Kullë e shtrembër e qytetit pritës

Pishman prirur pjerrët për përsosmëri
njerëz më të denjë pret që të bjerë,
t’i qafojë kullash, si një krah i lodhur
nga mijëra sy kritik stinësh vizitore
që e panë, drejtuan sa e sa herë
me qafat korrektuese bërë kulla me tulla,
e ngërçin prej vinçi që jep pamundësia,
me jaki retinash e ngjitën drejt me eshtrën
e truallit edhe ikën me jetën e ruajtur,
pa kuptuar gjë, me fatin e të ligut.


Tempur medic

Shkumë e bardhë e gjoksit tim kokës tënde
shtypjen ia gëlltit e shurdhët dhe memece,
me kujtesë të saktë suedie,
leukoplastet mbimbulojnë çdo zhurmë,
permafrosti regjistron çdo gjurmë,
ajrit nëpër rrymë,
akujve në brymë,
avujve në frymë,
solucioni yt dhe shija
jote në pështymë,
kripë e pashijuar kurrë,
tempur,
hala kohe me klorur;
nuk flasim, por pse
jemi enë komunikuese?
gjuhë epruvetash,
lakmues t'acidit të shoshoqit -
lëkurë e ndjeshme, mos më tradhëto!

shkumë e bardhë e gjoksit ngjizur kësisoji
që peshën kokës tënde mos t’ia ndjejë,
porse gjurmën përjetësisht ndërkaq t’ia ruajë,
si llucë karboniferi një saurias shetitëse
që s’din se po ia shkel argjilën kohës
e kallon kujtesës,
të marrë formën e kokës tënde si shabllon
që thellë zhytet, në mëhallat fqinj-rrethuese
të zemrës - kjo ka frikë vjedhësi prej arrestit,
frikë rezidenti prej azbestit,
prej tik-takut nervor, keqkuptim të gjestit
tek rreh pa dëm si prindi edukonjës
vithen e thë-miut...

...edukomë pa dhembje, o muskuli im i mbrapshtë!


Khan

Mizori mbi stepat e gjuhëve,
avull zëri
vesh qelqe truri,
shkarravisin gishta mendimesh

piramida me kokat e prera të ish dashnorëve të tu,

liana qiellze,
klithin Tarzanë
rënkimin tim
triumf,

mbi ije vidhet
një lundërz,
gomone gjoksi n’arrati,
largim,
je ftohur
si hemisferë dimërore,
vaterlo e ujshme,
një gjymtyrë e re,
degë ere,
visores tënde të bardhë
rravgon pa vendosur ku të ngulet
si një shelg që ku do qajë mëdyshet,
prush i ftohtë
pas pllajës,
stalingrad i buzëve.


Nuk shihemi më

Nuk shihemi më edhe pse
urat e qytetit janë ende në këmbë,
arsyet dolën nga vrimat
si merimangat kur ndjejnë insektet e dobisë,

pezhishkë mbi fytyrë,
u zgjuam,
ndjenjat bezdisin – ja kështu ardhka një kohë,

u zumë, u zumë për dore, u zumë prapë,
u këput zinxhiri
në hallkën më të dobët,
si revolucion ndarja kryqëzore, Aurora
u shfaq titanik mbi Hudson,

ja ç’mbetet nga dashuritë e mëdha,
thamë
me gëzim të lig
dhe kafshuam çamçakizët e çuditshëm të lirisë
me ndriçim predatori
nëpër nofulla,

të bëhemi të zgjuar:
në fund të fundit
bashkë shkojmë për askund,
veç shkojmë kudo,
ndarja shkak i mënçurisë, jo pasojë,
e hidhur tash,
po hajrin do ia sho’ më vonë,
(?)

nga ballkonet nofulla ndajfoljesh
shpështollën manifesto jermi,

…“më në fund,
por sidoqoftë,
dije se,
si vdekja, e vdekur, pa fjalë që,
pa dyshim,
ky e-mail do të…
e vetmja gjë,
gjithë gjasat,
koha, koha do ta tregojë,
koha e parë
e simfonisë së pestë,
mbaje pra mend,
sepse kjo letër “soft copy”,
kjo sëmundje e butë,
ki parasysh,
shiko,
e fundit,
dëgjo,
më kryesorja
kjo,
kurrë, kurrë, asnjëherë”…

mbaresat thanë rima ndryshku urban,
mendimi për ty - ishulli i patretur Ruzvelt,

një premtim hante thonjtë
me nervozizëm,
do vij n’u dasht’ dhe n’u rrëzofshin urat –

n’u dasht’!
urat!
fosilet e gurtë të lidhjes sonë
dinosaur
gjymtyrë-ngecur ligatinës
ndarëse,

urat e urëta
na hanin
që natën mos binin,

u dridheshin leqet
dhe çarqet e këmbëve,
harqet e dhëmbëve,
kur të marrë grahnim
mbi to ziheshim për duarsh, jo fjalësh,
siç zu’ më vonë.

