Sa?

për B.

Ich sah dich auf dem Weg,
dachte; wir sind doch der Weg,
Du gehst auf mich, ich werde Spur,
die sich verdoppelt und macht den Weg...

Sa horizonte ka një sferë o udhëtar, a s’ më thua
nga buron etja e ikjes, ikjes tutje ? Veç ne të dy
e ca të tjerë mbajmë shkretëtirën gjallë me të...

Qemë zerove 3D, burgosur si qendra; kënga jote
mundonte peshën e hapit; zbathur qemë, lodhur,
por plot, si lotë, që dalë njëherë nga burgu i syve
dot më s’kthehen në burim...e pimë tjetrin hidhur,
por më mirë kështu se sa të tharë si rërat e brumit
gatuar nga duart për gojën, që t’ mbushet pa nur..

Nëse skëterra do të qe prej zjarri,
prej atij zjarri që na e than djersën,
prej dielli pra, digjmë të gjallë
me etjen tënde...

I ëmbël, i butë dhe i rëndë është ky dashti jonë,
Ngopur, lodhur, lumtur, heshtur rrimë përballë
kohës që na pjek; ditënatë, natëditë, n’mëngjes,
drekë e darkë...

Toka na u rrotullua poshtë nën shputë,
kur hodhëm një hap tjetër në kah të kundërt
të rrotës, çarkut mobil të orës e hëngrëm
djathin e bardhë të kohës, e thithëm drejt
e nga sisat e burimit lumin që veç lind,
që jemi vetë, që na shter e që s`e dimë.

Brigjet nduk kujtesa, i zgjat, i lidh nyje
në horizont; pika prerëse e rrudhave tej tij
këputet në të dyfish. Nga erdhëm këtu?
Ku qemë jetën që shkoi? Gjallë është koha,
lind bashkë me ne përjetë, na nanuris, deh
me ninulla, pasqyra, binjakë dhe hesht
si të mos qenkësh. Sa zgjat vdekja o Zot?...


Me ujët që rëndon pikëllueshëm qiellin e sodit,
si lot të padalë brenda, pagëzomë o i panjohur,
pagëzomë shkurt e shpejt, shpërfillur siç shkon
zhytur në plaçkat e zeza të rrugës syvijë si lot.

Me atë ujë do të t`laj pastaj unë këmbët,
do të t`i thaj me flokët që mungojnë, siç
thahen sytë e të vdekurit nga pëllëmbët
verbër tokës, siç i thahen të mjerit lotët...

Kokërdhokut të vetëm ku flemë si pamje e shkuar,
të veshur me qiejt që pikojnë, pa vrima, i mungon
tjetri, shoku paralel aksiomës lidhur dyfish nyjes...

Burimi vjell peshq linearë që derdhen teposhtë,
Ujët noton në to e myshk fijet e luspave, vyshk
brigjet; çastet po shkurtohen, koha po mbaron.

Dielli u nxi, hëna u gjakos, ëndërrova e pata frikë,
Në krisat e dheut do t’ fshihemi, do t’ mbyllim sytë
dhe do të duam të ndërrojmë vendet me të ikurit...




1 Komente

m'tha zogu se po përmblidhej një libër. shume mire. na beni me dije smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).