Requiem për një natë…

Arlinda Guma

Duhet të kenë qenë Krishtlindjet e shtatë viteve më parë.

Ato kohë ishte bërë e modës që nëpër gazeta e revista të flitej dendurazi për të dashurën e re të kryeministrit të athershëm. Gazetat shkruanin me një zell të ethshëm për hollësira nga më të habitshmet, ato përshkruanin me imtësi ngjyrën e flokëve, modelin e fustanit, madje edhe perimetrin e pulpës së saj.

Ato kohë ishte bërë gjithashtu i modës, festimi i Krishtlindjeve "me aheng" prej disa të ashtuquajturave "elita" të kryeqytetit… ndonjë zhvillohej pikërisht me zërin e Altin Shirës në sfond, ky i fundit, në gjithë atë përndezje elektrizuese, dukej më politikisht korrekti me festën, pasi qe i vetmi që mbante në trup një veshje në ngjyrë të kuqe siç e kërkon tradita ( më saktë këmishë sintetike, të kuqe, së cilës i ishte nxjerrë jaka sipër xhaketës së zezë ).

Duhet të ketë qenë ora nëntë e mbrëmjes ose diçka më shumë se aq, e diku, në një ekran të madh qe duke u transmetuar live urimi i presidentit.

Ishte një natë e kthjellët me një të ftohtë therës nga ai që të shkon deri në kocka. Ishte dhe një hënë rrezëllitëse atje lart… që shndriste me një bukuri të çmendur, e që në netë të ftohta si ajo, nuk di pse e urrej e nuk dua ta sodis, pasi sa më e bukur bëhet, aq shumë ftohet ajri përreth teje….

Golfi im ishte ngjitur deri lart tek buzët, e mëngët ishin tërhequr mbi kurrizin e duarve të cilat ishin bërë akull të ftohta e gati-gati nuk i ndieja.

Neonët… dhe ata kontribonin në atë miksim perfekt elementësh dimërorë, ndriçimi snob i tyre, ajo drita e largët, fekëse, sikur më ngjante me nga ato ofertat e llojit: "merr tre e paguaj vetëm një".

Teksa përshpejtoja hapat në trotuarin pranë ish-piramidës, këpuca ime u pengua diku. Ula sytë menjëherë dhe pash një karton të shtruar përtokë, mbi të clin qenë shtrirë dy fëmijë. I madhi kishte mbështjellë të voglin në një mënyrë të tillë sikur të donte ta ngrohte. Pa dyshim qenë vëllezër.

Flinin.

I vogli duhej të ishte jo më shumë se gjashtë vjeç, ndërsa i madhi aty tek tetë.

Nuk kishin hedhur asgjë përsipër, asnjë mbulesë, asgjë prej gjëje.

Flinin të përqafuar nën qiell.

Kishin në trup ca rroba të vjetra dhe këpucë të shtrembëruara.

Njerëzit kalonin me nxitim, ndonjë shpejtonte për të blerë dhuratat e fundit, ndonjë tjetër për të shkuar "në aheng"…

Askush nuk ua hidhte sytë…

Qëndrova disa çaste, pa lëvizur, në këmbë përpara tyre, sikur të kisha frikë mos i zgjoja, ndërsa një adoleshent me kufje në vesh që u shfaq befas përbri meje, e gjuajti me këpucë shtrojën e tyre prej kartoni…

Ata nuk u zgjuan. Vazhduan të flinin, ashtu; njëri-tjetrin, mbështjellë fort.
Qe një pamje që të shkulte kraharorin.

Por skena nuk mbaroi aty, diku më tej pash të ndalonte një makinë. Një grua e veshur bukur e qe e spërkati rrugën, të gjithën me parfum, zbriti vrulltaz prej andej dhe drejtoi hapat drejt hyrjes së televizionit Top Channel.

Ajo më kishte rënë në sy edhe më parë, nëpër emisione, ku tregonte me pathos rreth bamirësive që kryente fondacioni të cilin ajo drejtonte.

Edhe pse thonë se nuk është mirë t’i shohësh fëmijët kur flenë, i hodha edhe njëherë sytë mbi fytyrat e tyre. Ata vazhdonin të flinin… dhe qenë pranë…fare pranë rrugicës ku duhej të kalonte ajo; "zonja mediatike", e cila u ecjak hijerendë me gjithë pellushin e saj, të ngrohtë e të shtrenjtë, pa e kthyer kokën nga fëmijët që flinin përtokë (një zot e di se si ata arrinin të flinin në atë të ftohtë …) dhe një derë që u hap e u mbyll menjëherë, e gëlltiti “zonjëzën”brenda.

