Sot është një ditë e shënuar, jo vetëm për kalendarin por edhe për mbarë kombin tonë, sepse festojmë 1 Qershorin, dikur festa e fëmijëve por që sot me të drejtë të gjithë të vegjëlit kudo në Shqypëri, ja dedikojnë këtë ditë feste solemne Qeverisë dhe kryesisht kryeministrit Berisha.

Sepse sot cdo fëmijë shqiptar është një fëmijë europian, cdo pensionist shqiptar është një pensionist europian dhe cdo i papunë shqiptar është një i papunë shqiptar.

Për të festuar të gjithë bashkë, fëmijë, prindër, nëna, baballarë, pleq, plaka dhe të afërm kanë dalë në një manifestim gjigant para zyrave të kryeministrisë. Të tjerë u kanë hipur makinave dhe kanë bërë një vizitë tek tuneli i Kalimashit. Ata që nuk kishin makina, u hipën furgonave dhe vizituan Kamzën. Me pak fjalë, cdo prind ka dërguar fëmiun e tij të shohë një mrekulli të kryeministrit Berisha dhe të qeverisë.

Për inat të Edvin Ramës, edhe vetë moti u mbush me diell të ngrohtë dhe qiell blu si koalicioni duke shprehur solidaritetin e tij me këtë festë të qeverisë. Por mediat dashakeqe dhe opozita po shpifin duke i thënë popullit se gjoja jashtë bie shi me gjyma.

Nuk është shi por janë lot gëzimi që vetë qielli derdh për këtë ditë të shënuar kur fëmijët festojnë si europianë.

Qindra buqeta me trëndafila blu ishin dërguar në adresë të kryeministrit Berisha, i cili nga mallëngjimi nuk mundi të dilte në dritaren e zyrës së Këshillit të Ministrave.org për të përshëndetur grevistët, na falni fëmijët e mbledhur enkas nga edukatoret.

Një përshëndetje e zjarrtë për fëmijët në këtë festë historike siameze vjen edhe nga kryekuvendarja Topalli e cila ka përshëndetur deputetët e ardhshëm të cilët në të ardhmen do të mbushin bankat e parlamentit.

Topalli i bëri thirrje fëmijëve të mos bojkotojnë seancat pas 30 vjetësh por të bashkëpunojnë me mazhorancën për integrimin e Europës në strukturat e Komunitetit Shqipëtar.

Me rastin e festës së fëmijëve, Këshilli i Ministrave.org unanimisht në një mbledhje urrgjente vendosi që 10 shkolla në cdo qytet të Shqipërisë tu vihet emri “Sali Berisha I-rë”.

Ndërsa të gjithë nxënësit kudo në Shqipëri, me kërkesë të tyren dhe me rekomandim nga mësonjësit i kanë kërkuar me ultimatum Ministrisë së Arsimit që nga kjo ditë, ata të quhen "Pionierë të Saliut"

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).