Në morinë e dëmeve të shkaktuara nëpërmjet reformës kushtetuese të vitit 2008 spikat në mënyrë të veçantë përdhosja e mocionit të mosbesimit. Si rezultat i ndryshimeve të shëmtuara që iu bënë Kushtetutës brenda një nate të turpshme për historinë e shkurtër të demokracisë shqiptare, qeverisë iu hoq barra e provës së legjitimitetit. Në një sistem demokratik është qeveria që shikohet gjithnjë me dyshim dhe asaj i duhet që të dëshmojë se është duke qeverisur me miratimin e të qeverisurve sa herë ky legjitimitet vihet seriozisht në pikëpyetje. Pra sa herë që ekzekutivit i hidhet një dorashkë, i bëhet një sfidë e mirëfilltë nëse qeverisja është e popullit, prej popullit dhe për popullin, i takon qeverisë që të dëshmojë se vazhdon ta ketë besimin e popullit. Përndryshe hidhet një hije e rëndë dyshimi se kush është sovrani i vërtetë në një vend, populli apo kasta në pushtet?!

Interesant është fakti që edhe pse gjendemi përballë stanjacionit politik dhe nivelit të lartë të konfliktualitetit shumë njerëz e konsiderojnë të dëmshëm organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Dëshmohet qartë që hendeku i thellë i krijuar mes publikut dhe elitës politike nga shumë individë merret si një gjë e mirëqenë dhe normale. Opinionistë dhe ekspertë që hiqen sikur përfaqësojnë interesin e publikut, në fakt në mënyrë të pacipë argumentojnë që zgjedhjet janë të dëmshme për qytetarët dhe vendin, që është absurde. Pse e paskan politikanët dhe servilët e tyre frikë votën e popullit?! Si na qenka në të keqe të shqiptarëve dhe Shqipërisë që qytetarëve t’u dëgjohet sa më shpesh zëri nëpërmjet votës? Madje, në vende në tranzion demokratik shpesh është e rekomandueshme që zgjedhjet të mbahen dendur, pikërisht se zgjedhjet janë një frymëmarrje e sistemit. Nuk është rastësi që mandati në Kosovë ka qenë 3-vjeçar. Në fakt, një tjetër paudhësi e elitës politike ka qenë ajo e zgjatjes së mandatit të qeverisjes vendore nga tre në katër vjet. Organizimi i zgjedhjeve të shpeshta kur e lyp nevoja bëhet edhe në vende me demokraci të konsoliduar, sikurse ka qenë rasti në dekadat e fundit në Kanada, Japoni, Itali apo Austri. Duke pasur parasysh mungesën e konsensusit apo transparencës në shumë reforma në Shqipëri do të duhej të përdorej gjithnjë e më dendur referendumi. Vlen për t’u përmendur se është një padrejtësi e madhe që i është bërë popullit shqiptar që nuk u organizua një referendum për ndryshimet radikale të Kushtetutës.

Sot, fatkeqësisht, dy liderët politikë janë duke u përpjekur që të tregojnë se kanë mbështetjen popullore në mënyrë manipulative duke garuar se kush nxjerr më shumë njerëz në rrugë. Çdo përpjekjeje që ka bërë me protesta opozita për të treguar masën e pakënaqësisë që po vlon në publik, i është përgjigjur qeveria me kundër-mitingje masive, duke çuar pastaj në një rivalitet qesharak se cila palë nxori më shumë njerëz në shesh. Mirëpo sado që të bërtasin për njërën apo tjetrën palë, ata që dalin në rrugë nuk reflektojnë detyrimisht mendimet e shumicës së heshtur, së cilës i ndihet zëri dhe i kuptohet vullneti vetëm nëpërmjet votës.

