Umberto Boccioni, Visioni simultanee, 1911

 

 

-1-

fëmijë që s’do të bindet për asgjë

gati të plasë e thyejë kontekste brutalisht

se tirania do të t’shohë të mllefosur, ama shumë

e kur të jesh në kulm të nervit të ta zgjasë sërish dorën

të luajë me ty

ta nxjerrë prej teje atë djalin erëmirë

(pse vallë bëhet kaq poroze vajza,

sa herë flet me ty?)

 

duhet ta heqësh atë ves të keq

që t’bën ti ngulësh sytë çdo vajze që tërheq,

kështu urdhëron muza

ndërkohë që rrotull teje

vijnë vërdallë imazhe me fëmijë që dëshiron t’ia bësh vetëm asaj…

 

katër fëmijë

që të vijnë ndërmend shi kur ajo qorton

histori që ndodhin në një stinë të tejshkuar

prej një stine kur ti nuk ke qenë askërkund

 

përshtypje rreshkur kohërash e shikimesh që ndoshta

kurrë s’kanë qenë, po gjurmën e kanë lënë

a nuk janë këto histori të atij lloji që s’bisedohet,

që duhet t’i zbulosh fshehurazi, ose duhet

të t’i tregojë në një krizë nervash

kur ti të jesh duke thyer ndonjë gjë përfundimisht?

mendo për vajzën që po luan

përnën gjunjë të tuat që priten e këputen fjalësh

ajo ka qejf

të flasë për gjëra të tmerrshme, i pëlqen

të shohë si humb toruan

luan macja me miun me gjërat që ajo di, me gjërat që ti shkruan

sekret i asaj historie të komplikuar

me vjersha

për femra të tjera, shkruar kur ajo

ishte gjysmë në gjumë dhe s’e donte bisedën…

këto gjëra nuk fliten kësisoj

pa pasion

pa u dënuar thellësisht për çdo gjë që thua

 

pronësia është e rrezikshme, ti e di

ajo tërheq tërkuza, akuza

si është kjo punë me këto emra që s’më pëlqejnë?

e ti ëndërron

gjëra pa emër

po kush vallë, kush do të ti puthë plagët

kur atë

ta zërë gjumi?

 

-2-

çfarë shpërqendron andej nga ty

imazhe vajzash që luajnë poshtë skrivanish

letra, injorancë, fashizëm, letra

që i shkruaj

dhe t’i dërgoj

ndërsa i them imagjinatës të rrijë urtë, se tash po flas me ty

vajza me petale të bardha

mesazhe përmes heshtjes? autocensura

jo jo, ti nuk hesht thjesht heziton

po jo se s’të pëlqen

s’e ke lexuar “a supermarket in california”

do ta kesh parë në ëndërr vajzë

psyvajzë

 

e marra ime është materiale

po ashtu marrja

rimarrja

gabimi, dhe marrja përsëri, uji s’është material

e kurrëmarra

gjithnjëja dhe kurri dhe mendja e jote

e pamarra

marrokja

gabimet

dakordimet

martesat

mendoj se duhet të trembesh nga shoqërizimet e lira

po m’pëlqen të të shoh tek trembesh

dhe pse s’e dua dhimbën që të rrjedh prej frikës

e ti i thua – shih, se unë jam trim tani që flas me ty

 

-3-

njerëz përdoren e pastaj flaken tej

veç jo ti,

njerëz.

ti nuk je njerëz,

ende jo.

mirë, çka je ti për të?

(“ende jo” është shumë shqip)

njerëz

janë ata që përplasen me njëri-tjetrin

pa frikë, flakërimisht

të tjerët janë hije

kush do të t’i puthë plagët kur ajo të flejë?

… ajo nuk fle kurrë

muza jote i do krejt vjershat për vete

muza jote, kampi jot i përqendrimit

nuk ka më vend për poezi pas saj…

lethe

stiks

gjumë

e mbimarrë, e braktisur, e keqmarrë

ajo që ti do ta marrësh ndër krahë

pra merre

qofsh dhe në faj,

qofsh dhe në rrugë

 

ajo shpështjell gërshetin

dhe harron veten

motrën, djalin dhe “ah nejse-t” që rrodhën

mes shiut të kohëve të turbulluara foljore

mendjes së shqetësuar që ka nevojë

për ushqimin që ajo të mëkon

dëshpërimisht

dhe që nuk fle kurrë

as ti

as ajo

veç mëngjeseve.

