Kandidati i PS apo kandidati i PD? Gara zhvillohet e fortë, rrotë më rrotë, e po të dëgjosh komentatorët televizivë, mund të të krijohet përshtypja se po flasin për pilotë të Formulës 1. Mirëpo fatkeqësisht nuk po flasim për diçka po aq zbavitëse. Bombardimi me informacion të çfarëdollojshëm sjell shpërqendrim të publikut, sjell nervozizëm, sjell acarim e përgatitje për ndonjë të pabërë. Se stres është gjithë ky lëmsh që po krijohet. Ç’thotë një media, nuk e thotë tjetra – e sikur të mos mjaftonte ky ekzagjerim në shpallje shifrash, flitet edhe për kompani bastesh, apo për koeficientë të njërit apo tjetrit kandidat.

Duhej ndërhyrë në këtë situatë karnavaleske, meqenëse ekziston instrumenti për të ndërhyrë. Publikut i është ofruar një rrugëdalje prej konfuzionit, dhe kjo rrugëdalje është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni që do të duhej të ofronte koordinatat e besueshme, transparente e të shpejta, duke zbutur sadopak zhurmën që bëhet për çfarëdolloj interesi pjesor.

Mirëpo kështu ndodh vetëm në letër, ose vetëm po të lexosh ligjin e rregulloren që përshkruan detyrat e funksionimin e KQZ. De facto KQZ vepron ndryshe. Vonesat në numërime e në shpallje, mungesa e transparencës, arroganca në deklarime e nëpër mbledhje, të gjitha këto duket sikur ndihmojnë në krijimin e asaj mjegullës që, sipas proverbit, dëshirohet aq shumë nga ujqërit (elektoralë). Nuk mjaftokërka një histori e tërë plot me rekorde kryeneçësie të panevojshme që kulmuan në mënyrë të palavdishme me djegien e fletëve të votimit të 2009 (kujtojmë që djegia e fletëve të votimit, ndërkohë që ende nuk ishte sqaruar dyshimi i opozitës mbi ato zgjedhje, është e barabartë me djegien e provave për një krim të supozuar), me pretekstin që nuk kishte kuti të lira, edhe pse pastaj kutitë u blenë të reja…

Ben Ristani jo vetëm ngjan, por me sa duket edhe mendon si aktor filmash me cowboy. Aq thellë është rrasur në rolin e vet, saqë po na bind të gjithëve se KQZ-ja nuk është institucion publik, po një tjetër “tokë e xanun” me autorizim nga Partia, dhe vetë Beni (i hirosur nga Kryetari) s’është veçse “i zoti i toks”. Arroganca e Ristanit filloi të shfaqej që para zgjedhjeve, kur këmbëngulte se komisionerët e numëruesit e opozitës do t’i zëvendësonte me profesionistë “të paanshëm” (që më pas u zbulua se ishin ish-anëtarë strukturash blu). Megjithatë, kulmi i performancës aktoreske të Ristanit erdhi në mbledhjen e pardjeshme, ku si një cowboy i vërtetë, ia plasi në sy anëtarëve të opozitës në KQZ, faktin që burri në KQZ ishte ai, dhe që ata nuk mund ta përdornin foltoren e KQZ pa i marrë leje atij. Sepse natyrisht, për mentalitetin e cowboy-t kryetari i një komisioni ndërpartiak, kushtetues (pra publik), nuk është primus inter pares. Ai KQZ-në e ka me tapi, bashkë me foltoren e saj. E në mos e pastë me tapi, le të shkojë ta sqarojë këtë punë ai që ka tapinë… Mentaliteti i zakonshëm i privatit uzurpues të çdo hapësire publike, i personit që edhe pse e merr rrogën nga populli, e sheh veten si eksplorator të perëndimit të egër, ku ata që e mendojnë ndryshe janë indianë lëkurëkuq, e duhen qëlluar, apo duhen kyçur në rezervat.

Kështu pra, Beni foli si burrat para kamerave, e po si burrat shau kur ikën kamerat, duke ekzaltuar organet e veta gjenitale (ka dalë në modë kjo punë, që kur Çili filloi të përdorë argumentimin e tij, me tashmë të famshmin “trap”).

