Fjala që Eqrem Çabej mbajti në "Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe", që u zhvillua në Tiranë më 20-25 nëntor 1972


Kur Komisia Letrare e Shkodrës, në "Parimet e rregullat" që caktoi për drejtshkrimin e shqipes aty nga fillimi i vitit 1917, vendosi që zanorja ë e pathekse, grupet zanore ie, ue, ye dhe grupet bashkëtingëllore mb, nd e ngj do të shkruhen të plota ashtu si i ruan këto toskërishtja e pjesërisht dhe disa nëndialekte të gegërishtes, ajo mund të shtonte e të thoshte që ashtu të plota kanë ekzistuar ato dhe janë shkruar pak shekuj më parë në krejt truallin e gegërishtes dhe se janë të gjithmbarshme të gjuhës.

Dihet se shkrimtarët e vjetër të Veriut, të shekullit XVI e XVII, gjer aty nga mesi i shekullit XVIII, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frano Bardhi, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi e të tjerë, ndër ta edhe ndonjë anonim, ruajtës të një tradite gojore e shkrimore të gjuhës, i kanë përdorur të plotë këta tinguj, këto grupe zanoresh e bashkëtingëlloresh, dhe se më anë tjetër këto ndihen dhe sot e kësaj dite në disa treva anësore e si të tilla më konservative të fushës dialektore të gegërishtes.

Në kohën e shpërnguljes së elementit shqiptar për në Itali, i cili rridhte kryesisht prej krahinave jugore të vendit, disa nga tiparet themelore të dallimit midis dialekteve kishin zënë vend me kohë në gjuhë, po më anë tjetër disa të tjera ndryshime që vërehen në shekujt e mëpastajmë, ende nuk kishin marrë rrugë; në vend të tyre ishin në përdorim fjalë, forma fjalësh dhe ndërtime fjalish të përbashkëta për mbarë gjuhën. Shohim kështu që midis gjuhës që përdor p.sh. Gjon Buzuku prej Veriu dhe asaj që shkruajnë arbëreshët e Italisë duke nisur me Lekë Matrangën prej Siqelie krahas me dallimet dialektore ka edhe pika takimi të shënueshme.

Pika takimi të tilla vërehen edhe midis gjuhës së atij autori dhe dialekteve shqiptare të Greqisë, si edhe midis këtyre dialekteve dhe atyre të Italisë më njërën anë, dhe gjuhës të së tjerëve autorë të vjetër të Veriut më tjetrën anë.

Shkurt pra, në këto variante gjuhësore të Veriut e të Jugut, dialektore e letrare, pasqyrohet kudo në vijat e saj të përgjithshme një shqipe e kalimit nga koha paraturke në kohën e parë të sundimit osman, nga perioda paraletrare në periodën letrare. Është një njësi gjuhësore që manifestohet në variacione të shumëllojshme.

Për arsye të ndryshme të karakterit historik, ekonomik e social, me mungesën e një organizimi shtetëror të mirëfilltë e të një qarkullimi rrugor të rregullt, me shpërnguljet e brendshme të popullsisë sidomos prej katundeve në qytete, me rrugët e ndryshme të marrëdhënieve tregtare, me kontaktet e pakta krahinë me krahinë, me dallimet fetare të reja që erdhën e iu shtuan dallimeve konfesionale që ekzistonin qëmoti në vend, për këto e për të tjera arsye, që është vështirë të gjurmohen në hollësitë e tyre, ligjërimet e ndryshme të shqipes në periodën osmane morën një rrugë jo aq afruese sesa më fort larguese, pra në një farë vështrimi një zhvillim më fort divergjent se konvergjent. Këtyre arsyeve të një karakteri të përgjithshëm jashtëgjuhësor vjen e u shtohet edhe një faktor i natyrës gjuhësore.

Tradita e shkrimit, e cila në kohët e para kishte marrë një hov të ri në Shqipëri, për disa rrethana të brendshme e të jashtme, më një anë për t'i vënë sadopak një ledh depërtimit të fuqishëm të islamizmit në vend, më anë tjetër duke u përfshirë në fushatën e Kundërreformës në Europë, vërtet se nuk u ndërpre krejt në periodën prej shekullit XVI gjer në Rilindjen letrare të shekullit XIX, si vazhdon të mendohet shumëkund gjer më sot, po megjithatë ra fashë në shumë pikëpamje.

