Një “pse” e patretshme lidhur me prapambetjen e vendit të vet është e natyrshme tek shqiptari normal, sidomos pasi ai/ajo konstaton se në rrafsh personal, në cilësi që nuk shfaqen “në grup”, ai/ajo nuk ka ndonjë dallim domethënës nga individë normalë (lexo të përzgjedhur rastësisht) të kombeve të përparuar. Pse jemi “mbrapa dhe anash”? Në shpjegimet për derexhenë tonë të kahershme ka ngërç, justifikim dhe fajësim/rëndim me të të kundërshtarit. Justifikimi shoqërohet me një atmosferë prej teorie konspiracioni: prej ca fqinjëve të poshtër (që janë vërtet të tillë) një hap ndan nga hilet e përbetimet mbarëplanetare vetëm kundër nesh dhe nga kontinenti vazhdimisht i pabesë dhe “kurvë plakë”. Ngërçi vjen nga fakti që të tjerë që ndajnë karakteristika të ngjashme me ne (psh shumë male si ne, të vegjël si ne, me fqinjë agresivë si ne), karakteristika që i mbajmë si përgjegjëse për prapambetjen tonë, janë më të perparuar se ne në ekonomi dhe institucione demokratike. Ndërkaq, për të plotësuar tablonë ogurkeqe shkak-pasojë, në krye tonë proftasin “për çudi dhe për dreq” vetëm njerëz që meritojnë më pas si rregull kush më shumë, kush më pak, dhënie munxësh, stigmatizime emocionale deri në zhbërje: Zogu, Hoxha, Nano, Berisha, alias “satrapi, diktatori, gërmadha morale, maloku”. Ngërçi në shpjegim mbetet aty si urth, pse-ja prodhon acid dhe ulçer.

Nëqoftëse kjo përbën një ngushëllim, le ta themi që në fillim: përpjekjet për të shpjeguar në mënyrë fundore-shterruese dhe sistematike ndryshimet në përparim (progress) të shoqërive nëpërmjet faktorësh të jashtem (eksogjenë), nuk kanë qenë të suksesshme. Teoritë tradicionale të imperializmit, varësisë apo racizmit kanë dështuar në shpjegimin sistematik të dallimeve në mirëqenien globale. Ndërkaq, një faktor qe po fiton gjithnjë e më shumë terren si pasojë e dështimit të mësiperm, është ai i vlerave kulturore si përcaktuese në dallimet e mirëqenies midis vendeve të ndryshme. Kultura si ndryshore që shkakton ndryshim dhe dallim në zhvillimet e shoqërive përkatëse, po studiohet nga emra autoritarë në disiplina të ndryshme (S. Huntington, Lawrence Harrison, Francis Fukuyama, Ronald Ingëlhart, etj); kur them “emra autoritarë” nuk nëpërmend aspak dogmë, por thjesht dhe vetëm metodë shkencore në kërkim.
Ndër autorët dhe këndvështrimet e shumta, po zgjedh si fillim punën e Ronald Ingëlhartit (Inglehart), përpunuesit të teorisë postmaterialiste. Para se të shtjelloj punën dhe përfundimet e Ingëlhardit, për diskutim konsistent, duhet përkufizuar nocioni bazë “kulturë”, dhe nga disa përkufizime, po përdor atë të antropologut Richard Schweder, si vijon.

Me “kulturë” kuptojmë një bashkësi ideshë mbi të vërtetën, të mirën, të bukurën dhe prodhimtaren (në kuptimin “efficient”) që janë të veçanta e dalluese për një bashkësi (komunitet) të caktuar. Që të behen “kulturore”, këto ide duhet të jenë të trashëguara shoqërisht dhe zakonore; si dhe duhet të jenë vërtetë përbërëse të mënyrave përkatëse të jetesës.

Ka dy rryma mendimi lidhur me ndryshueshmërinë e kulturës:
1. Kultura është tejet e qëndrueshme dhe është ajo që i jep trajtë mënyrës se si funksionon ekonomia dhe politika në vendet përkatëse (shih ndjekës të traditës weberiane si S. Huntington, L. Harrison, F. Fukuyama, R. Putnam).
2. Krijimi i shoqërisë industriale është i lidhur me ndryshime të kulturës tradicionale (fillesa qe nga doktrina marksiste; Ingëlharti e përkrah këtë rrymë).

