Rikthim tek Zgjedhjet – E majta nën dritën e Berishizmit dhe Antiberishizmit

Arbër Zaimi

Diskursi politik në 20 vjetët e fundit është praktikisht inekzistent, për shumë procese politike palët as që tentojnë të sjellin alternativa, duke e lënë kështu politikën shqiptare në një gjendje që formalisht mund të quhet pluralizëm (pasi ka parti që luftojnë për pushtet), por thelbësisht mbetet monizëm (pasi asnjëra nga partitë nuk reflekton ndonjë filozofi ndryshe prej tjetrës). Ama politikës nuk i mungon spektakli i debatit, një debat që nuk ngrihet mbi përballje pikëvështrimesh por mbi personalizimin ekstrem. Ky personalizim, sic edhe do të përpiqem të analizoj në këtë shkrim ka prodhuar dy qasje, berishizmin dhe antiberishizmin, dy anë të së njëjtës medalje, dy shfaqje të antipolitikës.

Një vit pas zgjedhjeve të 28 qershorit, që asokohe u trumbetuan si “hap përpara” në historinë e demokracisë shqiptare deri dhe nga vetë liderët konfliktualë e nga “sekretaret” e tyre të buzëqeshura majë podiumeve të zyrave të shtypit, e kanë marrë vesh të gjithë që nuk paskërkan patur të bëjnë me asgjë tjetër veçse me farsën e radhës, një tragjikomedi e shpifur, që përmbante në vetvete fenomene nga më të pështirat, që nga mashtrimet, vjedhjet, partitë potemkin, loja me ndërgjegjjen e nënndërgjegjjen e elektoratit (edhe me ndihmën e medias së ndotur), e deri tek vrasjet, presioni, terrori i bardhë i një sistemi pervers. Në këto zgjedhje klasa politike hyri si moniste, e bashkuar në interesin thjeshtësisht korruptiv dhe doli po njësoj. Hymë në zgjedhje në kushte të një politike disfunksionale, që nuk arrin të prodhojë kurrfarë diskursi e kurrfarë debati, e jemi ende në po ato kushte, kur debatin publik e dominojnë kutitë (nënkupto legjitimitetin ose jo të pushtetit të Berishës), ndërkohë që nuk ofrohen as kritika, as opsione alternativë për ligjet që kalojnë apo proceset e fenomenet që ndodhin. Kështu vetëm javën e fundit kaluan shtrëngimet buxhetore të cilat në emër të ruajtjes së ca parametrave fiktivë ekonomikë do të trondisin edhe më keq ekonomitë e brishta të familjeve shqiptare, sidomos të më të varfrave. Javët e fundit u shfaq skandali Prifti, e nëse opozita do të kish vërtet vullnet nuk e katandiste këtë çështje në llafe televizive, por e çonte në të gjitha etapat e drejtësisë, vinte në punë gjithë institucionet e hetimit gjersa të dilte e vërteta (këtu të vjen ndërmend Gërdeci, asnjë opozitë në botë nuk do e kish lejuar qeverinë të dilte pa e lagur bishtin nga ai skandal kriminal). Ndër të tjera, kaloi po gjatë korrikut edhe një ligj i tmerrshëm për arsimin e lartë (i cili meriton një artikull më vete), një ligj që në mënyrë krejtësisht antisociale e çon barrën e përgjegjësisë për shpenzimin e buxhetit të shtetit tek individi, nëpërmjet sistemit të kuponave, një ligj që mundëson financimin e bizneseve fitimprurëse prej parasë së përbashkët, një ligj që kufizon dijen e ia nënshtron atë tregut pa marrë parasysh se kjo shumë shpejt do të rezultojë në një katastrofë, si çdo irracionale tjetër. Për të gjitha këto nuk ka patur reagime alternative, natyrisht përveç “jo”-së formale që opozita e sotme ia plas turinjve qeverisë njësoj si të gjitha opozitat e 20 viteve të fundit.

Mungesa e paraqitjeve të kritikave e të alternativave programore në fakt dëshmojnë se ekziston një denkverbot, një ndalim i mendimit politik. Bash për këtë arsye partitë tona e meritojnë të quhen pseudopolitike apo parapolitike, veç jo politike. Politika nuk duhet kuptuar tautologjikisht si nëpër librat kitsch të amatorëve të politologjisë, si një “art i zgjedhjes”. Politika është momenti kur filozofia bëhet operative, kur ajo ndërhyn në realitet. Dhe mungesa e politikës përballë së cilës gjendemi denoncon pikërisht zbrazëtinë filozofike të partive tona, bjerrjen dhe zvetënimin mendor të së cilave e mbush më së miri spektakli i personalizimit politik që ngjan tej mase me Catch-Wrestling-un amerikan, një luftë që të gjithë e kuptojnë fare mirë se është e rreme, e megjithatë të gjithë e ndjekin me interes…

Por zhvillimet në vitin pas zgjedhjeve kanë qenë të shpejta, e siç ndodh rëndom njerëzit rendin pas informacionit që frenetikisht rrjedh, i programuar për të mos lënë kohë për reflektim mbi fenomene e procese. Pak kanë rëndësi këto, rëndësi ka rezultati, apo jo? Rëndësi ka ndarja e tortës tek e cila kemi sytë të gjithë edhe pse nuk ditëm as kësaj radhe të mbërrijmë të torta në mënyrë të civilizuar, pa shtyrë, pa shkelur, pa pështyrë, si shqiptarë të mirë që jemi. Sovrani popull votoi i hutuar nga një fushatë jo etike mashtrimesh, u vodh pasi votoi, iu përplasën syve exit-polls dhe rezultate paraprake e përfundimtare, doli në protesta për hapjen e kutive, festoi për një vjetorin e anëtarësimit në NATO, bëri grevë urie për votën e lirë, dhe së fundi u dërgua zyrtarisht me pushime nga udhëheqësit e të gjitha krahëve. Me atë heshtjen e vet që e karakterizon, me urtësinë e naivitetin e një populli fëmijë, legjitimoi këtë situatë, që s’ mbetet veç ta analizojmë. Në krevatin e tij të lëngimit sovrani popull belbëzoi alea est iacta, plaudite.

Duartrokitjet

Kur vota e popullit, apo dalja e popullit në shesh për miting, grevë a demonstratë të dikton duartrokitjen, nuk ke ç’bën, do rrahësh duart përballë këtij spektakli të dështuar e faqe këtij humori të zi realpolitik që e servirin kinse si një sërë evenimentesh të sinqerta moralpolitike.