U kufizua më një anë në një letërkëmbim tregtar e privat, më anë tjetër në shkrime të hartuara me qëllime praktike të shërbimit fetar, më anë tjetër me disa shkrime letrare laike të një karakteri pak a shumë privat, që mezi qarkullonin përbrenda disa rretheve shoqërore të ngushta.

Asnjë nga këto shkrime, fetare e laike, nuk arriti të ngrihej në shkallën që të shihte dritën e botimit. Arsyet për këtë vetëm pjesërisht mund të kenë qenë të natyrës praktike, si do të ishin mungesa e shtypshkronjave dhe e mjeteve pekuniare.

Arsyeja kryesore e këtij shkimi mbrapa, e kësaj rënieje letrare do kërkuar më fort në mungesën e një ideje sociale më të përgjithshme, e cila në çdo vend e në çdo kohë ka vënë njerëzit në lëvizje dhe ka gjetur mjetet e realizimit.

Mungesa e një ideje të tillë bëri që këto shkrime mbetën qëllim në vetvete dhe nuk patën asnjë lidhje, asnjë konvergjencë në mes të tyre.
Gjuhët e përbashkëta të shkrimit e të literaturës zakonisht ndërtohen mbi një bazë dialektore të caktuar.

Kjo ndërkaq përbën pikënisjen për një zhvillim të mëtejmë, nuk merret e gjitha ashtu si është, në tërësinë gjuhësore konkrete të saj. Shpeshherë asimilohen në atë mes edhe elemente të ndonjë dialekti tjetër ose dialektesh të tjera, ndonjë nga tiparet fonetike, morfologjike, sintaktike a leksikore të tyre, të cilat vijnë e integrohen në sistemin e gjuhës së përbashkët, ose përndryshe shërbejnë si model për të modifikuar ndonjë tipar të kësaj, që si tepër i veçantë ndihet nevoja që t'i shtrohet një reformimi.

Krahas me këto procese të një karakteri aktiv vërehet në atë mes edhe një proces i përkundërt, më fort negativ, i cili konsiston në këtë, që dialektet e tjera me kohë heqin dorë nga disa tipare vetiake të tyre, gjë që u hap rrugë formave të përgjithshme, lehtëson derdhjen e këtyre përrenjve në lumin e përbashkët të gjuhës.

Arsyet që determinojnë marrjen e një dialekti të caktuar si bazë të përbashkët të gjuhës së shkrimit mund të jenë të ndryshme, sikundër tregon edhe vëzhgimi i formimit të gjuhëve letrare të popujve të ndryshëm të Europës.

Aty ndikon ku epërsia kulturore e sociale e një krahine të caktuar të vendit, ku pozita qendrore e një dialekti, ku ekzistenca e një tradite letrare të formuar, që nëpërmes të një shkrimtari a disa shkrimtarëve me format arrin në një formë të përpunuar të gjuhës dhe bëhet kështu model për të tjerët, sikundër ndodhi p.sh. në Itali.

Më shpesh vihet re ndërkaq se aty kanë çuar peshë si faktorë vendimtarë prestigji i një epërsie politike dhe të tjera arsye jashtëgjuhësore. Përgjithësisht mund të thuhet se zakonisht të gjitha këto komponente ndikojnë së toku në formimin e një gjuhe të përbashkët, natyrisht në shkallë e me përpjestime të ndryshme, ku më shumë njëra, ku tjetra.

Po të këqyret së këndejmi gjendja e shqipes si gjuhë shkrimi e literature, ajo mund të përvijohet shkurt në këtë mënyrë:
I pari dokument i datueshëm i gjuhës shqipe, Formula e Pagëzimit e vitit 1462, pra e epokës së Skënderbeut, në pajtim me rrethanat e kohës ruan një tipar dialektor të dallueshëm, shpertit për "shpirtit" të ligjërimit të Matit. Duke kaluar te shkrimtarët e mëpastajmë, me Gjon Buzukun në krye, vihet re më një anë një shkallë mjaft e përpunuar e gjuhës, një gjuhë letrare, më anë tjetër një formë gjuhësore me tipare mjaft të përbashkëta, me gjithë ndryshimet lokale në trajtat e fjalëve. Këto rrethana flasin për dy sende: E para, që gjuha ka qenë shkruar edhe më parë, gjë që dëshmon shprehimisht që më 1332 arqipeshkvi i Tivarit Guillelmus Adae, i cili njihet dhe me emrin Brocardus.