Sipas Ingëlhartit të dyja mëtimet e mësipërme qëndrojnë sepse

- Zhvillimi lidhet me ndryshime të kultures drejt vlerave postmoderne, gjithnjë e më racionale, tolerante dhe të mirëbesimit ndërpersonal.
- Por kultura varet nga rruga që ka ndjekur historikisht; shoqëri që kanë qenë historikisht protestante, ortodokse, islamike apo konfuciane krijojnë zona përkatëse kulturore me sisteme tejet të dallueshëm vlerash që janë të qëndrueshëm, edhe kur llogarisim (“control for”) ndikimin e zhvillimit ekonomik.

Nëqoftëse pranojmë qëndrueshmërine e kulturës (në kohë), atëhere vetiu lind ideja e grupimit (clustering) të shoqërive/vendeve mbi bazë të ngjashmërive sa më të mëdha mes pjestarëve të një grupi të dhënë dhe dallimeve sa më të medha midis grupeve. Kjo kërkon një vlerësim të dallim/ndryshueshmërisë ndërkulturore në botë, me fjalë të tjera kuantifikim të kulturës, bërjen e saj “të numërueshme”. Ç’ka në vetvehte është një ndërmarrje e madhe dhe vetëm të dhëna masive e pyetësorë si ato të World Values Surveys (WVS - Ingëlhart është kryetar i komitetit ekzekutiv të WVS) mund të garantojnë përfundime me vlerë globale. Nga moria e ndryshoreve, që janë manifestime të faktorëve të padukshëm që përcaktojnë sjelljet dhe qëndrimet në elementët përbërës të kulturës, nëpërmjet analizës faktoriale Ingëlhart zbuloi dy përmasa thelbësore përmes së cilave mund të shpjegohet ndryshueshmëria ndërkulturore në planèt. I pari ka të bëjë me qëndrimin ndaj autoritetit, që shkon nga “tradicional” në “sekular-racional”. Ndërsa i dyti ka të bëjë me qëndrimin ndaj vlerave postmaterialiste dhe shkon nga vlerat e “mbijetesës” tek “vetshprehja” (survival to self-expression).
Përmasa “tradicionaliste/sekular-racionaliste” ka të bëjë me dallimet mes shoqërive lidhur me rëndësinë që i jepet fesë, por gjithashtu cek edhe një radhë qëndrimesh të tjera si psh ndaj lidhjeve familiare apo nënshtrimi ndaj autoritetit (duke përfshirë ketu edhe pranimin e një regjimi ushtarak), si edhe ndaj shmangies së konfliktit politik dhe parapëlqimit të konsesnusit ndaj përplasjes. Shoqëritë në skajin “tradicional” priren t’i japin shumë rëndësi fesë, standarteve absolute dhe vlerave tradicionale të familjes; ato favorizojne familjet e mëdha në numër, kundërshtojnë divorcin, janë “pro-jetë” në lidhje me abortin, euthanasian, vetëvrasjen; ato vlerësojnë e parapëlqejnë më shume konformitetin shoqëror se sa arritjet individuale, favorizojnë konsensusin dhe jo konfliktin e hapur politik, nënshtrimin ndaj autoritetit dhe shfaqin në doza të larta krenarinë kombëtare dhe pikpamje e qëndrime nacionaliste. Shoqëritë e skajit sekular-racional kanë të anasjelltën në gjithë sa më siper.
Përmasa “mbijetesë/vetëshprehje” përfshin çështje që kanë të bëjnë me shoqërinë postindustriale dhe është shfaqje e polarizimit të qëndrimit ndaj vlerave materialiste përkundër atyre postmaterialiste. Sipas Ingëlhart, vërehet një ndryshim brezash ku vlerësimi i aspekteve ekonomike dhe sigurisë fizike po ia le vendin vlerësimit për “shprehje të vetvehtes”, mirëqenie subjektive dhe cilësi të jetës. Kjo dukuri vërehet në gjithë shoqëritë e përparuara industriale dhe shfaqet në brezat që rriten në kushte ku mbijetesa merret e mirëqenë. Tipike për këtë përmasë janë rëndësia që i jepet mbrojtjes së rrethinës (ambientit), lëvizjet për të drejtat e gruas dhe kerkesat në rritje për pjesëmarrje në vendimmarrje në jetën politike dhe ekonomike. Shoqëritë që i japin rëndësi vlerave të mbijetesës kane nivel relativisht të ulët të mirëqenies, tregues të dobët në fushën e shëndetësisë, kanë më pak mirëbesim mes njerëzve, janë relativisht jo telerante ndaj grupeve që nuk janë “si masa”, nuk mbështesin fort barazinë mashkull-femër, u japin shumë rëndësi vlerave materialiste, tregojnë shumë besim te shkenca dhe teknologjia, nuk para jepen pas çështjeve që lidhen me ambientin dhe janë për qeveri autoritariste. Shoqëritë e skajit vetëshprehës i kanë të gjitha sa më sipër në tregues të kundërt. Këto shoqëri, siç do tregohet më pas, kanë shumë më tepër gjasa se ato të skajit të mbijetesës që të jenë demokraci të qëndrueshme.

