Në vijim të pjesës së fundit të fjalës që Eqerem Çabej mbajti në Kongresin e Drejtshkrimit, më 1972, gjuhëtari trajton disa parime themelore të drejtshkrimit.
E fundit po e rëndësishme, është faza përmbyllëse, për shqiptarët këndej e andej kufirit, pra në Shqipëri edhe Kosovë, popullsia e përbashkët e të cilave arrinte në katër milion në fillim të viteve 70' kur u shkrua artikulli


Gjuha popullore përbën rrënjën që ushqen në mënyrë të pareshtur gjuhën e shkrimit. Kur kjo largohet nga ligjërimi popullor, largohet njëkohësisht dhe nga masat popullore, dhe rrezikon të bëhet një gjuhë letre, një gjuhë artificiale.

Në qoftë se gjuha e shkrimit mbyllet në vetvete dhe largimi i saj nga të folët popullor theksohet edhe më tepër, me kohë paraqitet mundësia e një diglosie, një dygjuhësie, gjë që ka ndodhur në disa gjuhë të botës, edhe të Europës. Për disa arsye sociolinguistike, të cilat nuk është vendi të shtjellohen këtu, edhe kalimi nga dialektet teritoriale në gjuhën e shkrimit duhet të jetë i ngadalshëm e i harmonishëm.

Gjuha e shkrimit nuk duhet të jetë dialektofobe. Mbetet një fakt në atë mes që ligjërimi popullor me gjithë shtresat e ndryshme që e përbëjnë, me karakterin e tij të natyrshëm e të thjeshtë, është i caktuar të jetë një gurrë e gjallë ku përtërihet vazhdimisht dhe gjuha e literaturës.

Duke hyrë në disa pika të veçanta, në lidhje me vijat parimore që u ravizuan më sipër, do të thuhet se janë arritur rezultate të mira, disa pika të qëndrueshme, në shkrim të shqipes në drejtim të thjeshtimit e të konvergjencës.

Një nga parimet që kanë rezultuar të jenë të drejta në këtë fushë është marrja parasysh e kriterit të shtrirjes teritoriale të dukurive në caktim të normave drejtshkrimore. Konkretisht, kur një formë e caktuar përdoret në mbarë trevën e njërit nga dialektet kryesore dhe pjesërisht edhe në tjetrin, ajo me të drejtë ngrihet në normë të shkrimit.

Në bazë të këtij kriteri përdoret vend edhe zemër, jo vënd edhe zëmër. Për të njëjtën arsye të konvergjencës ka zënë vend edhe shkrimi i bashkëtingëlloreve fundore të zëshme si të tilla, me gjithë shqiptimin e pazëshëm të tyre në një pjesë të mirë të dialekteve jugore, shkrim që pajton dhe me ruajtjen e strukturës morfologjike të fjalëve përkatëse, në rasa si shtogu, i madhi, mblodha.

Për të njëjtin kriter është arritur, ndër të tjera, përdorimi i j së në vend të nazalit palatal nj në fund (e në trup) fjalë te foljet, tipi punoj, punoja, dhe po për këtë arsye janë gjithë mundësitë që ky përdorim të shtrihet edhe në sistemin nominal, tipi ullinj, të mëdhenj, forma që s'janë të huaja as për ligjërimet jugore. Parimi i thjeshtimit drejtshkrimor është zbatuar në dobi sidomos në përdorim të ë-së së pathekse, një nga pikat, sikundër dihet, kryesore të drejtshkrimit të shqipes.

Duke i dalë përpara prirjes së dukshme të gjuhës për një thjeshtim më të madh në punë të shkrimit të këtij vokali në të ardhmen, mund të shkohet më tej në këtë drejtim, duke shkruar ndër të tjera amtar, pishtar, arsim, kshill, pjestar, pjestim, përmendsh, trekëndsh, trajta fjalësh që gjinden pjesërisht që në traditën e vjetër të shkrimit (si kshill), e pjesërisht në mbarë truallin e sotëm të gjuhës.

Aty duhet të hyjnë dhe shumëset dit dhe net. Shkrimi i tyre me një ë fundore, në kundërshtim me mbarë përdorimin gojor dhe me mbarë traditën letrare, nuk përligjet shkencërisht me trajtat e shquara, ditët, netët, sa kohë që ka edhe rasa të përkundërta, si lot përkundrejt lotët, të zot përkundrejt të zotët, njëzet përkundrejt të njëzetët.