Vazhdova të ecja... duke e përfytyruar ndërsa hiqte pellushin ( poshtë tij pa dyshim duhej të kishte veshur ndonjë fustan prerë te stilistja, enkas për atë ditë ) e duke folur me të njëjtin pathos përpara kamerave mbi aktet e bamirësisë...

Ca orë më vonë banorët, besimtarë të kryeqytetit do të mbushnin rrugët ,në mesnatë, në ritualin e tyre të shkuarjes në kishë…

Por unë nuk e mësova dot nëse ndonjë prej tyre i drejtoi sytë mbi  fëmijët fatkeqë, apo ndonjë tjetër i qëlloi me këpucë…

Nuk mësova dot më asgjë mbi fatin e tyre…

Di vetëm të them që atë natë sikur më rëndonte diçka në kraharor, ndoshta qe pengu që nuk munda të bëja asgjë...

Di vetëm të them gjithashtu që të nesërmen, e kapa veten duke lëvizur nëpër duar, me nervozizëm telekomandën, ndërsa dëgjoja ri-transmetimin e urimit të presidentit, e gishtat u drodhën të tronditur, kur folësja u ndal tek lajmet e kronikës së zezë...

Ca vjet kanë kaluar që atherë...

Çdo herë që afrohen Krishtlindjet, mua më del përpara syve përqafimi i atyre fëmijëve, si një logo sarkastike që të mbrrin befas prej nënvetëdijes për të tejçuar një kumt e për të të shqetësuar të përditshmen…

Le të shpresojmë që  këtë fund-vit, të paktën për atë natë, të mos ketë fëmijë të braktisur që flenë trotuarëve...

Le të shpresojmë që këtë fund-vit, të paktën për atë natë, "zonjëzat mediatike" të mos kenë asnjë fustan për të reklamuar…

Le të shpresojmë…
 

19 Komente

 

"Di vetëm të them që atë natë sikur më rëndonte diçka në kraharor, ndoshta qe pengu që nuk munda të bëja asgjë..."

.

"Askush nuk ua hidhte syte." - thote personazhi.

Duke filluar nga ai vete i pari. Sepse kemi dhe kete, pak me lart :

"Teksa përshpejtoja hapat në trotuarin pranë ish-piramidës, këpuca ime u pengua diku."

______

Gjerat nuk duhen sforcuar, mendoj une, se nuk fitojme gje.

Personazhi nuk duhet te ankohet se askush s'po i shihte femijet, sidomos madje as kryeministri apo dashnoret e tij, sepse ato nuk u pane as nga personazhi i cili ecte me koken drejt perpara (sepse thuhet pastaj : "ula koken...&quotsmiley

Po bej nje rrefim te thjeshte dhe te sinqerte : kur kam qene i vogel, une isha i pari i klases per te gjetur dylekesha dhe peselekesha pertoke. Jo se i kisha syte me fosfor, porse i mbaja perdhe, nga frika mos me rreshqiste toka para kembeve dhe rrezohesha pastaj ne ndonje gremine. Keshtu qe, edhe kur vajta me vone ne Tirane, asnjehere nuk me ka zene kemba ne kesi femijesh te mbeshtjelle me kartona, sepse i shihja me qindra metra perpara, madje dhe pergatisja dhjetelekeshin. Nejse. Gjera te vogla por qe duhen pasur kujdes.

Ne fakt, po ta leme menjane tekstin dhe te flasim pak ne tym, kemi kete : kur shkruajme diçka, po nuk qeme te sinqerte, po qeme te shtyre nga motive jashte-letrare, nuk besoj se do te bejme diçka per te qene.

 Nice Hurbinek. Cfare marke ti kete pasur kepucet ky robi??

Hurb,

Requiem eshte paraMigjenian e Migjenian deri ne ditet e sotme.

E rendesishme mos te biem ne batakun e filmit "rrugicat qe kerkonin diell", ku me qindra Mevlan shtynin karrocat, pa shpresen e rrezeve te diellit .

 

"Askush nuk ua hidhte syte" nuk shoh ta perjashtoje narratoren si togfjalesh. Nese narratorja do te kishte marre qendrimin moralizues te socrealizmit, pra ata s'i shihnin, por une i shihja dhe luftova per ta, atehere po, do ishte e sforcuar. Ndersa autorja thote thjesht qe askush nuk i shihte, perjashto ate, e cila kur u perplas nga afer me realitetin (gje qe na ndodh thuajse perdite), qendroi nje moment te reflektonte, dhe nje kocke i mbetet ne fyt (a ne zemer). Ku eshte sforcimi ketu, me duket nje nga ngjarjet me normale dhe me njerezore, te perballesh me mjerimin dhe te ndihesh keq...