Dy përmasat e përshkruara më lart përftojnë koordinatat ortogonale të një shoqërie/vendi të analizuar, duke prodhuar atë që quhet hartë kulturore, e cila jepet më poshtë (vlerësim i vitit 2000).



Kufijtë e dhënë në hartë janë bazuar mbi zonat kulturore/”qytetërimet” e Huntingtonit.

Zonat kulturore Protestante, Katolike, Amerikane Latine, Konfuciane, Afrikane dhe Orthodokse (pjesa ky hyn Rusia, Bullgaria etj) shfaqen koherente. Duket se tradita fetare ka një ndikim të qëndrueshëm në formimin e këtyre zonave (ashtu si kanë argumentuar Weber, Huntington etj). Por feja nuk është i vetmi faktor përcaktues; si një nga ngjarjet kryesore të shekullit të kaluar, ngritja dhe rënia e perandorisë komuniste, me gjithë traditën e vet ka lënë një gjurmë të qartë në konturimin e zonës përkatëse kulturore. Me interes është të shihen vendndodhjet në hartë të Gjermanisë Lindore (historikisht protestante), Azerbajxhanit (si vend musliman) apo Kinës (si pjesëtare e zonës Konfuciane). Po ashtu shihet ndikimi i lidhjeve koloniale të së kaluarës, që sjell pranë vende të Amerikës Latine me Portugalinë (dhe me Spanjën në një edicion më të hershëm të hartës; tani vërehet një zhvendosje e lehtë e Spanjës në brendësi të Europës katolike) apo zona e spikatur anglishtfolëse.

Një përpunim i mëvonshëm i hartës kulturore (2006) jepet më poshtë. Krahasimet e dy hartave bëjnë të mundur evidentimin e prirjeve të grupeve dhe vendeve të veçantë. Bie në sy që Shqiperia ka një spostim të lehtë drejt skajit të vlerave tradicionale si dhe të vetëshprehjes.



Niveli i zhvillimit ekonomik i shprehur si prodhim bruto kombëtar për frymë, mbivënë planit të dy dimensioneve të kulturës, tregon se si shoqëritë më të pasura zënë skajin (në të djathtë lart) me kombinim të vetëshprehjes dhe sekularizëm-racionales. Në këto shoqëri gjejmë dhe përqindjen më të lartë të punonjësve në sektorët e sherbimeve. Zona përkundrejt (majtas poshtë) me vlera të mbijetesës dhe qendrim tradicional grupon vendet më të varfra. Këtu gjejmë dhe përqindjen më të lartë të punonjësve që merren me bujqësi. Është me interes të vihet në dukje që grupimi i mësipërm shkon dora dorës me vlerat e matura të mirëbesimit ndërpersonal, një ndryshore thelbësore kjo që përcakton ndryshueshmërine ndërkulturore. Të gjitha shoqëritë tradicionalisht protestante kanë shifra më të larta të këtij treguesi, edhe të krahasuara me shoqëritë tradicionalisht katolike. Sikurse ve në dukje Putnam, organizimet horizontale, dmth johierarkike (vertikale) të kontolluara nga qendra lokale, përftojnë vlera më të larta mirëbesimi të ndërsjelltë mes njerzve. E kundërta ndodh me organizimet hierarkike. Kisha katolike historikisht ka qenë një institucion vertikal me autoritet qendror, ndërsa kishat protestante kanë qëne të decentralizuara; e kjo lidhet edhe me nivelet e ndryshme të mirëbesimit shoqëror (ndërpersonal) në vendet me traditën fetare përkatëse.