Edhe te lidhoret e tipit të dalësh, të marrësh do parë mirë gjer ku kriteri i përpjestimit të përhapjes teritoriale lejon këto shkrime me ë të rrokjes fundore.

Nga ky kriter, dhe nga parimi i konvergjencës e përgjithësisht nga arsyeja e shëndoshë, duhej të udhëhiqej drejtshkrimi dhe në shkrim të formave Mitkoja, Pirroja, apo Mitkua, Pirrua.

Format e llojit të parë imponohen aq më shumë, kur të mendohet se ku do të çonin trajtat e shquara të fjalëve dhe emrave si kakao, foto, Romeo, radio, studio, trio, Klio, sikur të zbatoheshin mënyrat krahinore me ua për mbarë fushën gjuhësore të shqipes.

Nuk do të rimerren këtu grupet zanore ie, ye dhe grupet bashkëtingëllore mb, nd, ngj, që u zunë ngoje më lart, ku norma drejtshkrimore është arritur prej kohësh.

As variantet tashmë margjinale të tipit motrë, veglë, dorzë, ku në shkrim janë arritur gjithashtu format e përbashkëta që dihen. Vetëm do të preket, si një rasë tipike e konvergjencës, depërtimi i sufiksit të agjentit ues (dërgues, mësues, sulmues) në gjuhën e përbashkët të shkrimit, i cili po fiton edhe mbi variantin popullor përgjegjës uas të Jugut (liruas, përçuas, përgjuas, shpëtuas) edhe mbi onjës, që në ligjërimet veriake paraqitet si ojs, ojse, në fjalë si diftojs, mësojs, fërkojse.

Depërtimi ndërdialektor vërehet në fjalëformim edhe në të tjera formante. Hyjnë aty sufikset ueshëm e yeshëm, në rasa si i besueshëm, i gëzueshëm, i rrëmbyeshëm. Pastaj sufiksi meni i Shqipërisë së mesme, në fjalë popullore si pameni "pamje, panoramë", i cili me funkcionin më fort të mundësisë, me trajtën e tij të kryehershme dhe me trajtën përgjegjëse të ndërtuar mëri, u bë produktiv në gjuhë, në rasa si gatishmëri, ngjashmëri.

Përtej caqeve të formës, edhe në fushën kuptimore të fjalëve ka shpërngulje drejt konvergjencës, me integrim të domethënieve dialektore në domethënie më të përgjithshme, më përfshirëse, si për shembëll te çoj, sot kryesisht "shpie, përcjell, dërgoj, nis; ngrë, zgjoj nga gjumi; kaloj kohën, shkoj jetën".

Një kapitull me rëndësi përbën dukuria e univerbimit (njëfjalëzimit), dhe lidhur me të çështja e shkrimit të fjalëve bashkë ose ndaras.

Në vjetët e fundit vihet re një prirje për të shkruar si një fjalë të vetme lokucione ndajfoljore e lidhëzore si megjithatë, megjithëse, kurse shkruhet dy fjalë sinonimi i kësaj edhe pse, dhe rekomandohet - a me të drejtë? - një shkrim tri fjalësh për mes për mes etj.

Historia e shqipes tregon me të vërtetë prirjen - të shpeshtë në gjuhët më të ndryshme - për të shkrirë në një fjalë sidomos elementet leksikore me një vëllim përgjithësisht të pakët e me pavarësi relative, si pjesëzat a lidhëzat as (bashkë me kompozitet e saj si askurrë, askush, aspak), dot, ndiç, ndonëse, nëse, etj., të cilat për një pjesë të mirë janë formuar nga një fjali a një pjesë fjalie përbrenda sandhit, ngërthimit të fjalisë.

Kështu sot shkruhen prej kohësh një fjalë ndër të tjera gjithkush, gjithqish, mbasandej, njëmbëdhjetë, dyqind, pesëdhjetë, ndërkaq, mbassi, vetëvetëhe, të cilat tek autorët e vjetër paraqiten të shkruara me pjesët veç e veç.

Tendenca e univerbimit dhe me të e formimit të kompoziteve vihet re dhe në fjalët e reja, si te vajguri nga vaj-guri, në fushën dialektore për shembëll te vetjotja e Siqelisë, në Shqipëri vetja jote. Në lidhje me shkrimin e fjalëve bashkë apo ndaras shtrohet një çështje teorike e karakterit parimor. A janë, dhe a ndihen, megjithatë, megjithëse e të tjera si këto një fjalë e vetme, apo një lidhje fjalësh?

