Nga Rafaela Marteta

Nuk arrij të përcaktoj ku e ka zanafillën pasioni im për Migjenin. Ndoshta tek vlerat për të cilat ai shkruan, të cilat të fshehura në një skutë të shpirtit, presin shkëndijën e duhur për t’i vënë në lëvizje. Por, për të qenë sa ma afër të vërtetës që njoh me siguri, do të them, që ndjesitë e mia për veprën e Migjenit janë zgjuar atëherë kur në shkollë na është paraqitur si një fenomen i interpretuar. Që atëherë, mendoj ta kem konsideruar më shumë sesa një fenomen të interpretuar, një fenomen akoma për t’u interpretuar. Por interpretimi është një proces, dhe si i tillë nuk vjen para gjithçkaje, ai është i lidhur ngushtë me ngacmimet, vlerat, besimet përvojën e vetë interpretuesit.

Sot marr guximin, që në morinë e atyre që kanë shkruar për Migjenin, të shtoj diçka që me siguri nuk mbështetet në autoritetin e firmës, por në dashurinë e sinqeritetin që kushte nuk njeh e kushte nuk vë.

Edhe unë, asnjë kusht, përveç lirisë, nuk i kam vënë frymës së motiveve të Migjenit, kur për herë të parë janë ndeshur në mua me atë shkretëtirë përjetimesh, që mendoj se kam jetuar para se të njihja vargjet e tija. Kur them njohur, nuk kam thjesht parasysh leximin, por një thellim. Si një spondë, që detyrë tjetër nuk ka, përveçse të nxjerrë në sipërfaqe gjithçka, pa dallim e pa përpunim.

Nuk e kam pasur kurrë të vështirë të krijoj një imazh për poetin, përtej potretit të tij fizik. Qëkur kam lexuar vargjet e para, kam pasur ndjenjën, sikur ai kishte banuar brenda meje prej kohësh. Prej atij momenti, vështirësia ime ka qëndruar në mangësinë time për të nxjerrë jashtë atë që Migjeni vlonte tek unë. Çdo takim me vargjet e tija është po aq i fortë sa pafuqia ime për të shprehur atë që ndjej kur e lexoj, e gjithçka përkthehet në një mveshje sysh e nji pikë lot. Ndoshta është rezultati i inatit që provoj për përpjekjen e pamundur për ta nxjerrë jashtë Migjenin me një frymë. Çdo motiv i tiji është një akt lindjeje e si i tillë është i dhimbshëm e i gëzueshëm në të njëjtën kohë. Por ky akt, bart edhe të panjohurën e përballjes me një situatë të re; sepse çdo motiv i Migjenit është një përsëritje e re e pastaj një risi e përsëritur, por që nuk del kurrë jashtë mode.

Migjeni ka aftësinë të jetë i freskët në çdo paraqitje, pa e humbur dhuntinë e tij: aftësinë për t’u shfaqur dallueshëm, për mos humbur kurrë në anonimatin e kohërave. Migjeni është prirë nga thirrja për të përmbushur një mision në jetë, e misioni i tij duket të ketë qënë paraqitja me një vërtetësi nudo e gjëndjes së masave. Ka shumë rrugë për ta përmbushur një mision, por nuk dihet sa kohë. E Migjenit i është dashur të përmbushë një mision të madh në krejt pak kohë. Ka refuzuar në këtë mënyrë, thirrjen e “burgut anagrafik” në të cilin e kishte lidhur fati, duke iu përgjigjur thirrjes së një jete të jetuar me pasion në kuptimin e plotë.

Jeta e tij bëhet kështu një fushë e paanë lirie, të cilën ai e ka përshkruar me vrapin e pafrymë për të mbjellur farën e veprës së tij. Ka përmbushur në këtë mënyrë, jo thjesht nji cikël jete kopracisht të parapërcaktuar, por edhe një angazhim shoqëror afatgjatë, që prapë nuk mund të reduktohet në një fletë të bardhë të “populluar” nga shkronja të zeza, të hedhura aty rastësisht.

Vepra e tij nuk është thjesht një argument letrar për analizë, por një projekt politik, shoqëror, që mjerisht asnjëherë nuk u bë i dikujt e askush nuk pati guxim të përqafojë. Sepse poeti me keqdashje është vënë në një Kullë Babiloni, duke na bërë të besojmë, se po i bëhej një nder duke e trajtuar si perëndi të letrave shqipe. Në fakt, nuk është bërë gjë tjetër veçse është izoluar në atë kullë qëllimshëm, sipas një projekti famëkeq, por fatmirësisht të dështuar. Njerëzit që e kanë dashur dhe e duan, nuk kanë për ta besuar kurrë që ai ka qenë një mit apo perëndi. Kush e do me të vërtetë e do afër vetes, tokësor, të prekshëm pra. Don ta marrë nëpër duar, don ta “shkatërrojë” e pastaj ta rindërtojë me dashuri. Për këtë ka nevojë Migjeni sot, me e zhveshë prej atyre rrobave të vjetra që aq ngushtë i rrinë. Ajo kornizë me të cilën e kanë rrethuar është burg për të, e vepra e tij nuk mund të jetë ai qiell i copëtuar prej kangjellës së hekurt të dritares së burgut.

Fjalët e Migjenit, më përpara se “kryqet e minaret e ngurta”, kanë shpuar qiell e tokë për të lëshuar kushtrimin e një vuajtjeje të pa za. Një vuajtje pa ngjyra, që humbet në marramendjen që japin ngjyrat e luksit. Ai ia shkul errësirën dritës dhe e vë pa mëshirë para syve tanë, për të ndriçuar me të ndërgjegjet tona. Kjo është e vetmja mënyrë për të lehtësuar dhimbjet e skamjen e atyre protagonistëve, që as nuk e dinë se janë të tillë. E kur Migjeni flet per skamjen, nuk kursen as qiellin, vendin e shenjtërive, por jo për këtë arësye, vend i pamëkat. Qielli bëhet mëkatar, vetëm e vetëm se në heshtje bëhet tavani i oshëtimave, që përditë paralajmërojnë një katasrofë që akoma nuk ka mbërritur.

Te Migjeni, e ardhmja, që shumë herë duket e pashpresë, ushqehet pikërisht prej mjeshtërisë së tij për të njohur kufijtë. Kufiri është mes të vjetrës e të resë, ku e reja nuk mund të krijohet pavarësisht prej gjithçkaje, ku e reja nuk mund të ndodhë në një boshllëk, por në një terren, që e kaluara na e përcjell të plotë në çdo element të saj. Jo më kot, ai don t’i bjerë “pash me pash ferrit”. Kjo ecejake danteske i lejon të njohë botën e të korrë fitoren mbi vdekjen. Te kjo fitore e ka burimin edhe fuqia – deri tashti e munguar – e evokuar në çdo poezi të tijën. Tashti, kjo fuqi shpërthen si grusht i ndrydhur prej vitesh në Kangën e rinisë. Këtu ushqehen së bashku pritshmëritë e tija e tonat, që ajo “shaka shpresa gënjeshtare” mban peng.

Temat sociale që Migjeni trajton janë therëse, sepse pena e tij është e mprehtë. Në poezinë e tij, seksualiteti që konsumohet në skamje kthehet në një monstër, që gjë tjetër nuk arrin të riprodhojë përveçse skamje te mëtejshme. Në këtë seksualitet, ato që bashkohen nuk janë personat, por trupa veç prej mishit që shpirtin e kanë humbur në kërkimin e përhershëm të gjërave që nuk arrihen kurrë. Prej këtu tradhtia e “bashkë me tradhti motivi zë fillin/ e pena e poetit me të zhvillon vjershën”. Migjeni flet për tradhtitë që rëndom konsumohen rrugëve e shtretërve, pa dallim, si bija të varfërisë. Por Migjeni flet edhe për tradhëtinë si pasojë e hipokrizisë, për tradhëtinë e viteve të çiltra të fëminisë, që nuk kthehen më e vetëm në kujtesë mbeten të virgjëra. Ndërsa përditë damkosen edhe momente që akoma nuk i kemi jetuar.

Kështu, kumbonat e vjetra na kanë folur për një Migjen që ka jetuar dikur, por që nuk jeton më; që ka shkruajtur poezi e për këtë ka një vend nderi nëpër antologjitë tona; një Migjen të mirë e të butë, se i paangazhuar politikisht e i mbi të gjitha i pafe. Po pse atëherë, ai vetë shkruan, se si gjindet në skajin e kundërt të po të njëjtit litar me murgeshën në Kanga skandaloze?

E sikur ai ta dinte sa shumë e kemi keqkuptuar në të gjitha këto, do të na përgjigjej me vargjet e veta, ku përgjigjen e dyshimeve ekzistenciale, e kërkon, jo rastësisht, tek një gjel... që mua më pëlqen shumë të besoj se është gjeli biblik... “Dergjem n’errësinë pa gjumë dhe pa dritë.../ Askush nuk më ndigjon, çirrem kot me kot.../ Hesht more hesht! Por qindro o shpirt./ …Gjel, rren a s’rren? Cila asht fjala jote?/ Kur ti këndon thonë se asht afër drita…/ Por unë s’besoj sonte në fjalët e kësaj bote

17 Komente

Av, t'i lexoj prurjet pavaresisht se s'le shenim ne te gjitha smiley

S'kam kohe tani, thjesht nje flm fletrrufe.

"Qëkur kam lexuar vargjet e para, kam pasur ndjenjën, sikur ai kishte banuar brenda meje prej kohësh."

