Eqerem Çabej dhe historia e letërsisë sot

Prof. FLORESHA DADO

Panorama

Pse Çabej dhe Historia e Letërsisë sot? Së pari,sepse që në vitet 1938-‘39, në studimin “Për gjenezën e literaturës
shqipe”, botuar te “Hylli i dritës”, ai shkruante se po niste “një skicë historike të literaturës shqipe”, ndërsa në vitin 1945, në vazhdimin e këtij studimi, ritheksonte nevojën “e një themelimi historik të literaturës”, me të cilën kuptonte rindërtimin e zhvillimit historik të letërsisë shqiptare. Së dyti, sepse thelbi i pikëpamjeve të tij metodologjike, mbi mënyrën e kuptimit dhe interpretimit të letërsisë, mbështetet kryesisht në shkollat pozitiviste të shekullit XIX, të cilat kanë në themel parimin shkakor të interpretimit. Në diskutimet e sotme mbi mënyrën e konceptimit të Historisë së Letërsisë dhe sidomos me metodat e interpretimit të letërsisë shqiptare, tezat e Çabejt e venë mendimin shkencor përballë një problematike, në vështrim të parë paksa shqetësuese. Pse? Nga njëra anë pikëpamjet e tij pozitiviste mbi mënyrën e kuptimit të letërsisë mund të duken të diskutueshme sot për ekstremizmin e ndonjë shkruesi. Por, nga ana tjetër, në thelbin e tyre ato parakëshillojnë një vështrim objektiv të zhvillimit historik të letërsisë dhe qëndrojnë fort në aspektin e lidhjes së letërsisë me kohën, hapësirën dhe mendësinë e një populli. Veç konceptit të qarqeve letrare, për të cilat është folur nga disa studiues, tezat e Çabejt janë më komplekse dhe nuk janë hetuar me vëmendjen e duhur. Raporti i Historisë së Letërsisë me historinë e kombit në kuptimin e gjerë, si histori ideore, etno-kulturore, shpirtërore, përbën problemin themelor të shtjelluar prej Çabejt, në atë që ai e quan “skicë historike të historisë së literaturës shqipe”. Pikëpamjet e tij do të duhej t’i shihnim sot në sfondin e problematikave themelore që shtron raporti midis metodologjisë së hartimit të saj.
Dihet se studimi pozitivist i letërsisë në vitet ’30-‘40 të shek. XX e pa veten të përballur, madje ashpër, me tezat revolucionarizuese të formalizmit rus, i cili e koncepton Historinë e Letërsisë vetëm si evolucion të formave letrare. Por, ndërkaq dihet se edhe dobësimi e mohimi i pozitivizmit ende nuk arriti të përballonte sfidat e studimit të letërsisë, si një proces në kohë. Kështu që edhe sot mund të themi se një kuptim i ri i studimit historik të letërsisë duhet të përballojë zgjerimin e krizës që ka brenda vetes ky pikëvështrim (siç ndodhi me historiografinë tonë letrare të pjesës së dytë të shek.XX). Eshtë koha që të shihen përmasat dhe vlerat e metodës historiko-kulturore, dhe të njihen përmasat e mundësive si dhe të kufizimeve që i sjell ajo rreth Historisë së Letërsisë.
Eshtë pranuar nga disa teoricienë të njohur se “pjesa më e madhe e historive të letërsive janë ose histori të jetës shoqërore, ose histori të mendimit shoqëror, të ilustruar me vepra letrare, ose përmbledhje përshtypjesh e gjykimesh për vepra të veçanta, të renditura, pak a shumë, në rend kronologjik.” (Rene Wellek, A.Warren, Theory of literature). Të tjerë teoricienë e kanë menduar letërsinë si “biografi të kombit”, “si histori të shpirtit kombëtar …”. Sikurse historianë të ndryshëm kanë synuar ta shohin letërsinë, para së gjithash, si art, por pa qenë në gjendje të shkruajnë histori të saj. Përballja e këtyre dy pikëpamjeve: “Letërsia është rruga e zhvillimit mendor të kombit” (Çabej) dhe “Letërsia nuk ka histori” na bën të ndalemi te përfytyrimi i tij mbi mënyrën e kuptimit të Historisë së letërsisë shqiptare.
