(ripunim)

I pashtruar
Si djali rrugaç
Që prapa shtyn sahatin e murit
Prindërit të mashtrojë
Për orët e natës
LA
Me muzgun e vet atletik
Mbështjell mesnatat e lodhura
Që mbërrijnë nga Lindja;

Dhe t'vështron nën xhama Lamborghinësh,
Baluke palmash.
I vogël ndihesh nën guackat e muzgut
Dhe prapë me shpresë,
Lotët e perlës rrjedhin pranë,
Mund të prekin, stërpikin,
Me fosforin e hënës mbi paqësor.
Më tutje se këtu nuk ke ku shkon
Fillimfund bote LA.

IQ të shtrydhura
Si qitro dietike.
Diejt e botës skuqur e shërbyer
Me salcë saksone-mandarine-latine a là carte.
HotÇilli-PançoVilla-Rodrigez-Holè-Sombrero-Salerosa….
Gracias… and please come back…. Senjor!
Kurbaturat e kameriereve
Do tërbonin çdo impotent.
Neuronet humbasin atdheun
Përkohësisht,
Seç kish diçka prej pluhur hëne Santa Monica Bulevard
Që pahiti flokët, mushkritë,
Një shi i ngrohtë vere shpëlan,
S’bie mbi shpatulla, porse
Së brendshmi shpërthen si fontanë,
Qielli është i thatë, sjell pranë Jupiterin
Qytetar i sistemit diellor, është kaq e thjeshte zgjidhja
E krizës identitare,
Vetem pak pluhur kometash mungon
Per qytetari mbarëuniversale.

Westwood, psherëtimë e ngadaltë, e menduar, si një mëngjes i vonë
Që përton të ikë, që përtoj t’i iki.

Rrugëve pak fytyra
Dhe shumë abdomenë
Diktatura bikini, gijotina kirurgësh plastikë,
Ku rrokullisen mijëra koka presidentesh.

Lugina të silikonit
Të kontesë Toraks.

Avionët largohen nga LAX
Si bletët nga lulja e kaktusit.
Katër korda qiellore kaptuar
Do mbetet pas
Diku në ije të dheut
Përskuqur si gjak a rubin,
Diçka midis,
Shumë luksoz si plagë
Dhe shumë plagë si luks
LA.




1 Komente

"Shumë luksoz si plagë
Dhe shumë plagë si luks"

Me pelqen.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).