Realitete futuriste shqiptare

100 vjet kulturë  dhe politikë futuriste. Reaksion apo revolucion?


Shpend Bengu*  

Kur koha punon për një popull, jo të gjithë e kanë të lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta. Madje, shpesh kujtojnë, kur koha punon për ta, kujtojnë ose u krijohet iluzioni se koha nuk punon për ta - ose e kundërta. Dhe këtu ndodhin shpesh tragjedi.
 

I. Kadare
 
100 vjet me parë  më 20 shkurt 1909 (35 pas manifestit komunist). Filippo Tommaso Marinetti publikoi në «Figaro», Manifestin e Futurizmit.
 
Kanë kaluar disa muaj dhe asnjë aktivitet apo diskutim akademik nuk u mbajt për të kujtuar 100-vjetorin e Futurizmit avangardës kryesore jo vetëm në artin modern, por edhe në jetën politiko-shoqërore të shek. XX.
 
I vetmi përkujtim ishin 3 artikuj në 2 gazeta të përditshme dhe një të përjavshme shqiptare. Kur lexon artikujt e Gazetave të krijohet përshtypja se Futurizmi edhe pse ka lindur në Itali, disa qindra kilometra larg Shqipërisë, edhe pse pas lindjes së tij pushtoi gjithë botën, duket sikur nuk ka asnjë lloj influence në ishullin shqiptar gjatë këtyre 100 viteve. Megjithëse kanë kaluar disa muaj, askush nuk po kujtohet më, për të shkruar a bërë diçka më tepër për lëvizjen avangarde më të rëndësishme në të gjithë historinë e njerëzimit, FUTURIZMIT.
 
Pasi lexova artikujt e gazetarëve prita më kot se mos ndonjë ish-anëtar byroje, ndonjë ish-piktor, kritik arti, analist, apo ndonjë akademik të shkruante diçka për këtë lëvizje prej të cilës kemi kaq shume varreza dhe lapidare, kaq shumë kaos në trafik dhe në urbanistikë, kaq shumë ngjyra në Tiranën të cilës po i del boja, rrugë me shtylla në mes, armë të të gjitha llojeve, kërthiza dhe piercing gjithandej, pemë të reja nën kontroll dhe kanabis pa hesap por edhe Autostrada për komunikim e navigim real dhe virtual, makina të shtrenjta, të reja dhe të vjetra, tunele të të gjitha llojeve, aeroplanë dhe anije-hotele prej betoni, por mbi të gjitha ende shumë bunkerë: reale dhe virtuale, dhe për fat një popullsi nga më të rejat ne Europë, në Shqipërine “neofuturiste” të shk XXI.
 
Programi i Futurizmit i hartuar nga Tommaso Marinetti në Manifestin Futurist të 1909 -ës, fillimisht mblodhi rreth vetes artistë dhe intelektualë të shumtë evropianë me prerje të ndryshme ideologjike, të gjithë kishin të përbashkët mohimin e traditave, nga një ngarkesë e madhe anti-borgjeze dhe nga lidhja me mitin e teknologjisë. Në një kohë të shkurtër kjo përkrahje, mori ngjyrime nacionaliste dhe tepër antidemokratike, duke u identifikuar me ideologjinë fashiste në të cilën Marineti u përfshi me entuziazëm të madh.
 
Ja se çfarë shkruhej në manifestin e Parë Futurist të botuar në “Figaro” 100 vjet me parë.
 
"Le Figarò" 20 shkurt 1909

1- Ne duam t’i këndojmë dashurisë për rrezikun, zakonit të energjisë së guximit të çmendur.
 
2- Kurajo, guximi, rebelimi, do të jenë elementet themelore të poezisë tonë.
 
3- Letërsia ekzaltoi deri më sot palëvizshmërinë e lodhshme, ekstazën dhe përgjumjen. Ne duam të ekzaltojmë lëvizjen agresive, pagjumësinë e ethshme, hapin e ecjes, salto mortalen, shpullën dhe grushtin.
4- Ne shpallim që madhështia e botës është pasuruar me një bukuri të re, me bukurinë e shpejtësisë.
 
5- Ne dëshirojmë të himnizojmë njeriun që mban timonin, shtiza e të cilit e lëshuar në ecjen e saj përshkon Tokën në rrethin e orbitës së saj.
 