Në zgjedhjet e vjetshme “titanët” që përballeshin ishin Rama dhe Berisha (e pas tyre ushtria e lakejve). Dy “titanët” pasi i dhanë dorën njëri-tjetrit në prill të 2008, vendosën të caktojnë kushtet e luftës. Synimi i Berishës ishte të mposhtte Ramën dhe të qëndronte në pushtet, ndërsa synimi i Ramës ishte që të mposhtte Berishën, po mbi të gjitha të konfirmonte hegjemoninë e vet në të majtë të spektrit politik, duke shkatërruar “partizën” e Metës e çdo grup tjetër që mund t’i fuste shkopinj nëpër rrota. Që këtu Berisha u avantazhua, pasi në kampin kundërshtar nuk kish plane të qarta, por thjesht konfuzion, dhe një luftë brenda kampit.

Analiza e situatës është mirë të fillojë me sqarimin që në këto zgjedhje Shqipëria vendosej para katër mundësive (që përfaqësonin vetëm dy alternativa reale). Ishin PS, LSI dhe Poli i Lirisë që përfaqësonin politikën antiberishiane dhe PD, që natyrshëm qëndronte në konfirmim të historisë së saj, dhe politikës berishiane. Ky sqarim duhet mbajtur parasysh gjithnjë, në Shqipëri nuk pati kampe të majta e të djathta, por vetëm anti e pro Berisha. Për politologët që ende nuk e njohin mirë Shqipërinë, vlen të theksohet se “Berisha” dhe “berishiane” nuk qëndrojnë për ndonjë filozof apo mendimtar të politikës, por për një lider tranzicional autoritar, të cilin shumë e duan pse i ka futur në punë ata apo ndonjë të afërm të tyre, e shumë e urrejnë pse i ka hequr nga puna ata, apo ndonjë të tarafit. Pra në elitë e në popull, kryefjala e këtyre zgjedhjeve, thelbi i paradigmës politike të të gjitha krahëve ka qenë Berisha dhe praktikat e tij tribale-klanore për të shpërndarë të mirat që të jep pushteti. Mirëpo duke qenë se e njëjta logjikë mund të përdoret negativisht për të definuar dhe antiberishianët, mund të themi se nuk ka ndonjë dallim thelbësor midis berishizmit dhe antiberishizmit, dy anë të së njëjtës medalje të politikës korruptive, të partive të dominuara nga lideri e të debatit të dominuar nga personalizimi, në dëm të argumentit.

Le të bëjmë një shikim të shpejtë të atyre që deshën t’ia merrnin pushtetin Berishës në zgjedhjet e shkuara, opsionet që ata sillnin, vizioni që kishin, mënyra me të cilën punuan:

PS, trashëgimtare (e vetëmohuar disa herë) e PPSH-së është fenomen tipik i vendeve lindore që nuk e hodhën vetë komunizmin, por pritën të kolapsonte ngadalë (përshembull Rusia, Rumania apo Bullgaria). Në mënyrë të ngjashme me simotrat e veta PS nuk trashëgoi asnjë lloj ideologjie nga paraardhësja e saj. Është e qartë që partitë udhëheqëse në Bllokun Lindor, edhe pse mbanin emra e etiketa si “komunistë”, “socialistë” apo “laburistë”, ç’prej kohësh i kishin humbur idealet e ideologjinë (a ndoshta nuk i kanë patur kurrë ato), e qenë shndërruar në aparatura të ngadalta burokratike të mbushura me njerëz oportunistë nga më të pamoralshmit. Kështu PS lindi prej një partie që veç në kopertinë mbante ngjyrën e kuqe, sepse në thelb s’mbante veç ngjyrën e verdhë të parasë.

Mes vuajtjeve të para (ku reagimi popullor antidiktatorial u drejtua disi edhe kundër PS), socialistët ditën të tërheqin turmat e pakënaqura nga Berisha, që për hir të reformave, po shumë më shpesh për hir të një shteti korruptiv e konjuktural që po formonte (edhe ky fenomen i ngjashëm me Rusinë apo Rumaninë e post ’89), kishte lënë shumë njerëz pa punë, e ç’është më e keqja, pa shpresë, pa vizion për të ardhmen, jetimë në atdheun e tyre. Paradigma legjitimuese e PD-së dhe e Berishës qe antikomunizmi, një paradigmë reaksionare që nuk vonoi të ketë viktima, duke shpënë në burg dhe kryetarin e opozitës (që fitoi një aureolë të pamerituar heroi me këtë rast). Meqenëse “komunistët” na qenkërkëshin këta të PS-së që për pasojë nuk dilnin dot me ndonjë slogan antidemokratik, u fokusuan te vetë Berisha, dhe shpikën antiberishizmin.

Antiberishizmi mbeti në rend të ditës tek e majta shqiptare deri sot e kësaj dite, parti të vogla e të mëdha, përfshi dhe fraksionin e LSI-së (që pas koalicionit me PD natyrisht ktheu faqe) vazhduan ta përdorin si strumbullar të politikës së tyre, njësoj siç bën ende në konferencat gjithnjë e më të rralla për shkak të pushimeve, lideri i opozitës, Edi Rama.

Ku qëndroi problemi?

Fokusimi i politikës tek një person i vetëm, heqja apo ruajtja e tij, së pari është mashtrim i keqformuar që mund të përtypet vetëm nga një publik dement. Pasi të gjithë e dinë që nëse opozita do të merrte pushtetin, ikja e Berishës do të kryhej brenda çastit, ndërkohë që vijojnë dhe katër vjet të tjerë për të cilat duhet të ketë ca plane e ca vizione të qarta e transparente.

Së dyti, fenomeni i antiberishizmit nuk lejoi zhvillimin e një diskursi politik që ndoshta do të mund të sillte krijimin e një të majte moderne që i përshtatet antropologjisë sociale të Shqipërisë së sotme (ky fenomen ka ndodhur në vendet lindore me kulturë institucionale e politike, vende që diktaturën totalitare e rrëzuan vetë e nuk pritën t’u shembej mbi koka, si Polonia apo Çekia). Shtypja e diskursit konstruktiv apo kritik për krijimin e një të majte reale është realisht një mëkat i madh që i bëhet një populli të përbërë në masë dërrmuese nga shtresa që kanë nevojë urgjente për politika të ekuilibruara nga ana sociale, e jo për dorën magjike të tregut (kryesisht informal) që zhvillohet këndej.