Dallimi mes natyrave hierarkike ose jo të kontrollit të shoqërive duket të ketë pasoja që shtrihen gjatë në kohë në lidhje me treguesin e mirëbesimit ndërpersonal. Është e qartë që ndikimet aktuale të kishave përkatëse e pjesëmarrja aktive e besimtarëve në ritet fetare sot nuk reflektohen drejperdrejt në këto pasoja. Këto janë ndikime të grumbulluara nga e shkuara – ndikimi sidomos i kishës protestante dhe/ose katolike, duket të jetë më tepër historik dhe i trashëguar se sa i drejtpërdrejtë dhe i atypëratyshëm.
E kaluara komuniste ka një ndikim negativ në nivelin e mirëbesimit mes njerzve. Edhe vende historikisht protestante me të kaluar komuniste si Gjermania e Lindjes apo Letonia kanë tregues të ulet në vlerat e mirëbesimit. Madhësia e këtyre vlerave nuk është çështje e personalitetit individual, porse e përvojës historike të një vendi.

Sipas Ingëlhartit, ideja se kultura politike lidhet me demokracine pati një ndikim të spikatur pas botimit të librit “Kultura Qytetare” nga Almond dhe Verba në 1963, por doli jashtë mode gjatë viteve 70-të, pasi ngrinte (pyetje-)supozimin (në)se disa shoqëri janë më të prirura për tu demokratizuar se sa disa të tjera, çka u quajt diçka elitiste. Duket si e mirëqenë dhe e vetëkuptueshme që të gjitha shoqëritë janë njëlloj të prirura për demokraci. Problemi është se stisja e një teorie për t’iu përshtatur një ideologjie të dhënë mund të prodhojë një teori qe nuk i përshtatet realitetit, dhe si pasojë gjithë parashikimet e saj (teorisë) janë të gabuara.
Që prej vitit 1990 vëzhguesit e Amerikës Latine, Europës Lindore dhe Azisë Lindore konkludonin se faktorët kulturore luanin një rol shumë të rëndësishëm në problemet që ndeshte demokratizimi dhe se thjesht adoptimi i kushtetutave demokratike nuk ishte i mjaftueshëm për të (demokratizimin).
Ingëlhart studioi bashkëlidhjen e kulturës me demokracinë përkatësisht nëpërmjet përmasës së mbijetesë/vetëshprehjes dhe pikëve të dhëna nga Freedom House (FH) bazuar në të drejtat politike dhe liritë qytetare. Bashkëlidhja rezultoi shumë e fortë; skaji i mbijetesës grumbulloi vende me pikë të ulta përsa i përket nivelit të demokracisë, ndërsa skaji i vetëshprehjes u popullua me vende me nivele të larta të demokracisë sipas vlerësimit të FH. Fakti që të dhënat janë marrë nga dy institucione/burime të ndryshme (FH dhe WVS) e bën edhe më bindëse bashkëlidhjen.
Pyetja e parë që të vjen në mend nga bashkëlidhja është nëse janë institucionet demokratike që sjellin si pasojë vlerat përkatëse të vetëshprehjes, apo jo? (me dëshirën e fshehtë për rregullim të shpejtë të tipit “adopto institucione demokratike dhe jeto happily ever after”. Fatkeqësisht nuk ndodh ashtu. Përvoja e historisë së vendeve të ish BRSS tregon se lëvizja e atyre vendeve drejt demokracisë nuk i bëri njerëzit më të shëndetshëm, më të hapur, me mirëbesues, me tolerantë dhe nuk infiltroi në ta vlera postmaterialiste. Përkundrazi! Historia e Amerikës Latine me paqëndruesmërinë e brendshme është një tjetër shembull.
Një interpretim tjetër i bashkëlidhjes kulturë-demokraci është që zhvillimi ekonomik gradualisht çon në ndryshime shoqërore dhe kulturore, të cilat bëjnë që institucionet demokratike të mbijetojnë dhe lulëzojnë. Kjo shpjegon se pse demokracia masive nuk u shfaq vetëmse para pak kohësh në histori dhe se pse e gjejmë atë në vende më të zhvilluara ekonomikisht – e pikërisht në ato që vleresojnë më tepër vlerat e vetshprehjes se sa ato të mbijetesës.
Kjo tregon se demokracia nuk mund të vijë thjesht me adoptimin e ligjeve “të duhura” dhe se ajo ka më shumë gjasa të lulëzojë në disa kontekste shoqërore dhe kulturore të caktuara. Po ashtu tregon që zhvillimi ekonomik priret të krijojë kushtet e duhura shoqërore dhe kulturore për shfaqjen dhe mbijetesën e demokracisë. Nëse shembulli i vendeve të ish BRSS është shkurajues, të tjera vende si Meksika duken të pjekura për tranzicionin në demokraci, sepse vlerat e boshtit post-modern i ka të afërta me Argjentinën, Italinë apo Spanjën. Në zonën tranzitore janë edhe Turqia, Filipinet, Koreja e Jugut, Afrika e Jugut, Peruja, Kroacia, Sllovenia, Polonia.
“Vlerat e veçanta aziatike” që mëtohet se i bëjnë vendet aziatike të papërshtatshme për demokraci, humbasin forcën e argumentit para shembullit të disa demokracive si Japonia apo Taivani dhe përforcojnë bindjen se shoqëritë konfuciane janë edhe “më gati” për demokracinë se sa mendohet.