Prandaj zgjedhjet e parakohshme jo vetëm që janë të mirëpritura, por janë shndërruar në të domosdoshme për të zgjidhur ngërçin që ka kapur vendin. Argumentet se gjasme zgjedhjet e parakohshme dëmtojnë ekonominë, apo kanë kosto të madhe për t’u organizuar nuk kanë fare bazë. E para, sepse rëndësia e demokracisë nuk ka të paguar dhe më mirë të harxhojmë para për të garantuar demokracinë sesa për të ndërtuar një tunel tjetër për të cilin pret koha. Së dyti, sepse objektivi kryesor i kësaj qeverie të vetëquajtur qeveri e integrimit është bllokuar prej krizës aktuale. Përderisa u pretendua që kjo qeveri kishte për qëllim thelbësor integrimin europian, në kushtet aktuale kjo qeveri nuk mund ta përmbushë këtë mision, sepse Shqipërisë iu refuzua statusi i kandidatit pikërisht sepse nuk kishte zgjidhur ngërçin aktual. Në kuadër të procesit të integrimit duhen votuar shumë ligje që kërkojnë shumicë të kualifikuar dhe me këtë klimë konfliktuale ato mbeten pezull. Prandaj nëse qeveria u qëndron fjalëve të saj që opozita po e saboton procesin e integrimit apo është përpjekur të dëmtojë liberalizmin e vizave, ajo duhet të shkojë me kënaqësi në zgjedhjet e parakohshme që t’u japë mundësi qytetarëve ta penalizojnë opozitën për këtë papërgjegjshmëri dhe për të votuar një mazhorancë më të qëndrueshme që të ketë fuqinë e duhur për të çuar përpara procesin e ndaluar të integrimit të vendit tonë në BE. Së treti, ne gjithsesi kemi për të pasur zgjedhje vendore në vend dhe të gjithë e dimë që ato janë po aq gjithëpërfshirëse, të shtrenjta dhe intensive sa edhe zgjedhjet parlamentare. Prandaj duke i organizuar zgjedhjet parlamentare në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale, sikurse bëri Kosova në nëntor 2007, kostoja ekonomike e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme është inekzistente.

Mazhoranca jo vetëm pretendon se zotëron mbështetjen e shumicës, por gjatë këtyre dy viteve është shprehur me keqardhje për gjendjen në të cilën e ka katandisur opozitën lidershipi aktual socialist. Ka shkuar deri aty sa ka ofruar edhe këshilla se si mund të rimëkëmbet opozita dhe ka sugjeruar edhe lidership alternativ. Ka thënë se Rama ka dështuar jo vetëm si kryetar i PS-së, por edhe si kryetar i bashkisë dhe se drejton “mafien më të rrezikshme në Europë”. Mazhoranca ka pretenduar se Rama nuk e ka mbështetjen e PS-së, sepse ka manipuluar rizgjedhjen e tij brenda Partisë Socialiste në 2009, duke sajuar një garë me një personalitet periferik si Lakrori dhe një proces të dyshimtë votimi. Më tej është thënë se në mitingun e fundit Rama u braktis nga qytetarët, pati vetëm 6000 demonstrues, se opozita i ka nxjerrë qytetarët në rrugë vetëm me pagesa se përndryshe qytetarët nuk do kishin asnjë arsye për të protestuar në vendin tonë që “lulëzon” nga begatia, integriteti dhe sundimi i ligjit. Pra një gjendje me të vërtetë e mjerë në të cilën e ka katandisur opozitën zoti Rama.

Nga ana tjetër, qeveria pretendon se gjërat janë duke shkuar vaj, se ekonomia jonë ecën duke çarë përpara me shpatë në dorë tufanin e krizës ndërkombëtare financiare, se shërbimet shëndetësore dhe arsimore kanë njohur një hop të madh cilësor, se korrupsioni është çrrënjosur, kriminaliteti është eliminuar, se papunësia ka rënë dhe mirëqenia e qytetarit është rritur. Po ashtu deklaron se ka autorësinë ekskluzive qoftë të futjes në NATO e qoftë të liberalizimit të vizave dhe se këto objektiva nuk kanë të bëjnë me dashamirësinë e partnerëve ndërkombëtarë, por vetëm me meritën e qeverisjes së Shqipërisë. Nëse kanë të drejtë ky është një bilanc më se i mjaftueshëm për të fituar jo këto, por dy-tri palë zgjedhje të tjera.

