Kur kompania Bechtel-Enka shtronte autostradën Kukës-Durrës në Shqipëri, shumë njerëz e pritnin me entuziazëm nisjen e saj drejt Kosovës. U premtua se, me fillimin e projektit Vërmicë-Merdare, do të krijohen rreth 4000 vende të reja të punës, dhe u tha se gati gjysma e parave që do të derdhen për autostradë, në fakt, do ti kthehen sërish Kosovës, pasi që ajo përqindje do të shkojë në pagat e punëtorëve dhe kompanive vendore, për çka, sërish përfitues do të mbetet shteti dhe populli i Kosovës.

Por sot, pas gati një viti, që kur kjo kompani ka filluar të veprojë në Kosovë, gjërat duken krejt ndryshe nga ajo ç’farë u premtua atëherë.

Shpallja e 1500 vendeve të  reja të punës para disa javëve, nga Bechtel-Enka, në realitet nuk e gëzoi askënd, jo pse njerëzit s’kanë nevojë për punë, por sepse të gjithë tashmë e kanë kuptuar se kjo kompani po i shfrytëzon punëtorët paturpësisht, dhe po i trajton ata si skllevër.

Në katër panairet e punësimit që u mbajtën në Prizren, Therandë, Suharekë dhe Dragash, interesimi për punësim ishte shumë i vogël. Në panairin që u mbajt më 11-12 Shkurt në Prizren, për punë administrative kanë aplikuar rreth 90 persona, kurse për punë fizike nuk janë plotësuar as 10 aplikacione.

Shtypi ditor i Kosovës i cili, si çdoherë, e luan rolin e informuesit pasiv, thirrjen për rritjen e fuqisë punëtore e paraqiti si rezultat i rritjes së intensitetit të punës. Qëllimi për rritjen e intensitetit të punës, bazuar në zëdhënësen e kësaj kompanie, Ela Ruçi, është përfundimi para afatit të përcaktuar në kontratë i tre seksioneve, brenda vitit 2011.

Në mënyrë që  ta kuptojmë frazën e dyshimtë “përfundimi para afatit të përcaktuar”, le t’ia hedhim një vështrim të shkurtër veprimtarisë së kompanisë Bechtel në Rumani.

Në Rumani Bechtel-i e ka fituar të drejtën për ndërtimin e rrugës “Autostrada Transilvania” pa një tender publik. Me ardhjen e qeverisë së re në pushtet, kompanisë Bechtel iu kërkua ti hap dokumentet e nënshkruara me qeverinë e mëhershme, ose në rastin e kundërt do ti shkëputet kontrata. Nga kjo u kuptua se qeveria e atëhershme kishte nënshkruar me Bechtel-in një kontratë prej 2.2 miliardë euro, dhe kishte bërë edhe shumë padrejtësi tjera, për çka pati shkaktuar reagime në parlamentin e Bashkimit Evropian.

Përveç tjerash, Bechtel-i ka bërë disa gabime gjatë ndërtimit të kësaj autostrade që ka rezultuar me shembjen e dheut në një distancë prej 35 kilometrave. Qeveria sërish ngriti padi kundër saj dhe ia tërhoqi vëmendjen me shkëputje të kontratës nëse kjo kompani nuk i paguan dëmet e parapara. Në vitin 2005 qeveria rumune e ka ndërprerë kontratën me Bechtel-in, ndërsa në vitin 2006 sërish e ka vazhduar. Afati i fundit për përfundimin e autostradës është caktuar për vitin 2013, mirëpo, ende nuk dihet nëse ky projekt do të përfundojë në këtë datë për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

Kështu që, duke i parë zhvillimet e fundit politike në Kosovë, dhe frikësimi se në pushtet mund të vij një subjekt tjetër politik, ku me gjasë do shtrohej kërkesa për rishikimin e kontratës së autostradës, Bechtel-Enka ka vendosur ta përfundojë autostradën ‘para afatit të përcaktuar’ dhe të largohet nga Kosova sa më shpejt që është e mundur, pa shkaktuar ndonjë skandal tjetër të radhës, të ngjashëm me atë si në Rumani.

