Arlinda Guma

E di, e di, ç’do mendoni sapo të lexoni titullin.

Si? Nga e marr mend? Po nuk duket dhe aq e ndërlikuar. Një titull i tillë, vetvetiu të ravijëzon nëpër mend përfytyrimin e një shkrimi melodramatik, me sfond sentimental.

Ja, tani sikur e përfytyroj nënqeshjen tuaj, ndërsa filloni të lexoni rreshtat e parë. Dhe ju nuk e dini se sa keq më vjen që po ua zhgënjej pritshmëritë rreth melodramës së supozuar… sfondit gjithashtu… Për këtë, më mbetet vetëm t’iu kërkoj ndjesë…

E ja, kështu, pas ndjesës së mësipërme, tani mësuat që nuk bëhet fjalë për ndonjë deklamacion dashurie. (edhe pse do ishte mirë që ndonjëherë, të dëgjonim ndonjë të tillë, në këto kohëra të idhëta, moderne, ku veprime të tilla kategorizohen alarmshëm në patetikën e modës së sezonit të kaluar)

Por që të mos zgjatem e të mos iu bëj të humbisni durimin, në mënyrë që pastaj të mos më kanoseni nëpër rreshta: -po hë pra, thuaje të shkretën, kush dreqin është Gesti?, po ju them menjëherë që Gesti është një vogëlush rreth të shtatë viteve.

Ai ka flokë të gështenjtë, të errët, të qethur shkurt, rrumbullak rreth kokës së bukur, (pa qoshe, me siguri kur ka qenë bebe, nëna e tij, e kujdesshme e ka vënë të flejë në të dy krahët), sy të shkruar, fytyrë të vogël, të rregullt, bluzë të pastër, (nuk ia mbaj mend ngjyrën) sandale që nuk u është këputur asnjë rrip dhe pantallona të shkurtra ngjyrë bezhë.

Gestin mund ta hasni shpesh nëpër rrugët e Tiranës. Ecën nxitimthi, u afrohet kalimtarëve dhe u përsërit dy herë rresht, pa-ndërprerje, të njëjtën fjali: – Xhaxhi, do leukoplastë?  – Teta, do leukoplastë?

Ai e përsërit dy herë fjalinë  (pa pauzë në mes), pa të të lënë kohë të përgjigjesh. Ndoshta se ka parashikuar me mendjen e tij, të vogël, prej shtatë vjeçari që kalimtarët mund të mos e kuptojnë që me fjalinë e parë…

Në  shtëpinë time është një sirtar i mbushur plot me leukoplastët që më shet Gesti. Unë jam klientja e tij, e përhershme.

Sigurisht që leukoplastët më nevojiten, ndodh shpesh të më vrasin këpucët, por më shumë më vrasin syte e tij.

Ja ku po vjen edhe sot të më  drejtojë pyetjen e zakonshme që  përsërit pa- ndërprerje, dy herë rresht…

Sapo u është drejtuar atyre dy burrave që kanë ndalur duke biseduar disa hapa përpara meje. Ata i janë përgjigjur që nuk duan leukoplastë, disi të inatosur se ai u ka prerë në mes bisedën, ose, ndoshta sepse kanë këpucë cilësore që asnjëherë nuk i vrasin… ku i dihet…

Gesti largohet me të shpejtë prej tyre, dhe, ja ku ndalon këmbët përpara meje. Ai nuk më mban mend. S’ka se si, sheh shumë fytyra në ditën e tij, të gjatë e të lodhshme, të punës.

Unë sidoqoftë i nxjerr lekët prej çantës përpara se ai të më drejtojë pyetjen robotike: – Teta, a do leukoplastë?

Gesti më jep leukoplastët, pastaj më kthen reston në heshtje. Ndoshta i kënaqur që i kam kursyer pyetjen e lodhshme.

Unë i marr vetëm leukoplastët.

