përbën fare problem hermetika, madje të falënderoj për kritikën që prek formën cilësore të shkrimit. Unë kam bërë një interpretim të dy tragjedive. E bukura e di ku është Lulian? Se në kohë tragjike si kjo që po kalojmë, merr formë më të plotë edhe vetë tragjedia shekspiriane. Të jepen elementë më shumë që përmes tragjedisë tonë, të kuptohet edhe ajo letrarja. Në kohë paqeje sociale, këto të dhëna, ka mundësi të mos dukeshin.

  Për punën e këmbanës, më kish kritikuar dhe dikush tjetër, mbi çfarë shprehte. Ajo këmbanë që përdor unë, është jehona e këmbanës fillestare. Është transformim subjekti, si ai i kryqit, që nga mjet torture, u përdor si mjet shpëtimi.

  Ka kohë që nuk e kam lexuar Shekspirin, dhe ai përdor fantazmat për të transmetuar brejtjen e ndërgjegjies të protagonistëve, si atyre pozitivë dhe atyre negativë. Te rasti i Makbethit, përdor thikën imagjinare, dhe duart me gjak. Te rasti i Hamletit, përdor fantazmën e të atit. Grekët e lashtë, kishin hyjni për këtë punë - Eriniet. Ato torturonin Orestin dhe e ndiqnin këmbë pas këmbe.

  Këmbana e përdorur këtu, është thirrje ndaj ndërgjegjies. Si ndaj asaj të fajtorit, ashtu dhe të viktimës. Çdo fe përdor një mjet të tillë me fuqi akustike, për të ftuar besimtarët në objektet e kultit. Në islam përdoret zëri, tek të tjerë briri dhe tek të krishterët këmbana. Ajo që dua të them unë është që përpara dilemave: çfarë duhet bërë, dhe si duhet bërë? (kjo është dilema ime hamletiane) - duhet që të gjithë t'i bien këmbanës, të bashkojnë zërin e tyre me njëri tjetrin, për të kërkuar drejtësi.

 Mjeti është i tillë, zëri, shkrimi, demonstrimi; që ndjellin, thërrasin hyjnoren. Ka një kuptim gjithashtu pra, për mua, procesi i thirrjes së hyjnores. Lutja, kërkesa me zë. Këtë gjë realizon këmbana.

Dilemat që i kam konsideruar "hamletiane", në fakt janë të zhveshura qëllimisht prej tragjedizmit të personazhit që mban të njëjtin emër. Puna është që kam hasur shumë shkrime që mbajnë "dilema", edhe nëse këto nuk shprehen në formë dilemash. Zaloshnja diku thoshte psh, se nuk do ndikohen njerëzit prej të vërtetës, po do bien pre e propagandës. Nuk ka vend këtu për këtë "dilemë". Secili duhet të bëjë detyrën, t'i bjerë këmbanës së vet.

Ndërsa meqë e preke, punën e Hamletit shekspirian, ai personazh është tragjik, dhe tragjedia e tij e vërtetë shkon në kufijtë e ekzistencës, sepse ai e mendon veten si organ ekzekutues i drejtësisë. Kur thotë psh: O prapësi o dreq, që unë paskam lindur të të ndreq". Që kur mendon këtë, pjesa tjetër e "to be or not to be", është krejt e natyrshme. Sepse nëse ekzekuton drejtësinë me duart e veta, kjo do të thotë të ekzekutojë të ëmën, dhe xhaxhain. Njësoj si Oresti. Pas kësaj, Hamleti nuk e quan më veten njeri.

Pra ky i Hamletit, është gjithashtu një mësim moral mbi hakmarrjen dhe vetëgjyqësinë, si opsion që duhet përjashtuar.

Po meqë ky opsion është përjashtuar dhe shumë herë më tragjik se Makbethi, atëherë rënia e këmbanës është rruga e vetme.

Për atë këmbanë që flet, nuk besoj se mund të mbështesë dikush opsionin që "shteti bëri detyrën" që i vrau. Më tinzarët mbështetës të pushtetit, vrasjet nuk i përmendin FARE. Ose mbase më ka shpëtuar diçka pa u lexuar prej shtypit.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).