Fenomeni i antiberishizmit s’është veçse një ambalazh që mbulon dëshirën e njëkohësisht pamundësinë për të qenë haptazi berishistë, për të qenë po aq populistë, po aq hegjemonë e ndërtues klanesh. Sjellja e Ramës brenda PS-së, sajimi i zgjedhjeve me Maqon, mënjanimi i çdo kundërshtimi dhe injorimi i çdo debati të brendshëm e tregon fare qartë këtë. Ndërkohë duhet mbajtur parasysh se antiberishizmi dhe çdo lloj personalizimi tjetër i politikës nuk përbën qasje parimore dhe nuk sjell me vete asnjë përgjegjësi. Këtë e demonstron më së miri rasti i Metës, që nuk e pati për gjë të kalojë në kampin tjetër ndërkohë që partia e vet ndoqi si trup i vetëm, duke e ndihmuar madje të linçojë ata pak disidentë që dolën…

Që para zgjedhjeve e deri më sot, pikërisht duke dëshmuar se antiberishizmi s’është gjë tjetër veçse berishizëm i mbuluar, PS e Ramës ka qenë më tepër e fokusuar tek zhdukja e LSI-së, partive të vogla të majta dhe individëve që mund të rrezikonin Ramën (ata që thonë se qenka mirë që të zhduken partitë e vogla, nuk kërkojnë demokraci por oligarki dhe nuk bëjnë gjë tjetër veçse përsërisin Berishën që nuk ka patur skrupuj në përjashtime apo në ngrirje të kujtdo që nuk i gjegjej péqe). Kjo parti e madhe e opozitës nuk mbërriti kurrë, ashtu e orientuar drejt spektaklit, vitrinave dhe kopertinave, të ofrojë qoftë dhe një hije mendimi politik të majtë, programi apo vizioni.

Sa për LSI-në, nuk ka dyshim që kjo ishte një parti krejt pragmatiste. Ilir Meta i pati shanset të krijonte një parti të majtë diku mes 2005 dhe 2007, por i fokusuar tek fuqizimi ekonomik ai e ktheu partinë në një stan biznesmenësh, ndërkohë që anëtarët ishin kryesisht të punësuarit apo kushërinjtë e këtyre biznesmenëve. Pa një kapacitet real për të zhvilluar diskurs politik, LSI gjatë gjithë kohës ka qenë një parti pa pozicion në spektrin politik shqiptar, një parti që ende nuk e ka kuptuar se nëse nuk merr masa të menjëhershme për të ndërtuar një identitet politik e për të bërë çmos që të ndryshojë kodi elektoral, do të mbytet shumë shpejt nën sqetullën e bacë Berishës.

Poli i Lirisë ndryshe nga dy partitë e mëparshme, nën ombrellën e antiberishizmit deshi të krijonte atmosferë të djathtë, një përzierje retorikash tradicionaliste – konservatore – religjioze – liberale, e bëri në të vërtetë mishmash politik ku binin në sy ca figura të ngritura e të shpluhurosura nga dosjet më të hershme të PD-së. Edhe këta ashtu si Meta, elektoratin e kishin kryesisht konjuktural të ngushtë, kushërinj, të njohur, e njerëz me të cilët i lidhte ndonjë marrëdhënie ekonomike.

Sado të vogla elektoratet e Polit të Lirisë apo LSI-së ato u vodhën në mënyrë domethënëse. Në asnjë dokument ligjor të Shqipërisë nuk di të garantohet liria e vjedhjes ndaj më të vegjëlve, dhe moralisht ky është një krim ndaj demokracisë, nëse ndokush e ka patur ndonjëherë për zemër këtë sistem utopik. Këto parti, e parti të tjera të vogla, u vodhën haptazi prej PD dhe PS, që sipas të gjitha gjasave e kanë vazhduar mirëkuptimin e tyre edhe në mes të luftës, duke forcuar pozitat e liderëve përballë elektoratit të vet përmes kësaj lufte misenscene që na u servir si ngjarje e madhe historike.

Faktori tjetër, berishianët e PD ndërkohë mbërritën pa shumë mundime të kalojnë para, falë dritëshkurtësisë të Edi Ramës. Mungesa e strategëve të mirëfilltë politikë në PS, largimi i atyre që njohin terrenin (për t’i hapur vendin çunave dhe gocave posh që rreshtohen më lehtë), mungesa e statisticienëve të mirë (mjaft të aplikonin shifrat e 2005 në këtë formulë për të parë që s’fitonin), imazhi negativ dhe snob i Edi Ramës e entourage-it të tij, por mbi të gjitha arroganca e një vakuumi të dukshëm, bënë që vetë socialistët e bazës të punonin me gjysëm zemre për Edin, që i urdhëroi të promovonin kandidatë të panjohur, të sapoimportuar nga “jashtështetit”.

Fitorja e PD do të thotë shumë për Berishën. Ajo i garanton këtij testadura të tranzicionit një pushtet të gjatë e të qetë për këto arsye. Së pari ky rezultat ka shkaktuar probleme të brendshme në PS, përplasje mes mbështetësve të Ramës (deputetë të rinj e biznesmenë), dhe kundërshtarëve të tij (popull votues që do rrijë dhe katër vjet pa punë). Kjo përplasje ka për t’u bërë edhe më e qartë në prag të zgjedhjeve lokale, dhe mund të sjellë një shkundje të opozitës nga themelet, që ndoshta do të vërë në diskutim Ramën. Planet e Berishës kanë ecur më së miri, vijimi i privatizimeve korruptive, kalcifikimi i klaneve që kontrollojnë gjithçka, e mbi të gjitha meritat e mëdha të “Rrugës së Kombit” apo pranimit të “Statusit të Kandidatit”, ia bëjnë tepër të lehtë Berishës mbarëvajtjen e këtij mandati, madje dhe pretendimin e të tretit.