Ai më shikon për një grimë, drejt e në sy, me krahun ende të zgjatur, e reston në pëllëmbën e vogël. Unë hezitoj një çast. Druhem se mos është ndjerë i fyer që ia kam lënë reston, kështu që zgjas gishtat drejt pëllëmbës së tij, t’ia marr. Pastaj më shkrep nëpër mend dyshimi se mos ndoshta nuk e ka kuptuar se unë dua t’ia lë reston.

- Epo, në djall delikatesa, – them me vete.

Kthehem nga ai dhe ia lë sërish në pëllëmbë reston që sapo më ka dhënë.

- Këto janë për ty – nxitoj t’i them, – zëre se të qerasa me një akullore.

I përkëdhel flokët dhe nuk e di pse fillon të më merret goja. Më duket sikur kam futur hundët, krejt e paftuar në hallet e tij, të mëdha, prej të vogli.

Ai vazhdon të më shohë edhe për disa çaste të tjera, pa folur. Nuk arrij dot të kuptoj nëse është i kënaqur apo i pakënaqur. Fytyra e tij nuk shpreh asnjë ndjesi. Ky mos-reagim i tij më bren përbrenda, kështu unë guxoj edhe më shumë, e pyes se kush e dërgon për të shitur leukoplastët.

Ai nuk flet

Unë  këmbëngul edhe njëherë me pyetjen, por ai tund kokën në shenjë mohimi. Është e qartë, nuk do të tregojë. Janë shumë dinjitozë syte e tij, të shkruar.

Të  dy burrat disa hapa përpara meje, tani kanë ndalur këmbët në mes të rrugës dhe më kanë ngulur sytë mua, ndërsa bisedoj me Gestin.

Ai largohet te disa kalimtarë të tjerë, ndërsa të dy burrat vazhdojnë të më shohin mua sikur të kem zbritur nga ndonjë planet tjetër.

Atyre u bëj përshtypje unë… që më bën përshtypje Gesti…

Jo, Gesti vetë, atyre nuk u bën asnjë përshtypje.

Burrat thjesht duken të habitur, me habinë time. Atyre u janë mësuar sytë duke parë fëmijë që punojnë. Sepse në këtë vend është shumë e lehtë të të mësohen sytë me anormalitetin. Dhe ndonjë ditë, ky anormalitet as mua nuk do m’i vrasë më sytë.

Po filloj të ndihem në siklet prej vështrimit të pa-takt, të burrave. Kështu që gjej shpëtim tek një poster publicitar i ngjitur në një pemë, në të cilin lajmërohet bujshëm se në një pub të kryeqytetit do të jetë i pranishëm dhe një “dixhei” i njohur. “Dixhei” pozon që nga pema, i veshur me kostum e kollare, si ato të një avokati të vërtetë, ndërsa unë pyes veten; pse çdo gjë është kaq e ngatëruar në këtë vend? (përpara disa çastesh jam shkëmbyer me një avokat të veshur si “dixhei”).

Gesti tani ka ndalur këmbët pranë një kioske. Atje është një burrë me kanatiere dhe një grua qukse, me sy të picëruar, e cila ka hedhur në kokë një fashë të bardhë për t’u mbrojtur nga vapa.

Gruan e marr inat që me shikimin e parë.

Gesti diçka u thotë atyre të dyve. Unë nuk arrij të dëgjoj ç’thotë, pastaj ai nxjerr lekët dhe ia jep gruas.

Në mendjen time vërshojnë njëqind pyetje paranojake. – Mos janë prindërit e tij?

- Jo, jo, nuk duhet të jenë, – rrëzoj me vete, aty per aty, hipotezën time, – nuk duhet të jenë, – përforcoj me vete mendimin, – sepse gruaja diçka po kërkon nëpër xhepa. Ajo nxjerr prej andej ca kartmonedha dhe ia jep Gestit..

Me ç’kuptoj, Gesti u ka thyer lekët atyre.