Pikëpamjet e Çabejt, si dhe gjithë diskutimet e sotme mbi rishkrimin e Historisë së Letërsisë duhen parë në mënyrë të domosdoshme brenda kuptimit të letërsisë si një sistem specifik, që e shfaq veten në kohë historike. Pikërisht ky konceptim mund t’i bëjë bindëse kuptimin dhe interpretimin e marrëdhënieve midis historisë së letërsisë dhe historisë sociale, politike e kulturore. Ky konceptim e çon historianin e letërsisë që të mos shikojë asnjë aspekt dhe element të sistemit letrar jashtë së tërës historike, në vështrimin më të gjerë të kësaj fjale, duke pasur në themel bindjen se poetika e veprave letrare, në një kuptim, është poetikë historike. Një ndër teoricienët më në zë të kësaj problematike (Jan Rohen) shkruan se “Origjinaliteti i një vepre nuk është thjesht letrar: shkaqet e saj janë historike”. “Historia nuk është vetëm ajo e realiteteve konkrete: është gjithashtu ajo e ideve, ndjenjave, keqardhjeve dhe ëndrrave. Vepra letrare u jep zgjidhje në fiction problemeve të pazgjidhura të realitetit. “Nëse do ta karakterizonim modelin konceptual të Çabejt mbi Historinë e Letërsisë, ai i përket modelit historik dhe përcaktues, tiparet themelore të së cilit janë metoda kronologjike, shkakësia, fakti, përshkrimi, biografia dhe psikologjia. Kjo metodë pozitiviste që përqendrohet në gjenezën e fenomenit letrar, objektivitetin dhe empirizmin, kronologjinë letrare, periodizimin makro e mikro të historisë së letërsisë, marrëdhëniet shkakore midis fenomenit letrar e jo letrar, marrëdhëniet midis letërsive të mëdha dhe të vogla, kontekstualizim i procesit letrar, në bazë të kriterit bazë nacional ose rajonal, funksioni i vlerave letrare në kohë e hapësirë, etj., është aty, e pranishme, brenda studimit të shkurtër të Çabejt mbi gjenezën e literaturës shqipe. “Prodhimi letrar i një populli nuk mund të kuptohet pa njohjen e historisë së tij”, shkruan studiuesi ynë. E gjithë struktura mendore e tij, lidhur me studimin letrar, ngrihet mbi reflektim i ndikimit të shkollës historiko-kulturore të H.Tenit, të shek.XIX, i cili studimin e letërsisë e lidh me njohjen e tre faktorëve themelorë: raca, ambienti dhe momenti. Duke u ndalur me radhë në specifikat e ambientit gjeografik (ambienti), në veçoritë etnike (raca), në historinë e ndërveprimeve centrifugale e centripetale që lidhen me popullin shqiptar, si dhe rolin e faktorit poezi popullore për lulëzimin e letërsisë shqipe (momenti), Çabej afirmonte pozicionimin e tij pozitivist. Studimi “Për gjenezën e literaturës shqipe”, shpreh ndikimin e Çabejt edhe nga shkolla komparativiste. Përpjekje për interpretim në plan krahasues, sado përmes skicimeve të shpejta e të shkurtra, midis letërsive të Ballkanit, midis letërsisë dhe poezisë popullore, midis letërsive ballkanike dhe atyre evropiane, afirmojnë këndvështrimin metodologjik të Çabej. Dy aksiomat e përcaktuara prej tij: “Ndikimi i madh i poezisë popullore në shkrimtari” dhe “Ngjyra politike e shkrimtarisë”, roli i poetit si prijës shpirtëror, çka bënte që “nacion dhe politikë” të ishin “temë kryesore e krijimit letrar”, lidhen me pikëpamjen që e konsideron rrugën e zhvillimit të letërsisë si “rrugë e zhvillimit mendor të kombit” me bindjen se “nëpërmjet autorëve kuptojmë shpirtin e kohës”, për të arritur në sugjerimin që “të nxjerrim në dritë, në pikat më kryesore, personat e dukjet, që janë themelore për vijën e zhvillimit të literaturës”. Në strukturën teorike të tij gjejmë kuptimin më specifik