Për të sqaruar këtë çështje, po marrim kombinimin e shqipes me mend me kuptim mbiemëror, në shprehje si burrë me mend, e cila i përgjigjet kryekrejet greq. së re me gnosi e me frónisin dhe rum. cuminte, që kanë të njëjtin kuptim.

Ndërsa këto lidhje në greqishten e re shkruhen dy fjalë të ndara, ashtu si shkruhet me mend në gjuhën shqipe, rum. cuminte shkruhet sot një fjalë. Kjo tregon se në atë gjuhë cuminte ndihet si një fjalë e vetme, në shqipen e në greqishten si një lidhje dy fjalësh.

Nuk bashkohem me gjykimin e E. Coseriut, i cili në kundërshtim me Kr. Sandfeldin mendon se në formim të rum. cuminte, si një mbiemër i mirëfilltë përkundrejt formave të greqishtes, paska shërbyer si gjedhe, si model, greq. e vjetër echephron "i mençëm, i arsyeshëm".

Në pajtim me dijetarin danez mendoj se kemi të bëjmë me një shprehje ballkanike të zakonshme, me kombinimin e parafjalës me + emër në vend të një mbiemri. Shkrimi i shqipes me mend e i rum. cuminte është në fund të fundit një çështje ortografike, e cila lidhet ndërkaq me një konceptim të ndryshëm të fjalës në këto dy gjuhë, më saktë në vetëdijen gjuhësore të bartësve të tyre.

Për të dhënë një tjetër shembëll nga kjo kategori e fjalëformimit, mund të përmendet që lidhje të tilla si po ai, po ashtu, jepen në shkrim si dy fjalë të veçanta.

Shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë aty me një lidhje dy fjalësh, apo përkundrazi me një fjalë të vetme ku po ka një kuptim të vetin, të ndryshëm nga vlerat semantike që ka kjo pjesëz në të tjera sfera të leksikut të gjuhës. Në zgjidhjen e çështjes së shkrimit të fjalëve bashkë ose ndaras mund të ndihmojnë dhe rezultatet e fonetikës eksperimentale.

Aty nga mungesa ose prania ose nga përmasat e pauzave që realizohen në shqiptim të këtyre madhësive shumëngjyrëshe, mund të shihet gjer diku a kemi të bëjmë me një leksemë të mirëfilltë apo me dy a më shumë fjalë a fjalëza të bashkuara në një lidhje leksikore.

Pa dashur të preket parimi që të shkohet brenda mundësive sa më shumë drejt trajtave të vetme, unike të fjalëve, drejt mënjanimit sa më të madh të dubletave në shkrim, mendojmë megjithatë që drejtshkrimi nuk duhet të bëhet tepër i ngrirë, nuk duhet të çojë në ekstrem këtë parim.

Kështu mbetet e drejtë rregulla e përdorimit të kallzores së shquar të re, analogjike, te mashkullorët që mbarojnë me zanore të theksuar, tipi kaun, dheun; pa u cënuar kjo rregull ndërkaq, kuptohet vetiut që në disa shprehje të ngulëta të gjuhës popullore, si në fjala mori dhenë, trajta rasore e vjetra do të ruhet, dhe kjo jo vetëm në ligjërimin e folur.

Më pak kategorik duhej të dëftohej drejtshkrimi edhe në kufizimin e madh të përdorimit të apostrofit. Disa të dhëna si matanë, mbanë, mënjanë, njady, nesër tregojnë qartë sa shpesh elidohet ë-ja e pathekse në ngërthim të fjalisë, në sandhi, gjë që çon në përftim kompozitash si këto që sapo u përmendën.

Për hir të ritmit të fjalisë, me qëllim që të ruhet më i zhdërvjelltë, më i lëvizshëm, më pak monoton ky ritëm, nuk kuptohet pse të mos zbatohet nganjëherë edhe në shkrim eliminimi i ë-së së pathekse fundore, i cili shpeshherë është i plotë në shkrim, e të shënohet ky eliminim me anë të një apostrofi. Me këtë rrugë thyhet monotonia aty ku kujtohet të ruhet një rregullsi që në thelb është tepër formale e skematike.

