gipsy_repast_hi.jpg (450×357)

Eja vëlla, o peshë e rrëzuar mbi parakrah,
karrocierët e kanë pijen e vrazhdë,
heshtjen të pikëlluar si qarje babai
që ka humbur para kohe të vëllanë,
pa lotë, murrëtim i ashpër mjekre,
të pabesë rakinë, tradhëtare gratë,
nuk shkojnë në shtëpi, jo se nuk duan,
karrocierët, por e shtyjnë zbulesën
e hidhur një tjetër ditë, me raki
më të mirë për dramë,
i thonë vetes duke t’u drejtuar
mos rri i vrërët dhe vrerin
vrite me pak gogozhar e hurdhër,
ne dashurojmë kuajt, me hapët se kaq
asnjë tragjedi nuk u luajt…
kamzhikët si gjarpërinj pendimi
ndërrojnë lëkurët pa ndjerë,
i kafshojnë në duar, gjakun helmuar.

Ata mbetën atje, eja në shtëpi
thashë, dhe karrocierët
qëndruan stoikë, na panë pa folur,
nuk di në më quajtën “gaxhò”,
kjo do më vriste pa kthim,
ktheva kokën, i pashë, ndoshta
nuk dinin që ne kishim lënë tryezën
kokat e tyre thoshin “natyrisht”,
fjalën më të mrekullueshme të një gjuhe,
më erdhi turp për mëlçinë time,
pastaj për shpirtin, m’erdh turp
për radhën e saktë të turpit,
radhën e saktë të keqardhjes,
rregullin e saj, dy këpucët e njëjta
të mia që aq shëmtuar dukeshin përbri
këpucëve të ndryshme të tua, vëlla,
psherëtima jote vlente sa për 100
çaste esëll të miat me komonsens dhe libra,
lulishtja matanë mbante vjelljen tënde
plagë që thahej mbi gardhin e gjallë,
më erdh turp që e dija shtëpinë
këpuca jote e ndryshme, ajo që s’e dinte
më pa me përbuzje - nuk dija
cila këpucë qe e ndryshme, se të dyja
janë të ndryshme këpucët kur janë,
cila qe e rregullta, ajo që përkiste,
ashtu si ne të dy, vëlla, nuk dija
cili nga ne qe ndryshe, unë dija shtëpinë,
keq më vinte për veten, sa poshtë biem,
dija rrugët, nga i bihej shkurt,
nga nuk na shihnin shumë veta,
të ruaja namin e mirë të rakisë,
të ku ta gjej një çun si ti-së,
t’mos pijë verë, t’mos pijë rakisë,
isha një hile e neveritshme, vëlla,
pa guxim para hijes së mureve,
atje po të shpija, tek shikimet e padurueshme
të familjes, merr shembull nga unë, që nuk pi,
si s’të thashë falemnderit kurrë vëlla
që më dëfteve sa i mërzitshëm isha
pa ma shtënë kurrë në sy!

16 Komente

Per nje poezi te tille ne Angli do te te kishin arrestuar per "drunken and disorderly," por me nje avokat te mire qe do argumentonte se "e kerkon subjekti," do ia kishe hedhur me nje dacke te lehte duarve. 

te lumte pena cim. e shkelqyer.

 eeee, os ma ke dediku mu keto vargje ti.......se sikur jam une ketu.......apo mos valle aludimi eshte i qarte...(per Bostonianin kjo)

Prekese, qe dreqi e marte!

heshtjen të pikëlluar si qarje babai
që ka humbur para kohe të vëllanë,
pa lotë, murrëtim i ashpër mjekre,

bukur emo. mallengjyese.

 

kamzhikët si gjarpërinj pendimi
ndërrojnë lëkurët pa ndjerë,

pse sthua, qenke njeri i nenprefektit?smiley

5*

Shume e bukur Emo, shume prekese.

thx, everybody!

Ee emo se paske mbaruar akoma venën poetike .Bukur por me dhimje vëlla .

Ps : jasht teme ata këpucët e ndryshme më kujtuan një prof shumë të mirë e xhanan njeri nga nxitimi kishte veshur një këpucë me 3 vrima (lidhsje ) dhe tjetra me 4. I kishte dalluar por s'mund të kthehej se tashmë kishte arritur .dikush nga studentët e dalloi dhe shpejt të gjithë  e mezi po mbanim të qeshurën .Prof e kuptoi e tha emre si bëni dhe ju e di e di por s'ja vlente të kthehesha në shtëpi se dhe atje dy të ndryshme janë .

 

 

 Emigrant, te kam dhene "urdher" ti mbledhesh te tera tregimet e poezite, e ti botosh ne Shqiperi . Me pas ti perkthesh ne anglisht e ti botosh aty ter tregun amerikan. 