6- Duhet që poeti të shkapërdridhet me zell, me madhështi e bujari, për të rritur entuziazmin e zjarrtë të elementëve parak (të zanafillës).
 
7- Nuk ka bukuri më të madhe se sa ajo që gjendet tek lufta. Asnjë vepër që nuk ka një karakter agresiv nuk mund të jetë një kryevepër.
 
8- Ne jemi mbi trashëgiminë ekstreme të shekujve!, pasi kemi krijuar shpejtësinë e përjetshme të kudogjendur.
 
9- Ne duam të glorifikojmë luftën-higjienën e vetme të botës-,militarizmin, patriotizmin, dhe gjestin shkatërrues.
 
10- Ne duam t’i shkatërrojmë muzetë bibliotekat, akademitë e çdo lloji dhe të luftojmë kundër moralizmit, feminizmit dhe kundër çdo lloj poshtërsie oportuniste dhe utilitare.
 
11- Ne do t’i këndojmë lokomotivave me gjoks të gjerë dhe fluturimit rrëshqitës të aeroplanëve. Dhe është Italia nga ku lëshojmë këtë manifest të dhunës së papërmbajtur dhe të zjarrtë me të cilën themelojmë sot Futurizmin.
 
Këto janë fjalët me të cilat Filippo Tommaso Marinetti themeloi në shkurt 1909 në Paris, Manifestin Futurist.
 
Në një shkrim të tijin, Marineti përshkruan se si duhet të jetë një artist futurist:
 
«-Kush mendon dhe shprehet me origjinalitet, forcë, gjallëri, entuziazëm, qartësi thjeshtësi shkathtësi dhe sintezë.
 
-Kush urren gërmadhat, muzetë varrezat, bibliotekat, kulturalizmin, profesorizmin, akademizmin, imitimin e të shkuarës, purizmin, stërhollimet dhe vogëlsirat.
 
-Kush do të çmplaket, të rinohet, dhe të gëzojë artin italian, duke e çliruar atë nga imitimet e të shkuarës, tradicionalizmi, dhe akademizmi dhe të inkurajojë të gjtha krijimet e guximshme të të rinjve».
 
Futurizmi ishte lëvizja që i hapi rrugën shumicës së -izmave që lindën prej saj. E meqë jemi te –izmat, duhet të kujtojmë se Futurizmi i shek XX, u përkrah dhe u përdor si nga fashizmi (e djathta), ashtu dhe nga komunizmi (e majta), ideologjitë më të poshtra të shekullit të kaluar, natyrisht sipas kontekstit ku u zhvilluan. Dykuptimshmëria e Futurizmit e bën të vështirë përcaktimin e aksioneve të tij konkrete, në revolucionare apo reaksionare gjatë këtyre 100 viteve. Është ndoshta kjo karakteristikë e veçantë e lëvizjes Futuriste e cila e shtyu kantautorin italian Giorgio Gaber të këndojë me ironi “chi é di destra chi é di sinistra” Pra kush është me të djathtën e kush është me të majtën. Dilemë mjaft aktuale për realitetin elektoral shqiptar, në vitin e 100-vjetorit te futurizmit.
 
Ashtu si Futurizmi i Marinetit dhe artistëve të tjerë në Perëndim që iu bashkua ideologjisë fashiste duke u shndërruar në një instrument perfekt propagandistik të kësaj ideologjie, të shumtë ishin artistët e majtë në Lindje të cilët jo vetëm u ndikuan nga futurizmi por tentuan ta vendosnin atë në binarët e komunizmit, pra të ideologjisë marksiste – leniniste. Nëse themeluesi dhe autori i Manifestit te Futurizmit, Marineti ishte një fashist i devotshëm, po aq komunist i devotshëm ishte dhe Majakovski, themeluesi i Futurizmit rus. (Më duhet të përmend që edhe Dadaizmi që ishte një rrymë që i përkiste të majtës pati lidhje jo të pakta me Futurizmin).
 
Të dy sistemet diktatoriale ideologjike, fashizmi dhe komunizmi në emër të progresit dhe të ardhmes (futuro) e përdorën futurizmin për të forcuar pozitat e një kaste banditësh mbi shumicën, duke shfrytëzuar Manifestin e Futurizmit veçanërisht në një pikë. Në atë të nxjerrjes së vrullit të masave në sheshet e qyteteve si dhe në justifikimin e luftës së klasave.
 