Dobi shoqërore,
lehtësi trafiku,
befasim i këndshëm për arkitektin
e qytetit,
ç’altruistë dhe fli e lumtur
qemë!

[dy tableta dobie para gjumit, placebo, ose këto të hidhurat, të vërtetat, që shërojnë: zgjidh e merr]

Nuk shihemi më, dmth
nëpër qetësi
vetmitë e grave zunë përndrijnë sërisht –

diamantë që duhen vjedhur, ah,
hir i harruar grabitësi!


Ëndrra e keqe e z. Alhassani (përpjekje përshkrimore pak e shlirët)

Zemrën, katër zhage plot me gjak,
si dhe katër qypa balte me stër-linga,
mushama mbuluar, grykën zënë me graso
e konop të trashë, mbytur në bahçè
dhe në gjoks i ndryu, thellë e përkatësisht
shkarpa brinjësh & legusha të mushkrive,
shkarpa fqinjësh & legusha të gjarprinjve,
për maskim e tretje dheu u hodh sipër,
kërkush mos t’ia gjente, qoftë dhe rastësisht,
ç’kishte nënë mulç e ç’i gulçon nën gulç,
ç’kishte në zemër e katër qypa xhani,
zoti Alhassani.

Jetën siguroi edhe paret,
sigurime të sigurta si gurë varresh,
s’investohet zemra, as floriri
me përqindje fluturake dividenti
dhe në borxhe s’duhet rënë, zemër ti mos jep
më shumë se sa merr – ja kaq i thjeshtë sekreti.

Zemrat humbamenot falin pa kriter,
grave sidomos, me sevda dhe jerm,
nga larg thonë flori, në dorë u del serm
sepse jo çdo gjë që ndrin është grua;
zemrat humbamenot falin pa kriter,
e zymtë për kredi koha, krizë besimi,
amulli, i athët avullon fermenti
lagjeve dhe qarqeve të djajve në shkallë vendi.

Sipëran për ndryrjen e zemrës, sigurinë,
dyzet drynat shul për dyzet hajdutër,
dyzet harbutëritë për dyzet harbutër,
dyzet fiq të djegur për dyzet kokrra mani,
dushk për gogla dhe për hilet e vogla,
me kalkulator e brisk të mprehtë në dorë,
çaki’ helvetie, zoti Alhassani.

Ëndërr përsëritëse, mos i dalsh insani,
t’u kundoftë laneti, mos t’u gjet’t dermani,
pa ngrënë e i nginjur, pa pirë e i dehur
floririn harronte n’ënderr ku kish fshehur,
vrima vrima bënte kopshtin asgjëthënës,
e ndihte, qesëndiste ferku blu i hënës,
shufra kërkimtare, hekuri i etur
therte nëpër shiste gjësendi pa gjetur,
ti, o tokë e shurdhët, a s’na fsheh nga vetja
e mbulon kur vdesim, s’të mjaftoka vdekja
që dhe jetën nxin, o të daltë brenga?

Shufrat kërkimtare ngulur si voodoo
në tokën asgjëditëse, teksa hëna blu
shpuese ndjente dhembjen, tjetër vend, diku.
Dhe dorën vinte gjoksit, voodooja e kopshtit
i dhimbte me krusmë, si dhembje prej grazhdi,
siç i dhemb liqerit një pëllà(j) librazhdi,
zemrën kishte humbur kthyer për së mbrapshti,
qetësi e gjoksit ish e lemerishme,
ngriti gjithë fletët, legushat mushkrive,
me krehra pastroi gjithë shkarpat e brinjëve,
zemra s’ish gjëkund, asgjësend në duar,
qimiter kallkani ai kraharuar,
dy dimre përtej, shtatë brinjë kaptuar,
zhdukur ishte zemra
bashkë me një brinjë,
bashkë me një brinjë,
që prodhonte… femër.

Mos arrifsh pëllua, o pëllaj e mugët,
atje larg në terr, paret ndajnë hajdutët,
me sy shkrepëtitës që i zhvishnin rrugët
nga plangu e gjëja si epshi pis gruan.
Ata loz-e-qeshnin me një zogth trumcaku
që fletët përpëliste me një ngjyrë prej gjaku
gushkuq ngjyrë shkurti,
lagështi prej marsi,
me zemrën e tij açik prej së largu
të huaj të pazemër, të ftohtë si qostekë,
loznin pa dert, me duar sahati.

Më mirë ta kish falur me gëzim sevapi,
sesa ngrënë ashtu si një kokë arapi,
babëzi e huaj, kthyer për së prapi…
këtu zgjohej, kthehej mbarë dhe me dorë
kontrollonte zemrën që në kraharor
pas shufrave të brinjëve rrinte si robinjë,

dhe s’dinte, të gëzonte a trishtin si jorganin
krahëve të ftohur nga nata ta hidhte,
dhe gjumi më s’e zinte, fqinjin tim të largët,
me halle insani,
zotin Alhassani.