të asaj, që ai e quan “metodë sinkronike dhe diakronike”. Është folur tashmë për tezën e Çabejt mbi konceptimin e historisë së letërsisë sipas kriterit të qarqeve: Qarku katolik i Shqipërisë Veriore, Qarku italo-shqiptar, Qarku ortodoks i Shqipërisë së Jugut dhe Literatura kombëtare e shekullit XIX, por nuk është vëzhguar një aspekt shumë i veçantë dhe i rëndësishëm i sistemit të së menduarit historicist të Çabejt, lidhur me strukturimin e qarqeve letrare shqiptare. Si tipar tipologjik të përbashkët të pasqyrimit letrar ai sheh “fuqitë dalluese të historisë shqiptare”. Tre qarqet e para i quan parakombëtare, në raport me qarkun e katërt: “Letërsia kombëtare e shek.XIX”. Përfytyrimi i Çabejt formaton tre trajta të ndryshme, të cilat konvergojnë në atë që ai e quan njësi letrare. Parimi metodologjik i ndërtimit të kësaj strukture letrare mbështetet në konceptin e komponentes fisore-regjionale, komponentes fetare si dhe komponentes kulturore e sociale. Sipas Çabejt, njësia shqiptare e letërsisë “na paraqitet e projektuar në kohë”. Midis njësisë letrare dhe traditës (në kuptimin e raporteve midis sistemit letrar shqiptar dhe qarqeve të ndryshme të shfaqjes së saj, ekziston një lidhje historike, ose siç e quan autori një vazhdimësi e një drejtimi letrar të ideve. Një shkëndijë e pikëpamjes psikologjike dhe më thellë, psikoanalitiko-arketipale shfaqet papritur: “Njësia letrare ka qenë e gjallë që në fillim, ajo rronte në personalitetin dhe në temperamentin e shqiptarëve. Prej gjithë shkrimtarëve shqiptarë na del përpara fytyra e shqiptarit të përjetshëm”. Çabej nuk merr përsipër të shtjellojë gjerësisht tezat e tij, ai vetë pohon se po paraqet vetëm një skicë. Por këto teza të tij interesante, të pa hetuara në studimet tona, janë aty, shkëndija të prezantimit të metodave të ndryshme të interpretimit shkakor të letërsisë.
Lind pyetja: - Përse Çabej, i diplomuar në qendrat më të zhvilluara të shkencave filologjike, në Vjenë, Grac …, qëndron me bindje në pozitat pozitiviste, pikërisht në vitet kur mendimi teorik bashkëkohor (Formalizmi Rus, që spostohet më pas në Pragë etj.) si dhe ai anglo-amerikan (Kritika e re) ishin bërë pothuaj mbizotërues? Nuk ka asnjë dyshim që këto teori, që kishin pushtuar me bujë mendimin teorik-letrar të kohës, njiheshin nga Çabej. Si shpjegohet, atëherë qëndrimi i tij në metodologjinë e kuptimit të letërsisë si fenomen shkakor, i lidhur ngushtë me faktorë historikë e kulturor ?
Kjo nuk ka shumë lidhje me faktin që Çabej nuk ishte studiues i mirëfilltë i artit letrar. Do të besoja që arsyet janë këto: 1. Ndikimi i fuqishëm që pati shkenca pozitiviste e shekullit XIX në formimin e studiuesve të shkencave humanitare. 2. Metodat e studimit të letërsisë ndryshojnë sipas ndryshimeve që shfaq vetë letërsia. 3. Saktësia, korrektesa e pashembullt e shkencëtarit, e orienton Çabejn drejt gjetjes së lidhjeve logjike e historike të fenomenit letrar me aspekte e rrethana që përcaktojnë shfaqjen e tij. Për këtë arsye, ndonëse teoritë formaliste në këto vite ishin bërë mbizotëruese, Çabej i qëndron logjikës së rreptë të shkencëtarit të saktë. Megjithatë, është fakt që Jakobsoni, një ndër themeluesit e formalizmit, midis tre opsioneve të qasjes komplekse ndaj letërsisë, pranon edhe qasjen shkakore dhe gjenetike, e cila rehabiliton marrëdhëniet midis letërsisë, realitetit historik, shkrimtarit e shoqërisë (me të cilën ka parasysh ndikimet e ndryshme letrare e jo letrare…).