E dyta, që këta autorë nuk kanë shkruar në dialekt me kuptimin e mirëfilltë të fjalës, po në një formë mbidialektore të gjuhës, në një farë koineje të Shqipërisë Veriore, me pikësynim që shkrimet e tyre të ishin të kuptueshme për një masë më të hapët besimtarësh. Kjo shihet qartë nga karakteri mjaft konvergjent i gjuhës së tyre, megjithëse ata rridhnin, sikundër dihet, prej krahinash së ndryshme të kësaj treve.

Vetë dubletat që ndeshen në veprën e Buzukut, kun dhe kon, ordhënit e ordënit, lem edhe letë, thanë e thashunë etj., tregojnë që ky autor herë ngrihej në një formë gjuhësore më të përgjithshme, herë binte në ligjërimin lokal të vetin; kurse te pasardhësit e tij lëkundjet janë më të rralla, norma gjuhësore paraqitet e ngulur më mirë, ka shkuar më përpara.

Duke kaluar përsipër fazës së një fare amullie që u ravizua më lart dhe duke ardhur në shekullin XIX, shihet se idetë e shekullit të dritës (shekullit XVIII) dhe ato të romantizmit nisin e përhapen dhe në Shqipëri edhe në diasporën shqiptare.

Romantizmi, i cili në Europën Juglindore u shtri më vonë, në një kohë kur në Perëndim kishte zënë fill natyralizmi, në këto vise, në pajtim me kushtet sociale e politike, zhvilloi më fort anën nacionale.

Ndihmoi në zgjimin e ndjenjës së kombësisë, në vlerësimin e gjuhës amtare, në dashurinë për poezinë popullore dhe në përpjekjet për mbledhjen e saj, shumëkund nën shtysën e ideve të Herderit rreth vlerave të këngës popullore europiane.

Në trevën shqiptare pemët e para të kësaj lëvizjeje mendore, e cila këtu ndërkaq u ushqye edhe me ide të shprehura që më parë nga disa fuqi të vendit, u dukën së pari, që në gjysmën e parë të atij shekulli, tek arbëreshët e Italisë me Jeronim De Radën në krye. Shkrimtarët e Rilindjes e çuan më tej këtë lëvizje dhe e ngritën në një shkallë nacionale.

Për mbledhjen e folklorit pak u bë, me përjashtim të "Bletës shqipëtare" të Th. Mitkos; po ç'u la mënjanë në këtë fushë, u kompensua më së miri me anën letrare e gjuhësore.

Visaret e ligjërimit popullor zunë të mblidhen e të hyjnë në literaturë, më anë tjetër gjuha letrare u pasurua me leksema të reja, pjesërisht të marra prej gurrës popullore ashtu si ishin, pjesërisht të farkuara kryesisht me lëndë gjuhësore të vendit, edhe pse shpeshherë si kalke, si përkthime, pas gjedhes së gjuhëve të tjera, përbrenda kuadrit të leksikut modern ndërkombëtar.

Nuk është vendi këtu të shtjellohet në hollësitë e saj puna e kryer në këtë drejtim prej K. Kristoforidhit, J. Vretos, N. Frashërit, S. Frashërit, më vonë prej F. Konicës, F. Nolit, L. Gurakuqit e të tjerëve. Vetëm do të përmendet që Tahir Boshnjaku prej Gjakove që më 1835 shtiu në përdorim disa fjalë si mësues, nxanës, digues, dis, folës, kallxues, shtis, e të tjera si pështim, randim, rrënim, rrëzim, të cilat me të tjera rrugë u bënë pastaj pronë e leksikut abstrakt të gjuhës shqipe.

Duke e shikuar punën e kryer prej shkrimtarëve të shekullit të XIX në tërësinë e saj, shihet se ka një vijë zhvillimi në thelb të pandërprerë që nga tradita letrare e shekujve të mëparmë, një rilindje të vërtetë të asaj tradite të vjetër, edhe m'anë tjetër një fill të pakëputur që shpie në rrethanat e sotme.

