Nën peshën  e dy dhunave, të politikës dhe asaj mashkullore    

Ermira Danaj


Dy javët e aktivizimit për të drejtat e grave dhe kundër dhunës në  familje mbaruan tashmë. Nëse do fokusoheshim vetëm tek termat gjuhësorë, ishin dy javë (e më shumë madje) të mbushura me “gra”, “dhunë”, “vlerat e familjes”, “morali shqiptar”, “të drejtat e fmijëve”, etj etj. Por, cili është thelbi? Termat e mësipërme, ne shumicën e rasteve, nuk u përdorën  për të mbrojtur vërtet të drejtat e grave, apo për të luftuar dhunën ndaj tyre apo për të ofruar këtë apo atë zgjidhje, qoftë në planin moral apo qoftë në atë institucional. Kjo tashmë më e pakta u legjitimua si një tjetër kalë beteje i luftës mediokre dhe të neveritshme politike në Shqipëri dhe më e shumta u shvleftësua deri aty ku tani askush nuk do e marrë më seriozisht këtë cështje. Prej gati një muaj ne dëgjuam se sa e pamoralshme është sjellja e këtij apo atij politikani dhe se sa gjoja i shenjtë është morali për ne shqiptarët, dhe se sa shumë e dënojmë ne dhunën ndaj grave dhe vajzave.  

Gratë  e politikës dhe gratë e Shqipërisë 


Është thelbi i dy javëve që kaluan. Ndarje cinike midis dhunës së ushtruar mbi gratë e politikës apo të politikanëve dhe dhunës reale që ushtrohet mbi gratë dhe vajzat e Shqipërisë. Pse? Dhunë në familje kishte edhe vjet, kishte edhe parvjet, kishte dhe më parë, kur burra shqiptarë kanë masakruar gratë apo vajzat e tyre. Nuk doli ndonjë nga këto figurat e sotme politike ta luftonte këtë dhunën tjetër. Dhunën reale mbi gratë dhe vajzat e Shqipërisë. Edhe të drejtat e fëmijëve prej kohësh shkelen në Shqipëri në forma nga më të ndryshmet që nga dhuna, tek shfrytëzimi, apo dhe tek nevoja për ti nxjerrë për të punuar për shkak të varfërisë së tejskajshme. Me sa duket këto gratë dhe këta fëmijët e tjerë nuk janë dhe aq të rëndësishëm përderisa nuk kanë ndonjë lidhje me kryetarin e opozitës, apo me ndonjë figurë tjetër politike (në rast se do kemi ndonjë ndryshim konteksti, ku i dihet!!) 

Morali i familjes  dhe mediokriteti  i politikës 


Zonja më  e rëndësishme e pozitës përdori para disa ditësh në një emision televiziv shprehjen se “këtu nuk jemi në Amerikë, por në Shqipëri”. Ideja ishte që ne në Shqipëri nuk mund të pranojmë shthurje dhe degjenerime, shoqëria jonë nuk është e tillë që ti pranojë këto.  E cuditshme kjo situatë. Kur duam të flasim për standarte të arritura, apo kur flasim se sa shumë përpara kemi bërë ne në Shqipëri në lidhje me barazinë gjinore (meqenëse kjo temë më intereson pak më shumë”, ne duam të krahasohemi madje edhe krahasohemi me Amerikën e këdo shtet tjetër perëndimor. Ndërsa aty ku nuk na pëlqen, Amerika është shumë lart në fakt, dhe “ne jemi në Shqipëri këtu”. Konteksti i bisedës kishte sërish të bënte gjoja  me vlerat e forta të familjes shqiptare dhe me moralin tonë shqiptar që nuk i pranon sjelljet e “degjeneruara” të kryetarit të opozitës. Personalisht jam kundër cdo lloj dhune, keqtrajtimi apo abuzimi të ushtruar ndaj cdo gruaje, vajze, fëmije, burri etj., të kryer nga kushdo si nga ata që konsiderohen më të pushtetshmit e deri tek njeriu më i “thjeshtë” nëse mund të përdor këtë shprehje. Por nuk mund kurrsesi të pranoj që vec për  arsye  lufte politike të abuzohet dhe të keqpërdoret cështja e dhunës ndaj grave apo e  të drejtave të fëmijëve, apo të flitet deri në neveri për vlerat e familjes shqiptare që na qenkërkan më të fortat në botë. Kësisoj, dhuna ndaj grave dhe vajzave shndrrohet nga objekt i politikës për të evidentuar dhe parandaluar në objekt të përfitimit politik.      

Vlerat e familjes shqiptare nuk mund të jenë aq të forta, e kjo jo për faj të vetë njerëzve, por sepse prej 20 vjetësh qytetarët e Shqipërisë janë jetimë, të lënë në mëshirë të fatit të zgjidhin hallet e tyre, përballë varfërisë ekstreme, përballë një sistemi arsimor të bërë lëmsh, përballë korrupsionit, përballë sëmundjes, përballë hallit, etj etj. Dhe për këtë arsye ne kemi në Shqipëri raste kur një baba vret djalin për 40 mijë lek të vjetra, sepse varfëria i ka shkuar më thellë se në palcë. Dhe për këtë arsye ne kemi në Shqipëri raste kur fëmijët e sëmurë mendorë familja është detyruar ti mbajë të lidhur me zinxhirë sepse është e vetme përballë tragjedisë, është jetime përballë një shteti më pak se minimalist. Kjo është familja shqiptare sot, e mbështetur vec tek vetja. Dhe vërtet që kjo familje është ndryshe nga familja në shtetet e tjera perëndimore, por jo sepse nuk është aq tolerante sic pretendon ndonjë zonjë apo zotëri i politikës sot, por sepse ka më shumë halle e drobitje, dhe përvec atyre që ka i shtohet edhe tallja  apo mediokriteti i politikës.  