Te gjithe ata qe e vleresojne Migjenin bashkohen ne kete pike.Dhe jane te rralle ata poete qe te krijojne nje ndjesi te tille : ne shqip Migjeni dhe Rreshpja. Njeri i ferrit , tjetri i parajses.

"Qëkur kam lexuar vargjet e para, kam pasur ndjenjën, sikur ai kishte banuar brenda meje prej kohësh."

Te gjithe ata qe e vleresojne Migjenin bashkohen ne kete pike.Dhe jane te rralle ata poete qe te krijojne nje ndjesi te tille : ne shqip Migjeni dhe Rreshpja. Njeri i ferrit , tjetri i parajses.

Ditto

 Ave Av per postimin !

Migjeni eshte ndoshta autori per te te cilin eshte shkruar me shume se per kedo tjeter autor.Migjeni eshte autori me i komentuar, i hapur perballe nje pafundesie interpretimesh.Pas Kadarese, eshte ndoshta dhe autori me i debatuar,per biografine dhe krijimtarine e tij, por jo ne te njetin sens me te PARIN ,Kadarene.

E bera kete paranteze per te komplimentuar autoren e shkrimit per kendveshtrimin mbi krijimtarine se Migjenit.Po vecoj kete paragraf te shkrimit:

Vepra e tij nuk është thjesht një argument letrar për analizë, por një projekt politik, shoqëror, që mjerisht asnjëherë nuk u bë i dikujt e askush nuk pati guxim të përqafojë. Sepse poeti me keqdashje është vënë në një Kullë Babiloni, duke na bërë të besojmë, se po i bëhej një nder duke e trajtuar si perëndi të letrave shqipe. Në fakt, nuk është bërë gjë tjetër veçse është izoluar në atë kullë qëllimshëm, sipas një projekti famëkeq, por fatmirësisht të dështuar. Njerëzit që e kanë dashur dhe e duan, nuk kanë për ta besuar kurrë që ai ka qenë një mit apo perëndi. Kush e do me të vërtetë e do afër vetes, tokësor, të prekshëm pra. Don ta marrë nëpër duar, don ta “shkatërrojë” e pastaj ta rindërtojë me dashuri. Për këtë ka nevojë Migjeni sot, me e zhveshë prej atyre rrobave të vjetra që aq ngushtë i rrinë. Ajo kornizë me të cilën e kanë rrethuar është burg për të, e vepra e tij nuk mund të jetë ai qiell i copëtuar prej kangjellës së hekurt të dritares së burgut.

-Sistemi i kaluar, ashtu si shumecka, praktikisht e perdori Migjenin si aktakuze ndaj "regjimit satrap zogist" dhe e vendosi ne piedestal, duke u joshur nga ideja per ta paraqitur si pararendes te realizmit socialist (ne vitet 45-55 ky qendrim u zyrtarizua por me pas, ne antologjite e letersise, perfundimisht Migjeni u konsiderua si perfqasuesi me i zeshem i realizmit kritik &nbspsmiley Interpretimi selektiv i poezise se Migjenit (o si nuk kam nje grusht te fuqishem, e ndjej  nga Dielli (alegorik) valen , na te bijt  e shekullit te ri/qe ngritem grushtat per me luftue...mjerimi s`don meshir por don te drejt ...te lindet nje Njeri ) 

Tash, pas 20 vitesh demokraci, duket sikur ylli Migjenit, gjykuar nga qendrimi zyrtar/institucional ) eshte venitur. Ndoshta eshte riparuar (nuk kam info ) por di qe Shkodra ala nuk e ka shpall Qytetar Nderi !! Nje shkrim i Ben Andonit vitin e kaluar zbulonte, per turpin e te gjitheve atyre qe sot jane paria e Shkodres,  se si bustin ja kane sakatue dhe fshehur ne nje qoshe, se si varrin ja kane coptue dhe shtepine muze ja kane avullue.!!

Ne  kete  qytet, ku tashme jane naltue kumbonoret e kishave e xhamijave,  Migjeni eshte nje qytetar i ndaluar.Te jete kjo nje hakmarrje e ndergjegjes se lenduar ndaj poetit qe blasfemoi duke perqeshur "zanin e priftit e hoxhes te bashkuem ne nje kenge te degjenerume "?

Nga ana tjeter, si per cdo gje dhe per kedo, ne kete kohe gjuetije shtrigash, edhe per Migjenin jane "hapur dosjet" Nje debat i kahershem, i inicuar para disa dekadash nga A.Pipa "mbi origjinen malazese te Migjenit", duket se ka marre hov , duke hedh hije dyshimi per identitetin etnik te Miloshit.

Pertej ketyre spekulimeve, cfare eshte Migjeni? Nje rebel? Revolucionar? Pesimist? Poet i angazhuar politikisht? Afetar? Hamlet medyshes i Maleve tona? 

Autoria e shkrimit thote se krijimtaria e Migjenit duhet pare  "si nje projekt politik ,shoqeror ...qe mjerisht nuk u be i askujt .."

Mendoj se vepra e Migjenit duhet kqyrur pertej cdo korrnize dhe interpretimi politik pragmatist dhe kjo mund te behet vetem duke e pare ne perspektiven e LIRISE. Si e tille, vepra e Migjenit mbetet perhere nje projekt i hapur, akuze ndaj cdo realiteti qe cfaqet si forme e paperkryer, e pa plote dhe kontradiktore e idealit te LIRISE. 

Do me pelqente te lexoja opinione per Migjenin e lexuar dhe rilexuar ne kontekste te reja.

Spiritus, ke folur dhe per mua. Frazat ne bold, jane arsyeja pse e postova.

Ne teresi pastaj, shkrimi eshte i shkelqyer.

Kjo qe ka ndodhur me Migjenin eshte pak a shume si ajo historia e mikut te perbashket mes dy familjeve rivale qe pasi e terheqin osh sa nga njera ane ne tjetren per ta bere te tyrin, befas zbulojne se miku eshte prej krejt tjeter materiali nga i tyri,dhe keshtu e lene jashte tere naten.

Eshte perdorur dhe nuk eshte kuptuar.

 i like this.

ps. "osh" - klasike smiley

Do me pelqente te lexoja opinione per Migjenin e lexuar dhe rilexuar ne kontekste te reja.

Të lindet një njeri

Të lindet një njeri
nga gjin' i dheut tonë të rim me lot të vakët,
nga thalb' i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët
për një gen të ri, -
Të lindet një njeri!
Pa hyll në ball - por që me fjalë të pushton,
që të rrëmben qetsin e ban gjaku të të vlojë
rrkajë, e ban synin ligshtin ta zhgjetojë,
që nëpër shekuj ndërgjegjen na tradhton.
Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Re!
Të krijojë një Epope!
Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re...
- Të gjithë kombet po dehen n'epopea të veta,
flakë e zjarrmit të tyne na i përzhiti ftyrat
dhe nëpër to një nga një po shtohen rrudhat,
e nën kambë e mbi krye tinzë po na ikjeta.
(Liri! - Po, liri dhe gaforrja gëzon,
por gaforre asht...
Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
jo, liri nuk asht!),
Të lindet një njeri
i madh si madhni
dhe ndërgjegjet tona t'i ndezi në dashni
për një ide të re, ideal bujar,
për një agim të lum e të drejtë kombtar.

 

"ushqim per mendim" smiley.

PS: Sidomos kjo:

Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
jo, liri nuk asht!

Të lindet një njeri
i madh si madhni
dhe ndërgjegjet tona t'i ndezi në dashni

 Njeriu ...nuk e ka fort për zemër lirinë; skllavëria i shkon më shumë për shtat natyrës së individit. 

Ai (MIGJENI-s) e braktisi një totalitaritet, atë të kishës, por ku do të shkonte? Ai shkruan një poezi të rrevoltës. Është një individ i pakënaqur thellësisht në qenien e vet. Nuk pajtohet jo vetëm me mjerimin, me realitetin, me kohën, për më tepër nuk kënaqet me atë se si i venë punët kësaj bote, ç’do të bëhet me të, a ka një rrugëzgjidhje? Ky është universaliteti migjenian që e nxjerr atë përtej kohës së tij. Te ai është njeriu fatalisht i vënë në shenjë, e ka të parathënë dhe të trashëguar mjerimin, ndaj të rrebelohet më mirë, si për hakmarrje ndaj këtij fati, ta thyejë vetë gotën dhe jetën në gëzim të mbrapshtë se mbrapshtë dhe mallkuar ka lindur dhe po lëngon.