Duhet sqaruar se në këtë pikë, në manipulimin e masave, futuristët janë mbështetur dhe tek idetë e Gustav Le Bonit ‘Mbi manipulimin e masave” si dhe tek Manifesti i Partisë Komuniste.
 
Futurizmi dhe Manifestet e tij nuk ishin vetëm një rrymë artistike, por edhe një formë e re e të menduarit ai lidhet me valën e revolucionit teknologjik të viteve të para të viteve 900 dhe të “la Belle époque”, duke ekzaltuar besimin e pamatë në progresin dhe duke shpallur dhunshëm fundin e ideologjive të vjetra (passatizmit). Kështu, p.sh. Marinetti ekzaltonte dinamizmin, shpejtësinë, industrinë, ndërsa luftën e kuptonte si “higjienë të botës”. Por futuristët nuk u mjaftuan me kaq. Ata eksploruan çdo teknikë shprehëse, nga piktura tek skulptura, në letërsi poezinë dhe teatrin, futuristët nuk lanë mënjanë as muzikën, arkitekturën, baletin, fotografinë, kinemanë e sapolindur e deri dhe gastronominë.
 
Si rezultat i estetikës së shpejtësisë, në veprat futuriste mbisundon elementi dinamik dhe lëvizja përfshin objektin dhe hapësirën ku ky objekt lëviz. Është pikërisht lëvizja ajo që futuristët e gjenin tek aeroplanët (Aeropiktura), motorët, automobilët, masat shumëngjyrëshe dhe polifonike si dhe veprimet e përditshme.
 
Ja dhe konkluzionet e prera të Manifestit të Aereopikturës Futuriste:
 
1- Të shkatërrojmë kultin e të shkuarës, obsesionin e antikes, pedantizmin dhe formalizmin akademik
 
2- Të përçmojmë thellësisht çdo lloj forme të imitimit.
 
3- Të ekzaltojmë çdo lloj forme të origjinalitetit qoftë ajo e frikshme apo e dhunshme.
 
4- Të përftojmë kurajo dhe krenari nga linja e kollajtë e çmendurisë me të cilën fshikullohen dhe pengohen novatorët.
 
5- Të konsiderojmë kritikët e artit si të panevojshëm dhe të dëmshëm.
 
6- Të rebelohemi kundër tiranisë së fjalëve: HARMONI dhe SHIJE E MIRË, shprehje shumë elastike.
 
7- Të fshijmë nga fusha ideale e artit të gjitha motivet, të gjitha subjektet tashmë të shfrytëzuara. më parë.
 
8- Të mbivlerësojmë jetën e përditshme, të pandalshme dhe të zhurmshme të transformuar nga shkenca fitimtare. Le të varrosim të vdekurit në thellësitë e errëta të tokës! Le të spastrohet nga mumjet rruga e të ardhmes! Le ti hapim rrugë të rinjve te dhunshëm dhe të frikshëm!
 
Futurizmi shprehu menjëherë një pasion të madh politik modernizues në aksiomat e tij: “Mohimi i idesë së artistit puro, soditës dhe riprodhues i të bukurës”, “Akti shkatërrues i libertarëve”, "masat që viheshin në lëvizje vetëm nga puna dhe nga revolta”, lufta “e vetmja higjienë e botës”, "idetë e bukura për të cilat ja vlen të vdesësh”, “përbuzja ndaj gruas, por edhe emancipimi i saj”.
 
Në emër të ndryshimit të të menduarit ata kërkuan dhe ndryshimet e këndvështrimeve. Por futuristët e Figarosë nuk u mjaftuan me kaq. Pasi shtinë në dorë kontrollin e artit, kulturës dhe propagandës, pasi zbatuan parimin e shpullës dhe të grushtit ndaj akademizmave dhe tradicionalizmave, ata filluan të kërkojnë dhe kontrollin në jetën politike dhe shoqërore.
 
Absurdi arriti kulmin kur në vitin 1916 u themelua dhe Partia Futuriste, e cila predikonte dhe Demokracinë ose më mirë të themi Utopinë Futuriste:
 
“Kaosi mbi gjithçka”, “Rrumpallë në Maksimum”,- shkruante Marineti tek "Manifesti Teknik i Letërsisë Futuriste”
 
Partia Politike Futuriste u themelua nga vetë Filippo Tommaso Marinetti në 1918, me qëllim që të ndërthurte në luftën politike idealet e lëvizjes futuriste. Disa nga idetë dhe propozimet politike të futuristëve të shprehura në Romën Futuriste, Marineti i përmblodhi në volumin e Demokracisë Futuriste (1919) ku ai rreket midis utopisë dhe propozimeve konkrete.
 