Edhe në gjuhë të tjera përdoret apostrofi për hir të variacionit ritmik, për një efekt më drastik të shprehjes, si për shembëll në italishten che cos'è, vent'anni, s'agita etj. Lidhur me theksin, edhe aty përjashtimi total nga përdorimi nuk duket të jetë i arsyetuar sa duhet. Pranë rregullave ka edhe përjashtime aty ku e lyp nevoja, edhe këto duhej të gjenin shprehjen e tyre në shkrim.

Pikësëpari shtrohet çështja e riprodhimit besnik të një teksti që përmban theksa të ndryshëm, si për shembull e ndonjë poezie të Mjedës. Ka pastaj rasa ku paraqitet nevoja e një theksi për të dalluar leksema të ndryshme, të cilat mund të ngatërroheshin midis tyre, si acari : acarí, drejtori : drejtorí, format : formát, vëllazërish : vëllazërísh, mulla: mullá. Me këtë nuk është e thënë që në të tilla forma fjalësh theksi të jetë përherë i detyrueshëm, shumë herë konteksti tregon qartë se me cilën nga këto kemi të bëjmë.

Po në rasat ku mund të lindë një dykuptimsi, një ambiguitet, aty paraqitet nganjëherë nevoja e theksimit.
Tepër e ngurtë, rigide, e shtrëngueshme paraqitet edhe rregulla që emrat vetiake të burimit të huaj të shkruhen sipas shqiptimit në gjuhët përkatëse dhe në përshtatje me traditën e krijuar në gjuhën shqipe.

Të paktën në shkrimet e karakterit shkencor mund të zbatohet shkrimi sipas formës origjinale të këtyre emrave në ato gjuhë, kjo aq më fort kur riprodhimi i tyre me mjetet e alfabetit të shqipes shpeshherë mbetet i pasaktë e i përafërishëm.

Këto do të ishin disa nga pikat që kanë lidhje me anën formale-fonetike e thjesht gramatikore të drejtshkrimit. Edhe kur të kenë gjetur zgjidhje shumica e çështjeve të kësaj fushe, puna e drejtshkrimit ndërkaq nuk ka mbaruar.

Nuk jemi në mbarim, po jemi ende në mes të rrugës, po ta vështrojmë drejtshkrimin me një pamje më të hapët, më tërësore; po ta zgjerojmë tematikën e tij, duke përfshirë në lëmin e vështrimit, sikundër duhet, edhe disa probleme të sintaksës, të frazeologjisë e të leksikut.

Shkrimi i shqipes moderne, në krahasim me atë të periodave të mëparme të saj, karakterizohet për dy tipare kryesore: më një anë për një normim përherë e më të madh të trajtave fonetike e gramatikore të fjalëve dhe për një pasurim progresiv të leksikut me elemente pozitive të vendit; më anë tjetër për depërtimin e ngulitjen e disa ndërtimeve të huaja dhe të një shumice, sa vete më të madh, fjalësh të importuara së jashtmi.

Në lidhje me këtë, në drejtshkrimin të themi sintaktik, në vend të parë duhet synuar në një ndërtim fjalish sipas frymës së shqipes, në harmoni me parimet që zotërojnë në sintaksën e kësaj gjuhe, e jo në imitim të ndërtimit sintaktik të gjuhëve të tjera. Duhet nisur së brendshmi, e jo së jashtmi.

Me rëndësi është çështja nëse një fjalë do të shkruhet me e apo me ë, me i apo me j, me j apo nj fundore, po ka rëndësi që fjalia të jetë e ndërtuar pas ndërtimit vetiak të shqipes, jo të njërës a tjetrës gjuhë të huaj.

Ndërtime të tilla si rregullat fonetike dhe ato morfologjike, letërsia artistike dhe ajo popullore, e të tjera si këto, janë të huaja për gjuhën shqipe. Në përdorim të një shtrese të caktuar intelektualësh, po jo në ligjërimin popullor, ato janë italianizma sintaktike, përkthime të ndërtimit sintaktik të italishtes.

Të tilla ndërtime ndeshen edhe në rumanishten moderne të shkrimit, edhe aty pas gjedhesh (modelesh) të gjuhëve romane perëndimore, veçse atje janë më të kuptueshme, ngaqë hyjnë në sistemin e një gjuhe gjithashtu romane.

Imitim është ndër të tjera edhe përdorimi i lidhëzës pse në fjali shkakore (më fort pas it. perchè), aty ku në shqipen e mirëfilltë përdoret se ose sepse. Në punë të drejtshkrimit nuk janë pa rëndësi dhe shenjat e pikësimit, të cilat peshojnë edhe në përcaktimin e drejtë të kuptimit të fjalëve e të lidhjeve të tyre.