Morali ynë dhe morali juaj  

Zonjat e politikës pozitare dolën me rradhë sa në konferenca për shtyp e sa në konferenca të tjera dhe shanë e kërdisën kryetarin e opozitës për dhunën që paska ushtruar ndaj grave të  tij. Madje e bënë këtë dhe në ndonjë konferencë të financuar nga ndërkombëtarët duke cuditur dynjanë për cuarjen në ekstrem të një lufte politike absolutisht të pavlerë për ne qytetarët, dhe duke zhvleftësuar pikërisht atë për të cilën pretendonin se kishin dalë të flsinin. Cfarë nuk thanë për individin që sot është kryetar i opozitës, cfarë shprehjesh nuk përdorën në emër të mbrojtjes së të drejtave të grave. Në fakt ne të gjithë e dimë që kjo e fundit, dmth mbrojtja e të drejtave të grave ka qenë preokupimi i fundit në të gjithë këtë fushatë anti-Ramë, sepse qëllimi  ishte lufta ndaj Ramës. Në fakt, kjo ka qenë situata më pa kuptim e këtyre kohëve të fundit. Njëra palë fillon sulmin frontal ndaj kryetarit të opozitës. Pala tjetër me kulmin e papërgjegjëshmërisë në vend që të mbrojë interesat e qytetarëve në emër të shtetit social që duhet ta kishte të vetin, duket që s’ka asnjë strategji serioze afatgjatë dhe merret vec me kutitë.  Në fakt më shqetëson shumë pak kush është në mes të luftës politike, apo kush ka të drejtë, madje do më ndihmonte shumë një shprehje popullore këtu, “kokën hëngshin”. Por megjithatë nuk e them dot këtë shprehjen sepse për fat të keq pasojat e këtyre politikanëve tanë nuk bien tek ata.  Bien tek njerëzit e thjeshtë. Dhe pasi ia kishin dalë të talleshin dhe të shndërronin në qesharakë shumë cështje, ia dolën dhe me dhunën ndaj grave. Por, duke u kthyer pak tek zonjat e pozitës të cilat po shpalosin hartime të papara në mbrojtje të të drejtave të grave, pak muaj më parë, në rastin e ish ministrit Pango, nuk e kishin me kaq merak këtë cështje. Madje u përpoqën me cdo mënyrë të na e paraqesnin gazetaren e Fiksit si më të madhen e kurvave në Shqipëri e cila e kish provokuar aq keq ish-ministrin sa ai i ziu nuk kish c’bënte dhe nuk kish si duronte para këtij provokimi. Madje u përdorën edhe shprehje ku justifikohet cdo gjë më faktin se “c’të bëjë një burrë kur e provokojnë, nuk ka faj i shkreti”. “Ajo” ishte shkatërruesja e moralit të familjes, “ajo” ishte shkatërruesja e moralit tonë shqiptar, ndërsa ish-ministri ishte vec një viktimë mashkullore e shkretë. E dinin në fakt pikën e dobët të një pjese të shoqërisë shqiptare dhe e shfrytëzuan në mënyrën më të trashë, sic po bëjnë tani. Vec se rolet kanë ndërruar se individët meshkuj në fjalë janë njëri i palës “tonë” dhe tjetri i palës kundërshtare, kështu që njëri ishte “viktimë” ndërsa tjetri “përbindësh”. Personalisht, të dy individët meshkuj të sipërpëmendur nuk kanë aspak rëndësi për mua për atë që përfaqësojnë politikisht apo mediatikisht. Ajo që më shqetëson është koncepti i mbrojtjes së të drejtave të grave dhe vajzave në këto dy shembuj. Në njërin prej tyre, edhe pse evident, vajza jo vetëm që nuk u mbrojt nga këto/a “mbrojtësi/et” e të drejtave të grave, por dhe u etiketua në cdo lloj forme duke bërë madje të kundërtën e cdo lloj mbrojtjeje të këtyre të drejtave dhe c’është më e keqja duke legjitimuar ngacimin seksual. Ndërsa në rastin e dytë, vec për shkak të një polemike të neveritshme politike, po të njëjtat figura politike të pozitës gjoja po mbrojnë të drejtat e grave dhe vajzave në Shqipëri. E ndërkohë që na flasin për moralin e shenjtë shqiptar, e vetmja gjë e vërtetë që na kanë treguar deri tani është se sa e pamoralshme është politika në Shqipëri.

1 Komente

Po ti shihe perberjen e qeverise "me barazi gjinore". Nga 15 ministra, vetem nje eshte femer...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).