Tempur Medic (eng.)

White foam of my chest in silence swallows
your head’s weight with Swedish memories,
accurate and wordless Leukoplasts cover
every sound while permafrost takes note of footprints
your air left through the wind, your ice
carved in the rhyme, as your steam in breath,

your solution’s taste
in spittle -
a never tried salt,
tempur chloride,
frosting the needles of time;

we don’t talk, still
we’re communicating vessels,

test tube tongues, litmus for each-other's acid -
my sensitive skins, don’t let me down!

White foam of my chest shouldn’t feel your head,
but still keep its trace and save it forever,
as ancient mud a wandering Saurian trace
not knowing it’s tramping on the clays of ages,
the corns of remembrance, foam of my chest
takes shapes of your deep down sinking head
to my heart surrounding neighbors, my heart
that fears arrest like a thief of a rich
but wrong treasure, a resident
that fears asbestos of routine kill, the nervous
pit'pat jabs and stabs,
misunderstood,
while harmless beats
like a scolding parent the butt of a child…

…educate me painlessly, o my mischievous muscle!



Slant tower of host town

Hesitant slanting to perfection
it looks for better people to fall over
and hug them towerly, like an arm irked
of them thousand critical eyes
of visiting seasons
that straighten it up over and over
through their necks - turned to towers
with bricks and cricks of winches
whiplashed by can’t-do’s -
with the splint of their retinas
gluing it to the bone of the ground,
then getting away with saved lives
not realizing
their luck of villain.