Është revolta e të mbaruarit, e të humburit, anarkia e fundërrinave, rrevolta që i afirmon e në çast i fshin për fare, dinjiteti i atij që fundin e parathënë e përshpejton tragjikisht për t’i dhënë fund ankthit, si i varuri që vetë i bie me shkelm stolit. Janë akte të dëshpëruarish dhe jo kristianësh: të shkosh vetë në dreq të mallkuar, t’i biesh pashë më pashë ferrit. Si situatë nuk është dhe pa një forcë shpirtërore. Me vetveten sidomos e ka pisk.Të shkruarit e tij është edhe vetësqarim, dhe profeci . Ndjehet pasiguria dhe pafuqia, të shkuarit me vetëdije drejt fatales, ndjehet rrëqethja dhe tmerri i atij që e parasheh fundin e vetes dhe e shkruan fatin dhe fundin e keq me dorën e vet. Të trondit parandjenja. Me syrin e nënvetëdijes e sheh dhe shkon duke kënduar drejt tragjikes individuale e kolektive.Shpaloset tmerri i shumë situatave të padurueshme. I ndjeshëm është sidomos ndaj trgjedisë së gruas në dergjë, në skëterën e jetës; ka imtësi, imazhe, e një substancë të tërë të mjerimit njerëzor. Ky është poet i tragjikes dhe i dhimbjes. Mjerimi është bota ,tema dhe realizimi më i plotë i tij si artist. Kritika jonë marksiste tragjicitetin e tij, rebelimin e të mallkuarëve nga fati e quajti revolucionarizëm, mjerimin e retushoi sa të dukej i pranueshëm, madje i respektuar. Mjerimi, luksi, grimi i prostitutës, velloja e humnerës, këtë grim, këtë rini shfrytëzojnë për të jetuar gratë e Migjenit; këtë mjerim, fatalitet të pashmangshëm njerëzor, e shfrytëzoi politikisht dhe monizmi. Mund të thuash me Migjenin është prostituuar. Në plan psikologjik ai, siç thotë E.Fromi, është midis rebelimit dhe nënshtrimit, ose prej rebelimit në nënshtrim dhe anasjelltas. Kjo ka dhënë atë poezi ekzistenciale të personalitetit në krizë: kur të dhemb e s’di ç’ të dhemb, kërkon dhe s’di ç’ kërkon, vuan dhe s’di pse vuan. Kjo solli atë ndjeshmëri konvulsive, kalimin gjer në paroksizëm, shpërthimet e vrazhdëta, pa frena, krizat gjer në çmenduri, imazhet e vrazhdëta, gjuhë shprehje poetike po të tillë. Ishte një art, gjuhë e paparë kësisoj gjer atëhere. Ai e ka frikë, e parathotë se ky realitet i ndyrë do ta përthithë: hidhet dhe përdridhet djaloshi i Arbnisë. Kampet i ka përcaktuar prerë: unë dhe ti murgeshë, unë dhe ti mal, unë dhe ti perëndim i mrekullueshëm, unë e ti fqinj, unë dhe ti fat, unë dhe ti tempull…Ky djalë është i vetëm ballë të gjithëve. Nuk është dhe për një botë të drejtuar nga arsyeja, siç do t’ju pëlqente marksistëve. Ai është herë Krisht, në ndjeshmëri, e herë Niçe, në rrebelim. Por ai e ka përcaktuar truallin e tij poetik e ka sheshuar dhe rrahur atë tej për tej; e njeh mirë botën dhe lëndën e vetë letrare dhe e sundon poetikisht; është një material poetik dhe artistik që e ka plotësisht në duar si amvisa brumin. Dhe ironia, përbuzja, një vështrim nga lart dhe skic mbi njerëz, situata, fate; ironi e hidhur, përqeshje, por jo përçmim për njeriun. Ka shpirtmirësi dhe ironi, bashkëvuajtje dhe revoltë ndaj lagjes së varfër, ndaj shegertit, lypësit, qymyrxhiut, kallajxhiut, malësorit, punëtorit, prostitutës.Të rinjtë janë veçanërisht të rrezikuar, edhe si të ditur janë të tepërt në këtë realitet. Realiteti i ngurtësuar fi ton mbi fi lozofimet, dituritë e brendësisë mbi edukimin në shkolla europiane. Kështu ndodh me të diturin e Zullulandit të Konicës, me Dodën e novelës Gjaku të Koliqit. Edukata zhvishet si gjethet, instinkti i lashtë i kulturës së mjedisit vendor mbetet dhe më përtej se brezat. Zakoni rron më shumë se njeriu.


Edhe filozofikisht Migjeni është një njeri në kapërcyell. Ai u nda racionalisht nga kisha si institucion që me misterin dhe traditën e ritit pranonte prapësitë e kësaj bote, madje me tërheqjen e saj në mister e në rit, indirekt, u ndihmonte atyre. Ky njeri, Migjeni, me një energji të re, uragan siç e kanë quajtur, nuk di të marrë rrugët graduale, t’i shtrohet jetës dhe punës, i ka më për zemër kapërcimet. Duke imituar frazeologji të majtë, revolucionare, ai nuk thotë asgjë me luftëra të reja, epope, jetë e re; mbetet në kuadrin e një retorike të modës. Revolucionariteti i tij është në frymën moderne, në lëndën, në ndjeshmërinë, në gjuhë. Migjeni, një njeri spiritual, nuk është për rrugën e ndryshimeve nga jashtë. Migjeni është për njeriun e brendshëm. Ai është një shpërthim subjektiviteti dhe individualiteti gjer në skajshmëri. Dhe se është ndarë praktikisht nga paçavrat që zunë myk ndër tempuj, dhe racionalisht nga të gjitha parathëniet e parathënieve, si ndjeshmëri është plot butësi e mëshirë, në vetëfajësi e përgjegjësi për fatkeqët. Të gjitha këto janë ndjenja të kristianizmit. Por edhe niçean nuk është. Ai do ta pranonte dhe këtë mbinjeri si një të keqe të fundit, si një goditje nga jashtë në zgjidhjen e punëve të kësaj bote në udhëkryq. Racionalisht ai e pranon niçeanizmin në rrevoltën e tij ndaj tempujve, edhe në rrevoltën e heronjve të tij lumpmenë ka niçeanizëm. Filozofi në e një toke të premtuar dhe të ëndërruar, një ideal, më tepër se sa një realitet social të mundshëm, Migjeni do ta ndërtojë me frymën e mitologjisë kristiane, biblike. Mittemat agim i pritun, ditë e parathanun, jetë e re, jetë e re me vdekjen e njeriut, ditë e re, qiell i ri, etj. janë si të nxjerra nga Letra e dytë e shën Palit apo nga libri Apokalips i shën Gjonit. Këto nuk janë as retorikë, as trill mesianik, janë fryma e kulluar ungjillore, të cilën e kanë braktisur edhe vetë praktikat hierarkike të strukturave religjoze, kishtare. Mesianizmi është ideja metafi zike e predikuar nga gjithë profetët ebraikë, ide e gjallë edhe sot tek populli i Librit. Në vjershat e fundit ai ka hequr dorë nga revolta dhe rezinjata. Ai tashmë e prek si me dorë fundin e vet.Urtësia dhe hidhërimi që burojnë prej saj, arësyetimi i ndjerë i së pashmangshmes, na thonë se dhimbja dhe gjendja e rrënimit duhen pranuar, duhen shprehur, duhen shpjeguar dhe ndriçuar. Dhimbja e ëmbël, e butë, e paqtë, pa ndjesi të egër, pa fatalitet e kanë çuar atë përtej përpëlitjeve rebelim - nënshtrim. Maska e vdekjes afrohet, të tjerat bjenë. Proza e tij vjen si mbështetja e një furtune në shpatullat e një pylli me drurët cungje. Nuk di pse një hamendje më thotë se në të ardhmen proza e tij do të lexohet më shumë nga poezia. Si gjendje në poezitë ndërton dhe prish, me prozën e tij ngre disa ngrehina dhe kulla të qendrueshme, plot lëndë dhe me një hijeshi asketike.

Migjeni vdiq pa u botuar, por ai jetoi, pati jetë të gjatë si artist. Kështu ka ndodhur. Ndonjëherë jeton ajo që historia e ka persekutuar, mohuar, lënë në harresë, ose dhe e ka vrarë.

S.Bejko

Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy të jeshilta
që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tanë jetën e vet derisa të vdesin.
E mbi ta n'ajri, si në qesëndi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta shkëlqejnë.
E mjerimi mirfilli ndien tradhti.
Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme;
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme;
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
të mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi të cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.
Mjerimi s'ka fat. Por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
të shkyme dhe të coptuem me të dalun bese.
Mjerimi tërbohet në dashuni epshore.
Nëpër skaje t'errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta, të lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; të verdhë e pisa;
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n'epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
Dhe aty zajnë fillin të marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.
Mjerimi në dritzën e synit te kërthini
dridhet posi flaka e mekun qirini
nën tavan të tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smueme qan si shpirt' i keq
tu' ndukë gjitë e shterruna të së zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
Foshnj' e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s'e don, por vetëm mallkon.
Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lott edhe të fshamit!
Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t'u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet;
don ta msojë t'i iki grushtit q'i kërcnohet,
atij grusht që në gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fytyrën e fëmis e mblon hij' e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
Një fryt kurse piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia në bark të dheut mbaron.
Mjerimi punon, punon dit e natë
tu' i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri në gjujë në baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh
në ditë vetëm: lekë tre-katër dhe "marsh!".
Mjerimi kaiher' i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis së ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat të vet i dytë;
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.
Mjerimi gjithashtu len dhe në trashigim
jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e në gjoks ndoj dhimbë,
mund që të len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz' i shtëpis u shemb edhe ra
nga kalbsin' e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan' i njeriut që vdiste nën tra.
Kështu nën kambë të randë të zotit t'egërsuem
thotë prifti vdes ai që çon jetë të dhunuem.
Dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got' e helmit në trashigim brezninash.
Mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
në fyt për me harrue nandhetenand' halle.
E gota e turbull, gota satanike
tu' e ledhatue e pickon si gjarpni
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
Të gjitha hallet skami në gotë i mbyt
kur njëqind i derdh një nga një në fyt.
Mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q'i ban shkrum shkreptima.
Mjerimi s'ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese që të bajnë të çmendesh,
që t'apin litarin të shkojsh fill' e të varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.
Mjerimi s'don mshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë,
të cilt në mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu' ia lëshue lypsiti një grosh të holl' në shplakë.
Mjerimi asht një njollë e pashlyeme
në ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
me tinguj t'argjantë
e akorde t'artë.