Pra në krye të shtetit mbeti krimi, korrupsioni, i përforcuar e i lustruar prej ndërkombëtarëve. Por edhe para zgjedhjeve, nuk kishte ndonjë alternativë shprese. Privatizim, liberalizim, treg i shfrenuar, informalitet, korrupsion e mbi të gjitha krim, ishin shtyllat politike të të gjitha krahëve, berishianë ose jo. Hynë në këto zgjedhje si politikë e bashkuar, e dalin edhe më të bashkuar. S’mbetet të themi veçse rroftë monizmi korruptiv që përparon me hapa galopantë drejt një të ardhmeje të pasigurt, ndërkohë që presim me padurim të lindë prej kushteve aktuale një diskurs i majtë që do të dijë të përdorë dialektikën e analitikën, që nuk do të ketë frikë të mendojë e të kritikojë strukturat boshe të liberalizmit shqiptar, që nuk ka pse të ketë frikë të shkëputet nga e kaluara në emër të së ardhmes, që do të dijë të shtrojë parime e premisa, që do të paraqesë programe e jo faqe bosh, si ato të turpshmet që iu dhanë Rexhep Mejdanit, që do të dijë të flasë e të dialogojë me logjikën e me arsyen e popullit, e jo me instiktet e fetishet e tij. Nuk ka kuptim të quash radikale një pseudo të majtë që nis aksione pa thelb, që paraqet formë pa përmbajtje. Prodhimi i filozofisë politike dhe alternativave programore që rrjedhin prej saj përbëjnë të vetmin ndryshim radikal që i duhet të majtës.

39 Komente

Arber, ajo dhurata qe te dha emo te nje teme tjeter, por dy ngjyra me lart.

Kam vetem nje problem te "vockel".  Zgjidhja qe propozohet ne paragrafin e fundit, nuk me duket zgjidhje.  Mbetet abstrakte ne nje kohe qe nuk e kemi luksin per te.  

pse qenka luks fjala? nuk ka mjet me te mire mobilizues.

Luks kohe.  Nuk di ne ka kohe per prodhim filozofie e diskurs dialektik sidomos ne mungese platformash gjitheperfshirese per shoqerine. 
Nga ana tjeter mund te me akuzosh edhe mua per luks, nqs kerkoj ndryshime nga baza, aksione civile me efekt "trickle up".  Keto "trickle down" sikur s'para dalin mire. 

PS: Po me the qe "ne fillim ishte fjala" do te te them qe Keshilli i Niceas e shkroi 300 e kusur vjet me vone per popllin smiley.

"ne fillim ishte fjala" duhet zhveshur nga konteksti fetar dhe duhet kuptuar ashtu sic eshte thene nga evangjelistet, pra ne sens krejtesisht e teresisht politik. Mjaft me lexu ate francezin tek "Classes and Classifications", sidomos te dy pjeset e fundit The Classifications Struggle dhe The Reality of the Representation and the Representation of the Reality. Lexoje se ka per te t'u dukur interesante, merret gjere e gjate me fjalen (politike). Fjala, edhe pse nuk e percjell teresisht realitetin, prodhon realitet. Dhe eshte menyra e vetme per te tejkaluar rrethanat partikulare, per te nxjerre prej tyre universalen qe ne rastin e shkrimit tim do te qe nje alternative krejt e re politike.

Ajo qe pretendoj une nuk ka te beje me PS-ne qe u dashka te beje ndonje program te detajuar ku te tregoje ne menyre transparente se cfare do te bente ne qeverisje. Nuk me intereson hic transparenca apo detajimi i pritshmerive. Nga PS-ja pres qe te shfaqe nje tendence tjeter. Do te mjaftonte psh te shprehej shkurt e qarte qe ne fokus te politikave te saj do te qe forcimi i publikes perkundrejt privates (ne menyre te balancuar) dhe zbutja e diferencave socio-ekonomike (ngushtimi i hendekut). Kaq do te mjaftonte, mjaftojne pak fjale per te prodhuar nje realitet te ri.

http://www.marxists.org/reference/subject/philosophy/works/fr/bourdieu.htm

Sigurisht qe fjala ka shume rendesi ! Ka patur nje bjerrje te saj, deri edhe te vete diskursit politik ne keto 10 vitet e fundit, ne gjithe hapsiren politike nderkombetare (Bush, Blair, Sarkozy...). Biles mendimi im eshte qe pikerisht, aa konfirmojne kete bjerrje ! (dhe kjo nuk ka lidhje fare nese jane te njerit krah politik apo te tjetrit).
Obama eshte nje rikthim (per tu pershendetur) i ketij diskursi. Thene shkoqur, sikur qofte dhe paketen per Sigurimin Shendetesor qe miratoi, se pari, por dhe se dyti, me fjale e solli ne tavoline !
Fundja dhe ne, "me fjalë" po merremi !! Dhe mire bejme (aq sa mundemi).

Flm per linkun Stalker, dhe sol-noct per sygjerimin.  Neser me kafe qe ne mengjes smiley.

Meqe e permende Stalker, Obama eshte epitome e zhvleresimit te fjales, ose te fjaleve pa bereqet, dhe nuk keshillohet aspak per shembull.  Ceshtja e Sigurimit Shendetsor eshte diskutuar gjere e gjate ne peshk, keshtu qe nuk ia vlen te zgjatem. 

@ sol:

Do te mjaftonte psh te shprehej shkurt e qarte qe ne fokus te politikave te saj do te qe forcimi i publikes perkundrejt privates (ne menyre te balancuar) dhe zbutja e diferencave socio-ekonomike (ngushtimi i hendekut). Kaq do te mjaftonte, mjaftojne pak fjale per te prodhuar nje realitet te ri.

Ta zeme se u shprehen shkurt e qarte (e pamundur per shume arsye por ta zeme) ne kete menyre, por ne fakt ne realitet tjeter thone e tjeter bejne, atehere c'vlere ka? 

Nga dy partite kryesore politike me duket e lodhshme te presesh.  Ndersa per "fjalen" po i referohesha ne menyre me te gjere diskursit filozofik.  Makro-skemat per nga vete natyra duan kushte te posatcme qe te aplikohen.  Per kete arsye, per efikacitet dhe per permbushje nevojash urgjente te shoqerise, personalisht do anoja me shume nga mikro-skemat te te gjitha formave, qofshin keto edhe teorike, por me teper praktike, e te realizueshme.

Obama eshte epitome e zhvleresimit te fjales, ose te fjaleve pa bereqet, dhe nuk keshillohet aspak per shembull.
...

Ta zeme se u shprehën shkurt e qarte (e pamundur per shume arsye por ta zeme) ne kete menyre, por ne fakt ne realitet tjeter thone e tjeter bejne, atehere c'vlere ka?

 

Nuk flasim per te njejten fjalë. Per ty, fjala nuk ka vlere, nese nuk vihet ne jete. Per mua po : mjafton te thuhet tashmë. 

