Këshilli i Ministrave.org proteston ashpër ndaj vendimit të Bashkisë për të ndërhyrë në sheshin e demokracisë, në sheshin e fitoreve, në sheshin e integrimit, pa pëlqimin e pronarëve legjitime të sheshit, Skëndërbeut I dhe Skëndërbeut II.

Madje ky i fundit, i cili njihet edhe me pseudonimin Kryeministri, ka nxituar të mbledh tryezën e prijësave të tij dhe ka urdhëruar që “edhe sikur Enver Hoxha të ngjallet, sheshi të mos lëvizë nga sheshi, pa u bërë transparenca e projektit”

Tepër i nxehur që Bashkia, kishte filluar punimet në shesh, pa e pyetur dhe mbi të gjitha duke i prishur planet për mitingun e tij madhështor me 1 milion të ftuar, të planifikuar për 1 maj, kryeministri Berisha është ngjitur në foltoren e kuvendit dhe nga aty i ka kërkuar kundërshtarit të tij transparencë.

KryeQeveritari dhe njëkohësisht KryePronari i sheshit, ka deklaruar sheshit se ishte tepër i sigurtë se në kutinë e projekteve për sheshin ka pasur disa më të mirë se ai i studiove belge dhe franceze.
Më pas kryeministri i ka njohur të gjithë të pranishmit në kuvend me projektin, më të mirë për sheshin, i cili ishte punuar nga vetë ai, dhe kishte si datë përfundimi pikërisht datën 28 nëndor të 2012, pra jubileun e 100 të pavarsisë, të cilin e ka quajtur “Sheshi i Ëndrrave”, për faktin se projekti i ishte shfaqur si një vizion në një ëndërr që kishte parë, dy netë më parë.

Projekti “Sheshi i Ëndrrave”, i bërë publik nga Kryeministri Berisha parashikon, ngritjen e tregut të vjetër, ku do të shiten që nga rrobat e përdorura e deri tek zarzavatet e papërdorura, sidomos ato vendase me firmë “Made in Lazarati”.
Aty ku është Pallati i Kulturës, parashikon ngritjen e një serie dyqanesh për qofte. Gjithashtu sheshi duhet të ketë patjetër një tunel, i cili do të simbolizonte daljen e Shqipërisë nga tuneli nën udhëheqjen e qeverisë dhe kryetarit të saj.
Ndërsa pika më kulminante e sheshit do të ishte një shatërvan në formë rrethi në mes të sheshit, i cili do të quhej “Shatërvani Fitorja” dhe do të mundësonte që nisma e qeverisë “Me duar të pastra”, të zbriste edhe në popull.

Qershia mbi tortë e këtij projekti ëndrrash, do të ishte padyshim, një statujë e dytë që do i bënte shoqëri Skëndërbeut I. Ajo do të ngrihet në të njëjtin vend ku ka qenë një tjetër bust dhe do të pasqyrojë një kalorës, ose më saktë një kavalier mbi kalë, i cili njërën dorë e ka ngitur lart me dy gishta dhe në tjetrën mban gërshërët e inagurimeve dhe darët e ndërshkimeve.

Pasi ka paraqitur vizionin e tij për sheshin, kryeministri Berisha i ka kërkuar kryebashkiakut që që të hapin kutitë e projekteve dhe të bënin transparencën e plotë, por ky i fundit, ja ka prerë shkurt se për projektin e studios franceze dhe belge, kishte vendosur gjykata dhe ai nuk mund të dilet kundër vendimeve të gjykatës.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).