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
plot dashuni
të nxehtë si te vasha gjitë
kur vlojnë ndijesitë.

Të lutem, o perëndi
për një simfoni
të dëfrej në lumni
t'u u përkundë n'ani
të bukur t'andrrimeve
të kaltër, ku të fantazmëve
buzët më tërheqin zjarrtë
e më digjen syt e flaktë.

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
e kurr, e kurr ma mos të zgjohemi.

Kjo e gjenos me fut dritherimat..(lexojeni pa ze)

Na t'birt e shekullit të ri
që plakun e lamë në "shejtnin" e tij,
e çuem grushtin për me luftue
nder lufta të reja
dhe me fitue...
Na të birt e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot
ku djersë e ballit u dikonte kot -
se dheu i yne qe kafshatë e huaj
dhe ne marrëzi duhej shumë shtrejtë t'u paguejm
Na t'birt e shekullit të ri
vllazen të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast'i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditem me thanë:
s'duem me humbë
në loje të pergjaktë të historis njerëzore,
jo! jo, s'i duem humbjet prore
duem ngadhnjim!
Ngadhnjim ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
S'duem për hir
të kalbsinave të vjetra që kërkojne "shejtnim"
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap, kangët e trishtimit,
- kangen monotone, pa shpirt, të skllavnis -
të jem' nji thumb i ngulun nder trutë e njerëzis.
Na të birt e shekullit të ri
me hovin tonë, e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m'u ndeshë
dhe për fitore kem me ra fli.

 

 Balade Qytetse

Mbramë
qiella dhe hyjt e vramë
një ngjarje të trishtueme panë:
Hije… jo! - por një grue
me ftyrë të zbetë edhe me sy
të zez si jeta e saj,
me buzën të vyshkuna në vaj,
me plagë në gjoks e stolisun
me veshje dhe me shpirt të grisun,
me hije grueje,
një kens këso bote,
një fantom uje
vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zbathun,
me zemër të plasun.
Dy hapa djathtas, dy hapa majtas,
me flokë të thime,
me ndjesi të ngrime.
(Dikur,
kur gjit’ e saj me kreni
shpërtheheshin n’aromë,
kur ish e njomë -
atëherë e dashunojshin shum zotni.
E sot?)
Jeta e saj asht kjo vall’ e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
një jetën e fikun, një jetë e shterun,
shpin i molisun, zemër e therun,
një za vorri, një jehonë
që vallzon natën vonë
nëpër rrugat e qytetit tonë.

poeti qe motivoi shumë poetë

-- nga Shaban Sinani

Para 60 vjetësh Migjeni u nda nga jeta e «kensave» të kësaj bote në një moshë fare të re. Jeta e tij u mbyll në të pakryerën. Por vepra e tij është një realitet i kryer. Është e vështirë të përfytyrohet se si do të ishte zhvillimi i mëtejmë i letërsisë shqipe, sidomos shkalla e modernitetit të saj teknik e problemor, pa veprën e tij. Vetë Migjeni, duke kërkuar idenë në vend të heroit, u bë një hero i mendimit.

Migjeni i ndërroi rrugë letërsisë shqipe. Kishte gati një shekull, qysh se lindi, deri në të hyrë të viteve ’30, që ajo pati mbetur e mbërthyer në lavdinë e "motit të madh". Evokimi i epokës së Gjergj Kastriotit u kthye në traditë dhe kishte të ngjarë të kthehej në gjedhe letërsie. Konica ishte ndër të parët që provoi të sjellë në vëmendjen e bashkëkohësve nevojën e ndërgjegjes kritike. Fishta arriti ta shpërngulë dhe ta sjellë të paktën tre shekuj më afër kohës letërsinë shqipe, duke hyjnizuar epopenë shqiptare të kohës së Lidhjes së Prizrenit. Migjeni hyri në botën letrare shqiptare që letërsia e vendit të shihej sy ndër sy me kohën. Askush s’kishte mundur ta bënte këtë para tij.
Në një nga krijimet e fundit, që mbeti i papërfunduar, Migjeni bën pyetjen retorike:
"Ku janë zanat? Muzet ku janë?"
Ai e kishte titulluar këtë skicë me emrin "I fundmi Skanderbe". Është ndoshta i vetmi krijim ku Migjenit i bie në mend "moti i madh" dhe lavdia e qëndresës shqiptare në periudhën e Skënderbeut. Ai pyet dhe nuk pret përgjigje, as nga lexuesi dhe as nga vetja. Shekulli i zanave, i shtojzovalleve, i mitologjizmit të historisë dhe të malësorit shqiptar, ishte mbyllur.
Ishte pikërisht Migjeni që e shmangu letërsinë shqipe nga kulti i epopesë. Ajo kishte lindur bashkë me këtë kult. Poema të mëdha epike shkruan De Rada e Gavril Dara, Naim Frashëri, Zef Skiroi e Gjergj Fishta. Po shihej shumë qartë se kulti i epopesë mund të kthehej në një kryq, në një pëlqesë imperiale. Hyjnizimi i historisë, të jetuarit me të shkuarën, mitizimi i njeriut shqiptar, nxitej edhe nga ekzaltimi i studiuesve të huaj, të cilët, të trembur prej shpejtësisë së zhvillimeve në Perëndim, mendonin se Shqipëria ishte "kështjella e fundit e virtytit në Europë".
Në përmbyllje të mesjetës, ku njeriu u bë i zoti të prodhojë atë "teshë të vogël" që më vonë u quajt "armë e luftës në distancë", kreshnikët e eposit shqiptar u tërhoqën në thellësitë e një bote që i kishte ardhur koha të mbyllej. Kështu thotë rapsodi shqiptar, nëse e pyet se ku janë kreshnikët, ku janë zanat e shtojzovallet, ku janë heronjtë me fuqi mitologjike, që vriten e ringjallen. Koha e re nuk i nxe më ata. Ky është ngujimi i parë i epopesë. Ajo u tërhoq pikërisht në kohën kur mendimin njerëzor kishte filluar ta sundonte humanizmi i Rilindjes Europiane. Duhej, tashmë, një letërsi me heronjë të kësaj bote. Arbëreshët morën me vete, në vend të eposit të kreshnikëve, ciklin e Skënderbeut.

Migjeni hapi portën e një letërsie tjetër
Epopeja e sundoi kulturën shqiptare, jo vetëm në formën e saj gojore, si rrëfim legjendar për një botë të cilën "kështu m’kann thanë, atje s’kam kanë", por edhe si formë e realizmit të letersisë kombëtare. Maks Lamberc, madje mendonte se " epopeja e madhe" e shqiptarëve është "Lahuta e malësisë", pas së cilës duhej të vinte eposi i kreshnikëve. Letërsia e italo-shqiptarëve, e cila u prit nga lexuesi si letersi heronjsh, rilindi botën arbërore. Letërsia romantike që zhvillohej në anën e këndejme të Adriatikut, ishte gjithashtu letërsi heronjësh. Në vend të zanave dhe shtojzovalleve kishte Nora dhe Tringa që tërhiqnin zvarrë krerë pashallarësh e sadrazemësh. Malësori shqiptar hynte në letërsi po të ishte i gatshëm "me e ba dekën si me le". Migjeni hapi portën e një letërsie tjetër pikërisht në kohën kur ekzaltimi i mëtejmë i vlerave tradicionale shqiptare, hyjnizimi i trimnive epike të malësorëve, mund të kthehej në një skemë që riprodhonte prapambetjen, për hir të ekzotimit sqimatar europian.
Nëse heronjtë kreshnikë u mbyllën në një botë të kryer në fund të mesjetës, për t’ia lënë kohën dhe hapësirën njeriut hero, miti i malësorit rapsodik, që lindet hero dhe e sfidon historinë, mbeti jashtë letërsisë me mbërritjen e fenomenit 'migjen'.Kjo ishte tërheqja e dytë e madhe e epopesë. Migjeni i bëri një shërbim të shkëlqyer mendimit shqiptar me këtë akt.
Letërsia e Migjenit u shfaq në horizontin shqiptar të pritjes në një kohë kur në traditën letrare të vendit heroi ishte, ndoshta pasuria më e madhe. Heqja dorë nga miti i heroit mund t’i shkaktonte një varfëri më të rëndë kësaj letërsie. Migjeni është poeti i heronjve të shembur, i "idhujve pa krena". Ai e ndryshoi skemën tradicionale të komunikimit estetik. Migjeni kërkoi lexues dhe jo audiencë. Epopeja, nga vetë karakteri i saj, është letërsi për t’u dëgjuar. Migjeni kërkoi dhe arriti një rrafsh tjetër të komunikimit me pritësit e letërsisë.
Me Migjenin, në letërsinë shqipe, hyjnë disa raporte të përgjithshme që kanë shqetësuar shekuj me radhë mendimin njerëzor: jeta dhe vdekja, zoti dhe qenja tokësore, njeriu dhe bota, krijuesi dhe "kensit" e tij, morali i bashkësisë dhe morali i individit, fati i njeriut dhe dhuna e shtetit. Në veprën e Migjenit, emri i Shqipërisë, duke përjashtuar skicën " Zeneli", përmendet me shumë kursim. Në disa raste përdoret fjala kombëtare. Në raste të tjera flitet për "birin e Arbërisë", që don të mbetet „nip fatosash", por në këtë rast përmendja ka një ngjyrë të lehtë ironike. Në një rast tjetër flitet për Ilirinë. Arti i Migjenit gjendet ngushtë brenda një harte politike. Migjeni e mendonte përparimin e Shqipërisë përmes progresit të njeriut shqiptar. Ai mendoi të lartësojë këtë njeri duke e vënë në mendime.
Vepra e Migjenit i dha fund shikimit historik të jetës në letërsi. Për Migjenin mori rëndësi ideja në vend të heroit. Shikimi historicist nuk mund të bëjë pa mitin e heroit. Por Migjeni vendosi të zbulojë njeriun. Jo njeriun e bëmave të mëdha historike. Ai i hapi dyert e letërsisë për përsonazhe që s’ishin aspak heronj, në kuptimin historicist të fjalës, madje s’ishin as të denjë për të pasur vëmendje kulturore, sipas mendimit të trashëguar. Ky ishte një akt i madh demokratizues. Një malësor i përgjunjur nga jeta e vështirë, një murgeshë që u lutet shenjtëve të falen mëkatet e botës, një malësore që shet veten në vend të qymyrit, një djalosh që gjen paqë me veten të mos flasë për tradhtinë bashkëshortore të së motrës, kur sipas "zakonit heroik" duhej t’i jepte dhëndrrit fishekun në pajë, kjo është një galeri e tërë personazhesh migjenianë, që do të mund të quheshin "heronj të dobësisë".
Migjeni ishte në rrjedhat më të përparuara të mendimit evropian. Brenda është pesimizmi intelektual dhe dëshprimi planetar i shkrimtarëve më të njohur, për botë idesh. Kalimi prej mitit të heroit tek miti i idesë është një hap i madh emancipimi në lëvizjën mendore dhe në letërsi. Pikërisht pse arriti të hedhë këtë hap, ai është "poeti që lind poetë", siç thotë D. Agolli, ose "modernizuesi më i madh i poezisë shqipe, prej së cilës kemi dalë të gjithë".
Hapi ideor që hodhi Migjeni është aq i rëndësishëm, sa që, duke lexuar veprën e tij, njeriu mund të pyesë nëse mendësia e sotme është para apo prapa tij.
"Përditë perëndojnë zotat". Ky është vargu i parë me të cilin hapet i vetmi vëllim me poezi që arriti të botojë Migjeni. "Dhe tash s’po dihet ma se kush ashtë zot e kush njeri". Tek Migjeni kultin e fuqisë trimërishte epike e zuri kulti i fuqisë mendore. Në veprën e tij s’ka më konflikte iliro-sllave apo shqiptaro-turke. Konflikti i vetëm është ai i njeriut me fatin e tij, i njeriut që kërkon përsosjen, por përditë e më shumë ndien rrënimin.

