Edhe pse i ka të gjitha kushtet, presidenti Bamir Topi ka disa kohë që nuk po jep rendimenti e kërkuar nga rangu i detyrës që përfaqëson.

Inspektoriati i Kontrollit të Presidentit pranë Këshillit të Ministrave.org raporton se presidenti Topi nuk paraqitet në orar në zyrë.

Presidenti është justifikuar se i kishte mbetur sahati, herë thotë se e ka larg shtëpinë dhe ndonjëherë se kishte gjyshen sëmurë.

Shpesh në orar të punës është kapur gafil duke bërë muhabet për qejf me ata të Prokurorisë së Përgjithshme ose me ndonjë ish-ambasador amerikan.

Jo vetëm kaq por prej shumë kohësh presidenti Topi po fut fundët aty ku nuk i takon pasi shpesh është shprehur për pavarësi të gjyqësorit nga politika duke i kërkuar kësaj të fundit të mos i bëjë presion drejtësisë.

Kjo na kujton se edhe ish-presidenti Alfred Moisiu ishte po kaq i bezdisur me këto punët e mos-ndërhyrjeve.

Agjentët e Këshillit të Ministrave.org që punojnë në ambjentet brenda presidencës kanë vënë re se Topi qeras shumë njerëz me fondet e shtetit. Sa herë që një personalitet i shkon për qokë, Bamiri si djalë kavalier nuk le askënd të fusë dorën në xhep.

Për këto motive dhe shumë tjera Këshilli i Ministrave.org i tërheq vëmendjen, Bamiri të mos hiqet si tangërlliks, se jemi vetë të parë për atë punë.


Këshilli i Ministrave.org vendosi :


1-Presidenti i Republikës Demokratike të Shqipërisë Bamir Topi ti zbritet rroga dhe ti shkurtohet buxheti i akorduar për shpenzimet e Presidentit.

Nëse i vijnë ish-ambasadorë e shoqnija për kafe e raki, le ti qerasë nga xhepi i tij.

 

2-Të respektojë Kushtetutën Blu dhe të zbatojë cdo urdhër, dmth cdo nen të saj në lidhje me respektin e Presidentit ndaj Kryeministrit.

Për sjellje arrogante të Presidentit ndaj shefit të tij kryeministrit Berisha, Bamiri merr paralajmërim me pushim nga puna.

Nëse nuk i pëlqen, ta lërë punën. Këshillin e Ministrave.org po e lusin qindra vetë për ti bërë Presedentë.

 

3-Të mos i japë shumë muhabet personave të gjatësisë 2 metra (kryesisht kreut të opozitës).

 

4-Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë pas dërgimit me sms.

 

Kryeministri Sali Berisha

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).