Brisqe lazer prenë rropulli për qiell,
lbyrur retë përshpirtin shpresë për mbijetesë,
ngashërehen fshehtaz, ndërsa poshtë
kjo merret si mundësi për shi,
atje poshtë pas çdo mjegulli që mugullon
njerëzit nisin e ndërtojnë pritshmëri.

***

Pikat vetmore ja arritën
të ndërtojnë një shoqëri të njomë,
shiu - qytetërim i qiejve n’fluturim,
vendim i të vetmuarve për të rënë
bashkërisht në dashuri me trojet

***

bëhet një aferë tokësore,
tash ti je thellësisht e lagur,
hirplote, rreshja e ngrohtë
dhe shfaqja përfunduan,
kohë për të qenë dashnorë
një peshqir varur supit tënd
dorën time pret, të gabojë
lexuesit e pëllëmbëve nesërdej.

***

A bëmë, pra, dashuri?
Pashë mbathjet e mia
të vrara në qosh -
dukej aksident.
A quhet
kur unë s’e mbaj mend?
Shtrojat e shtratit u rrëgjuan
kinse gjë nuk dinin,
as dhe njolla gjaku nuk dëftenin
ndërsa plagë po ndjeja ballin tim,
duhej t’ish konjaku, ose egërsia
jote e ushtrimit të dashurisë,
s’kish me Excedrin për ty, as për mua,
shpresë e fundit diç
së bashku të shijonim.

***

Shandanët u dënuan me varje në tavan,
asgjë nuk duket si rastësi fatkeqe,
dritat e botës, lloj lloj UFOsh gënjeshtare
vijnë e shkojnë…
ç’mbetet pas
është veç një dritëz e vogël nate
që nuk shuhet dot -
e vërteta:
pa çelës e mbyllës në mure.

***

Dukesh e çuditshme, porse jo e huaj,
dy gjysmat e tua
më shqyejnë dykrahësh,
të mirin dhe të keqin,
ti parapëlqen të keqin:
sepse pas çdo here me ty
ndihem më i mirë.

***

Mishin ma hëngre, eshtrat m’i kurseve,
fushë e dashurisë mbushur me skelete,

***

një litar i artë – diamant i varur,
mjegullì e piksur n’orvatje depërtimi
në vijën e ndaluar mes gjinjve të tu
që e mprehtë lazer gishtat shkurt mi pret
si bisht rreshqanori – ata mbijnë sërisht,
gishtat e rinj,
nuk nxënë nga vdekjet
e shkuara në duar,
pa kujtesë, veç çastin
shijojnë edhe ndjejnë
tastjerës së fildishtë të brinjëve të tua;
gjithnje desha që të jem një Liszt,

***

burrë që e njeh gruan si element natyre
njësoj si dallgët apo stërstuhitë,
një tru që dhemb
një dhembje që trullos
në një fjetje shqerre,
ku ujqit vulvës tënde nuk kuisin,
teksa hënat i veniten gjoksit tim

(besoj hëna është që kuit e para,
ujqit veç përgjigjen me konsideratë
urie prej dimri e goje janari)

“ta panda ri”, po jetoj kujtimin
që tanikëtu, kjo erdh më e trishtë
sesa shembja e bursës,
s’mund të jem veç çast i posashkuar,
brendashkruar barkut tënd e që prap s’të cik,
e mund të harrohem, lumturi Asgjëje,
e mund të rikujtohem, drithërime Krijimi
prej Asgjësë, se kur rikujtojmë
jemi perëndi në mënyrat tona,
do më rikrijosh, e di, nga pluhuri
pa frymë i harresës, por s’di në se
ai lloj skllavi do dua të jem.

6 Komente

 “ta panda ri”,............ e çar do me thone autori me ket....??????????

e bukur po e ngarkuar.....

hi, c'kemi patrioto.

ky esht ai muhabeti i heraklitit me lumin dhe rrjedhjen. nje trajtim interesant te ksaj e ke ktu.

 emigranto, ta lexova poezine, por s'lash koment, se mu duk poezi e smiley ngatarrume smiley 

hej, mos me thuj qe as ti nuk ke pa ato shfaqjet me laser naten neper panaire atyne fshatrave te hollandes... se me alidemsin gatitem nryshe.

 Nuk gaditesh dot jo, se na ke harru........nuk e majte llafne......

(mos me natarro me prozhektoret e 29 nentorit.....)

"... por punet s'me kane lene... se me zemer etj etj".

ps. nji dit do shpjegohen te gjitha, kur t'analizojm (jo n'peshk) vjershen koha e pamjaftueshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).