123456789 vetë
mbajtën frymën,
si flluskat e fundit nga dikush që po mbytet
plluskuan një nga një numrat mbi ekran,
ajri mpiksur me tharme shpresash
veshtullor në tunele hundësh ngeci,
edhe dy numura, edhe dy numura,
ereksion kolektiv i truve të ndezur,
aahhhh...
mos gëzo, o i gëzuar,
humbja bashkon,
fitorja ndan,
vegim’ i Donald Trumpit djeg ende si urth,
celebrim i humbjes më mirë shijon
se banket’ i fatlumëve -
ngushëllohu, ja
një folëse TV-je gjeometrikisht e bukur
po njofton që dollari
është sëmurë,
a ndihesh pak më mirë
nga ky grafik
që mbi bosh(t) hip-e-zbret
si një majmun
mbi bambù?
grafiku drejton botën,
dhe mua, dhe ty
me at’ “random walk”,
shetitjen kuturu
si të dehur nga shamapanja
që pi një parvëny
në trotuaret mistike
distriktit financiar -
ne humbjet e vogla
na lenë të kemi
ëndrra të mëdha,
pra ç’më pyet kush fitoi
në xhekpot,
vëlla!

1 Komente

 Bukur ! Lexojeni !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).