Përveç se në Rumani, kompania Bechtel është e njohur për gabime dhe probleme të shumta që ka shkaktuar edhe në Amerikë dhe në vende të tjera të botës. Në Amerikë është i njohur problemi i tunelit ‘Big Dig’ i cili ka filluar të ndërtohet në vitin 1985 me një kosto prej 2.5 miliardë dollarë dhe ka arritur në një kosto prej 15 miliardë dollarë. Pas një investigimi dhe inspektimi të gjatë është vërtetuar se gjatë ndërtimit të këtij projekti janë përdorur materiale me afat të skaduar dhe metoda të jashtëligjshme të konstruktimit si dhe janë pranuar në punë njerëz jo-profesionist.

Nëse Bechtel ka qenë e papërgjegjshme dhe ka bërë shumë gabime nëpër vende ku ligji funksionon shumë më shumë se në Kosovë, pse një gjë të tillë nuk do ta bënte edhe këtu tek ne.

Madje as Shqipëria nuk i ka shpëtuar lehtë një problemi të tillë. Shembja e dherave në një pjesë të tunelit të Kalimashit i pati kushtuar Shqipërisë me një shumë prej 90 milionë euro shtesë. Bazuar në atë se si Bechtel-Enka i krijon me qëllim problemet, në mënyrë që ta rrisë koston e projektit, atëherë, sipas të gjitha gjasave, problemi në Kosovë do të duhej të ndodhte  aty diku pas segmentit të tretë, afër Malishevës, ku edhe pritet të vështirësohen punimet për shkak të terrenit paksa më të papërshtatshëm.

Në fillim u tha se autostrada do të kushtoj rreth 700 milionë euro kurse tani pas vetëm një viti, ky çmim, bazuar në deklaratat e fundit të zyrtarëve të qeverisë, ka arritur në një miliard euro, dhe kush e di edhe sa miliona euro do ti gllabëroj kjo kompani deri në përfundim të projektit.

Në Shqipëri, kostoja e rrugës Kukës-Durrës zyrtarisht ne ueb faqen e Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit figuron 450 milionë euro, mirëpo kjo kosto realisht është tri herë më e lartë se sa figuron në faqen e ministrisë.

Të gjithë këta shembuj janë tregues shumë të rëndësishëm pse Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës nuk po e lejon kompaninë italiane Merilino Progetti & Politecnica, që e ka fituar tenderin për mbikëqyrje të punimeve në autostradë, të vij në Kosovë dhe t’ia nisë punës.

Mirëpo, arsyeja kryesore pse Bechtel-Enka ka vendosur të rrisë intensitetin e punës, nuk qëndron edhe aq te frika e ndryshimeve politike, sa qëndron më shume te fitimi dhe profiti.

Kjo kompani në vend se ta përfundojë autostradën për tre vjet, siç është në kontratë, ajo me po at numër të punëtorëve, duke ua dyfishuar lodhjen atyre, dhe duke  i detyruar ata të punojnë me një intensitet të dyfishtë, i ka caktuar vetes objektiva që ta përfundojë për 2 vjet, çka do të thotë se të gjitha të hollat që janë paraparë tu paguhen punëtorëve për vitin e tretë, ajo do ti marr të gjitha për vete. Për shembull, punën që deri dje këta punëtorë e kanë mbaruar për dy ditë, tash e tutje po të njëjtën do ta përfundojnë vetëm për një ditë. Nëse këta punëtore deri dje i merrnin 70 centë për orë për atë intensitet të punës, tash e tutje do të marrin sërish 70 centë për një intensitet dy herë më të lartë.