 Pjer, kete ja kam thene dhe une, po siç duket nuk ka vizion.....

jo nuk ka vizion,  nuk ka ''Vizione te qarta'' thuaj.  çelesi i suksesit ne jete.smiley

Nje poezi e shkelqyer...

Do të doja të komentoja shumë më shpesh në prurjet e tua, por nuk di pse nuk e bëj. Ndoshta është drojë nga keqkuptimet dhe lëndimet e mundshme dypalëshe të sedrës, kushtëzuar edhe nga mënyra e kufizuar e të pashprehurit mundshëm në këtë formë. Ndoshta do të më mirë të flisnim gojarisht për prurjet, adresën e Skype mund të ta jap në privat, dhe do gëzohesha nëse do bashkëbisedonim dikur. Është vështirë të dalësh nga roli i prurësit e të shkruash objektivisht si lexues një koment të thjeshtë, pa menduar ndërkohë se si do e kishe shkruar vetë. Nuk më le gjithashtu natyra ime e sertë, që përpiqet në çdo gjë të gjejë së pari defektet, gabimet, të metat, zakon i keq ky, i kushtëzuar nga profesioni. Ndaj të lutem të më ndjesh, nëse do bëj pikërisht këtë. Rakia jote është e mirë, i nderuar, por duhet distiluar edhe ca, deri sa të mbeten "perlat e para", esenca, më e domosdoshmja, minimumi i asaj që mund të thuhet, shkruhet.

Arti më i madh është të heshturit fisnik, kur kemi diç për të thënë. Shkruajmë, ngaqë nuk mundemi të heshtim; ndaj le të përpiqemi të themi sa më pak, mundësisht me pantomimë. Gjendja e poezisë është e bukur, trishtimi që përcjell po aq rrëzëllitës, është diç që duhet thënë, që nuk e mban dot. Por disa përftime të mëpastajshme, mendimi im ky, lutem mirëkuptim, mund të liheshin fare mirë mënjanë. Nëse e thellon përshkrimin e asaj që do të shprehësh, përshkrimi i dytë duhet të jetë edhe më i bukur se i pari, më i thellë, më i domosdoshëm, më përfshirës, përndryshe nuk ka pse shkruhet. Pikërisht kjo hemoragji fjalësh më lë shpesh ende dëshirues në vargjet e tua, ndonëse bën pjesë në shenjën tënde, në stilin tënd. Fjalori yt është për t'u patur zili, por shpesh e shpërhap fokusin e përjetimit, të gjendjes. Do dëshiroja nga ti më shumë vetëpërmbajtje, më shumë "weniger ist mehr" në të shprehur, më shumë punktualizëm në injeksion. Shtoj këtu se poezia është shumë e mirë dhe e komentova se më pëlqeu, përndryshe nuk do të isha ndalur. Kalofshi mirë!

 

 

 

Flm, i nderuar! E rendesishme eshte qe gjithe c'shkruaj, pavaresisht nga une, e di qe do lexohet nga nje rreth i ngushte sysh; rreshtat marrin nje jete te tyren sapo lindin e mu si adoleshente nuk me pyesin me, madje m'urrejne, gati gati me ate syndromen e vrasjes se babait - dhe e cuditshme, ne ate rreth te ngushte sysh hyn-e-dalin veta neper kohe, rrethi mbetet i vogel megjithate, rast tipik i ekuilibrit dinamik - nderkaq, mirazh, ju jeni nje pjese konstante e atij rrethi. Them qe kete e dini, dhe prap e perseris. smiley

Jam i ndergjegjshem per c'me thoni, per proliksitetin e fjales dhe te mendimit. Nuk jam i sigurte ne duhet te perpiqem ta rregulloj ate gje, sepse ashtu gjeja do merrte ngjyra professionale dhe kam gjithashtu nje frike qe nuk do isha me une.

Perseris qe ndihem shume i nderuar!

Flm!

 Mirazh, Emo, nuk eshte poet, nuk i njeh rregullat, shkruan per qef te vet, ashtu siç i vijne vargjet, kenget, muza...pa retushe dhe nuk i kthehet pas asaj qe shkruan dmth me nje fjele i poston ashtu bruto...prandaj mos ja ver re, ato "gabime" stilistike, apo "profesionale"...ai eshte ai dhe le ta marrim ashtu siç eshte ai.....

smiley

nuk ka rregulla, patrioto; plus, sa per saktesim, une i kthehem gjerave qe shkruaj. Jo se ka ndonje rendesi kjo, por meqe u fol.

Ato qe thote Mirazhi jane objektivisht te drejta, dua ta saktesoj edhe kete.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).