Por unë nuk ia heq sytë gruas. Ndjek vëmendshëm veprimet e Gestit për të parë nëse gruaja ia ka hedhur. Sepse seç kam një ndjesi se nëse gruaja nuk është e ëma,  ajo padyshim do t’ia hedhë me lekët.

Por Gesti duket i qetë dhe unë lehtësohem disi… akoma më shumë kur burri me kanatiere i bie nga supet me përkëdhelje.

- Edhe nëse ia kanë hedhur, – ngushëllohem, pafuqishëm, me vete unë, – të paktën Gesti mori një përkëdhelje, pas rraskapitjeve të mundimshme nëpër vapë.

- Apo mos ndoshta burri me kantiere është i ati, dhe tani e përgëzon për punën e kryer?

Tani e kam marrë inat edhe burrin… ndërsa dëgjoj një fëmijë që më kalon përbri, t’i thotë së ëmës që e mban për dore: – O ma, o ma, shiko Gestin, e kam në klasë, ka dalë të shesë, iiiiiii…

- Epo, është nga rrethet ai – i thotë gruaja e vetë-kënaqur, që me ç’duket, duhet të jetë me origjinë kryeqytetase.

Sepse të jesh “nga rrethet”, këto kohëra metropolitane është si të kesh një lloj zgjebeje të pashërueshme. Një vulë turpi. Është sikur ta meritosh gjithçka që të përplaset në fytyrë. Ti nuk duhet të bëzash; se je “nga rrethet”, se ke damkën… Besoj i keni parasysh ato filmat e shekullit të tetëmbëdhjetë, ku shpesh shihnim se si femrat e pa-virtytshme damkoseshin me një zambak turpi në shpatull. Fëmijë, gjithmonë e kam pyetur veten, se ç’mund të kishte të përbashkët me mëkatin, një lule aq e dlirë dhe e pafajshme si zambaku?… Po vetëm një djall mund ta kuptojë simbolikën e çuditshme, të shekullit të karrocave… apo atë, të kryeqytetasve tanë, autoktonë…

Ndërkohë  unë përpiqem edhe njëherë të gjej me sy Gestin, por ai përfundimisht më ka humbur nga sytë.

Nesër do më dalë sërish përpara, dhe s’ka se si ta lexojë këtë që kam shkruar për të. Nuk mund, dhe nuk dua, t’ia tregoj. Pastaj kam frikë se ndoshta s’do dijë të lexojë mirë. Ja, sikur e përfytyroj t’i përmbyset koka e lodhur mbi fletoren e hapur, të detyrave…

Nesër ai si zakonisht e do më pyesë dy herë rresht: – Teta do leukoplastë?

E unë, si gjithmonë do të nxjerr lekët nga portofoli dhe do ia blej. Sepse ndodh të më vrasin këpucët… ndërsa, nuk do jem e sigurt, nëse do të gjendet dikur, ndonjë lloj leukoplasti në këtë shoqerinë tonë, për ato të vrarat e pa-dukshme, ende të pa-identifikuara në shpirtin e tij, çdo herë që ia refuzojnë me nervozizëm leukoplastët…

Gesti nuk do ketë mundësi as ta ruajë gazetën, siç bëjnë zakonisht të ashtuquajturit Vip-a me faqet e gazetave, në të cilat flitet bujshëm për botokset, silikonët, pirsing-un, replikën talebaneske në parlament…

Po ju, nëse e hasni në rrugë, më e pakta që mund të bëni është t’i blini disa pako me leukoplastë.

Ideale do ishte sikur t’ia blinit të gjitha pakot që mban nëpër duar, kështu do t’i blinit Gestit, një ditë liri për t’u ndjerë fëmijë.

Pra, blini leukoplastë! Kurojnë të vrarat e këpucëve… por jo ato të ndërgjegjes…

17 Komente

Mund t'ia çosh ti gazeten Gestit

C'kuptim ka te besh nje shkrim melodramatik mbi nje gjendje te dhimbeshme dhe te mos perpiqesh te japesh nje zgjidhje?