Ishulli Ruzvelt - 4

- Nuk ju kam parë herë tjetër këtu, - tha gruaja e tryezës karshi, pikërisht kur u duk sikur nuk do të fliste, por do vazhdonte leximin e librit, tashmë një corpus delicti drejtkëndor.
Ajo s’po dinte ç’të thoshte; fillimet e bisedave me mohore kanë ngërçin e afrimitetit të munguar. Donte t’i tregonte se ishte e re në city, por befas iu duk se kjo do e vinte në një pozitë të kërcënuar. Ky qytet nuk ishte aq pavetor sa dukej. Banorët e tij me gjasë kishin një përbetim të fshehtë, hiqeshin sikur nuk u interesonte asgjë, gracka më e mirë për t’i ulur vigjilencën të sapoardhurit. Përbetimi dukej açik, mjaft të shikoje se si rrezëllinte shpotia e konjakut në tabakanë e kamarjerit teksa ia shërbente një të grupit, krahasuar me një të ardhurit të paditur, mizë e kapur në pezhishkën gjithë fije qiejgervishtësish. Përbetim, OK, por për çfarë? Këtë ajo nuk po e kuptonte dot. Qëllimin e tyre. Ç’donin të bënin me të, do e fusnin në ndonjë rreth okult, do i bënin transfuzion gjaku me ndonjë hemoglobinë të llojit të vet, njohje me alienet e maskuar si tokësorë, që më pas të bëhej edhe ajo pjesë e ritualit me një të ardhur të ri?
Foletë e pafund të merimangave të fëmijërisë midis qerpiçëve iu nëpërmendën bashkë me insektet që nuk mësuan kurrë se nuk duhet vajtur drejt atij muri ku i priste që nga koha e pleistocenit vdekja. Sipas Darwinit, mizat që do e shmangnin murin e vdekjes do favorizoheshin nga evolucioni, pra kureshtja bëhej kështu kundërshtarja më e madhe e zhvillimit. A nuk ishin llojet që vdisnin, në fakt, llojet më interesante, ato që refuzonin të përshtateshin, dhe a nuk rezultonte kësisoj kjo botë një vend i të mërzitshëmve, komformistëve? Paç fatin e të mërzitshmit, i vetëtiu në tru. Ata që vdisnin, ishin pa dyshim më të bukurit dhe më inteligjentët. Iu kujtua historia e bletës dhe mizës në një poçe qelqi me një vrimëz të vogël për dalje. Miza me përpjekjet e saj rastësore e pa plan që godisnin xhamin dikur do kishte aq fat sa të rastiste vrimëzën e të dilte jashtë. Ndërsa bleta me synimin e vet drejt dritës së jashtme, do vazhdonte të gabonte në mënyrë të edukuar, duke goditur qelqin në të njëjtën pikë drejt dritës, ç’ka për të nuk do ishte veçse një dendësim i papritur i ajrit. Ja si lidhej dështimi me inteligjencën. Hijeshia me humbjen.
Kur shikonte në murin e vdekjes kufomat e pafund të gjithfarë insekteve, të thara, me limfën e përpirë nga merimangat përgjithësisht të zeza, e përshkonte një ndërkryerje e përkorë, nga përplasja lënduese mes mizorisë së pamunguar të botës dhe pandehmës së saj për mirësi dhe intrigë ndërtuese, pasione pozitive, shuma loje jo zero. Ëndërronte të gjente një ditë një insekt që nuk vdiq, që hyri i bukur në galerinë e dizenjuar për vdekjen me fijet kapëse të rrjetës, dhe që merimanga vrasëse do e pikaste përjashtimisht atë bukuri, kundër rregullit, dhe pastaj jo për mëshirë, ne asnjë mënyrë për mëshirë, por për një shtysë të vetishme drejt mbrothësisë, ajo, merimanga, do ia këpuste një e nga një hallkat ngjitëse në gjymtyrë insektit, do i vinte përpara një copë nga zahiretë e dimrit të ndryra diku thellë, në rropullitë argjilore të murit prej qerpiçi, dhe në vend të atij epshi kanibal që prodhonte karkasa boshe dhe të thara eksoskeletesh, me zhurma nofullash që shqyenin mishin e të ngjashmit, të kishte një gosti ku të farfurinin argjendet dhe kristalet e mirëkuptimit. Let’s have a party. Dhe pikërisht ngaqë kjo nuk ndodhte kurrë, ajo bëhej edhe më këmbëngulëse ne dëshirën e saj të fshehtë. Bletë që godiste xhamin në rrugën e vet drejt dritës dhe që habitej nga dendësimi i beftë i ajrit. Ndërsa fëmijët e tjerë, me gjithfarë fijesh bari a kashte në duar, ngacmonin hyrjet e labyrintheve duke pritur çastin që aty t’ia behnin gjymtyrët kriminale – mashtrimi i xhelatit është cinizëm i lodhur, si nofullat në qeshjen e talljes me vdekjen – ajo priste tjetër gjë. Ajo donte që prej aty të dilte një nusepashke e gjallë. Trishtimi i saj për këtë ishte edhe më i madh se sa kur labyrinthi qëllonte bosh, ngaqë me sa duket mino-tauri meri-mangë kishte vdekur. Trishtimi i vetmisë depërton në pore edhe më të imta se sa ngjethja prej frikës. Një ditë e kuptoi pse dështonte gjithnjë në pritshmërinë e vet. E kuptoi bash kur pyeti veten që pse leqet e zogjve që ngrinin në kopshtin dimëror nuk kapnin (as)kurrë (as)një zog, ndërsa ajo ruante nga dritaret e mardhura për orë të tëra.
