Mënyra më praktike për t’u shfrytëzuar që mund t’i sajojë vetes në këto ditë greve një njeri me mend në kokë dhe laps në dorë, do të ishte: t’i shtojë ndonjë çikë emocion, tension e zhurmë nga e vetja asaj resë së dendur të propagandistëve që zhurmojnë rreth grevës. Për këtë arsye, ky nuk është një shkrim për perimetrin e brendshëm të çadrës së urisë, por për perimetrin e asaj çka ndodh jashtë saj. Ky nuk është një shkrim për ato që Rama thotë në patetizmin e përditshëm të kopjuar nga uebsajti online i rrjetit underground Fronti i Rezistencës Sociale, por për ato që Rama nuk thotë rreth mënyrës sesi shkojnë punët brenda partisë së tij. Ky nuk është një shkrim për t’u rreshtuar me listat e intelektualëve, gazetarëve dhe velinave të secilës palë, por për t’u rreshtuar me listat e bukës dhe të papunëve që do të vazhdojnë të jenë po aq të uritur dhe të papunë edhe pasi Rama t’i ketë identifikuar me emër dhe mbiemër komisionerët e tij që blenë bukë për fëmijët kur shitën me para votat ngaqë deri as tek ata nuk ndizte frymëzim të mjaftueshëm kryetari socialist.
Si unë, ka shumë të tjerë që dëshirojnë ta shohin me ftohtësi neutrale gjithë skenografinë ku duan të na vendosin me detyrim si figurantë pasionantë. Disa nuk mund të rrinë pa folur ngaqë kanë frikë se mos u shpëton momenti historik për të pasur siç thotë Andy Warhol “15 minutëshin e vet të famës”. Disa të tjerë druajnë se mos duke mos folur do i damkosin direkt si mercenarë të krahut tjetër. Ka disa madje, që janë të detyruar të flasin me entuziazëm për aktivitetin e fundit politik të PS-së, pasi nëse nuk e bëjnë, mediat ku paguhen mund t’i flakin ata në rrugë, pikë për pikë siç ndodh në disa media a zyra pune të kontrolluara nga partia në pushtet.
Por ka një të vërtetë të shndritshme brenda shpalljes së mërzitshme të kësaj që le ta quajmë grevë rreshtimi, apo refuzim për të kënduar në kor. Braktisja që po i bëjnë të ngrënit të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste dhe aleatët njëri pas tjetrit (për shkak se janë të zemëruar që s’po u del e tyrja në një mosmarrëveshje me një parti tjetër) është një çështje që nuk u takon njerëzve të thjeshtë. Ai është një sherr i brendshëm midis dy organizatave politike, kësaj specieje të huaj e gati gati aliene për sytë e shqiptarit të zakonshëm. Një problem personal brenda llojit të tyre armiqësor ndaj qytetarit. Problem i cili po u imponohet njerëzve të tjerë të këtij vendi me një arrogancë dhe një metodikë propagandistike që i ka të gjitha shenjat dalluese të një diktature informative. Ai është një hall i tyri që ata kërkojnë me çdo mënyrë që ta bëjnë edhe tonin dhe që pikërisht për shkak të grykësisë dhe euforisë fëminore me të cilën po serviret në marrdhëniet me publikun, po shkon drejt një çngjyrosjeje të shpejtë e të garantuar.
Nuk bëj pjesë tek cinikët që dyshojnë deri mbi faktin nëse 200 anëtarë të flaktë të një partie mund të mbajnë dy javë ramazan politik apo jo. Kjo, jo sepse më mungon skepticizmi i nevojshëm për ta bërë këtë, por sepse kjo është një çështje që sinqerisht nuk më intereson aspak, pasi lufta e militantëve partiakë (e për më tepër, e këtyre lloj militantëve të këtij lloji partish) nuk është lufta ime. Nuk më intereson fare nëse ata që u kushton ora e dorës sa gjithë të ardhurat vjetore të një pjesëmarrësi në protestat e tyre, po i bojkotojnë vërtet vaktet apo thjesht po marrin pjesë në ndonjë variant glamour të Big Brother Albania si banorë të çadrës më të famshme në Shqipëri, ku vëllai i gjatë “is watching you”, ku për ta bërë sa më televiziv dhe sa më intrigues spektaklin, ka romanca, lule, lotë, debate, surpriza dhe vizitorë brenda shtëpisë, ku ka sfidë të javës dhe nominime për ata që duhet apo s’duhet ta lënë menjëherë lojën.
Me një fjalë, asgjë kundër motiveve të grevës dhe asaj nëse pjesëmarrësit në të i quajnë këto motive të drejta apo jo. Kushdo ka të drejtë të shprehë protestën e tij në mënyrën e tij dhe ta quajë të drejtë kauzën që mbron. Kur deri për ballistët ka një farë indulgjence ngaqë besonin se lufta e tyre ishte e drejtë, imagjino më pastaj për ata që deri edhe hapjen e kutisë së Erion Velisë e binjakëzojnë direkt me antifashizmin e partizanëve ashtu siç Berisha lidhte përkrenaren e Skënderbeut me samitin e Bukureshtit.