Sipas Ingëlhartit, zhvillimi ekonomik duket se sjell ndryshime graduale kulturore që e bëjnë publikun gjithnjë e më shumë të kërkojë institucione demokratike dhe t’i mbështesë ato pasi vendosen. Ky transformim nuk është as i lehtë, as automatik. Elita që me vendosmëri kontrollojnë ushtrinë dhe policinë, mund t’i rezistojnë presionit për demokratizim. Por zhvillimi priret t’i bëjë masat më mirëbesuese dhe tolerante, çka sjell një përparësi të re nga ana e tyre ndaj autonomisë dhe vetshprehjes në të gjitha fushat e jetës, duke përfshirë politikën, kështuqë shtypja e kërkesës për liberalizim politik bëhet e vështirë dhe e kushtueshme.
Ndonëse shoqëritë e pasura (ekonomikisht) kanë shumë më tepër gjasa të jenë demokratike se të varfrat, prapëseprapë pasuria ekonomike e vetme nuk sjell automatikisht demokraci. Po të ishte kjo e vërtetë, Kuvajti dhe Libia do ishin modele demokracie. Sidoqoftë procesi i modernizimit priret të sjellë ndryshime kulturore që çojnë në demokraci.






7 Komente

Shkrim interesant Emigrant.

Si mund të shpjegohet që Gerqia është më afër kahut “shprehje të vetvehtes” sesa Gjermania Perëndimore në hartën e 2000, apo Italisë në atë të 2006?

Sipas Ingëlhart, vërehet një ndryshim brezash ku vlerësimi i aspekteve ekonomike dhe sigurisë fizike po ia le vendin vlerësimit për “shprehje të vetvehtes”, mirëqenie subjektive dhe cilësi të jetës. Kjo dukuri vërehet në gjithë shoqëritë e përparuara industriale dhe shfaqet në brezat që rriten në kushte ku mbijetesa merret e mirëqenë.

 

Nuk mund ta di pse per Greqine. As mua nuk me ben sens, sidmos krahasuar me Gjermanine. Vetem qe mund te them qe te dhenat jane marre permes anketimit (pyetesoreve). Po te kesh kureshtje per te pare anketimin ne Shqiperi, e ke ketu: http://www.wvsevsdb.com/wvs/WVSTechnical....

Ne te dhena te tilla njihet si burim gabimi tipi "measurement error" (thjesht ai qe pyetet genjen me qellim, ia keput kot, thote s'e di kur e di pergjigjen e keshtu me radhe). Ka analiza statistikore qe perdoren per te dhenat me kete tip gabimi (psh procedura CALIS ne SAS), vetemse nqse sasia e "futjakotit" eshte tej disa caqeve te pranueshem nuk ka procedure ne bote qe te beje derman.

Emigrant, të dhënat mbi të cilat është ndërtuar studimi duhen marrë si të sakta, përndryshe diskutimi mbi thelbin është i pamundur.

Për të pozicionuar shoqëritë në hartën “mbijetesë/vetshprehje” - “tradicionaliste/sekular-racionaliste”, Ingëlharti mbështetet mbi tre parametra:
Kulturën e Qëndrueshme (përkatësis&eumlsmiley, e cila ilustrohet ne hartë nga zonat e Huntingtonit
Ndryshueshmëria Kulturore (*aspiratat/përpjekjet) , që ilustrohen me anë të koordinatave
dhe së fundi zhvillimi ekonomik (GDP), që pasqyrohet në grafikun e tretë

Fokusi i studimit të Ingëlhartit duket të jetë interaksioni ndërmjet aspiratave dhe zhvillimit ekonomik dhe se si kyinteraksion ndryshon Kulturën e Qëndrueshme.

