Mungoj
Jam një tablo melankolie, një livadh në vjeshtë me lule të vyshkura...
Çastet mashtruese të mia, gjethe të vdekura në bregun e Lanës që i shkelin papushim dashnorët kalimtarë...
Rinia ime, erëra të ftohta veriu dhe ciklone, të humbura në vende të largëta, ndërmjet luftërash, vdekjeje dhe gijotinash që shkëlqejnë ftohtësisht...
Numëroj vitet dhe stinët e pafund që humbën, por që gjithmonë pas ktheheshin, për t’u larguar përsëri, vagabonde, brenda perëndimeve dhe akullsisë së tmerrshme..

Dashurohem me erën, dritën e zbehtë të një ylli të largët, buzëqeshjet spontane të fëmijëve të vegjël, tingullin e fuqishëm të dallgëve që sulmojnë me mani shkëmbinjtë e bregut.
Brenda jetësh kaloj, i lehtë tashmë; i parëndësishëm. Humbas në çaste,; zhytem në përqafimin më të rrezikshëm... Errësirën e pafund përshkoj...

U përpoqa të përshkruaj atë lehtësinë e padurueshme që zë gjithmonë pritë brenda çasteve kalimtare. Një dehje e ëmbël me pushton zemrën, pamje që fshijnë përnjëherësh të gjitha ndjenjat...
Një hollësi e përpunuar brenda një perëndimi ngjyrë violet, një përkëdhelje e beftë e një flladi kalimtar, rrahja delikate e flatrave të një fluture nate; vështrimi melankolik i një vajze brune.
Fluturimi krenar i një mjellme që fluturon mbi kallamat, një yll që rrëzohet dhe një urim dashurie.
Hijet mbi fustanin e kaltër të një kukulle druri që qëndron e palëvizur përpara derës së hapur të sobës së ndezur...
Një melodi e mbushur kujtime në një muzg të pikëlluar, një ndriçim i çuditshëm yllor në zemër të dimrit.
Aroma e një pjepri të freskët të prerë në tryezën e mesditës, siluetat e hajthme të vajzave në shëtitjet e mbrëmjes...
Një frymëzim i dehur i përqafuar me agimin...

Dështova...
Dështova keqazi...

Si të përshkruash kaq mrekullira?
Rrugë, korridore të pafundme ndjenjash...
Shi i pafund kujtimesh të pafundme që zjellin edhe një tjetër dehje. Që shenjojnë pa u penduar mendimet dhe gjithë kohës mbizotërojnë ethet në shpirt...

Dështova...
Dështova keqazi...

Duke parë mbrapa, në çastin sublim të ikjes, ju garantoj, nuk do të ketë asgjë që do të më bëjë të ndiej keqardhje...
Ndoshta vetëm një gëzim i vogël që priste i fshehur brenda stinëve të dhembjes; priste; për shumë vite që ta shijoja...
Të gjithën dhe me pathos...
Trishtimi e gëlltiti edhe atë, ashtu siç gëlltiti edhe me mijëra ëndrra modeste, sikundër zhduku rininë time të varfësr dhe të gjitha dëshirat e mia...
Kurrkund nuk ekzistoj, inekzistent brenda shekujve, transparent dhe i padukshëm brenda njerëzve; pa atdhe, përqafim dhe shpresë...
I pavdekshëm, por i mundur nga fati...

Dështova...
Dështova keqazi...


Dhjetor 1991

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).