Edhe aty gjuha shqipe ka rregullat e veta, të cilat nuk duan lënë mënjanë. Vendosja e një prese para lidhëzës në fjali të tipit mendoj, se; është e qartë, që; ka depërtuar në këto vjetët e fundit nga rusishtja, e cila nga ana e saj e ka marrë këtë përdorim prej gjermanishtes.

Edhe frazeologjia në drejtshkrim nuk duhej lënë pas dore. Kështu, për të dhënë një shembull, shprehjes (i hedh) pluhur syve, e cila nuk është veçse shqipërim i një shprehjeje të gjuhëve të huaja, nga frazeologjia shqiptare i përgjigjet mirëfilli hi syve. Si kjo ka plot shprehje frazeologjike e të thëna popullore, të cilat duhej të shtriheshin në përdorim nga ata që shkruajnë.

Me rëndësi të dorës së parë është më në fund puna e përdorimit të visarit të fjalëve. Aty shtrohet detyra dyfishe e pasurimit dhe e pastrimit. Pasurim me leksema të gjuhës popullore ose gjithsesi të farkuara prej brumit të saj. Pastrim nga elementet e huaja që po vërshojnë në gjuhë prej të gjitha anëve.

Neologjizmat që janë formuar gjatë historisë së gjuhës me anë përkthimi prej gjuhëve të tjera, si populloret e diel, e hënë, peshkaqen, mollatartë, vajgur-i, ose përndjek "persekutoj" te Pjetër Budi, hapësirë, vetëdije, ndërgjegje e të tjera në shekullin e kaluar, botoj e shkrimtar pak më vonë, botëkuptim, hekurudhë, largpamës, mbinjerëzor, ndërlidhje, pararojë, përballoj, përvetësoj, i pranishëm, prapavijë, rilindje e të tjera në ditët tona, përbëjnë një pasurim pozitiv të gjuhës; aty gjedhja e formimit është e huaj, lënda është e vendit.

Në këtë radhë mund të vazhdohet e të shkohet përpara, duke pastruar e duke pasuruar; duke zëvendësuar ndër të tjera fenomen me dukuri, efekt me duk, përsekutim me përndjekje, krijoj me lentoj, tekstile me veglore, fjalë shumica të gjalla edhe sot nëpër dialekte.

Gjuhëtarëve u bie barra, e gjatë dhe jo e lehtë, që me një punë shumëvjetshe e të vijueshme të mbledhim visarin leksikor të gjuhës popullore. Të tjerëve, në radhë të parë shkrimtarëve, përkthyesve, arsimtarëve e teknikëve të ndryshëm, u bie ta shtien në qarkullim në botimet e tyre. Mbledhja e këtij materiali është një punë që s'pret, që nuk duron afate.

Me industrializimin e vendit, gjuha, duke u modernizuar, bjerr në mënyrë të pazëvendësueshme vazhdimisht një pjesë të elementeve të leksikut të saj. Kjo detyrë duhet të ndërmerret me një plan pune të caktuar mirë edhe të kryhet në mënyrë sistematike.

Duke rrokur me një vështrim përmbledhës detyrat që duhet të përballojë në të ardhmen drejtshkrimi i shqipes i shikuar në aspektet e tij të shumëllojshme, do të përfundohet me këtë, që hartuesit e tij do të udhëhiqen nga një ndjenjë e lartë përgjegjësie. Në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, po për katër milion njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare.

14 Komente

NJë punim shkencor për të gjithë nga një shkenctar i madh i gjuhësisë atdhedashës dhe dashnor i zjarrtë i shqipes . Për të  gjithë shkenctarë e jo shkenctar amator e dashamirës të gjuhës njehsuar  por dhe për zullapë e llapaqenë kundërshtarë të saj  .

 Po po, ky esshte ai shkencetari i madh i gjuhesise, ai atdhedashesi i perveluar qe thoshte se fjala "fal" vjen nga fjala latine "chalare". Goxha shkencetar, posiiii. Edhe atdhetar. Lum si ne qe kemi njerez te tille qe na e tregojne perdote se shqipja eshte gjuha me bastarde ne bote qe nuk ka asnje fjale te veten.

Nuk jam kunder se drejtes dhe guximit per t'u ballafaquar me Cabej, po mire do ishte qe konkluzione/lumturime  te tilla:

Lum si ne qe kemi njerez te tille qe na e tregojne perdote se shqipja eshte gjuha me bastarde ne bote qe nuk ka asnje fjale te veten.

te argumentohen.