Pritshmëria është rojtarja më e madhe për prenë. Dhe ajo vendosi që me përdhunë të harronte dëshirën e saj për nusepashkë teksa i avitej me fije në dorë hyrjes së labyrintheve të merimangave. Dhe gjithnjë dështonte të harronte. Mu për këtë shpresat janë gënjeshtare. Ngaqë nuk harrohet dot mbi to. Muret e thurura te shpellave vrasëse nuk ishin tjetër gjë veç fijet e këputura të princave të panumurt, teseus dështakë në vrasjen e bishës, dhe hidhërimi e xhelozia e tyre post-mortem vriste princër të tjerë që vinin me fije të reja në duar, të projektuara të ishin shpëtimtare, por që më pas do shtonin edhe ato një linjë në stofin e thurur trashë të vrasjes. Që ntrashej vazhdimisht me pandehmat e shpëtimit. Përvoja është para se gjithash hidhërim e për pasojë hakmarrje ndaj të ngjashmit të mëvonshëm; vdis të të dua, ngjamë të të urrej. Pasi enzimat e kohës e tresin shumë ngadalë trupin e ngjeshur fibror të hidhërimit, ndërsa sakarozat e gëzimeve shkrijnë edhe sikur në lagështitë më të pafajshme të mëngjesit, edhe në rrëkezën e parë që çan avullin mbi qelq, aty ku avulli nuk e mban dot peshën e vetes së vet. I sublimuar. Lotë të qetë dritaresh, dënesa e butë duhet të ish gjendja normale e botës. Mbi të pastaj, gëzimi do ish jo vetëm i mundur, por dhe i pashmangshëm. Si ka mundësi që njerëzimi nuk është mençuruar as kaq pas këtyre mijëra viteve mbushur me princa të vrarë dhe dështakë, si s’mësuam prej amfibëve? Por e ka lënë dënesën e butë aq të rrallë, një stoli luksoze, për të cilën kihet turp në rrethinën varfanjake të zhveshur deri në skaj prej minimalizmit avantgards.
- Po, nuk jemi parë, - i tha gruas në mënyrën me asnjëanëse të mundur.
U mundua gjithashtu të ruante të njëjtën largësi kohore nga fraza hyrëse e tjetrës, aq sa largësia kohore e fjalisë së vonuar të opakes nga fillimi i hamendësuar i bisedës … të cilin po e quajmë origjinën e abscisës O, vazhdoi me vete kundër gjithë dëshirave, me zërin e mësueses së rreptë të matematikës, që erdhi mbështjellë me një frikë të paharruar provimi. Koordinata (x, y) feksi si një xixëllonjë e hutuar maji, frut i pakohë në degën e mollës, ku x janë gjatësitë kohore të frazave dhe të heshtjes, ndërsa y është lartësia ku mund të ngrihet një bisedë. Derivati i lartësisë në lidhje me kohën… mjaft, i tha vetes, duke arritur ndërkaq të mendonte se shkolla po i kujtohej jo pa arsye, dhe se kjo ishte frika, një frikë historike, arkeologjike dhe antologjike, ansambël folklorik, ndaj brutalitetit të nxënësve më të zhvilluar trupërisht se ajo atëbotë, jo vetëm të klasave më të larta, por edhe atyre paralele, një frikë dhe dhunë e heshtur që vret, e cila ndehej si pluhur toke dhe drite mbi oborrin e shkollës, oborr tragjik në vetvete, pasi ajo ishte një parainsekt, ajo ende nuk kishtë zhvilluar asnjë eksoskelet luspor ta ruante… asnjë zhguall mbrojtës që zakonisht e pjek dhe mpiks mosha dhe që i themi përvojë…
Barazimi i heshtjeve është forma më e përkorë e lojës së pushtetit.
- Mos u tremb nga ky qytet, - i tha tjetra, përsëri në kufirin e fundit ku heshtja do të ngurtësohej në dëshirë për të mos folur, duke e befasuar për të dytën herë.
Se si një grua opake mund të përmblidhtë gjithë gjendjen e saj, qelq më i ndërlikuar se një shandan i prishur moralisht deri në rokoko, kur ajo do të donte një zhveshje pristine gotike prej kandili me verem të verdhë, kjo mbetej për t’u kuptuar. Në të vërtetë, siç thuhej, edhe pa trembjen, ishte e pamundur të mos e përfillje këtë qytet; ose do e doje, ose do e urreje, por nuk mund të bëje sikur nuk ekzistonte.