Përveç tjerash, një arsye tjetër pse Bechtel-Enka ka vendosur të ‘dyfishoj numrin e punëtorëve’ është reduktimi i numrit të punëtorëve sepse këta punëtorë çdo ditë e më shume po e lëshojnë punën, ngase siç dihet, punëtori i thjeshtë në këtë ndërmarrje e ka rrogën sa për një kafshatë të gojës, njëlloj me bujkrobërit në periudhën e mesjetës apo në fazat e hershme të industrializimit të rëndë.

Pyetja më e rrallë  që dikujt mund ti shkojë nëpër mend, është, çfarë i ka shtyrë Bechtelin dhe Enkan të gjejnë një bashkëpunim kaq të ngushtë në mes vete kur ne e dimë se të dyja këto kompani vijnë nga dy vende të ndryshëm me një sistem ekonomik krejt të ndryshme? Pra në ç’pikë përputhen interesat, politikat dhe metodat e tyre të punës?

Përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse Enka vjen nga Turqia, një vend ku klasa punëtore ende trajtohet si në kohën e mesjetës dhe përgjithësisht nuk respektohet ligji mbi të drejtat e punëtorëve, prandaj më mire se ajo askush nuk di si duhet përdorur metodat mesjetare për të shtrydhur punëtorët në një shtet si Kosova, që ka mentalitet të ngjashëm të punës me atë të Turqisë. Kurse Bechtel-i vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një përvojë të madhe të politikës imperialiste dhe hegjemone dhe më mirë se ajo askush nuk di si duhet zbatuar politikat kolonialiste ndaj shteteve të varfëra dhe si duhet korruptuar liderët e atyre shteteve. Kjo është edhe arsyeja pse në të gjitha projektet e përbashkëta që i kanë pasur gjer më tani, Enka është marrë me menaxhimin e punëtorëve fizik, kurse Bechteli është përqendruar në menaxhimin e çështjeve dhe politikave më të larta. Pra, pika në të cilën përputhen interesat dhe metodat e tyre të punës janë të një bashkëpunimi feudalo-borgjez.

Një punëtor i krahut në Bechtel-Enka punon minimum 10 orë në ditë, paguhet rreth 70 centë për orë, dhe ka pushim një herë në dy javë ose dy ditë brenda muajit. Në Kosovë, orari i plotë i punës zgjatë dyzet (40) orë në javë. Neni 23, paragrafi 1, i ligjit të punës thotë se “në raste të jashtëzakonshme, me rritjen e vëllimit të punëve dhe në raste të tjera të domosdoshme, me kërkesën e punëdhënësit, punëtori duhet të punojë më gjatë se orari i punës (puna jashtë orarit), më së shumti deri në tetë (8) orë në javë”. E gjithë kjo do të thotë se një punëtor nuk mund të punojë më shumë se 48 orë në javë, kurse një punëtor i Bechtel-Enkas në Kosovë punon më së pakti 70 orë në javë. Deklaratën e Ruçit, në panairin e punës në Prizren, ‘për rritjen e vëllimit të punës’, dhe detyrimi i punëtorëve të punojnë jashtë orarit të punës, domethënë,  me një orar më të zgjatur se sa që është paraparë me ligj të punës, (jo 48 orë në javë, por minimum 70 orë) nuk e shoh si diçka të domosdoshme, e as si diçka të jashtëzakonshme, por si një shfrytëzim i pastër i klasës punëtore dhe abuzim me të drejtat e tyre.

Për më tepër, në fillim thuhej se rroga më e ulët në Bechtel-Enka do të jetë 300 euro në muaj. Kjo gjë nuk ndodhi, pasi rroga më e lart në Bechtel është 450 euro (safi i lartë administrativ), kurse më e ulëta (punëtorët fizik), nëse punon përafërsisht me atë orar të stërzgjatur siç e ceka më lartë, është rreth 200 euro. Përveç tjerash, gjithkund në botë, me ligj ndërkombëtar, puna jashtë orarit (overtime) paguhet dyfish, pra 100% më shume, kurse në Bechtel-Enka paguhet vetëm 30% më shumë.