Pas solidarizimit me Musolinin, “halabaku” Marineti u bë njeri i pushtetit, avangardisti që dëshironte të mbyllte Muzetë dhe Akademitë, veshi këmishën e zezë të “akademikut” të Italisë.
 
Futuristët e Figarosë u shfaqën fillimisht si një grup fëmijësh të pafajshëm” aq të pafajshëm sa që në antivlerat e predikuara prej tyre nuk ekzistonte mëshira dhe mirësia, përkundrazi, dhuna shkatërruese dhe ikonoklaste konsiderohej si e para ndër virtytet.
 
Në këndvështrimin futurist, duket se Shqipëria është një ndër vendet ku ashtu si parimet e marksizmit, parimet e Futurizmit u aplikuan më me zell se në vendet ku ato lindën. Por nëse në vendet e tjera Futurizmi e përshkoi trajektoren e tij (përjashto gastronominë), në Shqipëri ai është në kulmin e tij.
Në Shqipëri, historia dhe metamorfoza e liderëve avangardistë futuristë është pothuajse e njëjtë. Pas viteve 1990, edhe ata, veshën kemishë të zezë, ku në ndyshim nga ajo e Marinetit shkruhej GRR, GRR, GRR...si për të treguar se parimet e tyre shkonin përtej parimeve Futuriste të Marinetit dhe Majakovskit, duke u kthyer kështu në Avangrrdistë.
 
Nga viti 1944 e deri me 1984, lufta e klasave, asgjësimi i kundërshtarëve, lufta kundër religjionit, revolucioni ikonoklast, militarizimi ne palcë i shoqërisë, planet 5-vjeçare për industrializimin, aksionet e rinisë, hekurudhat, lufta kundër intelektualizmit, shtetëzimi i pronës private, vrulli i masave, fryma e masave, zëri i masave, shamitë e kuqe, dekorimet me SS, fletërrufetë, “aksionet vullnetare” martesa në bashki, krijimi i njeriut të ri socialist (që në thelb duhej të ishte futurist) e të tjera si këto, duken si manifeste futuriste të arnuara Lindore.
 
Një ndër arsyet e aplikimit të parimeve futuriste në realitetin shqiptar mund të jenë dhe eksperiencat jo të këndshme të liderëve socialistë shqiptarë në vendin e Figarosë.
 
Këta avangrrdistë për të realizuar utopinë e tyre socialiste, dje shfrytëzuan marksizëm leninizmin, ndërsa sot kërkojnë që nëpërmjet futurizmit (meqenëse marksizëm -leninizmit i ka dalë boja). t’u premtojnë utopinë futuriste socialiste masave pasatiste, që nuk e kuptojnë ndryshimin e kohës, nëpërmjet praktikave dhe teorive futuriste të shekullit të kaluar.
 
Pas vdekjes së avangrrdistit Majakovskian me 1984, avangardistët e 41-shit ishin kthyer në dekadentë pasatistë, pra që i përkisnin të kaluarës. Kasta drejtuese krepuskulare e viteve ’80, pati kohë të mendonte për një brez të ri avangrrdistësh të ardhshëm, të cilët për të kuptuar se si funksiononte formula e Futurizmit dhe për të vënë nën kontroll vrullin e masave në sheshe, duhej të kalonin disa eksperienca në vendin e Figarosë.
 
Thelbi i kësaj strategjie ishte që në dukje, ndryshimit, t’i jepnin një karakter futurist perëndimor, ndërsa në thelb të ruanin statuskuonë pasatiste, duke i çuar dëm energjitë e shesheve (eksodi 1991) në mënyrë që të dëmtonin sa më shumë karakterin revolucionar të futurizmit.
 
