Në Maqedoni si edhe në shtetet tjera të Ballkanit, tranzicioni ishte emri i procesit i cili njerëzve duhej tu sillte lirinë dhe mirëqenien, të projektuar në imazhin e ‘demokracive perëndimore’. Tani që mund të flasim për një histori të tranzicionit (18 vjet nga rënia e sistemit socialist) është e rëndësishme të shohim simbolikën që (nuk) u zhvillua gjatë kësaj periudhe. Simbolika që shfaqet në cikle të caktuara historike edhe pse simbolike, shënon prezencën në kohë të një realiteti që shfaq veten e tij (apo arrin bërjen e tij). Cikli paraprak i socializmit apo komunizmit në shtete të ndryshme në botë zhvilloi simbolikë mjaft të fuqishme (ylli, flamuri i kuq, prezenca e fuqishme e nocionit të proletariatit dhe ndjenjës së fuqishme të përkatësisë) që dëshmon për prezencën në kohë të një realiteti, të një politike të bazuar në një ide (komunizmin). Sot kur shohim historinë e tranzicionit, vërejmë që ky cikël historik është i zbrazur nga çfarëdo lloj simbolike. Asgjë e fuqishme nuk shënoi prezencën në kohë të premtimit të idesë së re (të lirisë individuale dhe mirëqenies). A nuk është kjo mungesë edhe simptomë mjaft e fuqishme që tregon për mungesën e prezencës në kohë (apo shfaqjes) të politikës që duhej të bazohet në idenë e re (kapitalizmin liberal)? A është mungesa e politikës, apo dështimi i saj për tu shfaqur, gjithashtu një simptomë e që tregon për mungesat në vet idenë? Pra, së fundmi, a është ideja liberal-kapitaliste një ide?

Premtimi për jetën e mirë përmes tranzicionit në Maqedoni u shter. Pas 18 vitesh tranzicioni (apo privatizimi) rezultatet janë dështuese dhe frustruese. Papunësi prej mbi 33% (më e larta në Evropë), mbi 10 mijë familje që jetojnë me më pak se 5 centë në ditë, shërbime publike të degraduara, sistem shëndetësor vdekjeprurës, mijëra punëtorë të falimentuar, korruptim maksimal i klasës politike, zgjedhje të manipuluara dhe të dhunshme, partizim i skajshëm i sektorit publik, konflikt i vazhdueshëm etnik, depresion melankolik i gjërë shoqëror, etj. Duke parë se premtimi për tranzicionin për në ‘demokraci’ (apo kapitalizëm liberal) nuk pinte më ujë (meqë rezultatet dështuese u bënë të dukshme në baza ditore dhe në rrugë), klasa politike e hoqi këtë term nga vokabulari i saj. Tentimi për heqjen e termit ‘tranzicion’ është ngushtë i lidhur me përmbajtjen reale të tij, privatizimin. Kur premtimi për ‘jetën e mirë’ u zbeh, u krijua momenti që të shfaqej përmbajtja reale e tij, pra privatizimi (apo vjedhja e pronës së përbashkët shoqërore). Për të mos e hapur diskutimin për formën, mënyrën e privatizimit, apo për vetë privatizimin si të tillë, klasa politike në Maqedoni filloi të fuste në retorikën e saj lojtarin e vjetër – nacionalizmin.

Nacionalizmi, duke qenë edhe ai një konstrukt artificial jashtë kategorive të realitetit, për dallim nga tranzicioni, vjen me pakon e vetë të simbolikës (flamuri, himni, historia etj) me çka shumë më lehtë mund të krijojë bindjen tek populli që kjo është me të vërtetë një ide (por që për dallim nga tranzicioni është ekskluzive dhe i drejtohet një grupi të caktuar nacional). Shfrytëzimi i nacionalizmit, njëlloj sikur premtimi i tranzicionit ka të njejtin qëllim, fshehjen e procesit të vazhdueshëm të rritjes së pronës private të një numri të vogël njerëzish. Pasiqë privatizimi i pronës publike (kapaciteteve prodhuese shoqërore) në Maqedoni pothuajse u përmbyll (duke vjedhur në mënyrë banditoze shumicën e fabrikave) hapësirat e reja të thithjes së kapitalit janë shërbimet publike që tradicionalisht i ka ofruar shteti (privatizimi i shëndetësisë dhe arsimit të lartë) si dhe vetë buxheti i shtetit (paratë e popullit).

