Kësaj rradhe po kapem me një frymë artikujsh që mbizotëron në mediat tona. E kam fjalën për ato lloj artikujsh të cilët tentojnë të përshkruajnë situatën ku ndodhemi, me një ton apatik, të distancuar në dukje dhe pesimist... mua më pëlqen t’i quaj këta lloj artikujsh “reportazhe sportive”. Zakonisht i komentoj me rezultatin e fundit të Barçës.

Cilat janë shenjat dalluese të simptomës?

Së pari, artikullshkruesi, bën një reportazh të gjendjes ku ndodhemi, duke kapur një aspekt specifik. Psh gjendjen ekonomike, reformat politike, strategjinë e partive apo liderëve kryesorë etj. Edhe këtë gjë e bën relativisht mirë.

Në rast se i vjen ndoresh ndonjë metaforë qëndrore, shprehje nga njerëz të njohur, apo ndonjë punch line, apo proverb kinez, aq më mirë!

Por kryesisht thelbi i artikujshkruesve të tillë qëndron në mbështetjen e idesë themelore, statike, strategjike dhe teoremë tashmë se: të dyja palët janë njësoj, ose pala tjetër, është potencialisht po aq e keqe sa ajo në pushtet.

Këta artikuj, i ngjajnë atij njeriu që shkon të ngushëllojë dikë që ka pësuar një dëmtim permanent fizik.

Për shembull...

- ah, shikoj se e ke humbur një këmbë. Sa keq! Si ja bën të çohesh në mëngjes? Besoj se edhe për të kryer nevojat personale, do ta kesh të vështirë. Po shkallët e pallatit, si i ngjit? Oh po këtu nuk ka as ashensor, kati i tretë! Sa keq! Sa i mjerë që je o njeri! Gjynaf nga zoti!

Po mirë do pyesni ju, çfarë të keqe ka në këtë mes?
E keqja e një fryme të tillë të shkruari, qëndron se stimulon apatinë, fatalizmin, inaktivitetin, pra idiotizmin.
E keqja e artikujve të tillë, është se i shikon njerëzit të cilëve u drejtohet si qënie pa vullnet, forcë dhe mundësi ndryshimi. Artikullshkruesi merr në dukje anën e lexuesit, të paanshmit, popullit, dhe pasi vendoset midis tij dhe pushtetit, politikës, shtetit etj, synon të krijojë një distancë fiktive, duke u mohuar njerëzve që u drejtohet pjesëmarrjen në procesin demokratik. Dhe këtu dallohet paanshmëria e shtirur, në mos naiviteti. Ndërsa empatia e shtirur, shërben si injeksion mpirjeje të mendjes. Duket sikur thonë, hej, jam dhe unë këtu dhe po vuaj me ty. Po ku po shkojmë dhe çfarë të bëjmë? ASGJË! Mjerë ne!

Një nga gjërat më të bukura që ofron sistemi demokratik i qeverisjes, është aftësia e tij për tu rregulluar dhe vetërregulluar. Për të zbuluar forcën e vullnetit dhe potencialin e njerëzve mbi të cilët ushtrohet. Madje kjo forcë e shprehur, është e tillë që ndihet edhe aty ku nuk e pret. Ndërsa opinionistë të tillë, fatalistë të tredhur, ua mohojnë forcën që mbajnë njerëzit për të ndryshuar gjendjen ku ndodhen.

Nuk është skenar i ri, është diçka e vjetër. Që ka rrënjë që në manipulimin e njëpasnjëshëm të zgjedhjeve përgjatë 20 viteve të fundit. Sepse manipulimi i zgjedhjeve, është kastrim, tredhje që i bëhet forcës që duhet të ketë populli, njerëzit, masat, votuesit, quajini si të doni.

Shtirja në këta artikuj, është e dallueshme dhe në ofertën e zgjidhjes. Sepse opinionistë të tillë, bëjnë sikur ofrojnë një zgjidhje. Ose duke i dërguar të pavullnetshmit vulëhumburit njerëz, nëpër disa rrugë qorre, si peticione, struktura paralele, ose në thjesht “mjerë ne”.

Por zgjidhje ka, nuk është se nuk ka. Dhe me zgjidhje, nuk e kam fjalën thjesht në revoltat mbarëpopullore dhe protestat të pavarura, apo opozitare, por zgjidhja ndodhet edhe brenda sistemit vetë.