Alfred Hitchcock, regjizori i famshëm britanik ka qenë pionier i shumë risive e teknikave filmike, sidomos në zhanrin e thrillerit psikologjik. Një nga teknikat që përdorte Hitchcock, së bashku me skenaristët e tij, quhet “MacGuffin”. Estetët e kinemasë e përshkruajnë “MacGuffin” si një element të skenarit që tërheq vëmendjen e publikut prej linjës kryesore të ngjarjes. Përdorimi i “MacGuffin” shton ankthin psikologjik, konfuzionin, si dhe hap rrugën për efektin surprizë të ngjarjes. Afër fundit të filmit mësohet se fokusimi tek “MacGuffin”, në fakt ka qenë i parëndësishëm, dhe kulmi i ngjarjes ka qenë tjetërkund. Kështu edhe puna e Ristanit në KQZ. Ndërkohë që ky aktor vijon, në përputhje me skenarin e S.B., të ndërtojë pakënaqësi në opinion, të pengojë transparencën, të bëjë arrogantin – gjithçka shkon në funksion të divergjencës, të shpërqendrimit të publikut, të medias e të kujtdo. Ky spektakël i përbuzshëm mund të shërbejë për të mbuluar ndonjë të vërtetë edhe më të përbuzshme. Se në fund fare, Ristani s’ka as nga kush të trembet. Fajin për vonesën në publikim mund t’ua lërë IT-ve e teknikëve të kompjuterave, fajin për procedurat e numërimit mund t’ua lërë komisionerëve e numëruesve, gjithçka e ka një përgjegjës tjetërkund. Në fund fare, ekziston edhe mundësia e djegies së fletëve…

Në një shtet për të qenë KQZ-ja do të ishte duke përfunduar punën e vet fare qetësisht. Infrastruktura do të ishte përgatitur deri në detaj (se kohë kanë patur, fonde po ashtu). Absolutisht nuk do të kishte vend për cic-mice partiake në një shtet për të qenë. Sepse që në momentin e parë kur kryetari i një institucioni fillon të luajë “garipin” dhe fillon t’i shkelë syrin pushtetit, do të qe pushuar nga puna. Askush nuk do ta mbronte, as partia e vet (sepse keqpërdorimi dhe abuzimi nuk është çështje partiake, është çështje ligjore). Ditët e fundit ka patur zgjedhje në Kanada, në Skoci, në Finlandë. Asnjë trazirë, asnjë gjullurdi. Edhe atje ka patur palë të pakënaqura e rekurse. Po askund s’tolerohet arroganca prej atyre që në fakt duhet të jenë garantë të mbarëvajtjes së garës. Prandaj Ristani është fenomen endemik. Si i tillë, konflikton me demokracinë, këtë aspiratë universale. Pra, është mirë ta kufizojmë e ta ruajmë nëpër muze, që t’ia tregojmë fëmijëve si shembull negativ, si ajo çka nuk duhet të jetë një shërbyes publik.

Keqfunksionimi i këtij institucioni publik nuk vjen veçse si vijim i personalizimit të publikes, si vijim i privatizimit të së përbashkëtës me logjikën e “të fortit”. Fenomeni Berisha, që deklaron publikisht se të vërtetën finale e thotë facebook-u, është skenaristi i thrillerit. E për sa kohë ne kënaqemi duke qenë thjesht spektatorë pasivë, përse të mos e lejojmë ta bëjë gjithë sheshin përshesh Ristani, gjithë ky aktor bukurosh!

Arbër Zaimi

 

11 Komente

E shkuara sekrete e Arben Ristanit 

Çfarë e ka mbajtur peng nga e shkuara kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani. Jeta plot dritë-hije e juristit të njohur që PS e konsideron shkaktar të prishjes së standardeve zgjedhore, historitë e tij të vjetra me dy presidentë, Sali Berishën e Alfred Moisiun. Marrëdhëniet e vjetra të ish-gjyqtarit Ristani me shtypin dhe si mbërriti nga drejtimi i sallave të gjyqit në qelitë e burgut si i dënuar penalisht. Një portret i paautorizuar i kreut të KQZ-së.