Po të shtrohet pyetja nëse në formimin e një gjuhe të përbashkët sidomos në shkrim, ka marrë pjesë në një masë më të madhe veprimtaria gjuhësore-letrare apo komponentja e fuqive jashtëgjuhësore, për Shqipëri përgjigjja është kjo, që - si në shumicën e vendeve të Europës - shtysa kryesore erdhi nga ana e këtyre fuqive.

E ngritur që më parë në një shkallë më të lartë të përdorimit dhe e gatitur për një zhdrivillim të mëtejmë nga puna e kryer në shekullin e kaluar, shqipja mori formë si gjuhë shkrimi me tendencë për njësim në të ardhmen, kryesisht që prej themelimit të një shteti shqiptar e këtej, që kur ajo u bë shprehje e një njësie shtetërore të centralizuar.

Kjo gjë gjeti pasqyrimin e saj dhe në shkrim dhe në drejtshkrim, në fushën fonetike poaq sa në leksik, dhe u zhvillua përherë e më shumë në këto fusha. U arrit me kohë në njësimin e disa trajtave fonetike e gramatikore, në ndjekje të rregullave të Komisisë Letrare të Shkodrës dhe të Kongresit të Lushnjës të vitit 1920. Puna më e madhe aty u krye ndërkaq në pasurim të visarit të fjalëve.

Me rrethanat e reja që u krijuan u desh të plotësoheshin nevojat e gjuhës së administratës e të fushave të tjera të veprimtarisë shtetërore, të ekonomisë, të teknikës, të arsimit e të kulturës, të sferës ushtarake etj.

Për hir të së vërtetës duhet të thuhet se kjo punë jo e pakët, më shumë se prej personalitetesh të njohura, e prej shkrimtarësh e studjuesish të gjuhës, u krye prej masës anonime, prej nëpunësish të thjeshtë, administratorësh, juristësh, arsimtarësh, ushtarakësh, teknikësh degësh të ndryshme e prej së tjerësh.

Një pasurim më i tejmë e shumë më i madh se më parë u arrit ndërkaq në ditët tona, kur pas çlirimit të vendit mori përmasa të reja industria, arsimi, dija, ekonomia, bujqësia, teknika e të tjera degë të veprimtarisë njerëzore.

Për të rrokur me një vështrim këtë rrugë zhvillimi në rrjedhë të disa brezave, mjafton të krahasojmë Fjalorin e gjuhës shqipe të vitit 1954 me atë të Hahnit që është i vitit 1854, ose dhe me atë të Kristoforidhit të vitit 1904. Aty shihet përparimi që është arritur në pasuri të fjalorit jo vetëm në një shekull, po edhe brenda një gjysmëshekulli.

Një gjuhë e përbashkët, përtej caqeve shtetërore, mbetet shprehja e një njësie nacionale dhe e një shkalle të caktuar të kulturës së bashkësisë që e flet. Përpjestimi aty është i karakterit të drejtë, në mënyrë që sa më e fortë të jetë ajo njësi, sa më e ngritur ajo shkallë kulture, aq më e formuar paraqitet gjuha e përbashkët, si në të folur dhe sidomos në shkrim.

Një gjuhë e tillë qëndron kështu përmbi dialektet, është një madhësi mbidialektore, në një farë vështrimi emëruesi i përbashkët dhe sinteza e tyre. Ajo paraqet një realitet dhe njëkohësisht rezultatin e një farë abstrakcioni, të formuar gjatë kohës, në mënyrë që nuk përputhet krejt me një dialekt territorial të caktuar, as edhe me dialektin që përbën bazën e saj.

Sikundër u tha edhe më lart, gjuha e përbashkët e shkrimit edhe lë jashtë ndonjë element të këtij dialekti, edhe përvetëson me kohë elemente të dialekteve të tjera. Në këtë mënyrë kjo gjuhë bëhet një njësi brenda ndryshimeve. Duke qenë ajo edhe treguesi i shkallës së kulturës të një populli, një popull i kulturuar ndër të tjera dallohet edhe për një gjuhë shkrimi të formuar e të njësishme.

Në dallim nga gjuha e folur e nga dialektet e saj, e cila si më e lirë, më shpejt kalon nëpër ndryshime në kohë, gjuha e shkrimit, si shprehje e një kulture që është, i mbahet një tradite.