Fetishi nacionalist në Maqedoni filloi të subvencionohet me ardhjen në pushtet të partisë së VMRO-DPMNE (e ekstremit të djathtë), pas ciklit të gjatë paraprak të pushtetit të partisë socialdemokrate (e pragmatizmit privatizues) e cila e pothuajse e kishte përfunduar procesin e privatizimit. Si grup në pushtet (korporatë partiako-biznesore), VMRO-së i duhej të zbulojë një ide të re me të cilën do të thithte kapitalin shoqëror në duart e grupit të saj (pasiqë socialdemokratët e shterën premtimin e tranzicionit). Dhe mu për këtë arsye kritika e VMRO-së në pushtet ndaj LSDM-së në opozitë ka një emërues të vetëm – tranzicionin. Dhe këtë e bën duke preferuar të flasë vetëm për të këqijat sociale të tranzicionit, duke mos folur për privatizimin si të tillë sepse kjo hap diskutimin më të gjërë rrëth akumulimit të kapitalit. Një partie, së cilës i kishte mbetur vetëm buxheti shtetëror për të thithur kapital, patjetër  i duhej nacionalizmi për të realizuar qëllimin e vetëm të cdo sistemi liberal ose demokratik ose  kapitalist – akumulimin e kapitalit. Nacionalizmi i shërben qeverisjes së tanishme në dy drejtime. Ndërtimi i nacionalizmit kërkon akte ‘madhështore’ dhe si rrjedhojë erdhën një sërë fushatash milionëshe mediatike, projekti për Shkupin 2014 (një projekt prej 200 e ca milionë eurosh). Në këto aktivitete mediale dhe ndërtimore që aspak nuk përbëjnë realitetin e jetës ekonomike të popullit, pushteti i tanishëm do të thithë miliona (përmes kompanive të angazhuara) nga buxheti shoqëror. Mënyra e dytë në të cilën nacionalizmi i intensifikuar i ndihmon klasës në pushtet është përmes stigmatizimit për ‘tradhëti kombëtare’ të çdo kritike ndaj pushtetit, i cili tani shfrytëzon aureolën e fetishit nacionalist (në mediat e këtij pushteti qarkullonin edhe lista me emrat e tradhëtarëve dhe patriotëve).

Partia shqiptare në pushtet, BDI-ja (nga nje parti me ide integrative e shndërruar në shfrytëzuese të nacionalizmit), gënjen kur përfaqësuesit e saj deklarojnë që nuk pajtohen me politikat nacionaliste të kryeministrit Gruevski. Ata do të marrin 10 milionë denarë për të ndërtuar një shesh të vetin (sheshin Skenderbeu), i cili do të jetë lokusi (apo hapësira) në të cilin ata do të thithin një pjesë të kapitalit shoqëror nën mburojën e fetishit nacionalist. Pra kundërshtimi i tyre nuk paskesh qenë aspak parimor, por thjesht i paska shqetësuar fakti që vetëm Gruevski po e shfrytëzon fetishin nacionalist për thithje kapitali. Pasiqë flitet për mjete buxhetore, atëherë ato mjete BDI-ja mund fare lehtë ti kërkonte për miratimin e ligjit për dëshmorët e UÇK-së (paga sociale për familjet e tyre) të cilin ligj gati se një dekadë pas përfunditmit të luftës së vitit 2001 ende e përdorin në fushata zgjedhore si një prej formave të ndërtimit të fetishit nacionalist. Qytetarët shqiptarë të Maqedonisë duhet ta kuptojë që betejat partiake me retorikë nacionaliste të partive të tyre aspak nuk kanë të bëjnë me fitimin e përparësive të grupit shqiptar, por me marrjen e një pjese të monopolit të VMRO për shfrytëzimin e nacionalizmit me qëllim të akumulimit të kapitalit. Pjesa e buxhetit që kërkohet për shqiptarët nuk do të shkojë tek ata (si qytetarë) por tek partia në pushtet (si në rastin me Sheshin Skenderbeu, ku përmes kompanive të ndërtimit do të thithet kjo pjesë e buxhetit nga BDI-ja).  Partitë shqiptare aspak nuk e kanë përdorur retorikën nacionaliste për qytetarët të cilët duhet ti përfaqësojnë, por ata vetëm kanë riprodhuar fetishin nacionalist tek shqiptarët. Nëse Gruevski ka prodhuar fetishin nacionalist për maqedonasit, partitë shqiptare janë agjentët shoqërorë të riprodhimit të këtij fetishi (për të cilin e akuzojnë Gruevskin).