Gjatë ndërtimit të autostradës në Shqipëri rroga më e ulët e një punëtori ka qenë 500 euro në muaj kurse më e larta ka qenë rreth 1200 euro. Kur Bechtel-Enka ka filluar të veprojë në Kosovë ajo i ka marr me vete rreth 50 punëtorë nga Shqipëria që kane punuar si personel administrativ. Megjithatë, edhe pse këta 50 punëtore konsiderohen personel lokal, njëjtë sikurse pjesa tjetër e personelit administrativ që janë nga Kosova, prapëseprapë këta punëtorë vazhdojnë të paguhen sikurse janë paguar në Shqipëri, trefish më shumë se punëtorët administrativ të Kosovës.

Pastaj, kualiteti i ushqimit, qe në masën më të madhe përgatitet për punëtoret e krahut, është i kategorisë më të ulët: sa për ta mbajtur shpirtin gjallë. Askush nuk e din se prej nga vjen ushqimi pasi që kjo kompani në këtë rast shikon të përfitojë sa më shumë që është e mundur duke iu siguruar punëtorëve ushqimin më të lirë të mundshëm. Është i njohur rasti i helmimit të shumë punonjësve1 në kampingun e Repsit në Shqipëri përgjatë punimit të segmentit të autostradës Rëshen-Kalimash. Punëtorët u patën helmuar nga mishi i viçit që dyshohej të ketë qenë i ardhur nga Brazili. Për më tepër, punëtorët e Bechtel-Enkas, përveç që marrin një shumë simbolike për punën e tyre prej skllavit dhe  konsumojnë çdo ditë ushqim të dyshimtë, ata gjithashtu punojnë nën mungesën e kushteve të sigurimit teknik. Mungesa kushteve të sigurimit teknik gjatë periudhës së ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës në Shqipëri ka shkaktuar vdekjen e disa personave. Shumica e këtyre punëtorëve kanë vdekur pothuajse në një mënyrë të njëjtë; kanë renë nga ura pasi kanë qenë të palidhur me rripa te sigurisë. Rënia e një blloku të betonit nga tavani i tunelit ‘Big Dig’ në Amerikë, që pati shkaktuar vdekjen e shtetases amerikane Milena Del Valle dhe lëndimin e bashkëshortit të saj, i ka kushtuar Bechtel-it me një dënim prej 357 milionë dollarë. Kurse për vdekjen e këtyre punëtorëve askush s’ka dhënë asnjë përgjegjësi. Shpesh herë punëtorët e Bechtel-Enkas janë ankuar për kushtet e vështira dhe mungesën e kushteve të sigurisë mirëpo askush nuk ua ka vënë veshin.

Lavdi Poshtërsisë: Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar

Në mënyrë që  të hyjnë më të përgatitur kur të fillojë ndërtimi i autostradës, shumica e kompanive vendore kanë marrë borxh për të blerë makina dhe vegla më të sofistikuara, pasi që më kontratë parashihet  që 40% e punëve të autostradës të kryhen nga kompanitë vendore.

Por ja se çfarë ndodhi!

Në vend që Bechtel-Enka të blejë gurë nga gurëthyesit dhe kontraktuesit vendorë, siç parashihet nëkontratë, ajo po i falimenton të gjitha këto kompani pasi që ajo vet po e thyen gurin kudo nëpër Kosovë, pa e pyetur askënd, madje pa paguar taksa.

Kjo veprimtari, ku favorizohet një kompani e huaj dhe lejohet dështimi i kompanive vendore, në gjuhën e ekonomisë politike quhet kolonializëm ose shfrytëzim i drejtpërdrejtë.

Këtë gjendje të shfrytëzimit të drejtpërdrejtë nga korporatat globale të shteteve të fuqishme e ka sqaruar para 100 vjetëve njëri prej mbrojtësve më të mëdhenj të të drejtave të shqiptarëve, Dimitrije Tucovic, në librin e tij të njohur, Serbia dhe Shqipëria.

