Rreshjet e shumta në veri të Shqipërise kanë tejmbushur plot hidrocentralet por gjithashtu kanë shkaktuar përmbytje në zona të banuara.  Kryeministri Berisha menjëherë pa humbur kohë, i shoqëruar nga ministrat e tij është nisur për të qënë pranë banorëve të cilët nga gëzimi kanë harruar shtëpitë e tyre dhe e kanë pritur kreun e qeverisë si shpëtimtar.

Kryeministri është mirëpritur si mysafir nderi në shumë shtëpi ku është aplikuar “Skema e Kafshatës” duke i ofruar një kafshatë gjeldeti dhe pak bakllava.
Aty për aty disa rrugëve u është vënë emri i kryeministrit. Njëkohësisht Berisha është shpallur “qytetar nderi” në disa fshatra.

Tepër i entuziazmuar nga kjo pritje madhështore Berisha ka mbajtur disa fjalime të pakta por të sakta duke u shpjeguar banorëve se qeveria do ta kthente përmbytjen nga një fatkeqësi natyrore në një burim të ardhurash pasurore për zonat nën ujë.

“Qeveria ime do të investojë seriozisht për të organizuar në zonat e përmbytura Lojrat Olimpike. Pishina moderne do të ndërtohen brenda pak javësh ku në to do të praktikohen sportet ujore, me të tjerash edhe sporti i preferuar imi, noti” u shpreh kryeministri Berisha i cili mban edhe titullin e kampionit kombëtar në 300 metra, stil dy këmbësh.

Jo vetëm kaq por disa zona, sipas studimeve , rezultojnë mjaft të përshtatshme për kultivimin e orizit duke realizuar endrrën shekullore të kryeministrit Berisha, “Shqipëria – Superfuqi Eksportuese Orizi”.

Sipas nënkryeministrit Ilir Meta kjo mund të vendosë në rrezik mardhënjet diplomatike me Kinën por Berisha e siguroi se miqësia e dy popujve tanë është më e fortë se kurrë dhe ajo lartësohet si Muri i Madh Kinez dhe nuk ka socialist ta shembë përdhe.

Madje sipas Berishës, është krijuar mundësia e zhvillimit të peshkimit, garave të barkave me vela dhe turizmit në vecanti pasi zonat e përmbytura do të jenë mjaft të vizituara nga admiruesit e Venezias të cilët nuk kanë nevojë të shkojnë në Itali. 

Kryekuvendarja Topalli u ka bërë thirrje banorëve të nisin evakuimin me qëllim që të nisnin punimet për të ndërtuar pishinat, fushat e orizit dhe gjithcka që la porosi kryeministri i saj. Por banorët nuk kanë pranuar të braktisin shtëpitë ku ishte pritur mysafir Berisha pasi ato tashmë ishin shtëpi-muze dhe i përkisnin historisë dhe kulturës së Shqipërisë.

Banorët u shprehën se ata dilnin vullnetarë të punonin natë dhe ditë për të realizuar planet e kryeministrit duke u zotuar se do ti përmbushnin detyrat para afatit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).