Nuk shihemi më
ndërsa urat e qytetit jane ende në këmbë,
arsyet dolën nga vrimat
si merimangat kur ndjejnë insektet e dobisë,

pezhishkë mbi fytyrë,
u zgjuam,
ndjenjat bezdisin - kështu vika një kohë,
myk dyshimesh
mbi limonë,

ndjenja të ndenjura.

U zumë, u zumë për dore, u zumë prapë,
u këput zinxhiri
në hallkën më të dobët,
kryqëzori Aurora u shfaq titanik mbi Hudson.

Marianne Faithful zëngjirur nga tymi dhe intervista -
ja ç’mbetet nga dashuritë e mëdha,
thamë
me gëzimin fshehur
nën fytyra të trishtuara si humbëse bursash,
kafshuam babëzitur çamçakizët
me ndriçim predatori
nëpër nofull,

të bëhemi të zgjuar:
në fund të fundit
bashkë shkojmë për askund,
veç shkojmë kudo,
ndarja është shkak i mënçurisë, jo pasojë
ilaç, kurë, e hidhur tash,
hajrin do ia sho’mëvonë,

e qartë kjo, si manifesto jermi, si

më në fund,
sigurisht, me siguri,
edhe pse,
në çdo rast,
por sidoqoftë,
dije se,
si vdekja, e vdekur, pa fjalë që,
pa dyshim,
e vetmja gjë,
në çdo rethanë,
gjithë gjasat,
koha, koha do tregojë,
koha e parë
e simfonisë së pestë,
mbaje pra mend
këtë,
ki parasysh,
shiko,
e fundit,
dëgjo,
më kryesorja
kjo,
kurrë, kurrë, asnjëherë…

…ballkonet nofulla ndajfoljesh,
mbaresat u kullonin rima ndryshku urban,
(dy krushka në Berat nga ballkoni ranë)
ky qytet ngadalë po merr fytyrën tënde,
mendimi për ty - ishulli i patretur Ruzevelt,

metropole me fytyrë femrash
stampuar në sfilata hapash të mëdhenj -
një shpjegim i ri për rrotullimin e botës
ky dhe për continental drift,

pra e kam fjalën që do vij n’udasht’ dhe n’u rrëzofshin urat -
fosilet e gurtë të lidhjes sonë,
dinosaur me gjymtyrë ngecur ligatinës,

u dridheshin leqet
dhe çarqet e këmbëve
kur të marrë grrahnim
mbi to ziheshim për duarsh, jo fjalësh,
siç zumë më vonë.

Nuk shihemi më, dmth
nëpër qetësi,
vetmitë e grave përmbi natë përndrijnë tani - diamante
që duhen vjedhur
me kujdes
dhe hir të vërtetë grabitësi,

hir nga djegiet e përvojës,

pluhuri im bie mbi lumenj si mars i derdhur,
bluar jam nëpër kohë pandjerë
nëpër mokra rëndë zemrash
që më deshën,
mbetur veç pak palcë prej plaku kam,
pak shkop lëmuar tharë nga vjetët - një bastun
që ka nevojë të mbajë për të mos rënë vetë,
përvojë kalciumi, guackë koprace
mbloj molusk me farë urjete
që desh të mbillet nëpër rëra
hënash pabanuar.

5 Komente

Shume e embel, e ngrohte, e sinqerte...5*

eh mer Cim c`na bone me ket

Wo willst du den hin... 

të bëhemi të zgjuar:
në fund të fundit
bashkë shkojmë për askund,
veç shkojmë kudo,
ndarja është shkak i mënçurisë, jo pasojë
ilaç, kurë, e hidhur tash,
hajrin do ia sho’mëvonë, - e goditur!

Em, me keto poezite e fundit je bere shume i prekshem, gje qe me pelqen, por prape nuk e humbet finesen misterioze, nje lloj klasi, qe them se eshte nje karakteristike e vargjeve te tua, ose mbase pas kaq kohesh qe te lexoj perhere me eshte krijuar kjo bindje.

Hey, thanks for reading, fellas! smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).