Sol,

Une them se nuk eshte bere kujdes ne kete pike. Shiko tablone tani :

Kemi dike qe ecen ne rruge. Koken lart, nuk sheh asgje pertoke. Ne nje çast, kemba i ze diku. Ul koken, sheh nje femije. Bukuri.

Ketu tani futemi ne nje rrafsh tjeter : "askush nuk ua hidhte syte". Dmth, vete personi qe ecen e vuri re VETEM kur kemba i zuri diku. Pra prania e femijes kishte lidhje me diçka fizike (prekja). Atehere, a nuk duhet te nxjerrim perfundimin se HEDHJA E SYVE NDAJ FEMIJEVE DUHET TE KETE PER SHOQERUES VETEM PREKJEN FIZIKE ME KEMBE ?

Dmth, qe njerezit e tjere ta verenin femijen, duhet qe te gjithe me rradhe, pa perjashtim, te zinin kembet ne te. Dhe ketu pastaj, ky dikushi do te thoshte : "edhe pse iu zinin kembet ne te, njerezit nuk ia hidhnin syte femijes".

_______

Kjo pike do te kishte kuptim nese dikushi qe po ecen, e ka vene re nga larg femijen, dhe sheh reagimin e qytetareve anash, dmth ky dikushi sillet si nje kamera, si nje vezhgues : a do te ndalet kush tek femija, apo jo ?

Por qe vete ti te veresh pranine e femijes vetem kur kepuca te ze ne "diçka", dhe pastaj te thuash se te tjeret nuk ia hidhnin syte, kjo me duket e palidhur.

Po e perseris : nuk kam asgje me shqetesimin apo me formen e rrefimit. Thjesht dua te ve ne dukje mosperputhjen e situatave. Nuk mundesh te flasesh per diçka qe ndodh ne toke, nese e ke koken ne ajer. Migjenit nuk i zinin kembet tek Luli i vocerr, por ai e vezhgonte ne kurtin e shkolles, nga larg, çfare ben, si sillet, ku ulet, a i flet kush, etj. etj.

Duhet pak sinqeritet ne rrefim, nese i hyjme ndertimit te nje personazhi te lodhur nga hallet e botes dhe qe shkon me koken poshte, atehere OK. Por nese personazhi ndertohet si dikush i sigurte ne vetvete, qe sheh vetem perpara lart, dhe madje ne enderrime, atehere ai duhet çuar deri ne fund, dhe nga ky nuk mund te presim pastaj qe te qaje mbi fatin e nje femije perdhe. Nuk e di nese jam i qarte, por thjesht ca kujdes me teper. Salut.

C lidhje ka krahasimi konstant me Migjenin? Po nese une them se Cehovi gjithashtu i varte gjenitalet mjerimit dhe kthente koken m'ane tjeter, behemi nje me nje?

Me sa lexoj une (se nuk mund te flas per shkruajtesen), ideja eshte qe jemi aq te pavemendshem, sa qe kujtohemi vetem kur na zene rrugen. Nese ti je ndryshe, do i them autores te te kete parasysh ne shkrimin tjeter...

Krahasimi ? Po se ashtu ishte historia, nje femije ne vuajtje. Ska krahasim tjeter, jane gjera te ndryshme, por thjesht PIKEVESHTRIMI i Migjenit ishte ky :

Mesuesi tek dera e shkolles, dhe Luli ne kurt. Dhe mesuesi sheh dhe na tregon çfare sheh.

Kurse ketu nuk kemi largesi fare : personazhi eshte ngjitur me objektin e veshtruar dhe nuk e ka ate largesine e nevojshme per te pare ç'bejne te tjeret. Une ta shpjegova me anen e prekjes.

Ti e ke drejt aty kur thua : ne kujtohemi per diçka vetem kur na ze rrugen. Mirepo kjo do te thote qe personazhi te bente nje ftillim te vetes se vet, dhe jo te te tjereve, sepse per keta s'dime asgje, atyre nuk iu kishte zene rrugen femija, sepse autori nuk na thote se femijen e shkelnin te tere apo tjeter. Me kupton tani ? Puna qendron, them une, tek vendosja e kameres, nuk eshte gjetur vendi i duhur. Nejse.

Per Cehovin, ohu ! ai shkruante per mjerim e ç'mjerim, sa per dijeni, Cehovi njihet ne historine letrare si rrefyesi i personazheve te vegjel. Nejse. Shendet.

Po, ky Zoteri di c'thote!