Tucovici theksonte “Shqipëria e fitoi autonominë formalisht, por kjo autonomi është e gjymtë, është formë pa përmbajtje, e drejtë pa kushtet më esenciale të realizimit, autonomi e bregdetit moçalik dhe e viseve shterpe, të ndara prej viseve pjellore në lindje dhe jug. Konferenca e Londrës u suall ndaj shqiptarëve më mizore se Kongresi i Berlinit ndaj Serbisë.

Me vendimet e saj populli shqiptar u dëmtua, pa dyshim, më shumë; mirëpo, ata që fituan më shumë nuk janë shtetet e vogla ballkanike, por qarqet e interesuara kapitaliste dhe ato sunduese të fuqive të mëdha, të Austro-Hungarisë dhe të Italisë. Së pari, ngase qëndrimi armiqësor i qeverive të shteteve të vogla ballkanike e futi Shqipërinë në duar të këtyre shteteve, dhe së dyti, nga se ajo do të jetë vegla më e sigurt për ta, sa më e dobët dhe më e paaftë që të jetë për jetesë [...]. Sa më e pasigurt të jetë Shqipëria si prodhim politik, aq më shumë ai robërim nuk do të bëhet me ndërmjetësim të kredive shtetërore, por me anë të plaçkitjes koloniale të drejtpërdrejtë.”2

Lejimi i Bechtel-Enkas të thyej gurë, pa i paguar tatim shtetit të Kosovë, është një plaçkitje koloniale e drejtpërdrejtë.

Presioni i pareshtur i Bankës Botërore që ti shesim ndërmarrjet e mëdha publike është gjithashtu një plaçkitje tjetër e drejtpërdrejtë.

Siç dihet, Kosova ka pasur mungesë të mjeteve financiare për të ndërtuar  autostradën Vërmicë-Merdare, dhe se një projekt i tillë ka qenë i pamundur të financohet përmes buxhetit të qeverisë.

Për të realizuar ‘rrugën e kombit’, Kosovës i është ofruar një alternativë shumë e volitshme. Nën direktivat e FMN-së dhe Bankës Botërore kushti i parë që të nënshkruhet marrëveshja me Bechtel-Enkan ka qenë shitja e PTK-së. Kur Hillary Clinton ishte në Kosovë, vitin e kaluar, fjala e parë që ajo nxori nga goja ishte “shiteni PTK-në”!

‘E detyruar’ ta pranoj këtë opsion, Kosova i ka shkaktuar vetes një humbje të shumëfishtë.

Duke patur parasysh se PTKja është ndërmarrja kryesore fitimprurëse në Kosove, ajo do të shitet shume lirë, çka do të thotë se do të shitet për aq sa ka nevojë të paguhet ajo pjesë e autostradës që është kërkuar si kusht. Pra, kjo është humbja e parë.

Humbja e dytë është se me shitjen e PTK-së do të reduktohet numri i punëtorëve siç po ndodh momentalisht në Aeroportin e Prishtinës.

Humbja e tretë është se të gjitha të hollat që do të merren nga shitja e PTK-s sërish do ti shkojnë një kompanie tjetër të huaj, Bechtel-Enkas.
Humbja tjetër është se duke shitur kompanitë publike si KEK-un dhe PTK-në, populli i Kosovës po shkon duke u bërë dita ditës e më i varur nga interesat e korporatave globale.

Në një të ardhme të afërt këto korporata kanë me qenë ato që do të përcaktojnë çmimin e rrymës, ujit, dhe  me në fund, çmimin e jetëve tona.

Për më tepër, për ta shitur PTK-në, së pari popullit të Kosovës iu ka ‘mbushur mendja’ se autostrada duhet patjetër të ndërtohet nëse dëshirojmë të kemi ‘rrugën e kombit’ si dhe nëse dëshirojmë të integrohemi në BE.

Nëse e kemi parasysh gjendjen e mjerueshme ekonomike të Kosovës, Autostrada Vërmicë-Merdar është gjëja e fundit që për momentin i duhet Kosovës.

