Një grup klerikësh afro-kubanë të Santerisë kanë parashikuar se viti 2010 do të jetë i mbushur plot me trazira ekonomike dhe politike. Sipas këtyre parashikimeve, pritet që të ndërrojnë jetë një numër i pazakontë të liderave politikë. 

Menjëherë Papa i Romës i ka përgënjeshtuar këto parashikime duke i quajtuar si hipoteza të pabaza, duke këshilluar që të mos besohen dhe u ka bërë thirrje politikanëve kudo në botë që të ruajnë qetësinë . Sipas Papës, vdekjen e ka në dorë vetëm Zoti.

Por fjala e Atit të Shenjtë nuk ka mundur të japë efektin e duhur tek shumë liderë politikanë, sidomos tek ata shqiptarë  pasi menjëherë janë marrë një sërë masash paraprake. Me vendim të Keshillit të Ministrave.org , të gjithë liderat që kontrollojnë politikën shqiptare si kryeministri Berisha, kryekuvendarja Topalli, opinionisti Fevziu, klanisti Frangaj,  pa dëshirën e tyre do të vendosen nën mbrojtje speciale .

Në shtëpitë e politikanëve do të  vendosen ikona, qepë, hurdha dhe shumë lloje hajmalish. Ne cdo makinë qeritari do të vendosen në vend të targës foto të Gani Bobit për të larguar syrin e keq. Imamët duhet të dyfishojnë thirrjet për namaz dhe të detyrojnë besimtarët të falen për shpirtin e politikanëve që nuk kursejnë shpirtin për kombin. Priftërinjtë duhet të mbajnë meshë cdo ditë, këmbanat të bien më shpesh dhe cdo kristian i ndershëm para se te hajë bukë duhet të thotë një lutje për shpëtimin e qeverisë.

Këto masa priten të hyjnë në fuqi në ditët në vijim por bëhet e ditur se kryeministri Berisha ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga punët e shtetit dhe se nuk do të pranojë asnjë mbrojtje të vecantë që harxhon para nga taksapaguesit. “Cfarëdo që të ndodhë me mua, kutitë nuk do të hapen.Sa për parashikimet e Santerianëve le të bëhet sic është e shkruar dhe e printuar” ka thënë Berisha. Kjo ka nxitur grumbullimin para ndërtesës  së kryeministrisë të turmave të miliona admiruesve të  cilët i janë lutur pambarim liderit të tyre të futet në programin e mbrojtjes qeveritare.

Një përfaqësues i turmës ka kërkuar nga qeveria të ushtrojë presion mbi kreun e saj që ai të bindet nëtë mirën e tij, pasi shpëtimi i tij është shpëtimi i popullit. Pa Berishën nuk kemi ce duam as liberalizimin e as Europën e as tunelet e kombit. Në të kundërt miliona shqiptarë do të futen në grevë urie deri në plotësimin e një më një të kërkesave.

Sipas burimeve ende të pakonfirmuara shtëpitë e politikanëve po kthehen në objekte të shenjta kulti të cilat po vizitohen nga miliona besimtarë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).