Por e perseris: nuk flasim per te njejten fjalë. Une doja te thosha qe Bush, Blair apo Sarkozy, nuk perdorin fjalen ne diskurs, por lloqen, pallavren. Ndersa Obama perdor fjalen (e mban apo jo atë, eshte krejt tjeter gje !). 
Nese ti thua se edhe Obama eshte epitome e zhvleresimit te fjales, kjo do te thote se e fut ne te njejtin grup me te lartpermendurit, pra edhe ai nxjerr pallavra nga goja, dhe jo fjale ?? uhhhh... !
Me jep nje shembull te fjales, atehere !

Nje shembull: Elisabeth Warren. Te jete per Shtepine e Bardhe ajo fjale nuk perdorej.

PS: Stalker, pikenisjet tona jane te ndryshme.  Kur permend Europen, apo politiken dhe politikanet atje ne krahasim me US, duhet te kihen parasysh edhe ca ndryshime te tjera.  Mekanizmat sociale qe ekzistojne ne Europe, nuk ekzistojne ketu, ose ose, jane shume te dobeta.  Keshtu qe fjalet peshojne ndryshe. 

Monda, le qe eshte e pamundur te shprehesh nje aspirate e te veprosh teresisht kunder saj, sepse vete zotimi ushtron rol detyrues sado minimal, por edhe ne rastin e fjaleve krejt te kota e krejt bosh, ka nje vlere te shtuar. Gjithsesi, ate pjesen e Bourdieu nuk ta solla kot shihe, e ndoshta shkurtojme biseden smiley

heren tjeter do te te sjell wittgensteinin smiley

Ky personalizim, sic edhe do të përpiqem të analizoj në këtë shkrim ka prodhuar dy qasje, berishizmin dhe antiberishizmin, dy anë të së njëjtës medalje, dy shfaqje të antipolitikës.

 

Qasje qe kane pershkuar dhe peshkun rendshem.  E ngrita dje problemin e nivelit te debatit ne peshk, kur po shikoja postimet nga dy vjet me pare per shkrimin e Ypit (Mozaik me gjak e llum), dhe do te thoja qe nje nga pengesat kryesore per debat konstruktiv ketu ne peshk (midis shume te tjerash) eshte pikerisht kjo qasje.   Ne cdo teme te cdo fushe qofte kjo politike, ekonomi, letersi, histori, shkence, ngjarje dite, humor apo ku di une, nuk ngelet pa u perdor kjo qasje per te sulmuar argumentin e tjetrit.  Nuk ngelet pa u permendur Vicidoli, Bathorja, mixha, baca etj etj.  Nuk ngelet pa ironizuar me perqeshjen e dickaje qe i ngjan nje dialekti geg. Nuk ngelet pa hyre ne valle krahinarizmi i peshtire. 

Disa gjeni te llogjikes, shkruanin dje tek tema e Ypit ne kundershtim me heqjen e mozaikut, gjithe ironi, se "me ca do ta zevendesojme, me mozaik te pishtarit dhe metes?"  "hajde ta cojme ne bathore, dhe ne vend te tij te biem bathoren ketu" e te tjera xhevahire te kalibrit me te larte.  Me e forta eshte se ketyre gjenive ju duket vetja me vertete te formuar intelektualisht, por me keto procka qe thone bien pikerisht ne nivelin e atyre bathorakeve qe percmojne gjithe gezim.

 

Që para zgjedhjeve e deri më sot, pikërisht duke dëshmuar se antiberishizmi s’është gjë tjetër veçse berishizëm i mbuluar

Shume mizor je ketu.  Besoj se gjenite e bathores, vicidolit, mixhes etj etj. e dinin kete gje ne menyre subkoishente, por ti nuk duhet t'ia u thoje kaq haptazi sepse ka per t'iu shkaktuar nje konfuzion dhe kaos te madh psikologjik, e ka bere ti bere hezitant ne perdorimin e antiberishizmit ne cdo teme e cdo argument qe behet ne peshk.  Do na lesh pa argetim athere...

p.s. Propozoj qe kjo "Fenomeni i antiberishizmit s’është veçse një ambalazh që mbulon dëshirën e njëkohësisht pamundësinë për të qenë haptazi berishistë" ose kjo "antiberishizmi s’është gjë tjetër veçse berishizëm i mbuluar" te behet thenie e dites.

fenomeni i antiberishizmit nuk lejoi zhvillimin e një diskursi politik që ndoshta do të mund të sillte krijimin e një të majte moderne që i përshtatet antropologjisë sociale të Shqipërisë së sotme (ky fenomen ka ndodhur në vendet lindore me kulturë institucionale e politike, vende që diktaturën totalitare e rrëzuan vetë e nuk pritën t’u shembej mbi koka, si Polonia apo Çekia)

Privatizim, liberalizim, treg i shfrenuar, informalitet, korrupsion e mbi të gjitha krim, ishin shtyllat politike të të gjitha krahëve, berishianë ose jo. Hynë në këto zgjedhje si politikë e bashkuar, e dalin edhe më të bashkuar. S’mbetet të themi veçse rroftë monizmi korruptiv

 

 

Ne keto 20 vite, jo rralle me ka ardhur ne mendje shprehja cinike e politikanit më cinik shqiptar te ketyre 100 viteve te fundit, Ramiz Alise, tek thoshte ne fund te viteve '80 : "Shqiperia nuk mund te beje pluralizem !".

I doli fjala !

eh...

 

Ne fakt Berisha ka me te forten:

Shqiptaret nuk kane kulture per pluralizem.

Qafo je kopuk me duket .

Eshte shenimi qe ka vene Ai ....kur i propozuan per me teper Liberalizem e Demokraci ...

Populli ine akoma nuk e ka ate  kulture e eshte i papergatitur per Demokraci  smiley

Qafooooooooo ! Berisha edhe ne se e ka thene e ka te lexuar ashtu sic di AI , me laps ne dore Veprat e Partise dhe sh Enver .

Sa ka ketu qe e permendin ne forme mendimi gjenial personal aq te mira qofshin .

Dhe sa per orientim lexo keta qe jane "antikomuniste" por pasi e shajne dhe e mallkojne , se atehere del e paster se si mendojne smiley

Shumë vërejtje, jashtë mase shumë...

1. thua: nuk ka dialog politik. Po t'i bëjmë një kthim pas të gjithë ngjarjeve politike, do të shohim të njëjtën panoramë sa herë që ka patur përplasje politike midis dy forcave kryesore.

- Gërdeci. Balla akuzon Berishën për implikimin e të birit ndërsa ky në një fjalim të pështirë dhe të fëlliqur, e shan nga motra.

