- Pasdite non grata -

Hap kanatet dhe mbi plastelinën e ajrit më mbeten shenjat e gishtërinjve
që do më tradhëtojnë në çdo krim të ardhshëm.

Atmosferë grusht shteti, prag-diktaturë,
ajër me përdhunë i kushtëzuar
si pavarësi shtetërore post-moderne,
monarki termike me gërnjisje
dhomave kanine armiqsuar befas
me hungërrima kondicionere,
ngushtuar papritur në “garçonnière”,
në përkthim jo të lirë “skuta beqari”,
në esperanto besnike “skuta qyqari”,
ato që ishin mansione e kështjella
gjeratypakmëqëpari.

- Kur ajo nuk do -

Ajo nuk, pra,
nuk do, s’do,
ishte pushimi mes mbiemrave në cicërim,
ishte presje, por u dalldis nyje mohuese,
prerje e shkurtër, qark i shkurtër, xhuxh,
presë sopate që këput një gjymtyrë,
“s” naziste, s’do dhe pikë, apostrof entalpik,
gozhdë e përthyer në tra, nyje-xhungë
thyen dhëmbë arre, izoipse kohe
i mbështjell lëmsh, një shuk sterrë,
vrimë e zezë, s’do, s’është më as nyje mohuese jo, por gordiane,
për të cilën asnjë Aleksandër s’u lind e asnjë pallë s’u zhvesh nga milli.

- Obsesion -

Ky qiell ka diçka prej letre. Është qiell letrar.
Griset lehtë, si çek me perforim,
me të cilin dua të paguaj një obsesion.

Që të çlirohem nga ty
Pa qiell duhet të mbetet bota,
si para Krijimit,
para Krismës së Madhe,
para teje, domethënë.

Edhe sot telefoni u mblodh kruspull
si lajmëtar i plagosur që rendi qindra miljet
nga termopilet e tua.
“Ajo…”, tha duke ju marrë fryma,
dhe ra përmbys pa lajm fitoreje,
me pulsin e ndërprerë të linjës, si damar pas vetvrasjes.
Të thirra si i humburi në shkretëtirë
i flet rërës dhe mirazhit.
Mirazhi e gënjen, rëra s’e kupton.
Zëri tjetër sa më qartë dëgjohet, aq më i largët tingullon,
sepse aq më qartë nuk është zëri yt,
pafajësi makabre që thotë “Oui?”,
“Ja”, “Yes”, “Da”, “Si”, “@#%^” … pohon pra, që s’je ti…
ç‘ka është mohimi më i rëndësishëm i mohimit.

Obsesioni im
është refleks i kushtëzuar nga uria e botës pa pronë private.
Nuk obsesohem ngaqë nuk mund të kem. E dashur, ti s’je Maserati.
Do zhytem në borxh për ty. Do bëhem bir për shpirt i kohës, Zeitgeist,
do paguaj me këste posedimin tënd, përgjithnjë,
me përqindje llahtar interesi,
gërryer tërë jetën financat e shpirtit si nga një kredi fatale.



4 Komente

Ajo nuk do dhe Obsesion jane fantastike smiley

thx Av & enka!

my pleasure. per te ardhur keq qe keto poezi kalojne pa vemendje.

Ky qiell ka diçka prej letre

Që të çlirohem nga ty
Pa qiell duhet të mbetet bota,
si para Krijimit,
para Krismës së Madhe,
para teje, domethënë.

 

Hap kanatet dhe mbi plastelinën e ajrit më mbeten shenjat e gishtërinjve

Ajo nuk, pra,
nuk do, s’do,

s’është më as nyje mohuese jo, por gordiane,
për të cilën asnjë Aleksandër s’u lind e asnjë pallë s’u zhvesh nga milli

Do zhytem në borxh për ty. Do bëhem bir për shpirt i kohës, Zeitgeist,
do paguaj me këste posedimin tënd, përgjithnjë,
me përqindje llahtar interesi,
gërryer tërë jetën financat e shpirtit si nga një kredi fatale.

 

jashtzakonisht te forta, te ndjera, te bukura.

 

 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).