Në kushtet kur retorika qeveritare deklaron me vetëbesim të madh se opozita ka bllokuar integrimin dhe është katandisur si mos më keq prej Ramës, ndërkohë që qeveria është më e suksesshmja e historisë sonë dhe shndrit nga integriteti dhe efikasiteti, atëherëë nuk ka arsye për të pasur frikë nga zgjedhjet e reja. Përkundrazi duhej të shkonte me vrap drejt tyre për të vjelë frytet e punës së saj siç është merita për liberalizimin e vizave, si dhe për të dalë nga situata e sikletshme e tanishme kur iu duhet të kapërdijnë dallaveret e bëra nga njerëzit e LSI-së meqenëse pa ta nuk mbush dot numrat. Nëse përfaqësuesit e mazhorancës u besojnë vërtet fjalëve që thonë, atëherë çfarë shansi më të mirë do të kishin në dorë tani, që t’ia ndreqnin qejfin njëherë e mirë lidershipit aktual të opozitës duke e shpëtuar njëherë e mirë Shqipërinë prej tij. Shqiptarët sot janë ngopur nga llafet e shumta të politikanëve, se kush thotë të vërtetën e tregon vetëm një gjë – vota. Sepse sistemi demokratik mbështetjen në bindjen: Vox popoli, vox dei (zëri i popullit është zëri i Perëndisë).

 

24 Komente

Adri Nurellari i ben nje analize me llogjike shahistike te pakundershtueshme pse duhen bere zgjedhjet e parakoheshme. Biles, ai duke ironizuar deklaratat e liderve te pozites se qeveria e frymorit Sali është më e suksesshmja e historisë sonë dhe shndrit nga integriteti dhe efikasiteti, atëherë nuk ka arsye për të pasur frikë nga zgjedhjet e reja!

Dhe me poshte ai vazhdon: Nëse përfaqësuesit e mazhorancës u besojnë vërtet fjalëve që thonë, atëherë çfarë shansi më të mirë do të kishin në dorë tani, që t’ia ndreqnin qejfin njëherë e mirë lidershipit aktual të opozitës duke e shpëtuar njëherë e mirë Shqipërinë prej tij.

Mirpo, fakti qe kjo maxhorance, kerkon si mushka te perfundoje mandatin e saj 4 vjecar me cdo kusht dhe me cdo mjet, qofte ai mjet barbar apo ku di une se cfare, tregon se ata tashme kane frike te perballen me voten e popullit sepse e dine qe nuk puthin me ne pushtet. Ndaj, kerkojne te shfrytezojne periudhen e mbetur per te vjedhur e plackitur sa te mundin kete vend te mjere.

 

Edhe po te kete zgjedhje te parakohshme me "frymorin" siq e quan ti ti apo psikopatin siq e quaj une, ne krye te maxhorances... rezultatet dihen.

 

Do te fitoje prape psikopati ashtu siq fitoi ne qershor....

Nuk jam partiak, por ne keto pozita ku e ka quar perseri vendin ky psokopat kushdo te vije ne pushtet po te largojne psikopatin.

 

Zgjidhja me e mire  (por idealja qendron gjithnje ne leter) do te ishte qe vendin ta qeverisin intelektuale nga shoqeria civile. as pd dhe as ps.

Eshte ca surreale te mendosh per qeverisje nga shoqeria civile se tek ne nuk ekziston shoqeri civile e mirefillte. "E ashtuquajtura shoqeria civile" eshte ndare ne dy "fise" ku njera pale puth prapanicen e djathte ne fuqi dhe tjetra puth prapanicen e majte. Qe te dyja palet vijne era m"tt...Dalin 5-6 demagoge qe i kane vene atribute te cilat nuk i meritojne dhe derrdellisin neper programe televizive perralla qe as vete nuk i kuptojne.  

Une jam shume tifoz me Milanin.

Ndeshjen e fundit Interni na rrahi. Tani une e qindra mijera tifoze te Milanit do dalim ne shesh e te kerkojme te perseritet ndeshja, pa pritur te vazhdoje kalendari. Nese ua mban duhet ta luajme prape ate ndeshje. Po s'deshen domethene qe e kane vjedhur.

Forca Milàn.

domethene ti e krahason demokracine (zgjedhjet) me nje loje futbolli..analogji shume e dobet.