Ashtu si dhe me të panjohurin e para pak çasteve, biseda po bëhej gati të shtrihej plot me pellgje heshtjeje folëse, si një rrafshulët nën shira të zgjatur. Heshtja është lënda në poret e ajrit mes nesh, heshtja kullon vazhdimisht, ajo më e lira nga poret e mëdha vetëm nën forcën e rëndesës, ndërsa ajo më e shtrenjta duhet shtrydhur, sepse mbahet nga kapilarët më të hollë, në poret më të imta. Ajo e ndjeu menjëherë që heshtja me gruan opake ishte e këtij llojit të shtrenjtë, havjar rusie kontrabandë, që vlerën e ruante edhe pse thonjtë mund të ishin të pisët. Zdrazvujtjie, babushka. Një grup të dehurish që hapën një shishe Moet në një WC që kundërmonte amoniak të mprehtë, thikë azoti dhe hidrogjeni për mukozat e pambrojtura të hundëve, në një WC të pamëshirshme në një rest area të largët, të një shteti pa kontinent, sapo i tha “gëzuar” me mospërfilljen që e jep vetëm hareja… gruaja me tepri yndyre në shtresat me të jashtëme të epidermës i tha “mos u tremb”, … një tortë e shkalafitur me qershi të shtypur … a shijon vallë njëlloj, edhe pse?.. A do tingëllonte ndryshe Kanti po të ish më i gjatë se 154 cm? Gra që arrestoni dritën tek mundohet t’ju përshkojë, mos qëlloni shpirt-hafife, ju lutem, pasi kjo është një lloj blasfemie shkencore, ju dhunoni ligjet e termodinamikës dhe ajri rreth jush thyhet si një kockë plaku, me pak gjasa për ringjitje… ajo po dëgjonte zërin e lartë të mendimit dhe e kapi veten duke e vazhduar atë pa mëshirë deri në fund: unë dua të jem bleta që dështon duke ngarendur drejt dritës, duke u vrarë mbi qelqet e ëndrrës, nuk dua të jem një mizë e mërzitshme fati.
- Nga e dini që unë trembem?
- Nga lëkura juaj e brishtë, - tha tjetra me një lloj hidhërimi që e jep vetëm një kujtim i bukur.
Hmm, mendoi ajo, mos vallë piksjet epidermike, indet yndyrore që janë vrasja e femrës ngase qelqi i saj nuk shpohet tej për tej nga shikimi i botës, po kërkojnë të gjejnë një justifikim në përshtatjen dhe mbijetësen e llojit?
- Më pëlqen të jem lloj i rrezikuar, - tha me një buzeqëshje të fikur, duke pranuar kësisoji shumë gjëra, duke lënë pa luftë shumë llogore e vija mbrojtëse, dhe duke u strukur në zemrën e kështjellës së fundit, që kërkon një këshillë, bashkëdhembje, veç një milimetër larg thirrjes për ndihmë.
- Edhe mua më pëlqente dikur të isha lloj i rrezkuar, - tha tjetra, duke shpalosur haptaz gjithashtu shumë të fshehta, duke braktisur gjithashtu shumë llogore, duke u strukur po ashtu në zemër të kështjellës së saj. Një gjeneral që i pranon disfatat me hir meriton respekt, dhe vështrimi i saj admirues mbi gruan po e jepte këtë bujarisht. - Dhe do më pëlqente të isha prapë, rreziku është i bukur si një plagë. Por tani jam e mbrojtur. Fatkeqësisht.
- I bukur si një plagë?
- Po.
Një pellg heshtjeje folëse u hap përsëri, ajo pa këmbët e tyre të zbathura që stërpikeshin prej tij. Këmbë fëminie; me gruan e lidhte befas një aleancë e padukshme, femërore, e fortë pikërisht nga ky shkak, sepse ishte femërore; femrat sherrin dhe hakmarrjen e kanë veçanërisht të hidhët (“sikur kombi francez të përbëhej vetëm nga gra, ç’komb i tmerrshëm do ishte!”) dhe për barazpeshë ndoshta, edhe aleancat i kanë të tilla, me një lloj mastiçi veçanërisht ngjitës. Ato këmbë nuk do jenë kurrë më aq pranë, sa kur stërpiken nga ajo e njëjta baltë. Më vonë mbase do veshin çizme mode, lëkurë cilësore, do njohin lloj lloj avujsh e kremra e vajra përkujdesës, do lëmohen nga lloj lloj praktikash përsosëse, do bëhen mrekulli e veçantë e kësaj bote, më shtangëse se piramidat, muri i madh, diga Hoover, do jenë këmbë femre, ama do jenë të tilla në vetmitë e tyre despotike, kurrë nuk do kenë atë lazdrim të pellgut të vjetër, plot embrione prej supe parake nëpër llucën fundore, llokoçitëse, e në këtë lloj pellgu mirëkuptimi, në atë orë të lume, dy gratë, opakja dhe ajo, qelqorja, që ende nuk e kish humbur tejdukshmërinë, nuk ish ftohur, ende nuk ish bërë një “xham akulli”, kështu quheshin ndryshe xhamet qëllimisht opake, e që nga ky shkak ishte edhe e rrezikuar, pra në atë orë të dyja ato qëlluan afër, sikurse ndodh me orbitat e dy planetëve zakonisht të largët. Mrekullimi i parjes së syprinës së tjetrës ishte aty, pjesë e mastiçit lidhës. Ato ishin hëna që kishin vendosur të ktheheshin në brinjë për t’i treguar anët e pandriçuara tjetrës, jo “të errëta”, të pandriçuara, dallimi është thelbësor. Të kthyerit në brinjë është shtrigan, sepse përmban pyetje pasqyre. Pas stërpikjes me baltën e pellgut të heshtjes, siç vijon një vrap i çmendur në lëndinë, të dyja filluan të folurit e shpenguar, sërisht në grarishte, ku sasia e fjalëve nuk mbahet dot nga shtama e kohës dhe derdhet anash, tepri uji e shkuar dëm, dmth e padëgjuar nga pala tjetër.