Askush nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e tij... Arben Ristani kryetari i radhës i KQZ-së u konsiderua në zgjedhjet e 2009-s nga opozita jo si arbitër i zgjedhjeve, por si një arkitekt i vjedhjes së tyre nga Partia Demokratike. "Rikthimi tek mandati ynë i nëntë në Fier i kësaj KQZ-je të kthyer në vegël qorre të Sali Berishës, përmes një kryetari të dënuar në të shkuarën e tij jo të largët për marrje ryshfeti dhe një shumice që nuk i nënshtrohet ligjit po oreksit të Sali Berishës, është kuptimplotë për të gjithë ata që duan realisht të dinë se çfarë ka ndodhur në 28 qershor...", - u shpreh Rama më 20 korrik.

Në të njëjtën ditë, sulmit të Ramës, çuditërisht nuk i përgjigjet vetë i akuzuari për probleme me të shkuarën e tij, Ristani, por ai merret në mbrojtje direkt nga PD-ja. "Ristani... ka kryer me integritet të lartë detyrën e besuar. Sulmet e Ramës nuk janë tjetër veçse një rrugaçëri dhe pafytyrësi politike", - u shpreh një zëdhënëse e PD-së. Por, dhe në këtë rast, enigma mbeti, as Rama nuk u shpreh më gjatë se çfarë dinte për skedinën penale të Ristanit dhe as PD nuk foli për të, por thjesht e mbrojti të shkuarën e tij me punën e sotme të tij. 

Kaq është e mjaftueshme për të ngritur një pyetje, që është në interes të thellë të publikut për të marrë përgjigje; një pyetje që ngjan me një titull të vjetër filmi bardh e zi, që dikur TVSH-ja e transmetonte rregullisht: Cili jeni ju zoti Ristani? - shkruan Lorenc Vangjeli, në "Mapon" e 2009-s.

Zemërata e Berishës

Në adresën e tij në faqen zyrtare të KQZ-së dëshmohet se Arben Ristani ka mbushur plot 40 vjeç në fundmarsin e këtij viti. Ai është një prej përfaqësuesit më të spikatur të një brezi studentësh që mbaruan fakultetin Juridik në kapërcyellin e ndërrimit të sistemeve dhe falë edhe këtij fakti, patën fat në karrierën e tyre të mëpasshme. 

Gjyqtarët e vjetër komunistë u përfshinë në vitin 1992, - vit kur Ristani dhe një grup i madh kolegësh të tij mbaruan universitetin, - në një valë shkarkimesh nga detyra. Vakuumi i krijuar nisi të mbushej me studentë që sapo kishin mbaruar fakultetin dhe një vit më pas, edhe me juristët e "përshpejtuar" të dalë në seri nga serra e shkollës së Plepave, në Durrës. 

Konkurrenca me ta ishte fare e lehtë për t´u fituar dhe për herë të parë, me firmën e ish-presidentit Berisha, Ristani emërohet gjyqtar në Gjykatën e Tiranës në vitin 1992. Tre vjet rresht gjyqtar dhe pedagog i jashtëm në universitetin që sapo kishte mbaruar, kjo ishte një karrierë për t´u pasur zili, por normale për atë kohë. 

Deri sa fati do të shënonte ditë të zeza, krejt papritur edhe për atë që dukej si i shënjuari vetëm i ditëve të bardha. Në vjeshtën e vitit 1993, Aleksandër Frangaj, atëherë kryeredaktor kurajoz i "Koha Jonë", detyrohet të kalojë në arrest shtëpie në Lezhë, në pritje të gjykimit të tij penal: akuza, kishte nxjerrë sekretin shtetëror për kalimin e një autokolone me tanke drejt veriut të Shqipërisë. Në Shqipërinë e atëhershme, me një president të konsideruar më tej ai armik i shtypit, ky ishte një mëkat i frikshëm. 

Frangaj do të gjykohej në Lezhë, ku kishte shkuar për ta gjykuar si i komanduar pikërisht gjyqtari i ri Ristani. Avokat mbrojtës i Frangajt, ishte Spartak Ngjela. Në një sallë të mbushur me kolegë të Frangajt dhe deputetë të opozitës, Ngjela foli gjatë, pa harruar madje as "të drejtën anglo-saksone" dhe e "hutoi" prokurorin lokal që mbronte akuzën, i cili madje tërhiqet prej saj. 

Frangaj fiton pafajësinë e firmosur nga Ristani, kurse ky i fundit, fiton mërinë e ish-presidentit Berisha. Që për një përkitje të rastit, ishte dhe fqinj me Ristanin në apartamentin e tij të vjetër në Brakë.