Po vini mer trurin ne perdorim, se late koqen e namit.

une jam tifoz me juven. ne 2006-en, u mor vesh qe juvja kishte ble ndeshje, edhe na rrasen ne kategori te dyte. 

tani, ne 2011-en, une pashe ne televizor qe qeveria ime vrau 4 veta. dhe i vrau kot, se ishin ne shesh ne nje dite kur kishte protesta. tashi, si thu ti, a duhet ndeshkuar qeveria ime sic u ndeshkua juventusi ne 2006-en? 

E para iher Juvja nuk ka vjedh gjo ne 2006, procesi eshte akoma ne zhvillim e siper. Plus Juvja e 2006 ka las lojtar kalibri edhe i fitonte neshjet mene fushe, mos ma krahaso me qeverin sot, qe o bo si ekipi Peqinit qe i fito neshjet me masthrime dhe shkelma.

ok, ti penaro po thu se para se te vriteshin kto te 4, ti dhe te tjeret ketu nuk po kerkonit zgjedhje te parakohshme? dmth se ishte tamam vrasja e ktyre qe justifikon zgjedhjet? po nqse nuk do ish vra asnji prej ktyne, ca qendrimi do mbaje? se zgjedhje te parakohshme ne sinkron me mosnjohjen e zgjedhjeve ka ca kohe qe po kerkohen.

Principi i futbollit e zgjedhjeve eshte i njejti Albano. Dakord jam me ju, qe futbolli eshte gje shume me serioze se politika e veshtire ti krahasosh, por prinicipi qendron.

Arsyetimi qe ben Nuellari kesaj here eshte qesharak. Domethene, meqe ti s'paske frike, hajde ti bejme prape. S'ka asnje kuptim.

Qeveria duhet te japi doreheqjen per 1000 gjera te tjera, pa arritur akoma te zgjedhjet. Por kur nuk e jep nuk e jep sepse ka shumicen e parlamentit e sepse populli e ka zgjedhur nje here!!!

PO nuk kane fare princip te njejte!! Zgjedhjet jane komponenti kryesor i demokracise se nje vendi, ndersa futbolli eshte nje loje ku ndeshen dy skuadra, pa kurrfare pasoje per demokracine.. Demokracia eshte jetike per formen e organizimit te sotem te nje populli.. Rregullon organizimin, vendos disa parametra qe sot jane jetike..
Nurellari nuk po shpik ndonje arsyetim, po jep nje argument qe eshte i ditur boterisht; zgjedhjet jane frymarrje per demokracine e nje vendi.. Pa qejfmbetje, por nuk me duket se ke shume haber nga keto pune..Kam vene re ketu ne peshk, qe ke informacione te admirueshme rreth muzikes komerciale etj, por nga keto punet e tjera je komplet tifoz..

Nje fakt interesant; fjala tifoz ka nje prejardhje interesante. Vjen nga semundja e TIfos..eshte nje semundje qe nder te tjera prek dhe sistemin nervor qendror, trurin dhe jep pasoja te dukshme, ne aftesite konjitive etj..

Nder te tjera, Nurellari, po perpiqet qe me ane te argumentit te ndertoje hipotezen, se mazhoranca eshte e friksuar te shkoje ne zgjedhje te pergjithshme, se nuk i ka numrat e nevojshem real..Dhe ne fund, Pse jo!! Nurellari eshte ne rregull me te veten..Ne princip

Dhe se fundi mos harro faktin, qe Nurellari me shoke si Kajsia etj, e mbajne veten si liberale te djathte.

Persa i perket opinionit tim, mbi te shkuarit ne zgjedhje, mund te lexosh komentin e fundit ne kete teme..

Ps. ndjese nqs jam treguar me serioz se c'duhet. Harroj ndonjehere qe, te qenit jo serioz eshte vlere keto kohe..

Nuk jam tifoz i PS-se te them te drejten se eshte e mbushur me fytyra te vjetra, te konsumuara po mendoj qe Rames duhet ti jepet nje shans(nese e voton populli sigurisht).

 Asnje shans mer nuk duhet ti jepet rames.

Duhet ti jepet nje shans popullit qe te votoje i lire ke ti doje kokrra e qefit.