I dashur admin, une nuk kam ne dore asnje zgjidhje

Jam vetem nje njeri i thjeshte qe ka shkruar disa rreshta per nje femije qe shet rrugeve te Tiranes, ne pamundesi per te bere me shume per te smiley

Kerkoj ndjese nese ky shkrim ka bezdisur delikatesen tende, te spikatur smiley

Moj flo, mos e humb hiç fijen e kallamit, se te "bertiti" admini : ti e ke dhene zgjidhjen, si nuk e paske dhene ?? E ke shkrujt e zeza ne te bardhe :

Pra, blini leukoplastë!

Dhe e ke shume shume shume mire ! Pse, ç'a, te presim deri sa te bejme revolucion popullor qe Gesti mos lypë më ?? Apo mos ja blejme leukoplastet, se me demek "e mesojme keq (dhe keshtu detyrohet te shkoje ne shkolle)" ?? (ket' versionin e injorimit te lypsit, k'tu ne France e qarkullojne ciniket dhe zotëruesit, se me demek ju pré barku atyre per arsimimin e Gestëve... pfffff...)

eh thuaj...

Le pastaj "admini" s'di ç'thote : melodrama nuk eshte zhaner letar, por kinematografik. Dhe, edhe pse eshte qamet i veshtire si zhaner, kur eshte i arrire, eshte i h a t a sh e m (dhe po i peshoj fjalet !).
Ai ne fakt, ka dash me shkrujt : " C'kuptim ka te besh nje shkrim te ndjeshëm mbi nje gjendje te dhimbeshme", por ngaqe po ta shkruajë keshtu, i vjen turp, ndaj dhe ja fut me nje "melodramatik" ne vend te - i ndjeshem-.
Ne vendin tend admin, do kerkoja falje. Gabimi njerezor eshte.

Ndersa ty flo, personalisht, te puth penen !

respekt.

 

E ka thene dhe vete qe Gest-at e lulat e vocerr ne Tirane nuk mbarojne.

Shkrimi me shijoi dhe pse trajtim sentimental dhe me krijon ate idene e siperfaqsores se ketij problemi...

Te falenderoj Stalker.

Ne te vertete, une dje doja te pyesja adminin, nese ai vete, ka bere ndonje gje me shume per Gest-et, meqe i jep vetes te drejte te gjykoje shkrimin tim. Une te pakten i kushtova nje shkrim dhe blej perdite leukoplaste qe nuk me nevojiten, kaq pak kam mundesi te bej per te, edhe pse do te doja te beja me shume. Une nuk jam eksperte politike, nuk punoj tek Unicefi, e nuk jam as analiste qe diskuton me syze derdenge e skenografike, varur mbi hunde; se sa kafe apo xhin, piu Nano apo ndonje tjeter politikan. Me keta njerez eshte mbushur plot ky vend. Personazhet e shkrimeve te mia jane njerezit e thjeshte, ata qe nuk mundin te zene vend ne podiumet agresive te show-ve te mbremjes, atje ku maniaket per protagonizem shtyhen gjate gjithe kohes me brryla.

Edhe nje sqarim tjeter; shkrimi nuk eshte as melodramatik e as sentimental. Eshte kuptuar gabim hyrja.

 

 

Sido që mund t'i konsiderojnë shkrime të tilla, për mendimin tim, ato janë 100 herë më të vlefshëm se artikujt e Zizekut, nëse do marrim në konsideratë impaktin tek rizgjimi i ndjeshmërisë qytetare tek lexuesit e "Gazetës".

po ky krahasim c'lidhje ka smiley

nuk jane tu bo gare arlinda me zhizhen, se kush del i pari apo kush eshte 100 here me ashu se tjetri

Eh Luli i vocer. I vocer e i varfer mbeti.

Faleminderit per kete shkrim.

Atyre burrave qe habiten me habine tende mos u vej shume faj. Jane thjesht pjese e te pergjithshmes qe mezi ben dallimin e pyllit me qytetin...cfaj kam une qe ate e beri zoti lepur e mua cakall...