Ajo ka përgjithësisht një karakter konservativ, me të cilin ushtron bile një ndikim përmbi gjuhën e folur duke ngadalësuar ritmin e ndryshimeve që kjo pëson. Ky karakter i saj përcaktohet nga disa rregulla, të cilat në tërësinë e tyre përbëjnë drejtshkrimin e një gjuhe.

Ato janë më të ngulëta se rregullat nëpër të cilat përshkohet gjuha e folur dhe bëhen gjithmonë e më të ngulëta, më të qëndrueshme, sa më shumë të marrë formë gjuha e shkrimit dhe e literaturës.

Sa më fort kjo t'i afrohet njësimit, aq më shpejt zhduken në atë mes dhe përjashtimet nga rregullat, format dyjare të fjalëve e të trajtave gramatikore. Rregullat drejtshkrimore rrjedhin nga një realitet, e ky është shkalla e zhvillimit që ka arritur gjuha si tërësi në një cak kohe të caktuar. Drejtshkrimi duhet t'i përgjigjet këtij realiteti.

E shikuar nga këto pikëpamje parimore, forma e shkruar e shqipes, si ajo e përdorimit të përditshëm, si ajo e nivelit letrar, që prej kohësh kur dëshmohet së pari me shkrim, paraqitet me një vijë zhvillimi, e cila karakterizohet nga një aksiomatikë e caktuar.

Aksioma e parë është që kjo formë gjuhësore gjatë përdorimit të saj është thjeshtuar gjithmonë e më shumë në trajtat e sistemit fonetik e gramatikor dhe është pasuruar në visar të fjalëve. Ky proces vazhdon dhe sot e kësaj dite, duke shkuar gjuha më një anë drejt thjeshtimit, më anë tjetër drejt pasurimit.
Aksioma e dytë është konvergjenca.

Rregullat e drejtshkrimit ndaj tërësisë së këtij janë të krahasueshme me gurët e veçantë me të cilët ngrihet një ndërtesë; dhe si këta gurë, edhe ato rregulla kanë vendin edhe peshën e vet si elemente përbërëse të një tërësie. Po peshë kryesore në këtë mes ka tërësia.

Nuk është pa rëndësi që një fjalë e caktuar e shqipes të shkruhet me një ë të pathekse më pak ose më shumë, me një r të fortë ose të thjeshtë, me l palatale apo velare, me sh a me ç në pozicion nistor, dhe për këto çështje e të tjera si këto po diskutohet që t'u japim rrugë përbrenda mundësive të sotme.

Po qenësore, esenciale në këtë mes, në dallim nga periodat e mëparme të historisë së shkrimit të shqipes, është që vija e zhvillimit gjuhësor shkon drejt konvergjencës. Dhe ajo shkon në thelb vetvetiu, në pajtim me ligjet e brendshme të gjuhës. Ky proces nuk mund të çmohet kurrë mjaft në rëndësinë e tij.

Ai ka për të vepruar më tej edhe në të ardhmen.
Aksioma e tretë përmban njëkohësisht edhe një rregull. Gjuha e shkrimit ka dalë në analizë të fundit prej gjuhës së gjallë të popullit që e flet. Në pajtim me këtë, edhe rregullat që përcaktojnë përdorimin e saj duhet të dalin nga të dhënat e këtij realiteti gjuhësor.


marre nga SHEKULLI, 9 Dhjetor 2010

7 Komente

Faleminderit AV per kete prurje.

Duke e krahasuar kete sinteze mbi gjuhen e shkruar (verejeni qe gjithmone Cabej kur flet per gjuhen e njesuar i referohet asaj te shkruar dhe jo asaj te foluri) me retoriken mediatike te gjuhetareve mediatike, mendova se i vetmi gjuhetar qe paskerkemi pasur paska vdekur.

Mendova, gjithashtu, se Cabej jo vetem ka deshtuar si gjuhetar (analizat dhe konsideratat e tij dhe te Xhuvanit per krijimin e standartit nuk i perfilli njeri) por ka deshtuar edhe te edukoje gjuhetare: nxenesit e tij e kane kaluar statusin e gjuhetarit, ata jane shnderruar ne demagoge!

Self, s'na ka rene rasti te kryqezohemi neper komente, por sh falemnderit per cka ke thene.