Per lumturime te nje lloji tjeter po vecoj:

Me rëndësi të dorës së parë është më në fund puna e përdorimit të visarit të fjalëve. Aty shtrohet detyra dyfishe e pasurimit dhe e pastrimit. Pasurim me leksema të gjuhës popullore ose gjithsesi të farkuara prej brumit të saj. Pastrim nga elementet e huaja që po vërshojnë në gjuhë prej të gjitha anëve.

kur te me argumentosh ti qe fjala "fal" vjen nga rrenja latine "chalare", nuk do flas me asnjehere per Cabejn. Ky krahasim eshte i Cabejit. Nuk eshte i imi. E ka thene shkencetari, albanologu, patrioti dhe atdhedashuruesi me i madh qe nga koha e Babelit.

Do te te isha mirenjohes ty dhe Cabejit bashke, sikur te na e pasuronit pak leksikun "shqip" me ndonje fjale popullore dhe te na e hiqnit qafe kete fjale te shemtuar, kete virus dhe kancer te huaj qe i thone "fal". Dhe qe te mos pertosh po t'i hipesh mushkes dhe te perveshesh menget, te siguroj gjithashtu qe mirenjohja ime nuk do te te zhgenjente. smiley

 Zotrules, a mund te me citosh vendin ku Cabej shkruan se "fal" vjen nga latinishtja? Sepse u bera kureshtar dhe hapa "Studimet etimologjike" te autorit ne fjale. Dhe fjalia e fundit permbyllese e shtjellimit prej faqesh per lemen "fal" eshte kjo: "Forma e 'fal' flet ne vetvete per fjale vendi". (E. Cabej "Studime etimologjike ne fushe te shqipes", bleu IV, DH-J, Tirane 1996, faqe 130-132)

Ketu ku jam nuk kam libra te Cabejt. Ne Tirone po, kam. Ne fakt, kerko fjalen "falem" dhe ai e shpjegon qe vjen nga "chalare" - latinisht.

Ne  "Studime Etimologjike..." IV, ku jane botuar gjithe etimologjite e Cabejt nga germa F,   ka vetem lemen "fal" ( pas "fakultet" dhe para "falis&quotsmiley shkurtimisht keshtu:

"fal" dhuroj; i dhuroj fajne; kryej lutjet fetare; ul kryet kur me vjen gjume; dorezohem, 'i falem' i bej te fala. Dhe aty autori shprehet kunder shpjegimeve te deriatehershme, sidomos te Gustav Meyerit, qe e lidhin me sllavishten "hvalja" etj. Cabej bashkohet me mendimin e Kamardes, qe gjente aty nje fjale vendi te afert me greqishten "sfallo" rrezoj, permbys etj.  Dhe e shtjellon gjere e gjate pse dhe si, duke nisur qe nga Buzuku etj., me perhapjen e fjales ne treva te ndryshme te shqipes, me kuptimet e ndryshme, me frazeologjite etj., i peshon te gjitha, pro dhe kunder, edhe arrin ne rezultatin qe eshte fjale me burim vendi. Dhe gjate shtjellimit i citon gjithe mendimet e ndryshme te shkencetareve qe jane shprehur deri atehere per prejardhjen e kesaj fjale dhe asnjeri nuk e permend aspak "chalare" qe thua ti. Keshtu qe pohimi yt se "Cabej thote se "fal, falem" vjen nga chalare" nuk qendron.

Kujtesa te punon ndonje rreng, me sa duket. E ngaterron mbase ndonje autor tjeter. Se Cabej mendimin e tij per etimologjite e shqipes e ka lene te shkruar ne "Studimet etimologjike".

 

 

Jam i bindur ne fakt qe eshte Cabej qe e ka shkruar ashtu. Uroj qe te jete rreng si thua ti. Por dyshoj ne fakt. Kur e kam lexuar vete per here te pare, me kane mbetur syte te permasat e budallallekut, prandaj nuk arrij ta harroj dot kollaj. Kur ta gjej, do kthehem te ta jap referencen. Gjithsesi ti rrofsh per mundin.

PS: nje kerkim i thjeshte gjugjll me jep kete lloj rezultati. Nuk jane te pakta. Hidhu nje sy, mund edhe te gabohem une. Me bere lemsh tani se nuk kam asnje liber me vete.