Por ajo që nga ana e organizatorëve të këtij aktiviteti partiak përbën një shkelje flagrante të dinjitetit të njerëzve dhe lirisë së tyre për të mos iu nënshtruar propagandës politike është dhuna me të cilën armatura e kësaj greve po i mvishet problematikës që i intereson realisht qytetarit shqiptar. Është këmbëngulja moskokëçarëse me të cilën pakënaqësitë teknike të një subjekti politik ndër dhjetëra të tillë që popullojnë konstelacionin e organizatave tona politike po i ngarkohen si një tjegull shtesë çatisë së telasheve që edhe pa telashin e socialistëve, njerëzit e kanë vetvetiu mbi supe. Kjo mbivendosje është pak ta quash prepotente. Deri edhe lajmin e qindra të helmuarve në Ballsh (ku s’u mor vesh se pse s’pati kamera), apo të aktit kriminal pa dëshmitarë mediatikë në gjimnazin e Elbasanit, shumë media e pozicionuan poshtë në hitparade-n e tyre të lajmeve të ditës, pasi ndodheshin nën artilerinë propagandistike të grevës. Këto ngjarje vërtet shokuese ishin në momentin e parë shumë mbrapa në listën e lajmeve kryesore, pasi vendin kryesor e zunë mimikat kinematografike të Ramës apo efektet speciale të ambulancave që transportojnë grevistë partiakë në gjendje të rëndë drejt spitalit, si përherë nën histerinë e kamerave, mikrofonëve dhe komentatorëve. Në fjalimin e tij të radhës, Edi Rama ua atashoi me një lehtësi ofenduese edhe këto dy situata tragjike që ranë mbi kurrizin e njerëzve që s’ishin në grevën e tij –arsyes së ndërmarrjes së grevës së tij. Kjo vetëshpallje prej Mesie është jo vetëm e pa kërkuar nga askush, por mbi të gjitha e pamerituar dhe të paktën për këto dy plagë të freskëta që ende kullojnë gjak nga trupi i popullit të thjeshtë, lideri i asaj partie që synon të vijë në pushtet duhet të kërkojë falje që deshi t’i përdorë për të ndezur ndonjë emocion më shumë në sheshin e protestës së tij të radhës.
Sikurse Fatos Lubonja vëren në një shkrim të tijin rreth simbolikës së grevës, kur organizatorët e grevës bllokojnë bulevardin me çadra e podiume, apo kur bëjnë kaps me militantë që ulen këmbëkryq rrugët që çojnë në punët tona jo-politike secilin prej nesh, ata as që e vënë ujin në zjarr për atë se çfarë u ndodh jetëve të thjeshta e të zakonshme të njerëzve që nuk i përqafojnë qëllimet e tyre politike. Ata kanë vendosur se, ajo çka është shqetësim për ta, me domosdo quhet shqetësim edhe për ne të tjerët dhe s’marrin mundimin as të pyesin nëse kjo është e vërtetë apo jo. Ata thjesht superpozojnë gjullurdinë e tyre të zhurmshme mbi gumëzhimën e problemeve të përditshme brenda kokës së çdo shqiptari duke shpresuar të krijojnë aty harmoninë e tyre përmes kaosit. Ky lloj eksperimenti kryhet në mënyrë agresive, arrogante e fyese dhe është një shenjë e qartë se sa i ha meraku këta aparatçikë partiakë për problemet reale të njerëzve.
Kjo po i shndërron ata që betohen se po luftojnë për një Shqipëri më të mirë në emër të ne të gjithëve, në shëmbëlltyra ekzakte të një tjetër subjekti politik - atij që sot ka pushtetin tek ne, e që kritikohet se i mungon deri modestia më bazike për të mos i trazuar në mosangazhimin e tyre ata që mendojnë ndryshe. Edi Rama dhe Sali Berisha, tashmë janë bërë si dy shishe vere që po t’i degustosh me sy mbyllur pa ua parë etiketën, i ngatërron me njëra tjetrën. Nuk ka ndonjë dallim të madh midis Ramës që fare i paautorizuar nga ne, qytetarët e këtij vendi, shpall se s’do hajë bukë për hatër të interesave që ai supozon se janë tonat dhe Berishës që shkon më larg dhe vendos që jo vetëm të bëjë gjëra në emrin tonë por edhe të përcaktojë si jemi ne. Jo më larg se tri ditë më parë mund të shihje vetëkënaqësinë e djallëzuar të kryeministrit që për të justifikuar anti-mitingjet e kurdisura nën rrogoz nga ai vetë, sapo kishte marrë vendimin që “shqiptarët janë populli më politik” në gjithë Evropën a rrezik në mbarë botën.
E parë në një kontekst më të distancuar, e gjithë kjo që po ndodh është pjesë e një anomalie të madhe. Pjesë e një deformimi që i ka themelet të hedhura vite më parë dhe rrënjët të zhytura në një kulturë të egër western e cila ushqehet nga sistemi ku jetojmë. Një sistem që nxit pakënaqësinë e gjithsecilit me atë që i ka rënë për pjesë. Në sajë të kësaj anomalie, në këtë vend askush nuk bën punën për të cilën është destinuar duke u munduar madje që ta bëjë mirë atë, por beson se ekziston një plan i madh hyjnor komplet i personalizuar për të. Në sajë të kësaj anomalie që mitizon macho-t dhe të fortët, kemi që nga 1996-a e tëhu, që vetëm për të mos pranuar damkën kompleksive të humbësit, vendi futet në kriza ciklike nga liderët partiakë që dështojnë në zgjedhje. Dhe prej këtu buron edhe panorama trishtuese që shohim sot para syve në këtë Shqipëri përherë nervoze, ku doktori mendon se është gaztor, piktori kujton se është pastor, biznesmeni pretendon se është martir, çuni i mamit vendos të jetë Che Guevar-ë dhe gazetari beson se është ushtar.


(Gazeta "Shqip", 13 maj 2010)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).