Ky ishte dhe momenti që e ndau njeriun më të fuqishëm të vendit, me juristin që dukej se kishte një të ardhme të garantuar. Një ndarje që në fakt do të vazhdonte gjatë, me vite dhe do të kalonte dhe mes problemesh shumë më të rënda se kaq. Sepse ky do të ishte vetëm fillimi. 

Ajo që do të vijonte, do t´i ngjante si një kurdisjeje fatkeqe rrethanash, po ashtu dhe një loje ku më i dobëti do të priste vetëm faljen nga më i forti që nuk harron kurrë. Deri në ditën, kur të paktën, sipas kritikëve të tij nga PS-ja, do të bënte shërbimin e jetës për Berishën.

Arrestimi

Në mesin e viteve '90, shtypi kritik ishte shndërruar përfundimisht në shqetësimin e pafundmë të ish-presidentit Berisha. Basti i tij me botuesin Nikollë Lesi dhe drejtuesit e saj, Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka, do të vazhdonte dhe më tej. Thjesht pritej rasti për të rigoditur. Dhe ai erdhi me një padi të bërë nga ministria e Mbrojtjes, e drejtuar atëherë nga i ndjeri Safet Zhulali. 

"Të dënohet me burg kryeredaktori Frangaj dhe gazetari Leka që kanë nxjerrë sekretin ushtarak-shtetëror". Sot tingëllon qesharake se sekret atëherë quhej fakti që oficerët ishin të detyruar të linin armatimin e tyre personal në repart dhe se nuk mund ta merrnin më, si më parë, në apartamentet e tyre vetjake. 

Të dy gazetarët arrestohen dhe në prill 1994 dalin në gjyq. Gjyqtar i tyre ishte sërish Ristani. Vetëm 25 vjeçar, Ristani do të gjykonte kështu procesin më të rëndësishëm të jetës së tij, do të gjykonte për fajësinë a pafajësinë e dy, pothuaj, bashkëmoshatarëve të tij. Natyrisht ishte nën një presion të madh: nga njëra anë shtypi opozitar, por dhe ai ndërkombëtar, shoqatat e gazetarëve vendase dhe të huaja, institucionet e të drejtave të njeriut dhe nga ana tjetër, "fqinji" i pushtetshëm në rrugën e Brakës që i donte me çdo kusht në burg gazetarët.

Dhe sa kohë që vazhdon procesi, një tjetër element hyn në lojë: Nikollë Lesi bën një lëvizje "të dëshpëruar". E fton Ristanin në një lokal dhe në këmbim të pafajësisë së gazetarëve të tij, afron madje dhe një shpërblim. Ristani nuk pranon, ai e refuzon fort këtë ofertë, por si njeri, kishte dhe ai dobësitë e tij. I kërkon Lesit ta ndihmojë me dy viza greke për të afërmit e tij. Ajo çfarë nuk dinte Ristani dhe Lesi, ishte që në tryezën pranë tyre, agjentë të SHIK-ut të drejtuar atëherë nga Gazidede, kishin xhiruar dhe fotografuar gjithçka. Madje, dhe momentin e dorëzimit të pasaportave. 

Nuk mund të thuhet me saktësi sesa ka ndikuar ky "nder" i Lesit tek vendimmarrja e Ristanit, por vendimi i firmosur prej tij nuk do të kënaqte Berishën. I cili, megjithatë, bën një veprim të pamendueshëm për karakterin e tij të rrëmbyer në atë kohë: ndonëse njoftohet në moment për rezultatin e përgjimit të gjyqtarit Ristani, ai nuk ngutet. Pret dhe në fakt nuk pret shumë. Ose më saktë, jo më shumë se dy apo tre javë. Kur një short "fatkeq" e detyron Ristanin të gjykojë një tjetër çështje të nxehtë. 

Një anije e kapur me naftë kontrabandë pret vetëm firmën e tij që të dalë nga gjendja e sekuestrit në portin e Durrësit. Ai e bëri këtë dhe vetëm dy ditë më pas, ndërsa Ristani mbahet i mbyllur në një mbledhje që zgjat më shumë se tre orë në gjykatën e Tiranës, në cepin tjetër të saj, në apartamentin e tij në Brakë, kishte mbërritur policia dhe agjentët e SHIK-ut me një mandat për kontrollin e tij. 