Nacionalizmi në Maqedoni sot është fetish vetëm për popullatën (e cila vidhet sistematikisht), përderisa për partitë politike (VMRO dhe BDI) ai është vetëm një mjet për thithjen e kapitalit. Kjo është formula magjike e ‘post-tranzicionit’ në Maqedoni. Problemi me tranzicionin qëndronte në faktin se ai ishte aq shumë degradues për shoqërinë saqë asnjëherë nuk mundi të shndërrohet në fetish dhe gjithnjë ngeli një premtim bosh, por që shpresa shoqërore (për shkak të projektimit të rezultatit të tranzicionit në imazhet e zgjedhura të perëndimit) e mbajti gjallë deri sa ai u shterr vetë. Problemi themelor me fetishin e nacionalizmit është vështirësia e zbehjes së tij (për shkak të fuqisë së tij simbolike) dhe kjo u jep lirinë partive që ta shfrytëzojnë (me qëllim të thithjes së kapitalit, të vjedhjes së popullit) deri në maksimum, apo deri në konflikt të hapur etnik dhe spastrim etnik. Katastrofa e Maqedonisë qëndron tek kombinimi i kapitalizmit (zgjerimit të pronës private, akumulimit të kapitalit) me nacionalizëm. Ky kombinim degjeneron shoqërinë si të tillë, e tjetërson  politikën dhe e nxjerr kontekstin shoqëror nga kategoritë reale (ekonomia) në kategori folklorike, mitike dhe fashiste.

Moment kthyes në historinë e Maqedonisë ishte ardhja në pushtet e VMRO-së me një platformë pastër ekonomike (me 100 hapa të premtuar për rilindje ekonomike) dhe kthimi i interesit të shqiptarëve në kategoritë ekonomike (pas degjenerimit të  BDI-së, gjoja të dalur nga UÇK-ja, e cila familjeve të dëshmorëve të saj edhe sot pas një dekade nuk u garanton të drejta sociale). Ishte momenti në të cilin i gjithë populli i Maqedonisë ishte i lodhur nga nacionalizmi dhe filloi të fetishizonte mirëqenien ekonomiko-sociale.  Por, kthimi i nacionalizmit në skenë, për të mundësuar vjedhjen vampirore (kapitaliste) të popullit, dëshmon që sistemi i demokracisë me parti dhe me zgjedhje ’të lira’, sado premtues të jetë ai, është ngushtë i lidhur me kapitalizmin liberal, dhe se sot ky sistem është pjesë përbërëse e strukturës së tij. Sot, një ndër sfidat më të mëdha intelektuale është që diskutimi mbi tranzicionin të kthehet përsëri në skenën e debatit publik duke anuluar tentimin për flakjen e tij nga klasa politike. Vetëm përmes ktimit të tij dhe demaskimit të tërë procesit të tjetërsimit të pronës publike dhe vjedhjes së saj nga korporatat partiako-biznesore, mund të qartësohet për popullin logjika e sistemit të tanishëm të ‘demokracisë’. Vetëm një procedurë e tillë intelektuale, duke bërë të qartë qëllimin e vërtetë të partive (agjentëve shoqërorë që riprodhojnë nacionalizmin) mundet të de-fetishizojmë nacionalizmin dhe të hapë rrugën për politika të vërteta. Politika të vërteta për të cilat drejtësia sociale është çështje, ndërsa subjekt është vetë populli.

8 Komente

Pse keni shkuar aq larg deri n'Maqedoni mer??? Nuk ju pëlqen shqipëria? Apo e patë që për Shqipërinë kishte folë  ResPublika? smiley

M'pëlqeu ky paragrafi:

... kjo strategji politike, e konceptuar si bashkësi zgjidhjesh konsensuale të cilat pranohen – zakonisht pa vërtetim – si të vetmet të pranueshme për shoqërinë shqiptare, publikun, shtetin dhe institucionet, nuk mund të jetë veçse një formë rudimentare, pak a shumë beninje, e kombëtarizmit, e cila e mënjanon çdo lloj debati,  me argumentin herë naiv e herë hipokrit të interesit kombëtar

Vetëm kështu mund të kuptohet pse palët në konfliktin politik pareshtur i drejtohen njëra-tjetrës me akuzat – në vetvete të ngjethshme – për tradhti kombëtare, për shitje të interesave, për thika pas shpine, për rroga të serbit dhe të grekut. Kjo kabaré akuzash ka mundur të ngjitet në skenat institucionale më prestigjioze të vendit falë idesë, të pranuar pa vërtetim, se interesi publik nuk është veçse emëruesi më i vogël i përbashkët i interesave individuale, ose një formë primitive, e pa-artikuluar, gjysmë-mitike dhe gjysmë-kitsch, e patriotizmit.