Prandaj, projekti Vërmicë-Merdar mund të shihet vetëm si një projekt i interesave amerikane ku ushqen korporatat private të vendit të saj duke shitur korporatat shoqërore të një vendi të varfër si Kosova.

Për më tepër i gjithë interesi i BB-së dhe FMN-së në Kosovë është që duke urdhëruar të shiten të gjitha ndërmarrjet publike, ta bëjë Kosovën pjesë e rendit të ri botëror që pastaj të mund të kontrollohet më lehtë.

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë bashkëpunim të ngushtë me korporatat globale pasi ndihmojnë njëra tjetrën. Ose thënë më mirë, Banka Botërore është një mjet i shpikur nga korporatat globale, me qëllim që nëpërmjet saj ti realizojnë interesat e tyre pushtuese më lehtë.

Viktima kryesore e këtyre pazarllëqeve është vetëm populli i thjeshtë, pasi që as njerëzit e pushtetit nuk shpëtojnë pa ndonjë shpërblim të majmë.

Si duket, Banka Botërore ka pasur ndikim direkt edhe në përzgjedhjen e fituesit të tenderit. Një nga kushtet për të fituar tenderin ka qenë se kushdo që e fiton tenderin punimet duhet t’ia nisë menjëherë brenda muajit. Praktikisht ky kusht ka qenë i pamundur të realizohet nga kompanitë tjera konkurruese si Starbag, me përjashtim të ndërmarrjes Bechtel-Enka e cila i ka pasur gati makinat dhe veglat e punës të stacionuara në Shqipëri.

Mirëpo, s’është asgjë ky kusht absurd karshi një situate tjetër edhe më absurde. Ne të gjithë e dimë se Bechtel-Enka ka hyrë në Kosovë ende pa u shpallur tenderi publikisht. Çka do te thotë se prej në fillim ka qenë e ditur se kush do ta fitojë tenderin.

Për më shumë, Bechtel-Enka përveç që është kompani ndërtuese ajo ka nisur të punojë edhe si me qenë ndonjë bankë ndërkombëtare. Duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të Kosovës, Bechtel-Enka i ka dhënë borxh qeverisë që me ato të holla të paguaj autostradën, çka do të thotë se përveç borxhit, Kosova ka me qenë e obliguar ti paguaj Bechtel-Enkas edhe kamatën. Për ta kthyer borxhin dhe kamatën, Kosova s’do të ketë rrugëdalje tjetër veçse të shesë të gjitha pasuritë shoqërore.

Bechtel-Enka, gjithashtu, ka bërë marrëveshje të fshehta me disa kompani vendore, pasi të gjithë tenderët që i jep kjo kompani nuk shpallen publikisht.

Bechtel-Enka pritet që ta blejë edhe Hidrocentralin e Zhurit kurse në një të ardhme të afërt nuk është çudi nëse ajo e blen edhe Hidroregjionin e Prizrenit dhe të shkaktojë një krizë Boliviane.

Me një qasje jokritike, që populli i Kosovës ka ndaj Shteteve të Bashkuara, nuk i mbetët gjë tjetër veç se të ngjyroset i tëri në të kuqe dhe të bëhet reklamuesi kryesor dhe i përhershëm i Coca-Cola-së.

Më mirë vonë se kurrë:
Të emancipohemi politikisht edhe të mos lejojmë të na udhëheq asnjë mision i jashtëm ndërkombëtar dhe asnjë korporatë e huaj globale që nuk është e zgjedhur nga vota e lirë e popullit të Kosovës.
Të mësohemi të protestojmë kundër çfarëdo padrejtësie.
Të mësohemi të mos frikësohemi edhe atëherë kur të mbesim krejt të vetmuar dhe askush të mos na përkrahë.
Të mësohemi të jemi radikal (të jesh radikal do të thotë ta kuptosh problemin në thelb).
Të vetëdijesohemi se privatizimi i ndërmarrjeve publike dhe shitja e pasurive shoqërore, nuk shpijnë drejtpërdrejt në pasurimin e menjëhershëm të shtetit siç mendojnë disa trumbetues naivë të ekonomisë liberale, por domosdoshmërish çon në kufizimin e lirive të qytetarëve, kontrollin e asaj që quhet e mira e përbashkët, dhe reduktimin e hapësirës publike në duar të pak njerëzve.
Të mësohemi të kuptojmë se njerëzit që udhëheqin korporatat si Bechtel-Enka dhe Halliburton janë më zi se Çernobili, se ata janë e liga e kësaj bote.