Në emër të ndryshimit, edhe në Shqipëri u kërkua që ndryshimi i sistemit të bëhej në dukje, gjoja sipas eksperiencave të futurizmit perëndimor. Nuk ishte e rastësishme që avangrrdistët e rinj shqiptarë zgjodhën Akademinë e Arteve për të filluar “revolucionin” e tyre “pseudofuturist” të cilit, që në fillim i dhanë një karakter reaksionar. Turmave të fillimit të viteve 90, që nuk e kishin idenë se ç’ishte futurizmi, nga avangrrdistët e rinj shqiptarë iu servir si futuriste muzika e Michael Jacksonit dhe jo poezitë apo muzika futuristë perëndimore, të cilat në fillimet e tyre kishin tipare revolucionare.
 
Për të kapur politikën, avangrrdistët e ’90-tës, organizuan për herë të parë në Shqipëri, Mbrëmjet Futuriste. Mbrëmjet Futuriste ishin shfaqje provokuese të organizuara për herë të parë në Teatrin Chiarella në Torino më 8 mars 1909 nga një grup futuristësh. Organizatori dhe dirigjenti i mbrëmjeve futuriste ishte vetë Filippo Tommaso Marinetti, që i mbante mbërthyer spektatorët duke iu lexuar Manifeste e poezi futuriste ose duke dhënë shfaqje muzikore. Qëllimi kryesor i mbrëmjeve ishte që ta mbante publikun, duke e provokuar me “Fjalët në liri”, por në të njëjtën kohë të përhapnin dhe idetë futuriste. Shpesh provokimet bëheshin qëllimisht me dashje, duke u lënë vendet e para personave të rrëmujshëm, ose duke i shënuar të njëjtin vend disa personave. Në përgjithësi, këto mbrëmje mbylleshin me ndërhyrjen e policisë e cila zbrazte teatrin dhe arrestonte organizatorët.
 
Në Shqipëri, mbrëmjet futuriste u munduan të kopjohen në “Refleksionet pseudofuturiste” të avangarrdës shqiptare të cilat u organizuan në Akademinë e Arteve të Tiranës në vitin 1991, rreth 100 vjet më vonë se mbrëmjet e Marinetit. Nëse organizimin e këtyre mbrëmjeve pseudofuturiste do ta shikojmë të lidhur me faktorin kohë, kuptojmë se këto mbrëmje nuk projektoheshin në të ardhmen, por në të shkuarën. Duke u projektuar në të shkuarën, ato merrnin karakter pasatist dhe si të tilla nuk mund të quheshin revolucionare. Në Shqipëri “refleksionet futuriste” bëheshin brenda një akademie, gjë që do të thoshte se ndryshimi ishte kryer prej kohësh dhe se masat pasatiste duhet të reflektonin dhe të pranonin, se tashmë kishte ardhur koha që të udhëhiqeshin prej “halabakëve” që pretendonin të bëheshin akademikë nëpërmjet “fjalëve në liri”. Masat pasatiste duhet të pranonin me çdo kusht udhëheqësit e rinj të avangrrdës futuriste shqiptare që tashmë ia kishte bërë gropën akademizmit dhe trashëgimisë. Konteksti ku ato zhvilloheshin, të bën të dyshosh se ata ishin pjesë e kontrollit të pushtetit që po vuante nga pasatizmi, krepuskulizmi dhe dekadenca.
 
Nuk është rastësi që pikërisht në kohën që avangrrda mori në dorë institucionet e kulturës në emër të luftës kundër antivlerave nxori në pah dhe virtytin e saj të parë, ku nuk ekzistonte mëshira dhe mirësia, përkundrazi, dhuna shkatërruese dhe ikonoklaste. Erërat e komunizmit në Shqipëri ashtu si ato të fashizmit në Itali fshinë përfundimisht të vërtetat më elementare të kësaj lëvizjeje me fillime revolucionare, duke i lënë shteg një pseudokulture reaksionare të molepsur nga një lloj justifikimi i një kompleksi inferioriteti për të qarë hallin. Nëse në pikëpamjen estetike, krijuese dhe gjuhësore, Futurizmi mund të shikohet si revolucion, në pikëpamjen e përuljes dhe nënshtrimit ndaj propagandaës fashiste apo komuniste ai u shfaq si reaksion.
 