 

-4-

i gjete nën urë, i puthe dhe i vure në gjumë

kish ujë në sytë e tu, lumi i kishte marrë

dhe i kishte nxjerrë në breg

si nëpër ëndërr, vajzë

shpirtvajzë

marria e tij na ish e lëndëzuar

e ti ke copa të tjera, ai tash e ka gjetur çka i duhej

të lëndëzuar e ka marrjen

dhe rimarrjen

gjer në faj

dhe marrjen prapë, – po uji nuk është lëndë, – thotë ajo

e kurrëmarra

gjithnjë dhe kurrë, në mendjen tënde

e pakmarra

marrosur fajësisht

 

ajo mendon se duhet të fillosh të kesh

frikë nga shoqërizimet e lira nëpër vargjet

kaq shumë dëshiron të t’shohë tek trembesh, dhe pse s’do

lëndimin që pashmangmërisht i vjen pas frikës

e ti

je trim kur gjendesh pranë saj

a mundesh vallë të jesh më i prekshëm edhe se kaq?

të jesh muzikë, po e një lloji tjetër?

mund të jesh më i prekshëm,

mund ta kapësh për beli

shumë fort

e ta ngresh lart

gjersa t’i merret fryma

tek lëkundet mes të qenit e paturpshme, apo rendjes tej

n’kërkim të fshehjes

mund ta ngresh në krahë si foshnjë

edhe ta rrotullosh në ajër

(s’duhet të të lejojnë

të shkruash gjithë ç’mendon)

 

-5-

a do ta vizatoje një shtëpi në zemrën e saj?

një shtëpi

ku të mos ketë shumë zhurma

as pak zhurma

diku ku të lexosh gjithë ditën, e ajo të luajë në piano

ti do ta prekësh

e po s’ndryshove përshkrim, pëshpërimat e saj aritmike

do të bëhen të dhunshme, të forta

s’duam të na dëgjojnë fqinjët, apo jo?

s’duam

krah shtëpisë rrjedh një rrëke, ca pemë, e një dritare vetmitare

ajo – gërshetëz, kridhet e zhveshur në rrëke

ndërkohë që ti e fotografon tek del

po pse duhet kaq shumë për të shkuar

drejt e në zemër të gjërave?

atyre që kuptohen veç me një shikim, etapat

ajo s’i ka kuptuar kurrë…

edhe pse duket sikur bash mirë i kupton

 

kur qielli të jetë i zi

do të dilni në shi, mes pyllit, ku zemra do të rrahë në qendër të gjithçkaje

në qendër të trupave edhe të asgjësë

ndërsa sëmureni bashkë

(ajo sëmuret shpejt

ti më ngadalë…)

marria e zë shtratin

vetëm e vetëm që ti t’i lexosh libra me vjersha dhe filozofi

të sëmureni bashkë, të shëroheni nëpër djersë

veç trupat, shpirtrave tjetër lloj sëmundje u duhet përshkruar

më shumë hapësirë – thotë ajo, ndërsa të pyet

si mund të jesh politik, e brenda kaq i dlirë?

mjaft çuditërisht

a mundet vallë ajo të ta thotë krejt se ç’ndjen?

ndoshta mendjet punojnë të sëmura nën efekt të vetmisë

po kur ajo qan

ti ia mbledh lotët

dhe ia ndërton me to një vjershë

a një shurup

ia ndërton një shi, që t’i japësh vend të fshihet

nja dy cigare, që të tymosë tej lotëve, pret që të kalojë koha…

 

-6-

qytet që i shkon me ngjyrën e syve, tip grije

që ende s’e njeh mirë, ta njohësh është vështirë

si një pasqyrë e përkryer paradoksesh të keqkuptuara

parë e mosparë në kënde të dyshimta…

djalë, kundër dëshirës tënde ç’mund të kërkohet sot?

mund të t’kërkojë të ikësh, e ta lësh të qetë

mund të t’kërkojë të mos imagjinosh më skena të asaj

por jo, ajo do veç dëshirë, e këto jo

joshja shpërthen prej gjakut të saj, dhe pse e bindur

që di të fshihet mirë

njëfarësoj circe, një sirenë a kalypso

po pra, një lorelei

apo një vajzë, tepër vajzë?

e ti çfarë ishe jetën që shkoi?

gjithçka, send, a gjëagjëzë?

e ti përgjigjes – kam qenë lumë

oh jo – thotë vajza, dhe ajo ka qenë lumë

ka shkruar gjatë e gjërë mbi këtë, ka qenë lumë i bukur

por ti, ke qenë lumë tjetër

a jeni derdhur ndonjëherë te njëri-tjetri, a jeni takuar në oqean?

apo s’jeni takuar hiç gjer tash dhe ti pret

si lumë i vetmuar, vetminë që të rrjedh nëpër duar

pse dreqin the që je lumë?

pret ta takosh, ama në oqean s’të shkohet

çfarë peshqish mban në bark?