«Të dali nji njeri,
Të mkambi një kohë të re,
Të krijojë një epope!»

Ja pra që edhe Migjeni e ka kërkuar epopenë. Sepse «të gjithë popujt po dehen n’epopena t’veta». Por epopeja e përthirrur nga Migjeni nuk ka të bëjë me ndonjë luftë dhe me heroizma shpate: është ajo epopeja që mbështetet në «një ide të re, në një ideal bujarie. Si poet, si qytetar, si njeri i mendimit, Migjeni duket qartë se nuk ka besim tek heroizmi i vjetër. Shpëtimin e shoqërisë ai e kërkon nëpërmjet mitit të idesë. Por jo çdo ide mund të shërbejë si një mit. Jo çdo ide mund të rilindë njeriun dhe aq më tepër ta përkryejë atë.
Kur flitet për mitin e idesë, njeriu menjëherë kujtohet për poezi të tilla, si: «Trajtat e mbinjeriut» apo «Të lindet njeriu». Por, poeti nuk i beson aq kollaj një ideje të vetme, qoftë edhe asaj të mbinjeriut. Frika se njeriu ka shkuar përpara duke bërë për vete më shumë shejtaninë e hyjnisë se shejtninë e saj e tremb gjer në palcë atë. Arti i Migjenit vjen deri më sot si një blasfemi planetare. Kush do të fitojë? Njeriu që mësoi të zbukurojë kënaqësinë banale të derrit me fytyrën e përvujtur të Sokratit apo ai njeriu tjetër, që do të fillojë ringritjen e kullës së Babelit, dhe tashmë nuk do të ndalet prej mosmarrëveshjes, por do të mbërrijë deri në krye dhe do të thërrasë fuqishëm: „Perëndi ku je?!".
Migjeni është një poet që kërkon aleatë. Ai mund të bëhet aleat jo vetëm me nxënësit varfanjakë dhe lypsarët e rrugëve të qytetit të veriut, por edhe me „njenën nga ato", me cubin „të qenë e të paqenë", me cilindo që është i prirur, nga frymëzimi apo nga rrethanat, të ndryshojë rrugën e jetës. Migjeni është hapur kundër atyre që „nipa donë me mbetë", qoftë edhe

«nipa të vërtetë,
me atdhe e fe ndër andrrat e thata».

Ai e don dhe e profetizon ndryshimin, qoftë edhe duke «ia fillue një të qeshunit universal, me ja fillue nji të qeshunit qi ka për me tundë kozmosin me planetat dhe sferat në të». Migjeni provoi që vetë malësorin epik, njeriun e një letërsie të tërë, ta tërheqë nga kulti i heroit tek miti i idesë. Poezia „Recital i malësorit" është shenjuese e kësaj fryme. Malësori vjen tek lexuesi përmes botës së fuqishme të Migjenit jo të sfidojë botën e qytetëruar me lashtësinë e virtyteve të tij, jo si një prej «homerikëve të fundit të botës», por si një qenie e sfilitur prej pafuqisë dhe mundimit:

«Unë - lugat, si hije e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem në bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaquna t’instiktit».

Të ecësh si njeriu dhe jo si gaforrja, kjo është dëshira e poetit
Mbetet një prej meritave qytetëruese të poetit të madh të «Vargjeve të lira» prirja e tij e qëndrueshme për ta parë botën nga poshtë, për të refuzuar çdo shtresëzim doktrinar të saj. Migjeni gjeti prehje në ferr dhe përhumbje në parajsë. Ai prin përpara me mitin e idesë kur thotë se është gati "pash më pash me i ra ferrit" apo kur formulon dedikimin e shtatores së ngrirë në një familje të braktisur. Duke pëlqyer vetën e bashkësisë, poeti shkruan:

«Na t’shprehun t’ngushlluem gjetme në vaj,
Mjerimet i mormë në pajë
me jetën, se kjo botë mbarë,
ndër gji të univerzumit asht nji varrë».

Migjeni shprehu vetëdijen kritike të kulturës shqiptare. Në skicën «Husarët në Adriatik» ai e trondit bashkudhtarin e vet më shumë se dallgëzimi i detit, duke ironizuar thellë «stërgjyshërit tonë ilirë», që e «fitojshin bukën si burra të lirë», duke grabitur anijet romake, dhe «vdiqshin si burra të lirë, por nuk shajshin». Migjeni ndien tmerrin e njeriut të mposhtur prej iluzionit të lavdisë. Ai bëri gjithçka që kishte të mundur për të ekzorcuar nga njeriu shqiptar kompleksin e heroit epik dhe iluzionin e një lavdie të fryrë. Jo heroi, por njeriu; jo historia me lavdinë e saj, por individi me mundimin e tij; të ecësh si njeriu dhe jo si gaforrja, kjo është dëshira e poetit. Migjeni i shtroi të gjitha pyetjet ontologjike, që kanë të bëjnë me thelbin e njeriut. Me këto pyetje ai shmangu "përgjegjësinë para historisë". Për njeriun e Migjenit është luks të mendojë se ç’do të thotë historia për të. Ai nuk ka nge. E shumta, ai mund të preokupohet për opinionin, të mos ketë skandal.
Duke rrëzuar mitin e heroit, qoftë ky hero kulturor, fetar, kombëtar, ndërkombëtar; heroi i traditës historike apo i asaj letrare, Migjeni preku një nga pasuritë më të rëndësishme të letërsisë shqipe të deritatëhershme. Ai rrezikoi të krijonte një boshllëk të madh. Por talenti i fuqishëm i dha shansin atij dhe vetë letërsisë shqipe të tejkalonte një vonesë që po zgjatej. Ai solli në vend të tyre, në vendin e hyjnisë dhe të idhujve pa krena, në vendin e permendoreve të mermerta dhe të permendoreve ambulante, që rronin «si nip-stërnipa», njeriun e pazbuluar, njeriun që gjendej nën pushtetin dhe eklipsin e heronjve legjendarë, njeriun që mund ta shtynte para jetën e tij dhe të bashkësisë duke ndryshuar mendësinë, moralin, vetëdijen komunitare. Me këtë, ai futi në letërsi përmasën e së tashmes.