Femijet shitsa ambulante jane shtuar vertet keto kohet e fundit. Lloj lloj cingla-minglash te ofrojne me ato tabaka-kuti kepucesh te perforcuar me nje shtrese skoci, ndersa je duke vrare kohen ne ndonje kafe. Si njeri jam i ndjeshem ndaj kesaj shtrese dhe kur kam mundesi blej (sidomos atyre cerrave qe shesin bajame te pjekura), ndersa si prind jam i dyzuar..se'c'me thote nje mendje qe Gesti ka per tu bere me i zoti per jeten se sa te tjere qe lozin gjithe diten kantri strajk. Ne fund te fundit ata punojne, nuk lypin...dhe nga puna nuk ka gjetur keq njeri.

Sdq per problematiken qe cek dhe per ndjeshmerine njerezore shkrimi me pelqeu. Qofsh e shkrofsh flo.

Storione te falenderoj qe pate durimin e me lexove, ty, e te gjithe te tjeret.

Une e kam shkruar ne qershor kete shkrim, dhe nga athere e tani, ne personalitetin e Gestit kam vene re nje transformim qe mua me trishton keqaz, me shume edhe se fakti qe ai punon ne vend qe te luaje ashtu sic bejne moshataret e tij smileysmiley

Flo ti je jashte mode mi goce.Sot duhet me qan "cool" si thone ne kosove,mos me shpenzu emocione rruges,ja si ato burrat qe thu ti, apo gocat trendy te Tiranes. I here tu pi kafe me vjen i djale i vockel me do kausha per te shit.Ishte aq i vockel sa koka si mbrrinte te tavolina.Si ka munsi thashe me vete.Ai besoj se nuk kishte mush as moshen per shkolle.Prgjithsisht lypseve nuk u fal gja se me duket se lypja asht kthy ne ven pune ne tr,por nje dite te rruga e trenit ktheva mrapsht.Ishte rrafsh per per trotuari foshnja me dockat mledh grusht.M'filloj dhemta e krese...

Te gjitha vajzat fierake kaq te ndjeshme jane si puna jote flo ? smiley Kam vene re se te terheqin keto lloj temash. Mgjth eshte shkruar vertet bukur. smiley

moj çupe, te kam thene 1001 here qe nuk jam fierake smileysmiley hej bela ( me theks te a-ja smiley ) s'kam dhe asnje, për be, kusheri ne Fier smiley

Komentet i lexova kurse shkrimin e mbylla ketu:

''''Por që të mos zgjatem e të mos iu bëj të humbisni durimin, në mënyrë që pastaj të mos më kanoseni nëpër rreshta: -po hë pra, thuaje të shkretën, kush dreqin është Gesti?'''

Me lodhe me leximin psikanalitik te lexuesit.

Zgjidhja eshte nxjerrja jashte ligjit e lypjes se ul dinjitetit e shqiptarit dhe gjetja pune e menjehershme ne ndonje gurore per t'atin ne ka takat, ne s'ka takat asnje nga prinderit, takse progresive shqiptareve per ushqimin,veshjen e arsimimin e tyre, taksa e dinjitetit shqiptar.

Zgjidhja eshte nxjerrja jashte ligjit e lypjes

Mos je gje Jacques Peyrat (FN = fronti nacional = fashist) , kryetari i Bashkise se Nice-s (qytet ne Jug te Frances) qe nxorri dekret minicipal per ndalimin e lypjes, gjate veres 1996 ?   Jo per gje, po kete Peyrat-in e qeruan me shkelma (dmth me vota) votuesit, kater vjet më vonë. 

Une do doja qe, ne fakt, keta Peyrat-ët te shtohen sa me shume, e te vije dita ti qerojme me gje tjeter, perveç votave   smiley

Ty Stalker te djeg se nuk je shqiptar dhe s'perfiton dot nga ligji apo si e ke hallin?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).