Mire qe njeh Letersine e kritiken po tani na njihka dhe kameren.

E per me teper na njihka dhe Čekhov-in.

Qe shqiptaret s'diten ta lexojne c'ka shkruar Migjeni ndjehet si percellima e shuplakes aq here sa e citojne ende sot (dhe eshte dhimbshme si mjerimi vete). Mesa duket kjo eshte nje nga arsyet qe ende sot shqipfolesit si zoteria juaj pergjithesisht te mos e ndajne qarte Mjerimin nga Varferia.

Artikulli i mesiperm e ka vene "syrin e kameres aty ku e kerkon ngjarja". Qarte dhe kthjellet.  E zbulon kuadrin e varferise duke fokusuar imazhin e urbanes qe redukton nxitimin e garen (si kjo e jotja) per tek fitore-sukseset, tek kartoni ne asfalt. 

POR, nje shkrim si ky s'duhet te prodhonte analize sepse eshte ftese per pak minuta reflektim dhe relacion me njerezoren. Ta degdisesh ne analize imazhin qe prodhon ky tekst, eshte pra MJERIMI.

Nga ai lloj mjerimi per te cilin nuk shqetesohej fare Čekhov-i meqe shkruante per qenie te larta (thene qarte ne Ostrov Sakhalin).  

 

 

 

1. Leri keto denglat e habitoreve ("qenka", "paska", etj).

2. Aq me ben per ekzibicionin, nga te tjeret, te mjerimeve dhe skamjeve.

3. Keto skamje dhe mjerime i perjetoj heshturazi.

4. As qe e kam pare kete tekst si reportazh.

5. E kam pare si tekst letrar, me nje personazh dhe nje ngjarje.

6. Dhe si i tille, kam rezervat e mia qe i kam bere te ditura.

7. Per keto moralizmat perdellimtare qe me vringellon lart e poshte, beurk !

8. Dhe mos na derdellis fort per Cehovin e qenieve te larta, por ulu e lexo mire, ne heshtje, ca vite te mira, dhe pastaj dil ne popull e mbaj fjalime.

9. E kuptoj qe leximi eshte ngazellyes, dhe nganjehere ke deshire te hipesh maje tarraces per te shpallur zbulimin qe nje tekst ka bere tek ty, por do te keshilloj qe te mesosh vetepermbajtjen.

10. Nuk ka dhjete. Jane vetem nente.

 

E bukur pika 10. Mbase vetem kjo pike te nevojitej.

ps. mund te kesh te drejte per vetepermbatjen... por po te mesonin vetepermbajtjen te gjithe, do ulej secili vec e vec, per ta perjetuar heshturazi imazhin e dhene nga frazat e shkrimit te mesiperm sipas menyres se vet, e njerezimit do t'i vdiste perfundimisht POLITIKJA. Qellon qe disa njerez e kane stervitur veten e shpirtin qe te ngrene zerin edhe kur nuk jane te sigurte nese kane te drejte. Ky eshte rasti i shkrimit te mesiperm, prandaj me pelqen!

 E shkruar bukur por dhe e dhimbeshme. Keshtu femijesh qe flene jashte ne Tirane ka shume, por shumica flene trenave, afer spitaleve e neper qoshe ku ka roje nate. 

Hurbinek,

1. ky nuk eshte nje shkrim letrar

2. ky nuk eshte reportazh

3. ku shkrim nuk ka gjini, nuk u permbahet formave te gazetarise apo letersise, ky shkrim eshte thjesht PERJETIM, fakti qe flitet per shtate vjet me pare dhe nuk eshte haruar asnje detaj nuk te thote gje ne lidhje me sinqeritetin ty ?

4. mund te te jepja argumente pafund, por fakti qe ti je nje luftetar i rendomte ne mbrojtje te kauzave te vockla dhe kryesisht interesave te vockla, (dhe per kete une nuk kam pike dyshimi), me ben te mendoj qe nuk ia vlejne me argumentet... menyra se si perpiqesh te gjesh klecka atje ku nuk ka, eshte njelloj si t'i thuash dikujt qe eshte duke qare te afermin; që ta qajë një oktavë më poshtë të vdekurin e tij...

 

Flo,

Nje shkrim futet diku. Mund te futet ne dy-tre gjini, ama futet diku. Kjo ndodh kur ngaterrohen kufinjte. Psh, duhet te kesh degjuar kur thone : ky roman eshte i paklasueshem (inclassable).

Psh, une nuk e kam lexuar, por do te kisha dashur qe dikush ta perktheje nga italishtja, apo jo Finoche ?, romani "Leopardi" eshte "inclassable". Eshte keshtu sepse nuk dine ku ta rrasin : historik ? sociologjik ? psikologjik ? apo autobiografik ?