-- Shaban Sinani

 Përditë shoh qartë e më qartë 
Dhe vuej thellë e më thellë. 
Mendoj se edhe këto pak fjalë mjaftojnë. Migjeni e kishte kuptuar se kalvari ynë do të ishte i gjatë sepse horizonti ishte i mbyllur, ndaj vuajtja do shkonte thellë e më thellë. E gjithë kjo nuk qe thjesht dëshpërim! Ishte një analizë kapilare që ai i bëri antropologjisë shqiptare dhe antropomjerimit tonë të skajshëm si varfëri njerëzore, si prapambetje kulturore, si injorancë e drejtimit të shtetit, si sisteme të munguara të civilizimit. Eh Migjen, si e shpjegon atë dilemë të trumcakut kur sheh që nuk është bilbil dhe filloi të arsyetoi pse është kështu. 
"E na, njerzit e këtij skaji të Dheut, për një milion vjet mund t'arrijmë që mos t'ia kemi zili njerëzve që na rrethojnë(si trumcaku që ia kish zili bylbylit).Një million vjet-afat i bukur….Si ju duket?- Jo,jo nuk asht shum. ç'janë një milion vjet para eternitas…"(Migjeni Vepra faqe 195). 
E kjo kohë mund të shkurtohej duke kënduar këngët e pakëndueme dhe me to ti hapej udhë në politikë Republikanizmit, në jetën shoqërore barazisë sociale, në antropologji lartësimit të njeriut. 
Migjeni ndoshta është i pari si një Senek i kohëve të reja kushtron: 
"Të lindet njeriu" që do të thotë; i pajisur me dashuri njerëzore, i drejtuar me ide të përparuara, I frymëzuar me ideal bujar! 
"Të lindet një njeri 
i madh si madhni 
….për një agim të lum e të drejtë kombtar. 
Ai si askush në mënyrë therëse kërkoi zgjim të vulleneteve të ndrydhuna dhe si nëpërmjet një udhëtimi dantesk nuk ndalet si rilindasit tek pragu i Skendërbeut për frymëzim dhe zgjim kombëtar. 
Ai shkon më thellë në historinë kombëtare duke kërkuar nyjëzimin atje ku filli i progresit ishte këputur tragjikisht nga historia. 
…turniu në të gjitha anët dhe poshtë në dhe zbritni 
-ndosht' aty keni për të gjetë fillin e një hymni 
që Illyri e vjetër ndër kremtime këndonte, 
ndërsa zemra e kombit në liri kumbonte. 
Migjeni është disident i përkortë në politikë në art! Në vlerësimin e religjionit dhe në peisazhin njerëzor të mjerimit. 
"Arti, shkruante ai, është një nga format e ndërgjegjes shoqërore dhe, si i tillë, ai është i lidhur në mënyrë organike me fushën politike të ndërgjegjes shoqërore". 
"Sistemi monakal, i mirë në fillim të qytetërimit, i dobishëm për të frenuar brutalitetin e klerit, është i dëmshëm në kohën e pjekurisë së popullit" 
"Të lidhësh me mend infinitin e lartë (zotin) me infinitin e ulët(shpirtin) kjo quhet lutje.Kemi një detyrë: të punojmë në shpirtin e njeriut…të flakim absurditetin,…të shërojmë fenë,t'i heqim religjionit bestytninë,të spastrojmë zotin prej krimbave". 
"Të prodhohet pasuria e të ndahet"…"përparimi është jeta e vazhdueshme e popullit", por e gjithë kjo jashtë dhe larg çdo dhune. 
Ja si kumton Milloshi:"…pas një vrasjeje politike, edhe pas një vrasje çlirimtare,…brerja e ndërgjegjes se keni vrarë një njeri, ia kalon gëzimit se keni shërbyer racës njerëzore"(citimet marr nga vepra Migjeni, faqet,203,204,205.) 
Vepra e Migjenit në poezi dhe në prozë ka në qendër njeriun dhe nevojën e ribërjes së tij duke e nxjerr nga mjerimi dhe gjithë derivatet e tij; si varfëria, lypësia, urija, alkolizmi, prostitucioni, hipokrizia, mëshira fallco, pafuqia e reagimit, dhe tek e fundit vdekja! 
Njeriu i tij është ai jetësori, malësori/rja, i papuni, i ri me hovin djaloshar, gruaja(femra), njeriu i kultit, tregëtari, mësuesi, nxënësi i shkollës, cubi, xhandari,…etj. Por kryemuza e tij është e drejta e parë JETA! Ai ka shqetësimin fundamental se bota pakësohet sa herë vdes një njeri dhe e drejta e jetës është e para e drejtë humane e demokratike. Eh Migjen pendë arti e ke piku novelëzën Në Kishë kur thuesmiley nuk e di pse fjalët gegënisht më vijnë vetiu PK); 
"Po si do të jetoj unë,?...këtë kurr s'ma the. E unë, pra, due të jetoj!". 
Kuptimi mbi ekzistencën tek Migjeni është simbioza njeriu dhe dinjiteti njerëzor ,raporte këto që luajnë çdo çast në bursën e fatit, ku ajo ç'ka ulej në vlerë ishte dinjiteti në të dy skajet; edhe tek të varfërit edhe tek të pasurit. Ndaj derrat vidhnin fytyrën e Sokratit të vuajtur dhe Sokratët hiqeshin sikur kishin dhjamë nga i derrit dhe ishin ngi duke fituar trupin e tij. Kuotat e kësaj burse të dhimbshme ishin: Recital i Malësorit(trashëgimtar i vuejtjtes dhe i durimit, që thotë;"kur kam për t'u qesh?Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?) 
Lagja e Varfun (ja gravura njerëzore; "dritë, jetë, gjallësi-askund, vetëm errësin e skam).Varfëria sundon si një natë e gjatë pa fund që nuk dëshiron të vijë një ditë e re sepse s'ka ç'pret të nesërmen! 
Varfëria e ka bërë gruan si një "Melodi e këputun" sepse ajo keqpërdoret seksualisht në shkëmbim të monedhës që duhet të përballoj mjerimin.Vajza e re është një tjetër pendul dhimbjeje në bursën e fatit të të mjerëve. Dhe ajo shëndrohet në murgeshë duke kënduar një "Kang(a) Skandaloze". 
Pa lutjet e saj bota, kushedi, ç'fat do të kishte? 
Por edhe nga lutjet e saj, ende si zbardhi drita. 
….Mos u lut për mue, se due pash më pash t'i bij ferrit. 
Por sot o sfidant i hipokrizisë e martir emancipimit, o poet i dhimbjes, O MIGJENI YNË, vajzat malsore ende na i marrin për Manastiret e Europës sepse në perëndim "çikat e tyne nuk po duen me shkue në at'udhë fati"! 
Të admiroj Migjen për atë fisnikëri dhe respekt që i fal gruas, femrës, trupit, hireve dhe ndjenjave të saj, qoftë ajo malësore që klith a don qymyr zotni, qoftë ajo një vashë anonime,a e mbajtur e tillë në hijeshin e intimitetit njerëzor ende të pa rëfyer. 
E quan hyjnore atë ç'ka ajo dhuron dhe vet perëndisë i lypesh të këndoj për të, por ajo që më ka mbetur thellë në ndërgjegje, është ngjyrimi poetik që i bën atij mazoizmi kolektiv që e poshtëron femrën duke e (keq)përdorur, ndaj Ti klith: "O grue, që të ndesha në ditën e fatkobit tem"(ky termi fatkob më duket një mrekulli ndjenje dhe stilistike aq të vyera këto fjalë si perla të leksikut unikal migjenian). 
Me dhimbjen, aspak krenare do të thoja Millosh, se edhe sot pas 70 viteve që Ti udhëton ne detrat e eterit, Kola i "Bukën tonë të përditshme falna sot", më mirë me thënë Kolët që kthehen jo më nga kryqyteti ku e shpuri Zotni Filipi, por nga kur vijnë nga kryeqytet e kurbetit, atje ku i presin fëmijët(Lili i sëmun&eumlsmiley"vazhdojnë të shikojnë përtokë vrimën ndër drrasa! Ajo ishte dhe ka mbetur një vrimë interesante, vetëm me një dallim, se tani ajo nuk është më e tillë, është shëndruar në një pusë social, ku çdo ditë viktimat humbin jo vetëm në dinjitet por e paguajnë edhe me jetën e tyre! 
U përpoqe të çelishin arkapiat dhe vajzat e gratë të hiqnin atë perçe injorance Migjeni Ynë! Por sot Oso Bakalli dhe gjithë shpura e tij do të ishin të gëzuem e do të kishin hedh valle e do të bënin potere sepse ka dalë urdhni me u mbulue krye e kambë. Arkapiat jonë vu në kyç e po vriten për nji gardh Migjen vllai! 
Ka filluar riislamizmi, riorthodoksizmi, rikatolicizmi, sa që nuk dihet se ku jemi e si jemi në raport me zotin. Një vajza 12 vjeçe bash në Tiranë, doli e tha, nuk shkoj në shkollë më mire, por perçen nuk e heq! Ka dhe ma zi sepse shumë Luke e kanë sot trupin si "toka që nuk prodhon", ndaj më ndje të bëj një korektim e të them se "Historia e njenës nga ato" duhet të lexohet sot "Historia e shumë prej tyne" 
Eh sa bukur do të ishte o bashkombësat e mij, sikur sot Migjeni ynë të ishte gati një shekullor e ti vinte rradha ta përcillnim edhe ne disidentin tonë si bënë rusët para ndoca ditësh me Solzhenicinin, e të thërisnim edhe ne me krenari, Shqipëria, Shqipëria, për Nobelsitin tonë MIGJENI, mjeshtri i "Arkipelagut të Mjerimit"! Le të kishte qenë dheu ynë i pari që ta priste dhe jo të shkonte fillimisht në dhe të huaj ku u tret për 18 vjet deri në vitin 1956, kur eshtrat u kthyen në atdhe. Por sot nuk e dimë ku është ai varr dhe muzeu i ngritur për të nuk është më! 
E shoh orën e xhepit që ke mbajtur poet, në një fotografi, ka mbetur në orën 2 pa 20 minuta. E shoh me respekt e veneracion edhe stilografin tend, por nuk e di ku ndodhen sot. 
Varri yt në Tore Pelice ishte i thjeshtë por vazot me lule të bardha që shoh në foto, tregojnë se ishte bërë kujdes! 
Re në gjumë atë ditë gushti dhe nuk u zgjove më për ne! Por ka edhe më keq! Ne kemi rrënë në gjumë së gjalli dhe nuk duam të të kujtojmë! Revistat duhet të jenë ideale!(Tregimi i shkurtër i Migjenit"Program i një reviste&quotsmiley dhe ndërsa "Paria e shtetit X nuk dinte/dinë ç'të bajë dhe si ta vendosi çashtjen e krizës…"(marrë nga Novela mbi kriz&eumlsmiley
Stili i tij ishte njeriu dhe në përmbajtje edhe në formë.Si i thoshte Migjeni mikut të tij Filip Ndocaj qysh në 1936-n."Neve nuk na duhen kryevepra botnore, na duhen shkrimtarë që të dinë me pasqyrue realitetin që jetojnë, që e shohin jetën pa perde, pa temianë, pa frikë."…Stilistat do të lindin ma vonë, nga këta me përpjekje".(Migjeni vepra faqe xx). E vigan i fjalës poetike, sot kemi "stilista" të stinës parodike politike, kemi bejtexhi të retorikës boshe, kemi dhe llafazanë të arithmetikës së parasë! 
Migjeni jetoj shkurt si jetoj Moxarti sepse tek këta njerëz shpejtësia e lëvizjes është si udhëtim në epoka, gjithë kjo se ata nuk kanë frikë as nga sfidat as nga vdekja. 
Migjeni jetoi për të krijuar dhe krijoi për të realizuar idealet e tij. 
Ai udhëhiqej nga maksima;"Atë që e bëja pa dëshirën time, më shumë e vuaja se sa e bëja…. Ose ka të keqe, nga e cila kemi frikë, ose vetë frika është e keqja"(Shën Augustini,Rrëfenjat faqe 153, 155, botimi shqip, shtëpia botuese Plejad). 
Migjeni ai që u ngrit mbi frikën vjen edhe sot si disidenti kundër padrejtësisë njerëzore. Me mendimet e tij, vetëm me kumtet e tij shekujt mund të vijnë të rinj dhe ne mund të quhemi bijë të tyre! 
Merr Millosh Gjergj Nikolla Ikona e poezisë shqipe. 