 Epo tani, une kam para librin e autorit, ta bera permbledhjen, te citoj çfare thote ai vete, ti me thua se X thote qe Cabej thote, Y thote qe... E kam librin ketu PARA SYVE te mi, faqja 130 deri 132. 

Ah ky interneti i ka bo njerezit dembela e thashemsa, nigjojne nje gje dhe e perhapin neper net pa e verifiku! Dhe na nxjerrin pastaj armiqte! 

Do sillesh mire tani? Lexo dhe njehere se cfare kam shkruar dhe si te jam pergjigjur. Une nuk po dyshoj tani ate qe thua ti, por ate qe kam thene une. Dhe meqe s'po dyshoj tenden, cudia me vjen se po dyshoj ate per te cilen vete une jam mese i bindur. Nuk ta dhashe linkun si reference. Po ti hidhu nje sy njehere, mbase te del se ne c'liber e ka thene.

Në latinisht, kjo folje zakonisht del si calare dhe është e huazuar nga greqishtja.

Jo se gjuha shqipe eshte me bastardja ne bote, kete nuk do ta pranoja kurre edhe para ferrit, perkundrazi gjuha shqipe ka vendin e saj te nderit ne gjuhet qe i mbijetuan mijvjecareve  (shqipja eshte mbi  8000 vjecare, dmth edhe me e vjeter se gjuhe te tjera moderne), por e verteta eshte ndryshe; ne token e shqiptareve kane mbire me mijra gjera te mrekullueshme dhe ashtu si ne te gjithe vendet e botes edhe Toka jone ka bastardet e vete, vec ne ndryshim nga gjithe bastardet e botes, bastardet tane jane me fytyrdhjerit sepse edhe kur e dine se ka te mete vendi i tyre, perpiqen edhe me shume se kundershtaret e ketij vendi per ta dhjere vendin, gjuhen, ndertesat dhe gjithecka (dhe jo ta kritikojne). Kjo karakteristike i ben mjaft nga pjellat bastarde te shqiptareve te jene me te urrejtshme dhe te pervjellshme nga gjithe  pjellat e njerzimit.

Mjafton qe ti hedhesh syte mbi  historine e 20 vjeteve te fundit dhe do te shohesh se si ky grup prej te supershkerdhyerish ne menyre ciklike peshtyn dhe lepin, fsheh dhe nxjerr ne shesh, betohet dhe shkel betimet, zhgrryhet dhe lyhet ne pjesen me te ndyre te ujrave te zeza qe leshon bota e qyteteruar. ... Pas kesaj te gjihte pyesin si topa hallve: Pse jemi vend i mallkuar, pse jemi te prapambetur, pse jemi ashtu dhe keshtu, etj.  

  Askush nuk ka te drejte te prke titanet e shekullit te kaluar, por edhe ne i prekshin me gjuhen e neperkes apo me duart e lyera me gjak shqiptari, prape titanet si Cabej me shoke rrojne. Ndaj dhe rrumpjelet, bushtrat , dobicet, deshtaket bastardet dhe te bdarurit, kot rreken qe me anen e internetit, librave apo te  tjera mejeteve, te rrexojne djellin ne vrimen e tyre fundkurrizore qe mban ere plehu derrash dhe shpendesh.

Zotrules , ja ku e ke ate qe kerkon:

"Prof. Alberto G. Areddu:
One of my cultural wishes would be the development of a trend outside
Albania, to revaluate the Illyrian antiquity, as happened to other ancient indoeuropean populations almost forgotten (such as the Celtic saga case). My scientific desire is to work on a forthcoming essay in which I can develop certain aspects of historical and cultural reconstruction not treated inside the “Albanian origin of civilization in Sardinia”. So I will bring not only words but also artefacts, traditions, symbols and reciprocal liaisons.
And now, if you allow me, I will take my leave adopting your typical word for greetings:falem, which according to the great Eqrem Çabej derives from latin ‘CHALARE’, preserved in Sardinia and Corsica, however in the isles is used only with original value of ‘get off’:falare. So to you all:Faleminderit/ Thank you!