Ajo i shpjegoi ato merimangat e vjetra, dëshirën për nusepashkë që dilte si një nuse e zhvirgjëruar taze nga litarët e vdekjes së katiles zemërmadhe, duke i bërë paralelin me qytetin e ri ku kish ardhur, që e trembte me emrin e tij, me famën, dendësinë e pikës, singularitetin që do të thosh verbëri, si dhe shpresën e saj të mekur për shpirtmadhësi nga ana e tij.
- Por unë e mendoj ndryshe, - tha opakja e përndezur më në fund. - Unë e mendoj vrasjen si varësì, thithjen e limfës si vazhdim të dashurisë, thithjen e gjakut si vazhdim të ekstazës. E di besoj, që felinë grabitqarë, luanë, tigra, vetëm gjakun i pinë presë së tyre. Ata e pinë prenë, nuk e hanë. Shqyerja është vetëmse afrim i gotës në buzë. Zot, njerëzit kanë aftësinë të shohin vazhdimësi të tilla të përçudura si ajo e kohës dhe hapsirës dhe harrojnë që urrejtja është një zgjatim i dashurisë, dhe vrasja është një degëzim i jetës. Ti ke frikë sepse sheh cityn që merr nga ti; por nuk sheh që ai nuk jeton dot pa ty, pra në të vertëtë specia e rrezikuar është ai, jo ti.
Vijoi një heshtje e shkurtër, që nuk ishte pellg, thjesht lagie kapilare dheu. Pastaj opakja vazhdoi.
- Një luan i uritur të këput shpirtin. Ti je këtu për shkak të një burri, apo jo? Nuk besoj se je për biznes.
- Po. Por ç’ju bëri të mendoni kështu?
- Gratë e biznesit nuk kanë të tilla shqetësime.
- Pse thatë “plagë e bukur” qëparë?
- E bukur? Mbase nuk kam gjetur fjalë më të mirë; sidoqoftë, plaga është pakti ynë me rrethinën. Sikurse rethprerja ishte pakti i njeriut me Zotin.
Kaq u desh përsëri për një luzmë femërore fjalësh, estetika e plagës, pavarësia nga dhembja si perceptim, plaga si portë vetjake e hapjes ndaj rrethinës, pamjaftueshmëria e hapjeve të natyrshme të trupit të njeriut për këmbim, madje meskiniteti i këtyre të fundit, e mërzitshmja, fundja ne gojët apo vaginat i kemi të ngjashme, por plagët i kemi të ndryshme. Dhe një plagë ka potencën për madhështi. Apo jo? Thuamë ç’plagë ke, të të them se cila je.
- Unë nuk e dija, por mbase ky ka qenë shkaku që lumturohesha kur plagosesha në fëmini. Isha mjeshtre e njohjes, klasifikimit të plagëve. Kishte frruarje të epidermës - lëkura ish natyrisht ende mëse qelqore atë botë, madje edhe qelqi është i rëndë për të – cipë vese më mirë. Trupi një fontanë gjaku, ndërsa zhvoshkja një gijotinë kapilarësh, qafat e prera të të cilëve shquheshin qartë kur prurjet e tyre nuk ish aq të mëdha sa të përmbysnin deltinën. Kur kjo ndodhte, këneta dhe ligatina që pasonin mbanin brenda gjithë llojet e zhdukur amfibë, prekur lehtë me mollza kureshtare gishtash, derisa vinte thatësia e murrme e kores.
- Po gjembat?
- Natyrisht. Natyrisht. Ata ishin të madhësive të ndryshme. Ata më të vegjlit ishin edhe më intriguesit, ata strehoheshin në epidermë pa u ndjerë fillimisht, derisa ti nisje ndjeje diçka, një si krruarje, e më pas një bezdi e më pas dhembje kur shkelje mbi atë pjesë, e këqyrje me kujdes, e diktoje pikëz të vockël fshehur në inde lëkurës, dhe pastaj ose vetë, ose mamaja, me një gjilpërë rrekeshin ta hiqnin; pickatoret nuk bënin punë pasi i gjithë gjembi ishte i zhytur brenda. Me majën e gjilpërës zmadhohej një gropëz rreth gjembit për ta mbërthyer, e prekje lehtas në majë me majën e gjilpërës, me një parashije mbërthimi, mace që luan me miun, dhe si të ish një pemë në shkulje, ia ndjeje ngacmimin tek rrënja, pastaj përpjekjet për zgjerim të gropëzes epidermike, me një fitore si e Pirros, pasi mbas heqjes së gjembit (koha e pickatores vinte dikur, kur thonjtë nuk bënin punë) krateri ishte aq i madh, saqë mëtonte statusin e plagës.
- Unë mbaj mend kur jam shpuar me gjemba kaktusi, - tha opakja. - Mbaj mend joshjen e një kaktusi të vogël në dhomën ku më vunë të flija kur bujtëm diku, tek miq të familjes, delikat, i gjelbër, me një push gjembash të imët. Më sikletoste këndshëm ai kaktus, turgori i tij, nuk e kuptoja pse doja ta shtrydhja në duar, me kënaqsinë e plasjes së një tullumbaci, por disi ndryshe nga ajo, sepse një tullumbac shpërthen, pothuaj e kundërshton ngacmimin tënd me dhunë, godet mbrapsht, ndërsa masa e kaktusit hafif ishte ndryshe, ai nuk plaste, ai e shumta do implodonte, do kish një reagim të brendshëm, që zgjat, i fshehtë, i padukshëm, që ti e ndjen në gishtat e tu shtrëngues gjithë kohën, kaktusin doje ta kafshoje, asnjëherë herbivorja dhe karnivorja nuk qenë pleksur bashkë asisoji, kaktusi kishte gjethe mishi, mish bimor, ai kafshim ishte dëshira e gjithë kafshëve të bashkuara