Kërkonin për para të fshehura, që duhet të ishin shpërblimi i mundshëm për lirimin e anijes me naftë. Gjërat rrokullisen në një mënyrë të rrufeshme poshtë e më poshtë.
Ristani arrestohet nën akuzën e shpërdorimit të detyrës - dhënien e një vendimi haptazi të paligjshëm dhe një mitmarrjeje të pavërtetuar. Qëndron vetëm pak kohë në qeli me të njëjtit njerëz që i kishte dënuar vetë më parë nga pozicioni i gjykatësit. 

Ndonëse nuk pranon asgjë në proces, vendimi për të ishte marrë: dënohet me burg me një vit heqje lirie, vendim që i kthehet me kusht për dy vjet. Dhe i rikthehet liria. Duket se dhe në këtë pikë, dora e "fqinjit" ishte ndalur pikërisht në "hedhjen e lopatës së fundit me dhe" mbi një karrierë të shkatërruar dhe një jetë njerëzore të frakturuar dhembshëm. 

Por fati, edhe në këtë rast, nuk e kishte harruar Ristanin. Për të, pas rënies së thellë, do të kishte sërish ngjitje, madje të bujshme. Deri në vitin 1997 do të ishte avokat dhe do të mbronte dhe një tjetër personazh të njohur të kohës. Ristani do të mbronte me sukses të pjesshëm Ilir Hoxhën, të birin e Enver Hoxhës, të akuzuar në mënyrë qesharake, sepse kishte guxuar të mbronte të atin në një gazetë periferike të kohës. 

Kaq dukej se do të mbushte kupën në mërinë e tij me "fqinjin" president, por ndërkohë kishte ardhur viti 1997, kur ish-presidenti kishte halle shumë më të mëdha për veten e tij. Madje, edhe atë të gjetjes së një avokati personal. Ristani rifutet në shërbim shtetëror, kësaj radhe si inspektor në ministrinë e Drejtësisë, deri në vitin 1998, më pas kalon katër vjet të tjerë në profesion të lirë si avokat deri në momentin kur fati i keq duket se i kishte perënduar përfundimisht.

Tek Presidenti tjetër

Një tjetër ish-president do të behej fati i tij i mirë dhe i keq në të njëjtën kohë për juristin me halle. Alfred Moisiu do t´u besonte rekomandimeve të jashtëzakonshme për juristin e aftë dhe do ta ftonte Ristanin në kabinetin e tij të ngushtë me detyrën e këshilltarit juridik. E kaluara dukej se ishte harruar dhe se për ish-avokatin karriera do të rridhte e qetë në paradhomën komode të një presidenti të zgjedhur me konsensus dhe që e pëlqenin të gjitha palët. Por, dhe kjo histori, do të ndërlikohej shumë shpejt. 

Në grindjet që nisën mes Moisiut dhe ish-kryeministrit Nano, në vitin 2003, për herë të parë hyri një element i ri në luftën politike të ditës, ai që në median e kohës, do të quhej lufta mes stafeve. Dhe stafi i kryeministrit Nano duket se ishte furnizuesi i medias me disa të vërteta të hidhura për dy nga këshilltarët e zotit Moisiu. Një nga ta ishte vetë Ristani. I zhgënjyer, Moisiu i kërkon llogari vartësit të tij për detajin e të shkuarës që ai i kishte fshehur. Por nuk kishte mundësi të bënte më shumë, veç t´i komunikonte se rrugët e tyre tashmë ishin ndarë. E megjithatë, kjo thyerje e radhës, nuk do të thoshte se rruga e Ristanit drejt karrierës personale ishte e mbyllur përfundimisht.

Ai i rikthehet sërish avokatisë deri në vitin 2006. Dhe plot tre vjet më parë, më 31 korrik 2006, Ristani ishte një nga emrat e propozuar nga Partia Demokratike për të qenë anëtar i KQZ-së. 