- Kriza paszgjedhore e kutive. Rama i kërkon të hapen kutitë (kërkesë e drejtë apo e padrejtë, por gjithsesi ngelet politike. Berisha bën përsëri një fjalim përsëri të ndyrë e të pështirë dhe i thotë skizofren (ndër të tjera)

- Problemi i tanishëm, Prifti. PS përsëri kërkon transparencë dhe Prifti nën shembullin e sugardaddy-t të vet politik, i thotë ti merr drogë.

Një njeri normal nuk ka sesi të mos vërë re që debatit gjithnjë i janë vënë dhe i vihen minat nga i njëjti person. Eh ska pikë mundësie të mos kthehet në klishe, por personi i njëjtë që minon debatin, është Berisha.

Problemi tjetër... Kemi një person në krye, që e ka çuar vendin në kolaps financiar dhe më pas social para 14 vitesh edhe përsëri është sot në pushtet. Unë nuk e di se çfarë debati politik mund të hapësh me një vrasës. Nuk di të vendosem përpara një vrasësi, çfarë mund të bisedoj me të politikisht. Për çfarë ta pyes? Për mendimin e tij mbi ekonominë? Si duhet të jetë, ekonomi e lirë tregu, apo e kontrolluar nga shteti? Për çfarë të hap debat? Çfarë t'i them për privatizimet? Për shifrat ekonomike, integrimin etj?

Problemi tjetër.

Po bëhet një abuzim i tmerrshëm për mendimin tim me shifrat reale ekonomike. Mbi çfarë bazash do të mundet kush të bëjë opozitë ndaj dikujt që deklaron se Shqipëria ka rritjen më të madhe ekonomike në Evropë? Të rendit shifrat e eksportit, thotë se shton buxhetin. Unë nuk di të them gjë, por minimumi që duhet të ketë një person që të pranoj të diskutoj me të, do të ishte ndershmëria intelektuale dhe besimi. Berishës këto i mungojnë të dyja.

Problemi tjetër.

Berisha si politikan, nuk lindi në vitin 2005, atëherë kur fitoi përsëri zgjedhjet dhe pushtetin. Berisha ka bërë rrugë të gjatë në politikë. Ka kaluar në peripeci të pakaluara nga një politikan tjetër. Që nga kolapsi financiar, deri tek djegia e selisë së gazetave, rrahja e opozitarëve, kërcënimet, shtet terrori. E megjithatë ty Arbër, të duket se është baraz me antiberishizmin e supozuar të Ramës për çka thua ti ky bëri me Lakrorin. Duhet shumë sforco të vendosësh shenjë barazimi këtu.

Problemi tjetër.

Kur dikush është në pushtet, ai dikton ndarjen e klasave të votuesve dhe ndikon në formimin e indit social sipas kësaj ndarjeje. Në momentin që pranohet se Berisha është klanor, të supozosh se antiberishët siç i quan, janë klanorë, është fallacy llogjike. Për më shumë vërtetohet kjo, kur të tjerët nuk janë provuar në pushtet. Ky është hamendësim, dhe kalimi nga njëri krahasim te tjetri, nuk bëhet vetëm me pohimin e një llafi goje. Madje kjo lloj mënyre të menduari, ofron një mentalitet impotent dhe llogjikja e përfundimit të shkrimit, sipas kësaj, nuk do ishte gjë tjetër veç dorëzimit pa kushte.

Fundja, mbase keni të drejtë. Berisha është carderr dhe mungesa e tij në të pasmet e shqiptarëve, do të krijonte boshllëk që nuk do mbushej dot.

 

Bravo O.L.!

Jul,

nuk e kuptoj se ku e ke kundershtimin? une nuk po mohoj qe ka batuta e kunderbatuta, denoncime e kunderdenoncime, por fakti eshte se deri me sot nuk ka asnje politikan elitar te denuar per korrupsion, asnje funksionar te larte, dhe asnje gjyqtar. Palet kane qene ne pushtet te gjitha....

Pervec kesaj, ajo qe po kritikoj une nuk eshte mungesa e sherrit, por mungesa e debatit politik, mungesa e aftesise diskursionaliste. Nuk eshte ceshtja qe opozita te beje "okulistin" dhe te korrigjoje "miopine" e qeverisjes, duke treguar se si qeverisja ka deshtuar te shohe kete apo ate problem. Se keshtu i bie qe Rama te jete Berishe minus miopi.

Une po pretendoj qe nga opozita te behet nje lexim alternativ i situates, i realitetit. Kjo do te jepte mundesine e zgjedhjes. Perndryshe mbetemi ne gracken e zgjidhjes se detyruar, ku "integrimi", "transparenca", "ekuilibri ekonomik", "hapja e tregut" etj etj mbeten te vetmet opsione te pashmangshme, dhe debati kufizohet mbi "sa mire" e bej une dhe "sa keq" e ben ti, te njejten gje ama... ne kete lloj perspektive Rama shfaqet thjesht si nje Berishe "me performativ"...

Une po pretendoj qe nga opozita te behet nje lexim alternativ i situates, i realitetit...

Pikërisht këtu qëndron gabimi yt Arbër.

Pasi rendite inegzistëncën e dallimeve dhe tërësinë e ngjasimeve mes "programeve" të dy grupimeve kryesore politike, NUK MUND TË PRESËSH lexim nga njëra apo tjetra palë... nëse ke bythë dhe do të flasësh siç duhet (dhe s'e kam fjalën të thërrasësh popullin për revolucion smiley ), vër gishtin mbi atë që po gangrenizon demokracinë në Shqipëri: Sistemin elektoral... Pa u ndërruar ai sistem elektoral, në parlament do kemi vetëm Berishizëm dhe antiberishizëm (a thua se Berlusconismi dhe antiberlusconismi e ndritën në politikën italiane këto 20 vjetët e fundit, sa për të parë përvojën italjane).

Vetëm kur të kemi mundësinë që të shprehim REALISHT vullnetin tonë si votues, kur ta dimë që votën po ja japim X-it apo Ypsilonit dhe do dimë kujt t'i kërkojmë llogari (apo mos ta votojmë herën tjetër), vetëm atëhere në parlament do shkojnë njerëz që s'kanë pse t'ju ngelen sytë nga listat e partive.