Sic duket kjo eshte nje e dhene indirekte nga Areddu jo direkt nga Cabej.
Sic pohon edhe V.Orel ne fjalorin etimologjik te shqipes , Cabej bie dakord me etimologjine e dhene se pari nga Camarda qe 'fal' eshte fjale e trasheguar  e shqipes, jo e huazuar,e prejardhur nga protoshqipja *spala dhe qe etimologjikisht shkon me greqishten "sfallo".Kjo do te thote se eshte fjale e indoeuropianishtes e trasheguar ne gjithe gjuhet bija : shqip, greqisht, latinisht..Por duhet patur parasysh qe "fal" ka disa kuptime si 'lutem(zotit)','jap(dicka dikujt)' por edhe ate kuptim qe perdor Areddu "get off" qe ne shqip perdoret per : shuhet,fiket.iken. Psh ne jug, konkretisht ne Vlore perdoret 'fale zjarrin'=fike zjarrin , ose 'u falen dritat'=iken , u shuan dritat. Ky kuptim shkon me chalare/calare psh ne ' cala il sole'=u fal, u fik, perendoi dielli. Cabej flet me sa duket per nje rrenje te perbashket IE te chalare/falare/fal  por Areddu, nuk di perse,e interpreton gabimisht si te prejardhur.

Por duke u bashkuar me Monden , edhe sikur Cabej te kete gabuar me kete fjale duke e marre te huazuar, kjo nuk e prek as nje grime kontributin e pacmuar te Cabejt ne mbrojtje te shqipes.Askush nuk ka bere per shqipen sa Cabej,jo vetem me atdhedashuri te thelle  por edhe me nje rigorozitet shkencor saqe mbetet reference e perhershme e cdo albanologu vendas apo te huaj. Cabej eshte nje Shqiptar i Madh dhe kete s'mund ta dyshoj askush..

 

 

Zotrules, e para nuk e kisha per ty fjaline e fundit. Por per ato qe gjeta ne linkun tend. Jane nje sere emrash aty qe shkruajne ca libra qe lexohen sot shume meqe na perkedhelin sedren ne shqipove, por qe fatkeqesisht ia futin kot. Shkruajne pa pike pergjegjesie, pa cituar vendin se ku, dhe njerezit e marrin te mireqene. Ky pra eshte dallimi mes shkences dhe pseudoshkences.

E dyta, "fal" e "falem" eshte e njejta fjale me levizje kuptimi. I hodha nje sy indeksit te "Studimeve etimologjike" dhe gjej prape per  "falem" nen lemen "perendon (dielli)", ku autori  shkruan (citoj fjale per fjale):

 >>

...Me perëndoj perëndohem lidhet me anë të këtyre kuptimeve edhe m'u perënditën sytë "m'u mbyllën sytë nga lodhja" në Seman të Fierit (J. Thomaj BUST SSS 4, 1961, 150), khs. më sipër me më prenonte kryet. Këto të dhëna tregojnë se perëndon dielli  në shqipen shpjegohet me mjetet e brendshme të gjuhës, si një kalim nga "prirem, anoj" në të perënduarit e diellit. Një zhvillim paralel e shohim te falem, më një anë "nderoj, hyjninë, lutem", e më anë tjetër "kotem, ul kryet kur më zë gjumi": u fal dielli "perëndoi dielli", u fal drita "u shua drita", të gjitha nga kuptimi konkret "prunjem". Në të tilla rrethana nuk mbetet vend të mendohet që shprehja t'i ketë ardhur shqipes prej greqishtes. Anasjelltas dëshmimi i vonë i saj në greqishten (shek. XIV) flet më fort për një ndikim nga ana e shqipes, sepse kronologjikisht pajton me përpjekjet historike të të dy popujve e me dyndjen e elementit shqiptar në Greqi. Sido që të jetë, çdo përpjekje për të shpjeguar shprehjen greke nga gr. e vjetër, si pa bazë që është, është e caktuar të dështojë. Edhe rum. soarele asfinteste mund ta ketë burimin te shqipja, po të kemi parasysh që nga tri gjuhët ballkanike vetëm te kjo e fundit kuptimi konkret i animit e kuptimi abstrakt i zotërimit ruhen gjer më sot krah më krah njëri-tjetrit. Kalimi i mëtejmë për perëndimin e diellit vihet re dhe te zotëroj, që në Qeparo të Himarës e në Bënçë të Tepelenës përdoret dhe për perëndim të diellit: dielli zotëron, zotëroi dielli."- Studime etimologjike ne fushe te shqipes, bleu VI (shkronjat N-RR) faqe 170, Tirane 2002.

Tjeter gje per "fal falem" nuk ka autori ne kete veper me shtate vellime, dhe kur s'e ka ketu s'ka se ku ta kete tjeter.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).