Të vetëdijesohemi kundër makinës shtypëse Bechtel-Enka. Fati i punëtorëve është fati i popullit.

15 Komente

Sadoqe nuk jam dakort me qendrimin absolut te autorit kunder FMN-se, BB-se dhe privatizimit, me pelqen shume qe ne Kosove shkruhen te tille artikuj edhe informative edhe politike, dhe me vjen keq qe ne Shqiperi kjo nuk ndodh (perjashto Saktivisten apo Kajsiun, por edhe keta, nuk shkojne tek numrat dhe emrat, tek investigimi). Dhe pse nuk ndodh kjo? Se ne kemi frike nga ideologjia marksiste. Dhe pse ndodh kjo? Se ne nuk jemi ballafaquar me fantazmen e sistemit enverist. Dhe pse ndodh kjo? Se na mungon largpamesia dhe dashuria per te verteten, sepse e kemi teper te forte brenda vetes deshiren per jeten, mbijetesen, individuale. Sa per t'i rene shkurt.

Pavaresisht marksizmit, artikulli ka informacion shume te vlefshem per gjendjen ne Kosove, qe nga financat e qeverise, tek gjendja e rende ekonomike dhe organizative e shoqerise (sa e mjere duhet te jete gjendja qe edhe punetori shqiptar te paguhet 500 euro kurse ai kosovar 200?).

 

 Te drejte kane, po shkrimi bie pak ere marksizmi...

 shifrat dhe te dhenat specifike qe ofron shkrimi e zhvendosin ne vend te dyte cdo ere marksizmi apo socializmi

Alidemso,

Marksizem nuk do me thene sezben Gogol! smiley

 JO Rono, jo, por ka ca ketu qe e quajne gogol. Me duket se ne disa universitete mesohet si lende, mund te ma konfirmosh,  Po termat klasa punetore, shfrytezimi kapitalist, e tj e tj jane terma qe ne ditet e sotme jane moderuar, prandaj e bera krahasimin, se mu kujtua mnaterializmi historik qe e kam bere ne shkolle......... lol

Alidemso,

Ne Boten Akademike (Political Economy) Diagnozat e Marksit ne lidhje me problemet e Kapitalizmit rrespektohen. Kurse Prognozat konsiderohen te gabuara.

 

 ok

E nisa diten mbare me kete shkrim. Shpresoj qe se shpejti te kete analiza te ngjashme dhe per veprimtarine e Bechtel ne Shqiperi. 

 

Para ca ditesh rastisa te takoj nje person i cili ishte thirrur si pale e jashtme te 'pajtoj' dhe te ve ne vije bashkepunimin e partnereve te shumte te angazhuar ne projektin per rrugen Rreshen- Kalimash. Ky robi ka specialitet cross-cultural collaboration maximization. Sic duket ka patur mosmarrveshje te shumta nje prej te cilave mes nje kompanie franceze qe refuzonte te ishte pjese e projektit nese nuk permbusheshin disa standarte qe Bechtel po injoronte dhe po bente shkel e shko. Personi kishte patur rastin te flas vete me Bashen i cili i kishte kerkuar qe projekti te mbarohej sa me shpejt dhe mundesisht ne prag te zgjedhjeve qe te kish me cte mburret. Kur i shpreha mosaprovimin tim per disa aspekte te projektit mu pergjigj "But this road would bring Kosova and Albania closer. Don't you guys want to be closer to your brothers in Kosova who have suffered so much". Ah, mendova, ky duhet te jete dhe refreni qe po perdor Basha para nderkombetareve. 