P.s: Ëndërruam një vend demokratik dhe pluripartiak për të përfunduar të shikojmë një monizëm akoma më të fëlliqur nga ai i shkuari ... për të arritur në një sistem ku na duhet të votojmë o për njërin o për tjetrin, dhe ... nga e kuqja apo e zeza e ruletës elektorale shqiptare, të shpresojmë që të dalë zeroja smiley

Me duket se e vuri gishtin tek gangrena.  Mund te thuash qe s'i vuri shqelmin, por e ka permendur pak a shume "ligjin elektoral" qe votuan e negociuan dy luanet, ose ose "kushtet e luftes."  Plus qe per kete eshte shkruar goxha.   

Nqs e ke fjalen per ligjin me tej, per nje sistem republike perfaqesuese, e jo per nje sistem partiake perfaqesuese (dmth heqjen komplet te idese se listave) tjeter gje.  Por kjo do te kerkonte nje impenjim masiv, referendume me mijera firma (nuk e di ne ekziston mundesia e ndryshimit te kushtetutes me referendum.)  Dhe "lufte" e hapur me pushtetin ne fuqi, nga te dyja anet. 

edo, kam pershtypjen qe e kemi denoncuar sistemin elektoral qe kur u "ngjiz", dhe e bejme vazhdimisht. Ti nga ana jote, ke pas naicik bythe? smiley

hihihihi, c'ne me sistemin elektoral ju mer bab? ju keni sistem politik tjeter, pa sisteme elektorale fare, ose e shumta i zgjedhni perfaqesuesit keshtu fshatce ne lendine te madhe diten me diell.

 Balla akuzon Berishën për implikimin e të birit ndërsa ky në një fjalim të pështirë dhe të fëlliqur, e shan nga motra.

 

Gabim.  Shikoje per ca e akuzon:

http://www.youtube.com/watch?v=620mGpwAlNA

 

Një njeri normal nuk ka sesi të mos vërë re që debatit gjithnjë i janë vënë dhe i vihen minat nga i njëjti person. Eh ska pikë mundësie të mos kthehet në klishe, por personi i njëjtë që minon debatin, është Berisha.

Problemi tjetër... Kemi një person në krye, që e ka çuar vendin në kolaps financiar dhe më pas social para 14 vitesh edhe përsëri është sot në pushtet. Unë nuk e di se çfarë debati politik mund të hapësh me një vrasës. Nuk di të vendosem përpara një vrasësi, çfarë mund të bisedoj me të politikisht. Për çfarë ta pyes? Për mendimin e tij mbi ekonominë? Si duhet të jetë, ekonomi e lirë tregu, apo e kontrolluar nga shteti? Për çfarë të hap debat? Çfarë t'i them për privatizimet? Për shifrat ekonomike, integrimin etj?

Pra eshte kriminel, minon debatin, i paafte, genjeshtar, i pandershem, i pabesueshem etj etj.  Nuk ka se si te debatohet me kete njeri.  Duhet hequr me force nga pushteti.  Ok, kjo u be njehere.  Po pse nuk u kalb ne burg athere nga socialistet duke e ditur qe ai kishte bere gjithe keto krime " Që nga kolapsi financiar, deri tek djegia e selisë së gazetave, rrahja e opozitarëve, kërcënimet, shtet terrori"?  Pse nuk u arrestua per grusht shteti ne 1998?  Pse u la i lire jo vetem per te gjitha krimet qe kishte bere, por edhe ti rikthehej politikes e me vone te arrinte te rikthehej ne pushtet?  Ishte ceshtje mundesie apo vullneti? Sigurisht qe keto  vese ky i ka pasur qe athere dhe nuk i zhvilloi kohet e fundit, apo jo?  Athere cfare prisnin socialistet nga ky njeri, qe mbase do ndryshonte me kohen?  Apo ka dicka me te thelle ketu?  Si arriten socialistet te benin gjithe ato marreveshje me kete megaloman te pandreqshem, qe nga kadindatura per presidencen me Moisiun e deri tek ndryshimet kushtetuese ne prill te 2008?  Si arrijne keta sot e kesaj dite te ulen e te bejne bisedime me kete njeri ne tryeza te njepasnjeshme?  Mos valle jane idioter qe nuk mesojne nga gabimet e tyre apo ka dicka tjeter qe ti nuk e di ose refuzon ta kuptosh?

 

Në momentin që pranohet se Berisha është klanor, të supozosh se antiberishët siç i quan, janë klanorë, është fallacy llogjike. Për më shumë vërtetohet kjo, kur të tjerët nuk janë provuar në pushtet. Ky është hamendësim, dhe kalimi nga njëri krahasim te tjetri, nuk bëhet vetëm me pohimin e një llafi goje.

Jo nuk eshte aspak falsitet logjik, por nje kunkluzion goxha i mire empirik.  Te thuash qe nuk jane klanore, jo vetem socialistet por te gjitha partite politike eshte e pakta naivitet foshnjor dhe e shumta anesi e qellishme politike.  Te tjeret nuk jane provuar ne pushtet?  Mos valle e harrove periudhen nga 1997-ta deri ne 2005? A nuk hoqen nga puna te gjithe mbeshtetesit e PD-se dhe Berishes dhe a nuk punesuan te gjithe antaret dhe mbeshtetesit e klanit te tyre?  A nuk geloi korrupsioni, krimi, informaliteti? A nuk u kamen goxha mire klientet e PS-se?  Mua s'ma do mendja fare qe eshte hamendesim, por nje krahasim i qelluar qe ka bere Arbri.  Faktet jane aty, por ti o s'i shikon ose refuzon qellimshem ti shikosh.

Te tjeret nuk jane provuar ne pushtet?  Mos valle e harrove periudhen nga 1997-ta deri ne 2005? 

Nuk ka nevoje te shkojme ne ate periudhe.  Sic thone ketej "All politics is local", mjafton te shihet ana tjeter ne qeverite lokale.  Mund te jepet si jystifikim qe bashkite "socialiste" penalizohen nga pushteti qendror me mungese fondesh edhe llogje te ketij lloji.  Por njesoj jane "neck & neck" e qafe per qafe ne pazare te qelbta.  Ne korrupsion, shkaterrim e plan kater-vjecar fitimprures.  

Ta provoj dhe une njehere:

Jo jo e ke gabim Monda se Bathoraket qaflesher s'i paguajne asnje detyrim shtetit dhe shoqerise, dhe arsyeja eshte qe kane shpatullat e rrahura nga bajraktari i Vicidolit, mixha i tyre Berishovici.  Keta dhe maloke te tjere qe dynden ne ultesiren perendimore me aprovimin e mixhes se tyre, per te krijuar plutarkine e familjes se mixhes dhe shtetin e korrupsionit e klientelizmit, jane kanceri qe e pengon zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor te Shqiperise.