 

Zgjedhje te lira, proporcional i paster kombetar, me lista te hapura, pa prag hyrje.

 

Kushdo qe perfaqeson 1/140 e shqipetareve ka te drejte te coje zerin e tyre ne parlament.

 

Ti kthehet dinjiteti parlamentit duke cuar aty njerez qe perfaqesojne ide te votuesve nga e gjithe shqiperia dhe jo nje zone e, aq me pak, nje parti.

 e saktë      !

 ".... Në kushtet kur retorika qeveritare deklaron me vetëbesim të madh se opozita ka bllokuar integrimin dhe është katandisur si mos më keq prej Ramës, ndërkohë që qeveria është më e suksesshmja e historisë sonë dhe shndrit nga integriteti dhe efikasiteti, atëherëë nuk ka arsye për të pasur frikë nga zgjedhjet e reja..." 

 

  Llogjikisht ashtu i bie, mirpo a jane dakort perfaqesuesit europiane aty ne Tirane. 

ç'lidhje ka internacionalja me përmisimin e qeverisjes në Shqipëri , me dënimin e hajdutëve dhe vrasësve të shqiptarëve .Zgjedhjet të ndershme janë një zgjidhje për gjëndjen dhe s'kanë asgjë të keqe . Ky s'është problem ideologjik por kombëtar . Ti mund të tallesh sa të duash por jo me jetët e të tjerëve .

Prokurorine e kane,pse nuk i kapin me i rras ne burg? Pikepyetje................

Hë pra gjeje ? pse janë të pandëshkueshëm ! Athua ka ndonjë rol ky që ja ven fajin shqiptarëve të korruptuar dhe qeverisë së ndershme që e detyrojnë shqiptarët të vjedhë ? Apo, qeveria e politikanët kanë korruptuar politikisht e ekonomikisht drejtësinë ? 

Une si qytetar i thjeshte i Republikes se Shqiperise,mendoj se nuk kane fakte,me shume nuk di cte te them.

 Ka fakte se ka miljona shqiptarë që i panë vrasjet drejpësëdrejti në TV dhe të tjerë në terren , apo ti dyshon tek çadrat pistoletë dhe puçi i shtetit . Të lumtë për objektivitetin . Po gërdeci dhe Rrëshen Kalimashi s'janë fakte apo s'quhen  se s'duan maliqët e ligjit .

Keshtu foli dhe kapteri; "ja pra krisma dhe fakte nuk ka pasur..edhe nqs ka pasur fakte, ato kane qene diku larg.."

 

 Jo larg por shume larg, Tunizi, Egjipt,Serbi..............

Ej, o Adri, po nqs i humbet dhe keto zgjedhjet e parakohshme Edi Rama, si i vete halli, apo do i perserisem derisa ti fitoje?

Po nqs Berisha ben te njejten gje qe po ben Rama tani nese i humbet zgjedhjet e parakoshme, si i behet, apo prap zgjedhje, se sa me shpesh me mire?

Sidomos duke pasur parasysh qe tani i kemi anatemuar dhe nderkombetaret, ke do degjojme si arbiter te na thote nese ishin zgjedhjet e parakohshme te pranueshme apo jo, nese u vodhen apo jo?

 

Argumenti "pse jo?" eshte padyshim me i forti, sidomos kur behet fjale per zgjedhje te parakohshme. Pyetjeve "are we there yet" te mediave opozitare (he, po tani u poqen kushtet per zgjedhje te parakohshme? po tani?) ky analisti i pergjigjet me "po pse jo". Sa me shpesh zgjedhje me mire na bejne per shendetin thote.

Mire e ka xhanem...tashme jane te gjitha precedentet per te pasur zgjedhje te shpeshta ketej e tutje; opozita nuk i njeh zgjedhjet dhe ben protesta, demonstrata, marshime, kortezhe [vere nje sinonim tjeter ketu] derisa te behen zgjedhje te parakohshme. Nese nuk behen, fusim pak vdekjen ne politike, sic thote Kadareja, dhe kemi premisa te pershejtojme pak reaksionin alkimik.