Në një nga seancat më dramatike dhe më qesharake të Kuvendit të shkuar, kur aleatët e sotëm e sulmuan Jozefina Topallin me vazo lulesh, ai votohet në godinën e ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, bashkë me kandidatët për KKRT-në dhe Këshillin Drejtues të RTSH-së. Si anëtar i KQZ-së, ai punon me një tjetër ish-gjyqtar dhe mik të vjetër të tij, Çlirim Gjata dhe kalon provën e zjarrit me zgjedhjet lokale të shkurtit 2007. 

Bie pak në sy, por nuk dihet se pse, një vit më pas, në vjeshtën e 2008-s, largohet nga KQZ-ja dhe emërohet nga presidenti Bamir Topi si drejtor i shkollës së magjistraturës. 
Vetëm për katër muaj, sepse tashmë arrin sërish në majë: emri i tij ishte i pari i propozuar nga Berisha për kryetar të KQZ-së. Në shkurt 2009, ai votohet nga Kuvendi si arbitër i zgjedhjeve.

Rreshtimi i dukshëm me PD-në

Në të vërtetë, Ristani, një jurist karriere, tregoi se nuk ishte ulur në karrigen e arbitrit për të qenë i tillë. "...Kot merremi me 'KETA', po e humbasim kohën kot, 'ATA' e kanë ndarë mendjen të mos hyjnë në zgjedhje...". 

Kjo fjali i përket në një mbledhje publike vetë kryetarit të KQZ-së, Ristani, dhe "KETA" e "ATA" nuk ishin tjetër, veç Partisë Socialiste dhe anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ. Fjalia e tij paralajmëruese, ndonëse u publikua nga të gjithë mediat, kaloi shpejt në harresë: vendi ishte në prag të fushatës elektorale dhe rrjedha e lajmeve ishte kaq e fortë sa një kambanë e tillë alarmi, u përcoll me pak kuriozitet në selinë e PS-së. 

Më pas, gjithçka është histori. Standarde të dyfishta të drejtimit të KQZ-së, ironi e madje edhe kërcënime për anëtarët e saj të opozitës, rreshtim i hapur në favor të "ish-fqinjit" president. Ristani sheh që nuk ka më kthim mbrapa. 

Në momentin kur dhe ai vetë voton në favor të një mandati shtesë për Partinë Socialiste në Fier, flet për "sharlatanë dhe sharlatanizma". Nuk ka asnjë dyshim: ai që duhej të ishte arbitri i zgjedhjeve, ndan njërën palë nga tjetra dhe atë palë që nuk e pëlqen, e konsideron as më shumë dhe as më pak, por "sharlatanë".

Duke e ftuar me arrogancë të mbyllë gojën e të heshtë. Ndjehet i fituar dhe hesht edhe vetë kur kryetari i PS-së, Edi Rama, e sulmon rëndë për të shkuarën e tij. Në fakt, nuk ka shumë për të thënë: nuk është aq i pasur sa për të blerë harresën për të shkuarën e tij. E cila ndoshta i është rikthyer sërish në të sotmen e tij shumë më pak profesionale se politike, duke e bërë të ndikojë në të ardhmen e vendit. Padyshim shumë më shumë se cilido tjetër që ka qenë në pozicionin e tij.

      

Shekulli

 Une habitem, s'ka ne Shqiperi juriste e avokate te zote, te paperlyer ne pislliqet e politikes, qe zgjidhen keta. Une mendoj se ka, por si duket , politika shqiptare dhe me sakte pushteti, do njerez te perlyer, per ti perdorur si marionete. 

 O Pjer, nuk te ka bo mire Belgjika, ta ka heq nuhatjen pragmatiste alla shqiptare. A nuk po e lexon ket artikllin e shekullit, qe e kom postu me siper? Ate meqe e kane ne dore, ja kan mush dosjen, e kan vu ketu, dhe sa per kujtese, ja tundin dosjen here pas here para syve..... Njerez te mire e te devotshem, dhe plot integritet, ka plot, po ata nuk i do njeri..............

 E lexova Alidemso smiley e lexova, prandaj dhe ngrita pyetjen se pse shteti shqiptar (qe duhet te jete i ndare nga qeveria), pranon ne poste delikate, njerez te perlyer, pra qe ju eshte bere dosja sa nje mal. 

 Po alidems e kendova.Kete  njeri  e njof shume mire.E kam pat  avokat, ne nje konflikt civil me nje firme tjeter.Jam ne gjendje tja  bej portretin  ashtu  si e ka ne te  vertete por me duhet  ta shikoj ne aspektin e demit qe mund ti  sjelle  shoqerise,  se sa vehtes.Kjo mendoj  eshte thelbesore. 

