Sipas disa mediave, policia e Tiranës ka nisur një operacion të  quajtur “Mshesa” ndaj lypësave të mbërritur “klandestinë” nga rrethet në kryeqytet.

Operacioni ka startuar të premten dhe brenda 24 orëve policia e Tiranës ka shoqëruar rreth 40 lypësa të mitur dhe familjarët e tyre në moshë madhore, të cilët janë riathdhesuar në qytetet nga kanë ardhur. 

Shpifjet mediatike thonë se këto veprime të policisë ndaj lypësve korrespondojnë me mbërritjen e raporterëve të BE-së për monitorimin e plotësimit të kritereve për procesin e liberalizimit të vizave me vendet ‘Shengen’, si dhe për konferencën rajonale për Ditën Botërore të shfrytëzimit të të miturve që do të zhvillohet në Tiranë në 12 qershor.

Në emër të kryeministrit Sali Berisha, Këshilli i Ministrave.org dëshiron të falenderojë krerët e operacionit “Mshesa” për suksesin e arritun për arrestimin çëfësht të lypësave të cilët po prishnin imazhin e Shqipërisë europiane të ndërtuar me aq mund nga vetë kryeministri i palodhun Sali Rroftë Berisha.

Të pyetur nga organet e policisë, lypësat pranuan se ata ishin detyruar me forcë të linin punët në qytetet ku banonin dhe të vinin në mënyrë ilegale për të lypur nëpër rrugët e kryeqytetit.

Një nga të miturit deponoi se ishin përfaqësues të opozitës ata që organizuan transportin klandestin të lypësave për ti sjellë në Tiranë.
Burime brenda policisë deklaruan se fakti që lypësat kërkonin hapjen e kuletave dhe transparencën e xhepave të kalimtarëve, është provë e padiskutueshme që kjo është vepër e opozitës.

Këshilli i Ministrave.org e konsideron të turpshme këto veprime të opozitës të cilët duan të prishin imazhin e Shqipërisë dhe ta paraqesë atë si një vend me probleme të rënda ekonomike ku gjoja gjasme mund të gjëndet ndonjë shqiptar i papunë, ndonjë shqiptar pa shtëpi apo pa fuoristradë.

Vetë kryeministri Berisha ka deklaruar më shumë se një herë se ay është Kryeministër i Bollëkut dhe se nën qeverisjen e tij, Shqipëria nuk mund të ketë pabuksa por vetëm Facebooksa.

Duke i detyruar shtetasit të lypnin në rrugë, opozita ashiqare ka konsumuar veprën penale të “emigracionit me dhunë”. Për këtë ka filluar hetimi dhe një dosje e vecantë nga Prokuroria e Hesapeve me Opozitën pranë Këshillit të Ministrave.org.

Qeveria dëshiron të sqarojë se pastrimi i rrugëve nga lypësat nuk bëhet që të mos i shohin raporterët e BE-së por për këtyre të miturve u është garantuar shkollimi, shkallimi dhe punësimi në të bardhë, në të zezë, në të blu.

Shqipëtarët për pak ditë do të jenë të lirë të bredhin lirisht nëpër shtetet e Shengenit por kjo nuk do të thotë të livadhisin lirisht nëpër qytetet e vendit, sikur të ishim në 1997.
Ndaj, nëse lypësat duan të punojnë dhe të banojnë në Tiranë, kjo duhet të bëhet konform rregullave të emigracionit të ligjshëm.

Operacionin “Mshesa” e ka përkrahur edhe shoqata “Lypje me Drejtësi” e cila ka protestuar prej kohësh se këta lypësa që punojnë në të zezë, pa paguar asgjë në shtet, po konkurrojnë në mënyrë të paligjshme lypësat vendali të kryeqytetit.

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).