Në reportazhin e fundit sportiv që lexova, flitej për “aferat e Rrulit” në ministrinë e energjitikës, shoqëruar (domosdo) me grykësinë potenciale të socialistëve që kanë gjashtë vjet në opozitë. Fatalizmi pas këtij përshkrimi është i lehtë.

Po, ka dhe një rrugë tjetër. Si do ju dukej psh që çdo tratativë ekonomike e qeverisë mbi një vlerë të caktuar, të paraqitej në internet? Se mua nuk më mjafton si arritje e madhe (e paparë, më e madhja etj) e qeverisë, të ishte që një milion shqiptarë janë tashmë facebuksa.

Në net të paraqiteshin ofertat e firmave pjesëmarrëse në të, konditat në të cilat zhvillohet procesi, udhëzimet juridike etj. Fjala magjike: TRANSPARENCË.

Edhe kjo e zgjidhjes, qoftë kësaj të veçantës, ashtu dhe të përgjithshmes, është rrugë e njohur: forcimi i institucioneve dhe mjeteve të kontrollit ndaj pushtetit. Përdorimi gjithashtu i transparencës, i mendimit kritik dhe parimeve demokratike.

Po këto të fundit, që të artikuloheshin dhe përdoreshin, do të donin një nxitje më të madhe sesa mllefi dhe inati ballkanik i një sy mua dy gjitonit. Do të duhej gjithashtu të tradhëtonin parimin e pashkruar të equidistancës...

2 Komente

..dhe dalim tek indiferenca, pozicioni me komod dhe njekohesisht me i neveritshem. Nuk di gje, nuk kam pare gje, nuk kam degjuar gje, nuk ka lidhje me mua, rroj ne tjeter  moment. Tjeter Bote. Me lini rehat.

...por mund te dalim dhe tek double standard i gjykimit: ti mos me bej mua ate qe une ta kam bere ty. E di ti cte punoj une. Ti ke zemerimin por une kam numurat. Ska rendesi si e kur i kam marre.

Kjo gjendje nuk ka zgjidhje nese nuk ka proteste te gjere: te dale dhe ai qe ska buke te haje, dhe ata jane me te shumtit, te dale dhe ai qe ka shtepi luksoze sepse ajo shtepi nuk ka themele. Beteja do jete shume shume e gjate, sepse nuk ka qytetari te stabilizuar. Per momentin eshte qytetari batutash.

Flmn per shkrimin. nerv dhe logjike.

 Por problemi më i madh i të baraslarguarve e të panshmëve nuk është se ato nuk japin zgjithje e kërkojnë zgjatjen e statukuosë nëpërmjet apatisë e fatatlitetit por fakti se shumë  njerëz se kuptojnë anshmërinë e tyre të hapur në mbështetje të pushtetit .Qëllimi i tyre është djallëzimi i opozitës , dobësimi i saj duke u fshehur pas kritikave për të dy krahët e theksuar se ky që vjen është dhe më i rrezikshëm prandaj i kemi mirë këto që na vjedhin e na vrasin se opozita veç pushtet kërkon (sikur opozita duhet të bëjë  politikë veç për të ndejtur në opozit&eumlsmiley Qëllimisht ata harrojnë se s'ka opozitë bashkëpunuese por pushtet bashkëpunues që i lejon e i krijon opozitës hapësirat e nevojshme për bashkëpunim dhe nuk e mbyll veprimin politik ligjvënës e ekzekutues veç me numrin e kartonave të shumicës . Në demokraci kritikohet e shahet pushteti këta gjoja të paanshëm e ekuilibristë shajnë dhe opozitën me mendësinë mesjetare se po shava veç pushtetin do quhem se jam me opozitën . Në qoftë se duan të jenë të paanshëm ath mund të shkruajnë (nqs si rrihet pa shkruar )dhe kritikë dhe lavdërime për punët e pushtetit dhe jan kit. Për mua të gjithë atatë panshëm qê bëjnë kritika të baraslarguara sjanë hiç më pak se antiopozitarë dhe dashamirës të diktaturave me fasadë demokratike ,si shtyp i lirë ku shpifja nuk gjykohet, opozitë ,amin pushtet masa indiferente e fataliste .Prandaj këto janë të rrezikshëm e shumë më të rrezikshëm se të deklaruarit fanatikë tê një ane . Ja psh s'kam kurrë një kritikë këtu ndaj Henri çilit që mbulohet me gjoja pananshmeri edhe mbrojtës i demokracisë fasadë .

Flm për shkrimin  i goditur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).