 Gjuha shqipe ka nevoje per permiresime ne stanadrt, por nuk ka nevoje te ndryshoje kete standart. Por ajo qe ka me teper nevoje gjuha shqipe eshte qe te mesohet nga shqipfolesit zyrtare. Me kete shprehje kam parasysh qe te mesohet ne radhe te pare nga vete mesuesit e pedagoget, te cilet i mesojne nxenesit dhe studentet me te meta te theksuara, se dyti dhe me e rendesishmja, eshte qe te mesohet nga gazetaret dhe perfaqesuesit televizive, Te vjen per te vjelle kur degjon disa opinioniste apo analiste, folesa apo gazetare televizive,  te cilet nuk dine te flasin shqip, dhe se treti nga politikanet tane dhe administrata publike e cila ka shume mangesi ne drejteshkrimin e gjuhes standarte shqipe.

"Mendova, gjithashtu, se Cabej jo vetem ka deshtuar si gjuhetar (analizat dhe konsideratat e tij dhe te Xhuvanit per krijimin e standartit nuk i perfilli njeri) por ka deshtuar edhe te edukoje gjuhetare: nxenesit e tij e kane kaluar statusin e gjuhetarit, ata jane shnderruar ne demagoge!"

Ky eshte thelbi i gjithe diskutimit te sotem mbi standartin e gjuhes shqipe. Te gjithe flasin per Cabejin, por nuk dine se perse ka shkruar ai...............

 Thjesht per njoftim: kjo eshte vetem pjesa e pare e artikullit, vijimi eshte botuar ne "Shekulli"-n e sotem.

 Urata marresh, more Av ! Nga keta artikuj ka nevoje brezi, qe t`i  mesoje.Se i thote nje kollos si Çabeu.

Rregullat e gjues se njesuar, te drejteshkrimit te shqipes tone, ai burre i kraheson me guret e latuar, te veçante me te cilet ngrihet nje ndertese.E ndertesa e gjuhesa  eshte me e madhja ndertese e çdo kombi.Tek neve ka kohe qe po merren  shume "ndertues", telikosen si e si t`i heqin, gur e nga nje gur.Dhe te na e katandisin gjer ... ne zhargonin e shplare te zyrtareve tane, qe pa qene aspak nevoja,  fjalete bukura shqip, jo vetem na i flasin por dhe na i shkruajne sipas te  folurave te  e huaja...Keta biçime konformistesh, as nuk e marrin me mend sa dem i bejne gjues.Se qe ta merrnin me mend, do te duhej te ..kishin mend.Besoj dhe i shikoj  keta artikuj, si shpresedhenes,.....  per te marre gjithkush pake mend.  

".... Vetë dubletat që ndeshen në veprën e Buzukut, kun dhe kon, ordhënit e ordënit, lem edhe letë, ..."

 Kur them une qe shqipja ka furnizuar gjuhet gjermanike/kelte, nuk me beson njeri. Qe gegenishtja ka ngjashmeri me flamingshen, dhe gjuhet e tjera gjermanike, kjo as qe vihet ne dyshim. Ky perngjasim gjuhe tregon se nga trevat iliriane dhe para kohes se Ilirise (para 10 mij - 2 mij vjetesh) nga Ballkani jane shperngulur drejt tokave te Ulta (Flandren, Holland sot, Gjermania veriore), qe u liruan nga vala e detit, me qindra etruske, baballare te Ilirianve.     

Nuk e di këtë punën kush ka transfuzuar/furnizuar kë por di të them se sa herë flas shqip, shoqja e zyrës, hollandeze, më thotë se gjen tinguj të ngjashëm me një zonë të Hollandës. Tani unë nuk di hollandisht, por kjo më thotë se kanë tinguj si j (të shkruar "j&quotsmiley, dhe ajo shqipton pa problem q-në, (psh tha njëherë Qeqenia, unë kujtova se tha : "q"  qeni) -- por besoj se kjo është e natyrshme, për transfuzionin e natyrshëm mes gjuhëve (shoqja gjithnjë, flet hollandisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, luksemburgisht, flamandisht dhe turqisht dhe gjen ngjasime mes të gjithave) pra ky fakt nuk tregon ndonjë cilësi a meritë të posaçme, si ajo që provuam njëherë të tregonim ne me atë gjenin e fibrozës kistike.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).