Alumin, o bir, këndoj me pahir. Kështu tha natyra, por kjo ndodhi më vonë.
Në fillim pas fillimit ia behu kohë e mjegullës. Mjegull bota. Mjegull bebja në syrin që sheh. Kur syri larg rri - është re, kur brenda shkon më qartë të shohë, a nuk bëhet mjegull atje? Se thelbi i gjërit u mbështoll me mjegull që në krye të herës. Elektrone vanë u thanë, po ç’bëri një emër?
Se përse duhej fshehur thelbi me atë turbullirë, kjo vesh s’u mor. Por asgjë nuk fshihet kot. Ç’ish ajo frikë e nga se? Përpos se nga vetja, se gjër tjetër s’qe…
Kjo qe mençuri e parë, frika nga rëndësi e vetes. Lehtësim i vetes me shtëllungë. Bën ftohtë përjashta, ku vete pa xhyben e mjegullit, gjër! Kjo ishte dhe lakmi e parë, dëshira e parë për “zonë influence”. Perandori e parë, kufijtë ku pushteti i qendrës arrin. Rrathët e gjithësisë, distriktet, qarqet. Si dhe ndërkryerja e parë e provincës shtëllungore, të leshtë, mllef sateliti që e keqkuptojnë dhe keqkuptohet si dëshirë për liri. Liria nuk i duhet as djallit me të bir’, por duhet mbuluar disi dëshira për të qenë vetë qendër e vetë bërthamë e farë. Dhe nga rebelim i parë i mjegullës, nga ajo që ish më larg qendrës, e hollë dhe e rrallë si ajo, dobët kontrolluar nga metropoli bërthamor, u bë ciftëzimi i parë jashtë llojit. Ishte ngashnjim kjo që ndodhi, ndërkryerja larg s’të shpie, sepse pas rregullës së lashtë, mjegull qe, mjegull do bëhesh. Por ngushëllimi si gjithnjë dhe për këtë gati qe: s’ka rëndësi qëllimi, por rruga për atje.
Se qendrat paskeshin dashuri të rëndë. Si sevda e djalërisë, tund themelet e gjithësisë. Se kur dy qendra bashkë bëheshin, veç vdekja i ndante, vdekje allosoj kjo, jo si ajo e vona, njerëzishtja, me njëqind yçkla e kundërthënie, jo ferr e parajsë, jo vdekje klinikash e farmacishë, vdekje me kredi si me thënë, por vdekje parake derman, ku vrimë e zezë ësht’ fundi, ku mjegulla zhduket me magji e gjëri prapë bëhet një shuk përpirës, pa mjegullnajën e lehtë e flu, frikë e tmerr e llaftar gjithrrokës, ngërthim qiejsh që prap venë në origjinë, te fillimi para fillimit a te filli pa fillim, frikë që vetë mjegullën solli e polli, si jastëkun plot ninulla, close your eyes, have no fear, the monster’s gone and the Fog is here…
Ndërsa mjegulla dashurinë e ka kalimtare-fluturake. Qendrat rrinë të zymta atje ku janë, të paafrueshme, portat mbyllur që nga koh’ e parë, ajo e pakoha, dhe mjegullën çojnë te shoshoqja k’sh’u si rastësisht, meqë u ndodhëm medemek, ambasadorë fuqipjesshëm, tradhti elektronesh që kërcejnë valsin e Planckut, ose tram ambasadorësh që strehim politik kërkojnë tek mjegulla tjetër me ca vende bosh për tradhti, o tradhti! e ke emrin elektron valentor, kupton, s’të ze besë se siç tradhtove një herë, prapë do tradhtosh, ama për aq sa zgjat kjo dashuri, le t’i gëzohemi se pa shih, e përkohshme dhe e zbërthyeshme dhe e prapakthyeshme vërtet, por pa shih sa i shumëllojshëm u bë gjëri vetë, o puthje mejgullash mos mbarofsh, u bëfsh sa mos u njohsh! E kështu, ashtu si binishi fillon e flet për të zonë, edhe reja zu u bë fytyra e vërtetë e gjërit tonë, koha e vendi për ndryshim, fluturimi i fantazisë, ëndërra e ditës, kureshtja që ç’bëhet tek metropoli fqinjë, që i vrau gjithë macet e universi…iiit… brinjë me brinjë.
Dhe ti habitesh ende me mjegullën? Mos më thuaj po, të lutem, edhe n’e mendofsh.

4 Komente

Bukur , shumë bukur e ngërthyer gjithësia , fjala e arti . Përgëzime .

o tradhti! e ke emrin elektron valentor, kupton, s’të ze besë se siç tradhtove një herë, prapë do tradhtosh

smiley...

Poezi dashurie. Brilliant.

 

Flm! smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).