Mësohet se prej disa kohësh vendi ynë fqinj Greqia ka pasur disa kriza të fuqishme, si ato që përjetojnë gratë që janë duke lindur, apo të sëmurët me gurë në veshka.

Duke parë gjëndjen e vështirë të fqinjëve Këshilli i Ministrave.org u kishte sugjeruar fqinjëve që ata të pinin një çaj të përgatitur me rrënjë të një peme të quajtur “skeletus ushtaraqis”, gjethet e një bime të quajtur “bollanaqis sativis” dhe të ziheshin me ujë deti alvanikos.

Fatkeqësisht ky çaj çudibërës u derdh në momentin e fundit nga opozita e cila nuk pranojë që grekët të mbushnin ujë nga deti Jon.

Mësohet se ditët e fundit, kolegët gjerman i kanë propozuar grekëve që për të qetësuar krizën të pinin aspirina. Pikërisht për të marrë një pako me aspirina kryeministri grek ka shkuar të takojë homologen e tij gjermane Angela Merkel, por kjo e fundit edhe pse Papandreu i është lutur në gjunjë, nuk ka pranuar t’ia japë falas, pakon e aspirinave, por kundrejt një pagese. 

Mësohet se Papandreu i ka bërë me dije homologes së tij, se deri në Gjermani nuk kishte shkuar me biletë, por ishte fshehur në bagazhe dhe se ai nuk kishte asnjë dysh, pasi grekët i kishin harxhuar të gjitha paratë në Shqipëri, fillimisht për të mbajtur me pensione të majme fqinjët allvanikos të Vorio Epirit, pastaj për të kërkuar eshtra ushtarësh të rënë gjatë luftës dhe së fundi për të blerë një copë deti pa kokërr peshku.

Merkel ka dëgjuar të qarat e Papandreut, por nuk është prekur aspak, duke treguar se është një grua e fortë dhe është mbajtur si burrat. Ajo i ka thënë se gjermanët nuk i jepnin falas aspirinat dhe e ka këshilluar që bënin mirë që të shisnin ndonjë ishull.

Sapo është kthyer në atdhe Papandreu ka vendosur të dëgjojë këshillën e koleges gjermane dhe menjëherë ka urdhëruar nxjerrjen në shitje në ankand të të gjithë ishujve që nuk u duhen me një çmim fillestar prej 10 milion euro copa, përveç ishullit të vogël Barketa, të cilin është betuar se nuk do ta shiste edhe për të gjithë eurot e botës.

Pritet që gjithashtu grekët të nxjerrin në shitje ose ta japin me qera Akropolin, të shesin edhe emrin e Maqedonisë me nga 200 mijë euro gërma, tokat e VorioEpirit me 70 euro metri katror, ato të Camërisë me 34 euro m/2 si dhe shpatën e Pirros dhe veglat e elektriçistit Bollano, për skrap.

Mësohet se në shenjë solidariteti, për të ndihmuar sadopak kolegun e tij grek dhe për ti treguar ndërkombëtarëve se gjithmonë ishte i gatshëm të ndihmonte socialistët, kryetari i Këshillit të Ministrave.org Sali Berisha ka nisur një fushatë shitjesh në të gjithë Shqipërinë për të ndihmuar Greqinë. Madje Berisha u shpreh se do të ishte i gatshëm të shiste kutitë e Ruzhdijes, madje edhe atë që e kishte më shumë për zemër, titullin “kavalier”.

Por në mënyrë absurde, opozita socialiste shqiptare nuk po i mirëpret aspak përpjekjet dhe sakrificat e demokratit Berisha për të ndihmuar socialistët grekë duke shitur ndonjë copë Shqipëri por po përhapin panik duke thënë se qeveria paska mbetur trokë dhe se po shet gjithcka që mundet.

I indinjuar Këshilli i Ministrave.org hedh poshtë cdo akuzë të ngritur lart.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).