Gjithsesi, siç e sheh dhe vete, ai mbetet nje roman.

Ti nuk mund te pretendosh te rrish jashte nje prej formave tregim, novele, roman, drame, tragjedi, etj. etj. Sepse s'ma merr mendja se ke shpikur aseksualitetin ne letersi. Ne letersi, ose je femer, ose je mashkull, ose je edhe mashkull edhe femer, por asnjehere as mashkull as femer.

Nese deshiron ta quash "perjetim", atehere mund te jete ose reportazh (mbresa dhe pershtypje), ose rrefim. Psh, libri "Afrikani" i Le Clézio eshte nje "rrefim", dhe jo nje roman i mirefillte. Ne frengjisht thuhet "récit", qe ka kuptimin edhe tregim, por gjithashtu kuptimin e se ndryshmes nga romani : mund te kesh "récit" qe shkojne deri ne 1 000 faqe, por kjo nuk eshte tregim.

Shkurt, mire e ke po nejse, ska ndonje gje. Verua veshin verejtjeve qe thashe me lart dhe pastaj eshte OK. Ti te permiresohesh pa per medaljen time, as e çaj koken. Dhe e vertete, une merrem me kauza te vockla, revolucionet me kallin daten.

Salut.

o njeri i vockel eshte hera e fundit qe po te drejtohem;

nuk  flet njeri per revolucione, eshte thjesht nje perjetim, perjetim qe mund ta perjetoje cdokush te cilit i ka mbetur ndopak shpirt diku ne ndonje rrëzë;  i majte apo i djathte qofte... me kot perpiqesh sforcerisht te  kategorizosh ato qe shkruaj une ne drejtime te cilave nuk u perkas...

ç'te ben te mendosh qe ti ke metrin apo etalonin e duhur, per te kategorizuar; ne keto apo ato, ndjesite e njerezise...?

p.s.

diku kam lexuar nje keshille shume te vlefshme per ata qe shkruajne

thoshte pak a shume keshtu: shkruani, shkruani, shkruani... nese nuk doni te mbeteni thjesht e vetem ca kritike arti...

kaq.

 

Si i thone asaj fjales :

A u lodhe o Dede,

jam tuj mjelle do qepe.

Cfare them une e çfare thua ti.  Perjetime mund te kesh sa te duash, si gjithe dynjaja. Halli eshte se kur perjetimet shtrihen ne leter, ato marrin formen e diçkaje. Se ashtu, pa me thuaj emrin e nje "gjeje" te shkruar, e qe e ke lexuar zotrote, e qe thote aty poshte : perjetim.

Nejse, shume bukur flo. Te lumte. Diten e mire.

nice flo... shume e prekshme. me pelqeu tregimi.. fillimi ishte disi so-so.. sikur nuk po mundesha tja ngulja dhembet direkt  sic do te me pelqente, por u be interesant shume shpejt. kurse 3 fjalite-paragrafe te fundit nuk me pelqejne.. tregimi perfundon shume bukur me 'te perditshmen...' indiferente, pa qene nevoja per thirje solidariste qe i gjen neper grupe alkolikesh anonim te tipit "le te shpresojme se bashku.. le te kendojme... le te themi te gjithe njeherci etj etj..." sdq ky eshte nje tregim me ndjenje edhe komenton nje te vertete dhe as komentimi e as ndjenja (pervec 3 fjalive-thirje te fundit.. dikush mund te deshiroj te bej dicka tjeter se te shpresoj.. dikush mund te doj te skuq nje berxolle e te ndez sistemin ngrohes te shtepise se vete pasi e lexon kete.. dikush mund te ndiej nevojen urgjente te shkoj ne dyqan e te blej 20 kuverta e te dal te kekroj per femi endacake qe po flene brenda kartona televizorash neper rruget e qytetit.. etj)... ca po thoja...? ah po... as komentimi e as ndjenja nuk mu duken te sforcuara.

smiley twin faleminderit

vetem se me me duhet te them qe nuk eshte letersi ky shkrim... dhe gjithashtu me duhet te shtoj qe rreshtat e fundit jane sarkastike;

ti vertet mendon qe une "shpresoj" kur shkruaj qe;

"Le të shpresojmë që këtë fund-vit, të paktën për atë natë, "zonjëzat mediatike" të mos kenë asnjë fustan për të reklamuar…"

?

p.s.

gezuar 2010 smiley

 

 

 

gezua edhe ty...

p.s. cfare e ben jo-letersi shkrimin? mua si letersi me ndihet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).