Arsyeja që gazetarët në artikujt e tyre nuk arrijnë ta perceptojnë Futurizmin në Shqipëri është se fatkeqësisht teoritë futuriste ne Shqipëri për 50 vjet ishin të ndaluara me ligj, ashtu si dhe çdo lloj teorie tjetër përveç të ashtuquajturës “marksizëm-leninizmit alla-shqiptar”. Fatkeqësia tjetër është se edhe gjatë viteve të tranzicionit nuk u bë asgjë për të futur në sistemin arsimor njohjen dhe studimin e teorive dhe praktikave futuriste. Nëse shqiptarët do t’i kishin studiuar sado pak këto teori dhe praktika, futurizmi i shekullit të kaluar do ta kishte mbyllur trajektoren e tij edhe në Shqipëri (përsëris, përveç gastronomisë).
Duke qenë një lëvizje që si idhull kishte ndryshimin e kohës, shpejtësinë dhe teknologjinë, futurizmi fetishizoi makinat e shpejta, aeroplanët dhe shpejtësinë me të cilën ato dhe drejtuesit e tyre zhvendoseshin në hapësirë. Tashmë dihet botërisht se cili është raporti i futuristëve me kohën dhe me shpejtësinë.
 
Për Marinetin, edhe pse ishte aksidentuar disa herë, një automobil që ecte shpejt, ishte me i bukur se Nikja e Samatrakës.
 
Por cili është qëndrimi futurist i shqiptarëve me automobilin? Mjafton të shikoni rrugët e Shqipërisë, numrin e Mercedesëve lluksoze, për të kuptuar se sa të dashuruar janë shqiptarët me këtë lloj mjeti të cilin fatkeqësisht ende nuk kanë mësuar ta drejtojnë ashtu siç duhet. Një qëndrim tjetër futurist i shqiptarëve është ai në lidhje me shpejtësinë dhe kohën. Mjafton të hapet drita e semaforit dhe korri i burive të makinave fillon të buçasë. Duke qenë futuristë të thekur, shqiptarët dehen kollaj me shpejtësinë edhe pse aksidentet sa vijnë e rriten. Në vendet fqinje, në të cilat si rezultat i përmirësimit të infrastrukturës, rritjes së nivelit të jetesës si dhe arritjeve teknologjike, roli i futurizmit të shek XX, tashmë është zbehur.
 
Një tipar tjetër që tregon për përkatësinë futuriste të shqiptarëve në zbatimin e parimit te mësipërm, është qëndrimi i tyre ndaj monumenteve të antikitetit të cilave i preu kokat pas 1991. Aq urrejtje treguan avangrrdistët shqiptare ndaj këtyre “kokave të antikitetitet”, sa shumicën e tyre i degdisen jashtë kufijve shqiptarë.
 
Jo pa arsye, Arkitekturën Futuriste e lashë të fundit. Në fillim të vitit 1914 arkitekti Antonio Sant'Elia, publikon Manifestin e Arkitekturës Futuriste në të cilin ai shpalos principet e kësaj rryme. Në qendër të vëmendjes për arkitektët futuristë është qyteti, i parë si simbol i dinamizmit dhe modernitetit.
 
Të gjitha projektet e krijuara i referoheshin qyteteve të së ardhmes me një vëmendje të caktuar mbi shpikjet e reja, si materialet e reja në ndërtim, automobilët, metrotë, transporti etj.
 
Sipas futuristëve të shekullit të kaluar, përdorimi i linjave eliptike dhe të përkulura simbolizonte refuzimin e statikes dhe i jepte një lëvizje më të madhe projekteve futuriste, të privuara nga simetria klasike. Futurizmi i parapriu temave të mëdha dhe vizioneve të arkitekturës dhe të qytetit që do të ishin pikërisht vizionet e Lëvizjes Moderne në arkitekturë në shek e XX. Utopia futuriste, është një qytet në ndryshim të vazhdueshëm, i lëvizshëm në çdo pjesë të tij, një kantier vazhdimisht në ndërtim, ku LËVIZJA është pjesë organike e tij. Në kundërshtim me arkitekturën klasike e parë si statike dhe monumentale, qytetet e idealizuara nga arkitektët futuristë kishin si karakteristikë themelore LËVIZJEN dhe transportet. Futuristët, faktikisht e kuptuan menjëherë rolin qendror që transportet do të merrnin më vonë në jetën e qyteteve. Në projektet e kësaj periudhe kërkohen qëllime dhe zhvillime që lidhen me këtë risi.
 