 

 Analizen e rruges Rreshen - Kalimash e kane bere, bile e shpune edhe ne prokurori, per shkelje dhe abuzime te tmerrshme, por u mbars mali dhe polli nje mi. Ketu e mbyllen per kalim afatesh ligjore, pasi nuk kishin shkuar avokatet ne kohe, pasi nuk e kishin kap autobuzin.....( ose i kish lone autobuzi, merreni si te doni)......

Nuk duhet t'i faturojme detyrimisht kapitalizmit praktikat skuthe te nje kompanie te caktuar. Pervec kesaj, dakord me shkrimin dhe bravo qe ne Kosove mbahet qendrim.

" .... Nuk duhet t'i faturojme detyrimisht kapitalizmit praktikat skuthe te nje kompanie te caktuar."

.. qe e ke shume mire kete  qe thoni,  (me lejo  ta  vazhdoj une)...nuk ka asnje medyshje.Por une kam mendimin se  duhet t`ja u faturojme, skutheve tane kusare e te pangopur...

 Une per vehte,  duke kenduar kete artikull, njeheresh me se pari  falenderoj saktivisten, per prurjen dhe them: Mi lumte autorit.I kam shume qejf ata qe i thone gjerat si jane.Kjo kompani kudo ka livadhisur.... por jo si tek neve..Ka marre euro, sikur te kete ndertuar radhe, pallate 10 kateshe prej Rresheni   gjer ne te dale te Kavajes... !Kete e kane thene specialistet e M.P.P.T. Dhe Telekomunikacioneve(nje ish Drejtor aty), jo une...

Oh, sa mirë me ndërtu piramida për faraonët e epokës sonë. smiley

Ndoshta na marrin edhe neve skllevërit e shkretë kur të nisen për në Parajsën e tyre? (parajsë = ndonjë ishull tropik me ligje të volitshme për shpërlarjen e parave)

Kosova, I believe in you!!!

U detyrova t'a nderpres leximin tek "Përgjigjja është shumë e thjeshtë: ..."

E pse Australia si kontinent,ka fillue prej zeros ne vitin  1800 ,me industri edhe banore.Kurse  tani me 2011 tenton dhe aspiron te behet ekonomikisht dhe ushtarakisht me e forte se Amerika.RRoga mesatare per nje punetore krahu eshte prej   15 deri 20 dollare Aus. per nji ore.(sa dollari amerikan).Perafersisht dita  e nji punerorit paguhet deri ne 150 dollare AUS.Per nji kohe te shkurte emigranti pasurohet , pasurohet bile edhe shume.Per pese dite pune ose 38 ore ne jave ne banke i depozitohen nje punetori krahu afersisht 600 deri 700dollare Aus.Ai blen shtepine e pare e paguan borxhin bankes dhe e blen shtepine e dyte dhe e jep me qira.Gjysmen e borxhit qe ia ka bankes ia paguan qiraxhija  dhe ai shtremberon kapucin se krizen ekonomike e kaloi.Pas pak ai behet pronare i dy shtepive  me vlere gadi nji milioneshe.Interesi ose kamata ketu asht shume e ulet,gjithashtu edhe perqindja e te papunesuarve.

Por problemi asht si me shkue deri atje,edhe nese rastesisht  shkon , atehere ta keni te kjaret se nuk do te ketheheni me kurre  atje ! ku kendohet Shqiperi oj Nana ime ose oj kosove oj nana ime,ku  ua  pijne gjakun me pambuk per 70 cente per nje ore.

Ju rini atje  , e ne , do te rijme ketu,erdhem per pak kohe, u bene shume ,erdhem   vete tani u beme  pese ,erdhem  per ato 15 dollare  dhe shitem  fisin dhe  gjenerata te tera.

I mallkuar qofte gurbeti.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).