    Ky  djale, ka kohe qe endet   neper rrugen e veshtire, per tu bere Burre.Duke mos mesuar  asgje prej  perpjekjeve te  shumta  te ketij populli, shokeve te  vet te shkolluar, per diçka te ringjallur, prej proceseve demokratike, ka mbetur  si  per tu treguar  "me gisht", se eshte  njeri  nga ata qe u  mungon "patriotizmi qytetar", i  cili mbruhet  e mbrohet vetem prej humanistesh te vetmuar  neper esete e tyre  te  pafrytshme.

    Qe te kuptohen mire tipa si ky, si Çili e ndonje tjeter, do te duhet te  sjellim nder mend hipotezen e famshme te F.Fukujames, tek "Fundi i Historise", mbeshtetur  ne besimin se demokracia liberale qenkej duke e fituar lojen.Ka patur gje tjeter me larg te vertetes se kjo?Pasi  dhe  tipa te  tille ani  pse shume te  vegjel si peshe, por ne kuadrin e demit qe sjellin nga pozicione qe zene ne vende te vogela si ky  yni  nuk duhen lene jashte  vemendjes, revolucionin eurolindor, qe nisi ne 1989, eshte  konceptuar si nje rebelim kunder modernitetit (qe ne fakt do te  duhet ta emertojme kunder Perendimit, i cili tek e fundit ishte ai  shpikesi i asaj  strategjie te pameshirshme  modernizuese te quajtur socializem) dhe ne kete  aspekt  si diçka i  ngjashem me revolucionin  e realizuar ne Iran, prej  Khomeinasve.

 Ky  ortodoks ne origjine dhe fondamentalist  islamik tipik, ne sjelljen si  oficer publik, me tere sjelljen e tij nuk ben gje tjeter veçse i  kundervihet mundesise edhe per te menduar  per nje demokraci liberale, edhe sa mund per  te varrosur shanset per ta imagjinuar  si  platforme zbatimi  Demokracine Liberale.Mendesia e tij , ardhur prej te  qenit nje qenie e ndertuar  si me plasteline, zbaton idete  dhe mesimet e atij ...qe e ka konsideruar  te huaj Demokracine Liberale.

 Per te mos te te  lodhur miku im, po sjell nje mendim timin ne analogji  me  sa pati thene  Osvald Shplengeri, ne vitin 1918:"E keqja e liberaleve gjermane nuk qendron ne ate  qe jane liberale, por qe jane ...angleze.."E keqja e tipave si ky spitullaq zararemadh nuk qendron qe eshte kunder parimit baze te nje  Demokracie Liberale, por qe eshte  nje kobure,  qe pellcet edhe pa ja terhequr zemberekun...

Tung

Kete  njeri  e njof shume mire.

Ka ndonje qe nuk e njef mire ti grava?

 Juve..., pasi  dhe ti  nuk e njeh  vehten tende

E kisha seriozisht.  Leri batutat.  Per nje numer te madh personash publik qe permenden ne peshk, ti thua kete e njoh mire.

Pytjes tuaj i mungon elementi i modestise ne sinqeritet... Po e kam pat  avokatin qe me ndiqte nje çeshtje  timen .Dhe kam ndej e henger  darka e dreka  ne  shume here.Le qe e njoh dhe familjarisht.Pastaj  ta  dishe qe edhe pse Tirana duket shume e madhe brenda dites takon qindra.Ca me shume  qe jam dikushi.............

 Eh mer Grave, shpesh here na ndodh qe rruget tona takohen me rruget e ca tipave qe nuk donim as qe ti shikonim me sy, e jo me te jepnim e te merrnim me ta. 

PO çti besh kjo eshte jeta...

 alidemsi  i shtrenjet!

Per nje njeri te matur, ilaçi me i neveritshem qe i sheron "dhimbjen", eshte ..lodhja prej saj.Ne jete kam parapelqyer ta braktis  vete kete "dhimbje", se sa te me braktiste ajo mua....

Na duhet te heqim dore prej nje qendrimi, qe s`mund ta mbajme, per nje kohe shume te gjate.

Tung 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).