Prapa çon sahatin e murit
Djali rrugaç
Prindërit të mashtrojë
Për orën e natës
Kur kthen,
LA
Muzg atletik
Mbi mesnatat e plakura
Që mbërrijnë nga Lindja.

Sy Lamborghini,
Baluke palmash,
Kapakët mbyll guacka e muzgut,
Lotët e perlës
Mund të t’prekin, stërpikin,
Si varaku i hënës Paqësorin.
Më tutje se këtu nuk ke ku shkon
Pa ndërruar univers
Dhe specie.

IQ të shtrydhura
Si qitro dietike
Mbi porcelanet e hollë të mëngjesit,
Diell pa interes
Erdhi vonë
I ra rruga
Dhe fjala,
Skuqur, shërbyer
Me salcë saksone
Mandarine
Latine
A là carte.
Hot Çilli-PançoVilla-Rodrigez-Holè-Sombrero-Salerosa….
Gracias… and please come back... Señor!
Lakimet e kameriereve
Do tërbonin çdo impotent,
Neuronet humbasin atdheun
Përkohësisht,
Seç kish një pluhur hëne Santa Monica Boulevard,
Pahiti flokët, mushkritë,
Karthi e një kolle qan vazhdimisht
Me lot kapilarë
Mbi mollëza poroze
Argjile marsi,
Shi vere i ngrohtë, shpëlarës
S’bie mbi shpatulla,
Së brendshmi gurgull, e shurdhët me kast,
Lag me duar fontane,
Qielli i thatë sjell Jupiterin pranë:
Qytetar i sistemit diellor - kaq e thjeshtë zgjidhja
E krizës identitare,
Vetëm pak pluhur kometash mungon
Për qytetari multiversale.

Westwood , psherëtimë e ngadaltë, e menduar, mëngjes i vonë,
Që përton të ikë, që përtoj t’i iki.

Rrugëve pak fytyra,
Shumë abdomenë,
Diktaturë bikini,
Gijotina kirurgësh
Plastikë si karta retail-i
T’pabesa,
Rrokullisen mijëra koka
T’shohin me kureshtjen pafund të sekondës së fundit,
Si fytyra të para
Në moll,
Ose në librat e historisë,
Jeshile
Nga pezmi.

Luginë silikoni
Konteja Torax.

LAX
Largohen avionët
Si bletët nga lule’ kaktusit.
Katër korda qiellore kaptuar
Do mbetet pas
Diku në ije të dheut
Përskuqur si gjak a rubin,
Diçka midis,
Shumë luksoz si plagë
Dhe shumë plagë si luks
LA.

3 Komente

E lexova te gjithen.Si gjithnje overdoze figurash ,te ngjeshura.Kater kodra qiellore kaptuar me kujtoi Kostandinin.Bukur .qete,pa dhimbje ndonese me plage.

look, the whole piece is very impressive. i loved this:

Sy Lamborghini,
Baluke palmash,
Kapakët mbyll guacka e muzgut,
Lotët e perlës
Mund të t’prekin, stërpikin,
Si varaku i hënës Paqësorin.
Më tutje se këtu nuk ke ku shkon
Pa ndërruar univers
Dhe specie.
 

you must have loved that city big time.

congrats.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).