Qëllon e del një bar i vrazhdë ndër livadhe,
buzë dhensh gjakosur e dhëmballë demash
gërryer në zum-paranë e fletëve gri,
dhembje netëve, nis bulurimë e buajve
me vuajtje kanosëse hënës drejtuar
brirët si antena që valë valojnë.

Ndodh që vjen një grurë i ashpër, jo i fortë,
që bukët i bën kore me plagë si rërë zhuri,
bëzhdilat si krahë nusepashkësh të vrara
me këngë prej burri dhe fate prej guri,
s’ka përvëlak që e ngroh, nofull që e bluan,
pështymë punëtori e thatë ta zbusë e mbllaçisë
atë pjellë të ashpër grunëjrash të egjërt.

Ndodh që bien rreshje macesh e qensh
mbi plehra shkurtesh me hënë të hidhur pelin,
si i ftohti i lagët, ato mace qimelagëta,
me prenë e qullur, minj që ende guxojnë të jetojnë,
prishin vatrat me gëzof shtëpiak që purrit e dremit,
se përjashta ndrin sytë e verdhë e liga…

Qëllon që vjen një gjindje e sertë, pa mirëmëngjes e më fal,
me qeshje hiene dhe sy të turbullt si pellg
që peshqit e ligësisë s’i dëften, me ballet e gjerë
e hala t’pabesa, një gjindje që gëlon n’fortesat
e zbrazëta nga fitimtarët e vrarë për kauza “t’pafan”,
përqesh me skërmitje zilie të verdhë si cipa
misri ndër dhëmbë varfërie, një gjindje

që gazin, harenë e lidhi e futi në thes të linjtë
me konòpe të pluhurt, me nyje të drunjta, një gjindje
që bëhet popull me metastazë, viril si tumorët
malinj me proteinë të keqe, të keqe se mund, nën çmeritjen
e ftohtë të diellit se s’mund, nga erdhi ky bar, ky grurë, këto mace,
këta qenër dhe ky popull nga qëlloi e ndodhi!

Në zemër qëllon sikur e shenjuar nga syri i Zotit!

1 Komente

Në zemër qëllon sikur e shenjuar nga syri i Zotit

Besa po!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).