 

Funksionoi? Te lutem me thuaj qe funksionoi!  smiley

Me mua gjete ta provosh?  

Pa merak, se s'funksionon. 

Po meqe postimi jot ishte mese i sakte dhe i llogjikshem pra. smiley

Nejse, ti e di.  Por si metode me duket kunderprodhuese.  

Ditto my friend.  Fatkeqesisht kjo metoda kunderprodhuese eshte bere epitoma e shumices se postimeve ne peshk.  Edhe kur nje radikal i majte si Arberi (qe eshte ne shtepine e tij ne peshk) shkruan qe nuk ka diskurs politik real ne Shqiperi, i kthehet pergjigja qe Berisha  mbyt cdo lloj perpjekje per diskurs politik.  Nqftse kjo i ndosh Arberit, vajt medet ne te tjeret qe jemi shume larg te qenit radikale te majte...

Po c'radikal aman ... ku ka vend per radikalizem (radikal ne kuptimin etimologjik, rrenjesor te fjales, jo ekstrem) ne Shqiperi?

Marrim Vloren psh.  Kryetari i Bashkise (PS) qe e ka bere pershesh Vloren sipas xhepit e qejfit, ai eshte vene prape per kanditature nga PS-ja.  Dhe ai do fitoje prape.  Por edhe nga ana tjeter c'do besh?  Se dhe nqs PD-ja fiton, qe s'ka mundesi te fitoje, do haje inat me ish-kryetarin kush thellon xhepat me shume.  E nderkohe qyteti eshte masakruar betonash .... 

 

Kshu e e pershkruan veten....

Ah bravo! Shif ca shembulli i bukur!  Tani a mund te me thuash mua ti pse Vlonjatet do votojne ne shumice prap per Shpetim Gjiken edhe pse ky e ka masakruar qytetin?

Vlora, ne kundershtim me steriotipin, ka luhatur sa andej ketej ne vota.  Nuk ka votuar ne nje trajte keto 20 vjet.  

Por do votojne - votohet per zoterine ne fjale, se ky ka lidhjet, e leket, e interesat, e plus per arsyet qe ka sjelle Arbri ne artikull, per anti-berishizem.  

Sidoqofte, ne te dy alternativat, sic thashe, nuk ka shprese per qytetin, eshte sistemike.   

Ne zgjedhjet lokale e ke fjalen apo ne ato te pergjitheshmet, apo per te dyja?

 

Nuk ka asnje kandidat te pavarur, te ndershem, intelektual, profesionist e te rrespektuar nga te gjithe Vlonjatet qe mund te garoj per kryetar bashkie?

smiley

PS: Per zgjedhjet lokale, por edhe te pergjithshme jane provuar te dyja partite. 

 

Hajt se po vjen Nano ne tetor, dhe do i shpetoj socialistet nga teoria "pertej te majtes dhe te djathtes".

Medet ku jan katandisur, deri aty sa po kerkojne tu kthehet Baba.

Une mendoj qe gjeja me e drejte qe shtron ky shkrim dhe qe ja vlen te diskutohet eshte nqs do te bjere elektorati i majte ne zgjedhjet lokale dhe ne kete menyre dhe simpatia qe ka ekzistuar deri tani per Ramen si kryebashkiak apo jo. Autori thote qe 'po' dhe jep arsyet e tij. Por puna eshte qe elektorati shqiptar eshte kaq i paparashikueshem dhe i korruptueshem saqe nuk i dihet. Njerezit ne Shqiperi votojne per inerci, pasi kane kaluar muaj te tere duke i share dhe duke mosbesuar tek politikanet dhe me nje sjellje indiferente ne pamje te pare. Por qe nuk arrijne dot te jene indiferente dhe ngacmohen menjehere kur dikush i therret per te votuar dhe me e keqja eshte se votojne pa menduar fare, thjesht per inat te komshiut apo atij politikani qe sheh ne televizor. 

Elektorati i majte shqiptar kurr s'ka votuar per inerci.

Por me kete far kryetari qe kan momentalisht kane ngel si femija jetim.

Ndaj dhe keto dite po degjohen zera nostalgjikesh qe duan kthimin e fatosit te nanove.

Dhe do e merni vesh nga tetori partine e re qe do mbledhi socialistet qe s'mesohen dot me kete partin mbushur plot me biznesmen qe s'kan asnje lidhje me socialistin e thjesht.

Po do te bjene nga shiu ne bresher, me partin e re te biznesmenit nanos.

paralajmerim: jam semure.

pas 2 vjetesh ne shqiperi edhe qeliza e fundit politike me ka shperthyer pa leshuar tym. nuk i lexoj dot me keto gjera, nuk i degjoj dot me keto debate, me djeg ulcera e stomakut, me merren mende, me ze ngerci, me bien floket.

shyqyr qe s'jane te gjithe si une.

normalisht qe dicka duhet bere, nese e ndjen veten njeri. aksion terrorist ndoshta ose braktisje e batakut, une si femer delikate po zgjedh braktisjen. ata qe nuk e braktisin dot s'kane zgjedhje tjeter mendoj smiley, dmth duke eliminuar depresionin si zgjedhje, vetem se te terbojne, sabotojne, shajne nga robt, peshtyjne mu ne surrat, godasin me grusht cdo qenie veshur me pushtet politik ne shqiperi. the politics of rage eshte nje term i perdorur ne dynja po ketu eshte the necessity of rage, the impossibility of nonrage. ose braktisje.

arber s'te kam lexuar fare, besoj duket. jam semure vertet dhe po nxjerr ca kam ne stomak.

keq eshte puna, po s'ia vlen te deshperohesh kaq shume smiley

une e nxjerr dufin duke lexuar psh smiley

that works smiley hi by the way smiley

isha e toksikuar dje smiley dmth postim plot me toksina ky me siper smiley

po ashtu e mendoj vertet nje pjese te kohes, pervec rasteve kur dua te justifikoj inatin, ose ikjen.

Tè hapen kutitè!!! pastaj mund tè bèhen analiza...si qysh e tek funksionoi nè mènyrè "pothuajse" perfekte vjedhja e votès,instalimi i njè shteti mafioz...duke filluar nga sondazhet(mashtrime tè rèndomta) e blera nè tv,mbushje tè kutive tè votimit(nga PD e LSI bashk&egravesmiley,e deri nè shitje tè pasurisè sè pèrbashkèt pèr blerje tè heshtjes ndèrkombètare!!...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).