Çuditërisht edhe pse pas gati 100 vjetësh, kjo risi që i përkiste shekullit të kaluar, nuk u morr parasysh në planet arkitektonike të qyteteve shqiptare e sidomos Tiranës duke i projektuar këto qytete jo në ardhmen por në të shkuarën. Në përgjithësi, qytetet shqiptare e sidomos Tirana, edhe pse fasadat i kanë “futuriste”, në thelb janë qytete që i përkasin pasatizmit. Nëse një qyteti si Tirana, i mungon LËVIZJA, zhdërvjelltësia e zhvendosjes, ku shpejtësia e automobilit shpesh herë është më e vogël se ajo e hapit të kalimtarit, atëherë ai qytet i përket të shkuarës dhe jo të tashmes apo të ardhmes. Ai qytet kthehet në makth dhe burg për qytetarët të cilët janë të dashuruar me LËVIZJEN, më shpejtësinë dhe zhdërvjelltësinë e zhvendosjes. Kjo ndoshta për faktin se ata të cilët vendosën për këto plane nuk e njohin ende shpejtësinë nga fobia që kanë lidhur me drejtimin e automobilit, ata urrejnë shpejtësinë, automobilin dhe ata që ngasin automobilat.

Nëse e shohim në raportin e tij me kohën, nga dhjetori 1991 e deri i më sot Futurizmi jo vetëm që triumfoi, por është në kulmin e tij ku tipari i tij i dyfishtë është tepër i dukshëm. Duke qenë në kulmin e tij ai është dhe në pragun e metamorfozës së tij. Shqiptarët sot duhet të zgjedhin midis futurizmit të shekullit të kaluar dhe neofuturizmit të shekullit të XXI. Në këtë kohë fushatash elektorale futuriste shqiptare, me fjalime, këngë dhe manifeste Majakovskiane, shumë shqiptarë tashmë e kanë kuptuar se nga futurizmat e shekullit të kaluar nuk duhet marrë çdo gjë seriozisht. Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se futuriste për ta nuk mund të jenë rrugët me shtylla në mes, por autostradat neofuturiste ku ata mund të ecin njëlloj si evropianët e tjerë edhe pse do tu duhet ende kohë të mësojnë rregullat dhe normat e shpejtësisë në këto autostrada neofuturiste të shek XXI. E sa për ata ish avangrrdistë pseudofuturistë të shekullit të kaluar që për 18 vjet recituan e recitojnë GRRR, GRR, GRR, dhe që ende nuk e kanë mësuar drejtimin e automobilit, bëjnë mirë të ndjekin disa kurse nëse duan të jenë pjesë e shpejtësisë dhe kohës evropiane. 

Çdo kush që i ka kuptuar me të vërtetë mesazhet e futurizmit të shek. XX, çdokush që e do me të vërtetë Futurizmin e shek të XX, sot duhet ta vrase atë. Të aplikosh parimet e Futurizmit të shek të XX ne shek e XXI, do të thotë qe je kthyer në pasatist. 

Për të qenë futurist apo neofuturist i shek XXI do të thotë të vraposh me shpejtësinë e zhvillimit të teknologjisë së lartë të shek. XXI.



*Profesor i Historisë së Artit dhe Komunikimit

1 Komente

Qenkan shume te dhunshem keta çunat, s'qenka llokme per mua. Mua me pelqejne ndryshimet, por urte, shtruar, bute, ne evolucion dhe jo revolucion, pa gjakderdhje me nje fjale, qe edhe roja e muzeut te haje nje cope buke, edhe kritiku i artit te rrise kalamaqte me budalliqet e te tjereve.

Obobo, ç'i paske bere vetes mo Shpend ! Njoh nji une qi vallahi ka me t'i qite do pune, qe besa. Apo jo, Finoche ? smiley

Ama paska qene fasho ky Marinetti, keshtu ? E pra, une s'kam kurrfare simpatie per fashistet, me duken me koketulet ne bote. Edhe kur ata quhen Ezra apo Filippo.

Shpend, nese me lejon, them se nuk shkon emri i bukur SHQIP Shpend me fjalen e pabukur allosoj "krepuskulare". Kemi nje fjale shume te kendshme ne shqip, qe shkruhet "muzg", "muzgor", "muzgore". Kjo, besoj une, i permbush nevojat tona per ca erresire mistike neper shkrime.

OK, jam ne pritje ç'do te thone shoqet. Do ju lexoj tere sy. Tungatjeta.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).