 

Pasi emancipuan shpellarët, tani kanë marrë përsipër të pastrojnë edhe politikanët nga "mbeturinat patriotike-nacionaliste"

 

o rustem, o perfaqesues i nacionalizmit te shendoshe smiley , nuk kemi shkuar ne maqedoni, Artani eshte tetovar, dhe jeton e punon ne shkup.

 Nuk kisha kenduar gje nga ky Artan Sadiku.Qenka me goxha mend.Vetem nje gje desha te shtoj: Mos do te duhej ta pohontese e gjitha kjo nuk eshte nje lajthitje  apo interes individesh partiake por nje deshtim total i gjithe sitemit.

Artikulli shume interesant..

'''Politika të vërteta për të cilat drejtësia sociale është çështje, ndërsa subjekt është vetë populli.'''

Populli po cili popull se ?

Sllavi thote ka dy popuj ne Maqedoni kurse shqiptari thote se ka nje popull, he pike e zeze.

Sa mire qe eshte i cliruar nga fetishizmi nacionalist ky tipi, lum si ky jo si ata budallenjte e injorantet sllave ne pushtet . Apo ke merdhif me te tera o derezi, je qe je shpik ndonje gjuhe te proletariatit ose merr esperanton, keshtu s'lodh me njeri me dokrra.

e ke lexuar me te mengjrin Aqifo, e ke lexuar vrengsht. Hapi te dyja gavat, dhe lexoje dhe nje here para se te gjesh armikun e radhes dhe para se te deklarosh megaskandalin e radhes.

Meqe me qenka fshire postimi ku refuzoja kategorikisht te kem lexuar me ate pa xham, po citoj nje fraze qe ti mbush mendjen solit se e kam lexuar me ate me xham:

-Nacionalizmi, duke qenë edhe ai një konstrukt artificial jashtë kategorive të realitetit, për dallim nga tranzicioni, vjen me pakon e vetë të simbolikës (flamuri, himni, historia etj) me çka shumë më lehtë mund të krijojë bindjen tek populli që kjo është me të vërtetë një ide.

Nacionalizmi konstrukt artificial ? Jashte kategorive te realitetit?

Ka dy shekuj qe gjithe shtetet e botes ndertohen sipas idese nacionaliste te shtetit-komb e ky na qenka jashte kategorive te realitetit ? Ka absurditet me te madh ? Shtetet me te reja ne Europa qe u themeluan pas renies se komunizmit, pa asnje perjashtim u ndertuan si shtete-kombe me parti te forta nacionaliste. Per cilin realitet flet autori per ate qe ka pare ne enderr ?

Kur gjithe planeti eshte modeluar sipas shtetit-komb, biles edhe vendet arabe e tribute afrikane ku kombi s'ekziston fare dhe po perpiqen ti krijojne, si mund te flasesh per kategori jashte realitetit ?

Nacionalizmi eshte dukuri universale  dhe si cdo gje universale, qe eshte vertet universale, qe dallohet lehte se eshte universale e qe nuk pretendohet se eshte, ai gezon racionalizmin historik. Perfaqeson stadin me te ngritur e te perparuar te organizimit territorial e shoqeror qe ka njohur ndonjehere njerezimi ne teresine e vet.

Asnjehere pergjate historise gjithe njerezimi nuk ka qene kaq universalisht dakort ne rolin esencial te nje ideje ne ndertimin dhe organizimin e shtetit. Nuk na qenkesh ide, po pse cfare eshte esenca e shtetit-komb, miser i pjekur ?

 

E keqja e nje shkrimi qe bazohet ne premisa kaq jashte realitetit, eshte se u sjell deme shqiptareve ne Maqedoni te cilet nuk jane aq te dhene pas Pavaresise e identitetit kombetar sa ata te Kosoves dhe bash per kete kane per te ngelur ashtu siç jane, ne duart e sllaveve dhe s'kane per ta marre ndonjehere fatin ne duart e tyre.

Shqiptaret e Maqedonise duhet te mesojne ne radhe te pare ç'eshte liria prej te huajit, se kane ngelur shqiptare te kategorise se fundit.

 

 

o Aqif, po ti po sugjeroje dhe perkthime per Hegelin a derebardhe, ti e di se c'eshte realiteti...

Fshati qe duket s'do kallauz-thote populli, vetem per komunistet dashka  kallauz.

 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).