të botës. Në mbrëmje, e vetme në dhomë, iu afrova dhe e preka, sikur ta puthja, ishte i ftohtë, si një mëkat luksoz. Kur u shkëputa nga kaktusi, s’kaloi shumë dhe në buzë ndjeva shpimet e para të vogla, ata gjembat pushorë, me siguri kristale të mprehtë mikroskopikë, edhe pse në dukje si push pubertar, kishin zënë vend në mishin e buzëve të mia, të cilat sa herë i bashkoja, i ndjeja tëk më dhimbnin. Ishte ndoshta një paralajmërim, që puthjet nuk janë aq të pafajshme, se një puthje mund të të djegë shpuese, në gjithë epidermën e butë që me shijimin ka marrë edhe mallkimin e të dobtës. Vetëm e dobta shijon, e dije? E forta sundon e mpirë.
Pellgu i heshtjes folëse u hap sërisht mes tyre, lagështia e atij kaktusi të vogël po mbushte me vlagë gjithë botën. Fraza të përgjithshme, si “gjithkush e puth një herë kaktusin e vet”, ose “e kush është pa ata gjemba në buzë” për fat nuk u thanë.
Dështuan si lule shkurti. Tjetra i kishte sytë me një lyrë si prej marsi.
- Nuk e besoja se do ia thosha këtë dikujt, - vazhdoi me zë të ulët, - por mua më është dukur se plagët e fëminisë, ato malcimet, të skuqura përreth, me një nxehtësi organike të dallueshme në prekje, me vatrën e qelbit në mes i cili nuk të neverit, pasi është i yti, janë mbase përvoja e parë seksuale e jona. Pus dhe pussy: rastësitë i hapin udhë të domosdoshmes. Ajo dëshirë e trupit për hapje… ajo krruarje që tregon se plaga po zhvillohet, po jeton, bakteriet e huaja me diçka virulente mashkullore, dhe bukuria e rrathëve të lëkurës që nga qëndra përmes skuqjesh në dobësim shkojnë drejt qetësimit në domenet e mërzitshme, të shëndetshme, pa plagë… loja me infektimin, shtrydhja, heqja e zhguallit të kores, e ngadaltë, e kujdesshme, e parakohshme, që përfundon me gjakosje të re gati për rimpiksje, gërvishtja e pandalshme, në periferitë e plagës, më shumë krruarje e butë, përkedhelje, zbulesa e pakëz lëkure rozë të re, që nuk është plagë, por as epidermë normale jo, nën mbulesën e kores që sa vete bëhet më e vogël nën thonjtë e tu… ti je e lumtur që e ke atë plagë. Është ngjarja jote. Për të mos folur për misterin e fashos, e cila gjithnjë të shtyn të mendosh për ç’po ndodh aty nën të.
- Edhe unë s’e mendoja që dikush, dikur, do ma thoshtë këtë, - ajo kish ardhur prapë tek e qeshura e fikur, e cila i doli me fajin e përsëritjes dhe fatalitetin e rutinës. - Por ti bëre shumë mirë, - vazhdoi pas pak, duke kujtuar një vjershë për një qytet që qenkej shumë luksoz si plagë dhe shumë plagë si luks.
Tjetra po e shihte tashmë me sy të huaj, yndyra prej marsi në ta ishte ngrirë edhe më tepër, nga ata sy nuk do dilnin dot kurrë më lot apo të tjera gjëra tokësore.
- Desha të jem pjesë e plagës së këtij qyteti, - vazhdoi, duke e kuptuar ndërkaq që po thoshte gjëra që s’duheshin thënë, - një rubin i ftohur i tij, dhe po ashtu dua që ky qytet të më hyjë në mish si cefël plage.
- Ti nuk ke nevojë për të gjitha këto, - opakja e kuptoi pendimin e saj të vonë, asaj s’i shpëtonte gjë, megjithë ata sy yndyre. - Ti këto po i bën për një mashkull që qëlloi të jetojë këtu, apo jo? Mos më thuaj jo. Ndihesh e kërcënuar? Dyfish e kërcënuar nga kjo rrethinë? Nga tërheqja e burrit prej city-t, si dhe nga estetika e pamëshirshme e city-t, e ngjashme me tërheqjen tonë prej top-modelëve që nuk ka të bëjë fare me dashurinë?
- Nuk e di. Mbase. - Buzëqeshja jo vetëm ishte fikur, por ftohja e hirit të saj i pahiste pjesën mbi mjekër, të cilën burri kish aq dëshirë t’ia pushtonte me buzë.
- Zot, pse duhet të luftojmë kaq shumë për vëmendje!
Buzeqëshja ishte fikur përfundimisht. Ka raste kur mirësjellja bëhet fyese.
- Më duhet të iki, - vazhdoi opakja. - Por ishte kënaqësi biseda me ju. Ju me siguri keni menduar “ja një grua opake”. Mos më thoni “jo”.
Tani heshtja duhej medoemos, edhe sikur të mos ish njëri ndër pellgjet e shumtë të passhiut, por vetë Atlantiku.
- Por, - vazhdoi tjetra, - unë jam opake njëdrejtimshe, dmth mua nuk më shohin dot nga jashtë, ama unë shoh mizorisht mirë që nga brenda meje. Qelq i ngjyruar i një makine presidenciale. Dhe vritem gjithnjë, si ajo bleta, në xhamet e mij, duke fluturuar drejt dritës përjashta. Ditënemirë!
- Prisni. Harruat librin.
- Jo, nuk ishte imi. Dikush e kish harruar mbi tryezë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).