ti i thua se s’ke peshq e as molusqe ujërash të ëmbla

se ti je flegjethon

që s’ka dëgjuar kurrë, veç gurgullimës në netët e qeta

se ndonjëherë netëve ajo ta ndjen gjakun teksa të vërshon

e nga frekuenca di të t’thotë se ç shkëmbinj po lëmon

 

pse fshihet vajza vallë prej joshjes së vetvetes

e motra e vet e bind të bëjë një ëmbëlsirë

mbi joshjen që gëlltitet pak vështirë

e derdhet brigjeve të reja rrah-e-dallgë

vajza është e thjeshtë, asaj i duhen

lazdrime, poezi, verë, cigare, filma dhe histori të komplikuara që të qajë

tek t’sheh diku në ekran e thotë se ti

ndoshta vjen erë të mirë përsëri

 

asaj i duhet shpejt e shpejt një vend

ku t’ketë mundësi të fshihet menjëherë

një vend ku të mbulohet sapo skuqet

prej turpi, se e ndrojtur ka qëlluar

lërja ta ketë këtë vend

e mos beso

gjersa me të t’martohen

kohë të ndryshme foljesh që lakohen

shkujdesur mbi libra të vjetër gramatike

po ne s’na duhen kohët foljore na duhet veç një gjë

çka është?

çka?

është?

cila?

është?

pse t’ka zemër ajo ty, a ia gjen dot një arsye të arsyeshme?

se ti e di se arsyet e arsyeshme e vrasin dashurinë

ajo kërkon diçka që nuk do ta gjejë kurrë, dhe ti ke bash atë

ti ke çdo gjë që ajo s’do ta gjejë kurrë, as tek ty

dhe s’janë gabim veç kohët, krejt fjalët n’kontradiktë

ti luan me të, e ajo tash është ulur

vë vesh në ty, e dëgjon gjakun që vërshon shpejt në rremba

është e verbër

është e verbër, se sytë tash ia ke marrë

ndaj prekjen e dëgjimin i ka kaq sensitive

e verbër, se kështu mund të të shohë më mirë

e sa për ty, ti nuk ke nevojë për sytë e saj

po për çfarë pra?

në mos po zjarrin?

lërmë të zgjedh se ç’më duhet – i thua ti – e lermë

të marr çfarë të dua

është lojë?

jo, është jetë

çokollatë që ka frikë prej shkrirjes

dhe vdekje.

jeta është send i dhunshëm natyrisht

ku dhe shakatë janë serioze, siç e sheh

ti rrëmben sy

jetë

dhe gjithçka tjetër që ti do, e që s’të duhet

martesë, natyrisht

e sytë e tu ajo i gjen përnën një urë

i merr, i puth edhe i vë në gjumë

ujë ka në sytë e tu, lumi i kishte marrë

e i kishte nxjerrë në breg

 

 

* Ilustrimi: Umberto Boccioni, Visioni simultanee, 1911 

[...]

7 Komente

Mja o usta se na dhe daten... mja!

"muza jote i do krejt vjershat për vete

muza jote, kampi jot i përqendrimit

nuk ka më vend për poezi pas saj…"

Kjo eshte e madhe fare. Lufta dhe pasioni mes dashurise dhe politikes ne poezi. It's your signature, man. A good one.

Shume e mire kjo sol. Ndoshta pak e gjate per t'u lexuar ne ekran dhe ndonjehere vargu sikur ta mbaron frymen me fjale qe ndoshta mund te shmangeshin, por m'u duk pasoje e nje urie te vertete per t'u shprehur.

Me pelqeu, nder te tjera, kjo pjesa:

 

"oh jo – thotë vajza, dhe ajo ka qenë lumë

ka shkruar gjatë e gjërë mbi këtë, ka qenë lumë i bukur

por ti, ke qenë lumë tjetër

a jeni derdhur ndonjëherë te njëri-tjetri, a jeni takuar në oqean?

apo s’jeni takuar hiç gjer tash dhe ti pret

si lumë i vetmuar, vetminë që të rrjedh nëpër duar

pse dreqin the që je lumë?

pret ta takosh, ama në oqean s’të shkohet

çfarë peshqish mban në bark?

ti i thua se s’ke peshq e as molusqe ujërash të ëmbla

se ti je flegjethon

që s’ka dëgjuar kurrë, veç gurgullimës në netët e qeta

se ndonjëherë netëve ajo ta ndjen gjakun teksa të vërshon

e nga frekuenca di të t’thotë se ç shkëmbinj po lëmon"

 Kjo poezi i ka floket shume te gjata, ia kane marre gjithe driten sumllave te syve smiley

 Edhe kokrizat e reres zgjohen nga vargje te tilla,si fllucka,qe dun me i thene dallgeve te qetesojne rrahjet nen ag te pllajes

 

ajo kërkon diçka që nuk do ta gjejë kurrë, dhe ti ke bash atë

ti ke çdo gjë që ajo s’do ta gjejë kurrë, as tek ty

 

smiley

po iki të fle e qetë. Më pëlqeu shumë.

Me pelqen gersheti televiziv i vajzes dhe motra e saj inekzistente.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).