Bir Selmani nenes ke te qaj me pare, politikanet apo opinionitikanet. lol

Nderkohe, ky tjetri shtjellon idene e zgjedhjeve lokale si referendum per krizen politike dhe partite, gje per te cilen duket se aludon dhe i shumepeshkkritikuari ambasadori amerikan:

Nuk ka asgjë dramatike, që një qeveri të mos i çojë deri në fund ditët e saj. Vetëm se kjo lypset të ndodhë kur një shumicë e qartë e shqiptarëve të tregojnë se një ekzekutiv nuk gëzon më konsensusin e saj.

Duke qenë se sondimet e shoqërisë këtu ende nuk janë zhvilluar sa duhet, atëherë pyetësori magjik dhe rasti me i mirë për të parë kreditet e kësaj mazhorance do të ishte 8 maji, zgjedhjet lokale.

Nëse opozita i fiton këto zgjedhje, sigurisht se kjo do të gjeneronte zhvillime të rëndësishme politike. Nuk do të kishte më sens që Sali Berisha dhe ndërkombëtarët të flisnin më për vitin 2013. Dhe kësisoj, kauza e opozitës fiton atë çka nuk e ka aktualisht; solidaritetin e shumicës së shqiptarëve. Andaj, lidershipi i PS-së do të duhej të tregonte angazhim maksimal, pikërisht për votën e 8 majit. Koha dhe energjia e harxhuar në protesta që nxisin krizë dhe dëmtojnë imazhin e vendit, mund të ishte shpenzuar në rregullimet e duhura ligjore, në mënyrë që zgjedhjet të ishin të lira e të ndershme, ku populli të flasë fjalën e tij dhe ajo të mbërrijë e pacensuruar në veshët e secilit politikan në vend.

8 maji mbetet ndoshta ilaçi i vetëm për kurimin e sëmundjes politike në vend. Një rezultat jo i mirë në këto zgjedhje për opozitën, do t'i jepte më në fund edhe Partisë Socialiste busullën e duhur për t'u orientuar siç duhet dhe për të gjetur kurs e lidership të ri, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013.

http://www.panorama.com.al/panorama/inde...

Po nqs Berisha ben te njejten gje qe po ben Rama tani nese i humbet zgjedhjet e parakoshme, si i behet, apo prap zgjedhje, se sa me shpesh me mire?

 

Xhibo, per hir te se vertetes, megjithse personalisht mendoj Ps e Rames do te ishte po aq klienteliste dhe e kapur sa Pd; Cfare ka bere Rama, kur humbi zgjedhjet? Me sa di un ka kerkuar hetim te tyre. Per 2 vjet te tere madje (hoqi dore dhe nga numerimi i fleteve, per te bashkepunuar)..Te kerkosh hetim, nuk eshte baraz me kerkim te zgjedhjeve te reja, edhe pse te kerkosh ato nuk ka gje te keqe ne thelb. Dhe mazhoranca u tall 2 vite te tera..Atehere vendose dhe kete konstante ne Ekuacion.. Gjithashtu vendos deshtimet e shumta, ne rang menaxhimi te qeverise.. Vendos gjithashtu qe partia qe e mban ne kembe kete koalicion, eshte e akuzuar drejtperdrejt per nje skandal korrupsioni, qe tregoi vec majen e ajsbergut. Vendos qe pese ministra jane te akuzuar drejtperdrejte ne prokurori. Vendos gjithashtu deshtimin per vend kandidat ne Be, qe e dha si premtim elektoral..E theksoj, qe vetem video Meta do te detyronte cdo qeveri te shkonte ne zgjedhje te parakohshme..
Nuk po permend ketu pakenaqsite popullore, varferine, papunsine dhe nje sere vendimesh korruptive qe ka ndermarre qeveria, me importimin e plehrave, degradimin e territorit, militantizmin e theksuar etj etj..Nuk po i permend te gjitha, se nuk para degjoni nga ai vesh..

Tashi per te dale te thelbi, Ps e Rames ka ku te kapet, nqs e shtroni punen ne keto prizme..ose per ta thene me shkoqur ne hipotezen tuaj kaq te perhapur keto kohe, se nqs Berisha humbet zgjedhjet do te perseritet e njejta situate, atehere Rama do te pergjigjet;  do hap kutite..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).