-Nje leter per Migjenin-

fragment nga P.Kabo

Idlir Azizi

Kulture -

-->MIGJENI SI VETëVENDOSëS  marre nga gazeta Metropol02/11/2010   Disa muaj para vitit “Migjeni” në Shqipëri, në 100-vjetorin e lindjes së tij më 2011-ën, kam përshtypjen se po dëgjojmë, qysh tani, uturimat e kritikës shqiptare migjeniane. Dashamire (natyrisht), por disi e cofur: nga profesori që shpall se këto “emra të ndaluar” i paska theksuar qysh në “atë kohë” para 90-ës, e deri te gazetarja, që do të gjejë sërish e sërish imazhet e mjerimit migjenian nëpër rrugët e Tiranës.

Në këtë vit të dekadës së re të 2000-ës, mbase do na duhet të shohim disi ndryshe portretin e Migjenit, duke reflektuar mirë mbi mungesën që ne i kemi lënë atij. Mungesë e madhe, në fakt e Migjenit, i cili ska qenë kurrë një fantazmë, as në letrat e as në mendjet shqipe. Si mungesa e tij nga faqet e mrekullueshme të albumeve të Marubit me përfshirjen e jetës fshatare, civile e kulturore të Shkodrës dikur. Përfshirjen, them, jo thjesht pasqyrimin vulgar. Them “dikur”, pasi ska më sot, mesa shohim, as fotograf, as autor, që të na japë me po ato dritë-hije një qytet e një epokë vetëm në disa fytyra tek-tuk. E kam fjalën për fytyra të “popullit”, dhe jo për kitche dasmash, apo mbledhjesh të partive të pozitë-opozitës.

Mungesë e Migjenit edhe sepse sot është më e lehtë të thuash që ska fare Shqipëri mirëfilli. Ose, për të qenë më pak drastik: mungesë, sepse, në këtë vend, gjoja të sotëm, mazhoranca e autorëve duket se shkruajnë si në një vend që mund të jetë (ishte?) bahçe me lule. Ose, pjesa tjetër, thua se Shqipëria është veç vazhduese e tokave të Kanaanit e të kazanit mistiko-religjioz të botës perëndimore. Autorët e sotëm shqiptarë, “anakronikisht bashkëkohorë”, do mund të thoshte Jacques Rancière.

E natyrisht e gjitha smund ta ketë bazën tjetërkund sesa te qëndrimi autorial e autoritar intelektual ndaj popullit. Ndaj popullit si nocion e si fushë të ndarjes së të ndjeshmes, dhe i së ardhmes; si domen i vërtetë i energjisë e i prodhimit e shkëmbimit të densiteteve poetike, dramaturgjike, artistike e arkitektuore.

Sa për “vlerat”, meraku i madh i prindërve tanë, ka se kush merret me to! (Ende mbetet e habitshme kjo ndjesia e prindërve tanë vatikano-amerikan&eumlsmiley.

Në këtë vit të Migjenit, mbase do mund të bëjmë vërtetë një Evokim poetiko-politik të mirëfilltë të tij; dhe jo një vit xhenaze kritiko-televizive.

Sepse duket nga poezitë e nga skicat e tij, që preokupimi migjenian lidhur me “popullin”, është i paprecedent në letërsinë shqipe para tij, e mbetet disi i tillë edhe sot e kësaj dite. Autori që na hapi për herë të parë skenën e sociales, që u bë i pari shkrues-depistues socio-poetik, në një vend e në një letërsi ku mbizotëronin vestizhet epiko-legjendare, wagnerizmi i tepruar fishtian dhe Rilindja më e vonuar në Evropë.

Nëpër “letrën e zhubravitur” që la pas Rozafa e muruar e legjendës (në një letër sa memece, aq dhe llafazane, do mund të thoshte sërish Rancière), Migjeni arriti të na nxjerrë në dritë fuqinë e detajit aktual; dhe më tepër, preokupimin me atë që është tashmë vërtet e popullit: një palë këpucë nxënësi, dy duar pas kurrizit të të papunit, një vrimë interesante në parketin e dhomës së prostitutës ...

Askush tjetër para tij në Shqipëri nuk kishte dalë para “popullit”, dhe me një mungesë të atillë apriorish, saqë është përshtypjelënëse edhe sot. Sot e kësaj dite pikërisht, në hordhinë e gjestualitetit të elitizmave, qoftë edhe të majtë, nga mendimbërësit në Tiranë, veçanërisht.

Ndoshta ka ardhur koha, që këtë njëqindvjetor të mos e kemi më problem Migjenin si poet edhe melankolik, edhe revolucionar. Ndoshta tejkalohet edhe ai logjikimi rreth tij si gjoja poet i ish komunizmit tonë dhe si këngëtar sublim i mjerimit feudal. Nga mungesa që kemi sot, ne autorët veçanërisht e letrarët, nga mungesa e madhe e raportit socio-poetik me popullin (dhe jo me folklorin e me populizmin!), është për tu vënë në dukje tashmë një forcë e Migjenit, edhe aty ku ne kemi menduar për vite e vite se kemi të bëjmë vetëm me një praktikant të të pafuqishmit ndaj injorancës dhe mjerimit.

Migjeni është autori që ka ndërfutur më së pari aktualen në letrat shqipe. Ai arriti të shohë mes historisë së ngarkuar e mes analfabetizmit të atëhershëm, poezinë e vështirë të aktuales dhe emancipimin e zorshëm me anë të saj. Për herë të parë ne kemi pasur një poet, i cili ka ndjerë, mesa duket, se shkruan e sheh në një periudhë ku gjithkund po ndodhte “fuzionimi, shkrirja ekonomiko-shtetërore”. A ishte vallë edhe lexues i Marx-it sa dhe Hugo-së? Prej tij ne kemi tashmë të regjistruar në shqip përsiatjet mbi nocionin e punës, autori që filloi ta gradojë vështrimin në hyrje të epokës kapitaliste evropiane. Në këtë aliazh të modernes, zanat dhe kapedanët rrinë veç memecë e njëkohësisht me prani llafazane, në cepin e skenës socio-politike të vendit. Migjeni ka hapur një “vrimë interesante”, ose vrima në realitet, nga ato që zor se mbyllen më, ku roli i poetit mbetet të vuajë thellë e më thellë, pikërisht ngaqë arrin të shohë thellë e më thellë.

Dy tre pista poetike e konceptuale do na dilnin për të evokuar forcën e studimit të heshtur e të brishtë të Migjenit, ku ai duket që e ka tërhequr vështrimin nga vija e horizontit për ta përshpejtuar mes sistemit dhe gjërave.

Autori ka sajuar një shpend melankolik, një zog vetëvrasës, është i pari që ka lënë pas imazhet e një vullneti për fuqi. Metamorfoza e habitshme e trumcakut, që shndërrohet në melankolik, e që rrëzohet mandej me dashje vertikalisht drejt një vdekjeje që duket se lë vend për imanencë, e që bëhet një përrallë nga e ardhmja. Ironia e ethshme e Migjenit, që “preokupohet” për lexuesin, se mund ti duket kjo parabolë trill e alogjike, shenja e parë e vullnetit për fuqi, dhe jo e dëshirës për pushtet, nga autori mësues thatim, nga të rrallët që spati kurrë lidhje me qeveritë e me kastat e shtetit.