Në një vështim të parë leximi duket i thjeshtë; sa më e lartë eshtë GDP-ja aq më "vetshprehëse" janë aspiratat. Por a është kjo pamja e plotë?

Konkluzioni i Ingëlhartit është se ka shumë gjasa që udha për në demokraci kalon nga kahu "mbijetesë" pra zhvillim ekonomik, dhe jo nga "vetshprehja" të cilën ai e konsideron rezultat të zhvillimi ekonomik e jo forcë shtytëse. Pra, ndonse kundër-intuitive dhe në pamje paradoksale, për Ingëlhartin duket llogjike që të gjitha pikat e zeza në hartë (pra aspiratat dhe përpjekjet e shoqërive) të zhvendoseshin drejt kahut "mbijetesë" pra aspirata zhvillimi ekonomik, deri momentin kur papritmas të shfaqeshin në gjysmën e djathtë të grafikut, e veç atëherë ato do mund të merrinin udhën e "vetshprehjes", si për shëmbull Greqia dhe Izraeli.

Por grafiku i 2006-ës lë përshtypjen se shoqëritë e gadishullit Ballkanik, kush më pak e kush më shumë kanë arritur ta ngrenë GDP-në e tyre jo me aspirata e përpjekje "mbijetesë" por "vetshprehëse".

* Duke lexuar paragrafin e marrë nga siti i WVS: "The World Values Survey has produced evidence of gradual but pervasive changes in what people want out of life." mund të themi se Ndryshueshmëria Kulturore janë aspiratat e një shoqërie. Gjithashtu, në një shoqëri racionale aspiratat dhe përpjekjet kanë të njëjtin drejtim.

Drit, te dhena te tilla permbajne gjithnje nje fare gabimi, i cili c'eshte e drejta nuk para konsiderohet nga statisticienet - meqe ra fjala, baza numerike e idese se Ingelhartit eshte puro statistikore, ngaqe bazohet mbi "factor scores" si dhe mbi "eigenvalues" te analizes faktoriale. Por s'ka rendesi kjo. Ajo c'ka duhet kuptu eshte qe ndryshimi ne "score" te nje faktori (dimensioni) ka te beje vetem me anen hapsinore. Karahasohen "piket" midis vendeve per nje kohe te caktuar (viti i anketimit). Shume interesante do ishte futja e elementit kohor me analize ne trajten e te dhenave "panel" ose "longitudinal", ku cdo anketim do ishte nje pike kohore dhe cdo vend nje "cross section". Nje miniere margaritaresh per nje statisticien te mire.  Nuk kam dijeni nese po e bejne nje analize te tille. Sepse kane disa pika kohore deri tani (me dy pika vetem veshtire me nxjerr konkluzion, por me rreth 4-5 mund te kuantifikohen prirjet qe c'ke me ate pune.

Pyetja me te dhena ne kohe fikse eshte: sa mund te tregoje prirja hapsinore e bashkesise se vendeve te analizuara mbi prirjen kohore te nje vendi te vetem? Me thjesht: Sa mund te jete Suedia e sotme Shqiperia e te ardhmes?

Shumë, shumë interesant artikulli Emo. smiley

 

 Emo, te lumte. S'kisha lexuar ndonjehere analize te tille te bere nga nje shqiptar. Vertet me ke habitur me qetesine dhe thellesine e argumentit. Respekte.

P.S. Po me vjen tërb qe po merresha me budallalleqe te sterthena mbi 97-ten ne vend qe te kisha lexuar kete artikull te shkelqyer.

Shume interesante. Kalimi nga mbijetesa ne veteshprehje eshte shpjeguar me lart dhe duket se celesi kryesor per kete kalim eshte zhvillimi ekonomik.

Ajo qe me ben pershtypje eshte vendndodhja jone ne krahasim me fqinjet persa i perket tradicionalizmit/sekularizmit. Ne grafikun e vitit 2000 vetem Maqedomia eshte me tradicionaliste se ne dhe ne grafikun e vitit 2006 te gjitha vendet fqinje jane me sekulariste se ne ne kohen kur ne kujtojme se jemi shume me sekulariste se fqinjet. Eshte e vertete qe tradicionalizmi nuk perbehet vetem nga feja por prape se prape ky eshte nje tregues se rendesia hipotetike qe i japin fqinjet tane fese se tyre ka me shume lidhje me perdorimin e fese si vegel per kohezionin e tyre kombetar le te themi sesa me besimin e vertete ne zot.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).