Migjeni mbetet i pari që ka futur në shqip një raport kundër pushtetar: ndërfutja e vetëvrasjes, një akt “jashtë-mjekësor”, ku mjekësisë nuk i mbetet fjalë për të thënë, e kështu as pushtet për të ushtruar. Një parabolë po aq me gërricje të ligjërimit fetar e autoritetit biblik: trumcaku i imët para historisë stërmadhe të Gjenezës (hocus pocus!). Ashtu si dërdëllitjet e artit dhe politikës sonë të sotme, në Shqipëri e Kosovë, historitë stërmëdha të asoc-integrimit tonë, duke margjinalizuar përherë e më tej jetën e imët të “popullit” .

Një rënie e zogut-subjekt, e shpendit që i kthehet historisë së njeriut pikërisht nga kjo metamorfozë e gjendjes, në ritmin e marshit funebër të Chopin-it (një tjetër krijues që punonte mes valsit të brishtë dhe etydit revolucionar).

Ky trumcaku që operon me “fuqi të trishta” (Deleuze) është personazhi fantastik i një letërsie realiste shqipe, asaj të Migjenit, ku na tregohet në nëntekst të largët se Zoti ka qenë i vetmi performer pa publik; ai që ska pasur kurrë spektatorë, por që vdes për përfaqësues.

Po aq mbase gjejmë fuqi vitin tjetër ta anashkalojmë atë kokullen e ndryshkur të “aplikimit” të mjerimit migjenian. Atë mjerimin gjoja aktual, ose kinse aktualitetin e sotëm të Migjenit. Mjerimi, që për Migjenin është një fushë studimi, një “sensibël”, një raport i vërtetë i asaj sensibiles ranceriane, pikërisht se nuk është vetëm produkt i kushteve të këqija, jo vetëm nënprodukt i politikës së shtetit, por edhe mënjanim i letërsisë nga jeta e vërtetë, nga bota si e tillë, sajë ezoterizmit poetik e politik te ne, që e pat trajtuar dhe e trajton popullin ende si një të pabarabartë të padiskutueshëm; si një injorancë e varfëri sui generis; si një meritues të qeverive që i bien mbi kokë.

Mjerimi: duket më shumë hyrje në mjekësinë e poetikes shqipe, për herë të parë; është mbase Letra lutherane e Migjenit, që ne e kemi anashkaluar, nëpër komentet moraliste të ish-komunizmit dhe në revanshin e religjiozitetit të kapitalizmit tonë të sotëm e të padiskutueshëm.

Migjeni flet në vend të të uriturve, në vend të të mjerëve. Ai që nuk ka po atë mungesë buke e duke qenë përfaqësues i shtresës së mesme rrogëtare. Por është naive të mendojmë se ai preokupohet për disa kile mish më tepër. Ajo që merr përsipër Migjeni është defigurimi, zbulimi i tij: jo thjesht pasoja e urisë, por kushtëzimi njerëzor e qytetar nën velin e saj, ai kushtëzim në skenën e urisë. Si një autor që zhbiron seksin, Migjeni zhbiron me imtësi urinë.

Mes lugjeve të verdha të Logos-it, ai fillon të ndërtojë poetiken e aktuales dhe të rizbulojë popullin real, aty ku ai ka qenë i balsamosur, ose si llaç i legjendares. Poet i vërtet i imazhit, ai arrin të gjejë, përtej rrogave, përtej dallimeve në mënyrën e jetesës, sëmundjen e vërtetë. Dhe është fakti se Imazhi e ka tani sëmundjen, dhe që e bën jetën më të zorshme. Imazhi, dëmtimi i tij, e deri te mungesa e tij e mirëfilli. Problemi më aktual i Shqipërisë dhe Kosovës së sotme, lidhur me reflektimin e vet para botës, e ca më rëndë, para vetvetes.

Mjerimi, uria, etj janë zonat politike e mendore të vendit, ku Migjeni tuberkular ka arritur gjithsesi të injektojë vrullin e ri, paparcedent te ne, të lëvizjes njerëzore në varg e narracion. Aktualja e tij dhe vështrimi i ri, me të cilën ai duket i jep një energeia, të afërt me Aristotelin, por ndoshta më pranë Nietzsche-s. Më në fund në poezinë tonë dikush shpiku sy, përshpejtoi vështrimin. Ai i ka parë urinë e mjerimin si dispozitiva të punës së vet poetike e konceptuale.

Pse Migjeni na duket aktual sot? Është mungesa e theksuar e aktuales së mirëfilltë, mungesa e aktuales sot, moskuptimi i energjisë aktuale shoqërore e mendore te ne nga ana e letrarëve dhe mendimbërësve, në shkrimin e sotëm shqip. Kjo e bën në fakt aktual Migjenin te ne. Kjo mungesë e moduleve të ngjashme, edhe të transformuara në kohë qysh nga koha kur pat shkruar Migjeni, kjo mungesa e punës së mirëfilltë letrare me dispozitivat, kjo e ri-aktualizon figurën e Migjenit sot te ne. Dhe nuk është aspak preokupimi, tashmë prej shoqatash, ajo që e sjell si më se aktuale rolin e Migjenit.

I pari vetëvendosës në letrat shqipe, Migjeni është autori që ka synuar në radhë të parë zërin. Koncerti recital solo i malësorit para malit gjeografik e legjendar, ka futur në shqip një dramaturgji, që as poetika e as filozofia shqipe nuk e kanë trajtuar në mënyrë të denjë, kurrë. Migjeni është autori i një “qeshjeje”, ajo grimasa me të cilën njeriu fillon bërjen (Devenir). Një qeshje, as histerike, as pronë-fituese e malësorit; është intervali që ai na e ka lënë, pa dashje mbase, nga ditirambi niçean për te flladi foucauldian ...

“Programi” vetëvendosës i malësorit ka ardhur pikërisht me përcaktimin e synimit për një grusht të paligjshëm.

Që në këtë rast është përballja me atë që ligji gjen rastin ta justifikojë, nën shumë emra, atë që pushteti e ngjesh kundër popullit, e ca më keq, edhe në emër të vetë popullit. Por në emër të popullit legjendar e të “idhujve pâ krena” nën serumin e imazheve të televizualizuara. Jo të atij populli që i është nënshtruar një Nomos-i,vargut me emra e terma që e mbajnë të vithisur e nën hyqmin e përfaqësuesve të tij. Të jashtëligjshëm, domethënë nën ligje të tjera...

Me atë grusht ku malësori synon zemrën e malit, ose zërin e koaguluar mes kimerave, zëri minerar, xeheror i minoritares, i malësorit minoritar, akti i atij që ka nisur mbase pa dashje të vetëvendosë, përmes emrave të historisë që “privatizonte” me furi Nietzsche dikur.

Vendosja antologjike e Migjenit në letërsinë shqipe, por triumfi afatshkurtër i aktuales së mirëfilltë të poezisë së tij, na tregojnë sot raportin krejt shterpë mes krijuesit dhe “popullit”. Nuk është tashmë çudi gjithë një letërsi e burokratizuar shqipe. Një mungesë e theksuar e leximit e të rishqyrtimit të dramaturgjisë e të konceptuales së poezisë shqipe, jo vetëm të ndonjë metafore me vlerë mbarëshqiptare. Në letrat tona të sotme, ndihet, fatkeqësisht, ndikimi i politikës gjoja pluraliste, ajo që me mekanizmin e harresës së të djeshmes, ka infiltruar, në popull, vetëkënaqësinë e të tashmes absolute dhe dhunën e mirëmbajtur të përfaqësimit.

E kësisoj një letërsi shqipe, një mendim shqip letrar e poetik e politik, ku, dashje pa dashje, vetëm sa asistojmë në kopulimin e flligshtë mes të dhunuarit e vetë dhunës. Sepse po aq naive duket tani, pas disa vitesh me Shqipëri-si-shoqëri (jo si atdhe), pas disa ndërhyrjesh qoftë dhe të pakta politike e konceptuale nën qiellin konservë të post-perestrojkës e të diktaturës televizive, se Migjeni ka qenë denoncues thjesht i një regjimi apo i një mbretërie. Naive po aq dhe gumëzhitja e gjatë se poezia e tij thjesht ka paraprirë komunizmin tonë cung shqiptar, komunizëm që vetëm sa mori disa lugë çaji ideologjike prej emancipimit pa kufij të Migjenit (vetëm në atë komunizëm që melankolia s kishte vend; sikundër po aq tmerr e ka sot atë lloj melankolie kapitalizmi i sotëm planetar performativo sportiv).

Duke dekonstruktuar ikonën, me poezinë tij Migjeni ka arritur të shohë popullin e vërtetë. Poeti i ekstazës. Më tej se preokupimi i Trakl-it mbi shpirtin si gjëja që ekziston më çuditshëm mbi dhé, nën këtë ekstazë të Migjenit, ne mund të arrijmë të shohim se në fakt Populli është gjëja më masive që anashkalohet mbi dhé. Emri vetëvendosës i popullit të mirëfilltë qarkon skicat e poezitë e Migjenit, ai që madhërisht na flet për një popull të “lotit” :

... rrokulliset nga fytyra, bie në tokë e thërrmijat,

E ndër thërrmija të vogla të lotit një njeri lindet.

Të paktën pranjë shumëfishim me kthjelltësi; një difraksion i mundshëm i origjinës; dhe

një “përfaqësim” i vetë njerëzve duke soditur brendinë e vet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).