Çfarë ndodh sot në mendimin tonë letrar?
Dy aspektet e kundërta të studimit të letërsisë, ai i gjenezës (diakronik) dhe ai i strukturës së veprës dhe i sistemit letrar (sinkronik), përbëjnë debatin që shfaqet sot, ndonëse jo gjithnjë nga specialistë të studimit letrar. Të dy qëndrimet, në mënyrën e konceptimit të historisë së letërsisë shqiptare, janë radikalizime që mohojnë, secili në mënyrën e vet, shumë dimensione të rëndësishme dhe funksionale të fenomenit letrar. Rënia e pozitivizmit a nënkupton fundin e historisë letrare? A e përballojnë studimet e sotme mbi autorë e vepra sfidën e paraqitjes së letërsisë si një proces në kohë? Vetë zhvillimi i letërsisë sonë tregon se e reja nuk është vetëm një kategori estetike. E reja bëhet gjithashtu edhe një kategori historike, nëse analiza diakronike e letërsisë do të përdoret më tej për pyetjet se cilët momente historike janë ato që e bëjnë të re atë gjë të re që shfaqet në letërsi, në ç’masë është e perceptueshme kjo e re në momentin historik të hyrjes së saj… (H.R.Jauss). Nga ana tjetër, dimensioni historik i letërsisë nuk është thjesht linear, nuk është thjesht vazhdimësi. Po kështu, edhe formacionet poetike janë skema të evolucionit letrar-historik dhe jo pjesë kohore, kronologjike ose pasoja. Pra, çështja themelore mbetet: Cili është raporti midis sistemit dhe evolucionit ?
Eshtë e qartë se sistemi teorik i Çabejt mbi historinë e letërsisë fokusohet në gjenezën e fenomenit letrar dhe jo në evolucionin e sistemit letrar. Sot ka diferenca të dukshme midis konceptit të Historisë së letërsisë bashkëkohore, që interesohet për burimet dhe ndikimet e faktorëve të ndryshëm dhe konceptit bashkëkohor, që interesohet kryesisht për marrëdhëniet ndërletrare dhe intertekstuale midis letërsive, autorëve dhe teksteve. Pra, koncepti mbi Historinë e letërsisë është në fund të fundit, një kategori variabël, që varet nga koncepti teorik dhe metodologjik i vlerësimit të letërsisë së shkuar dhe të tashme. Duke qenë pjesa më historike e interpretimit të letërsisë, historia letrare ka brenda rikonceptimit të saj si aspektin historik, ashtu dhe evolucionin estetik. Në këtë skemë universale mund të themi se teoria e Çabejt është kontribut i njëanshëm në teorinë tonë mbi metodologjinë e shkrimit të një Historie të letërsisë.
Probleme të sotme janë dy :
1. Diskutime që nuk kuptojnë, se aspekti historik i sistemit tonë letrar nuk është thjesht kërkesë, por thelb i brendshëm i zhvillimit të letërsisë. (Çka Çabej e trajton me logjikën e një shkencëtari të vërtetë).
2. Paaftësia për të hyrë në poetikat e brendshme, në të cilat janë formësuar vepra të ndryshme të letërsisë sonë dhe, aq më shumë, aftësia për t’i parë këto vlera estetike në procesin e evoluimit të tyre historik.
Hartimi i Historisë së Letërsisë sot kërkon një rikodim dhe rivlerësim të dukurive letrare, evolucionin e tyre nga një kontekst social, kulturor dhe receptues në kontekstin e sotëm, duke mos harruar se sistemi letrar shqiptar është transformuar në kohë. Evolucioni letrar duhet konceptuar: nga njëra anë si formim dhe stabilizim i një letrareje dominante dhe, nga ana tjetër, si ripërtëritje formash e strukturash letrare. Dimensioni historik i letërsisë, i kufizuar në pozitivizëm, duhet të rifitohet tashmë duke hetuar karakterin e llojit të procesit të evolucionit artistik, në momente e dukuri që shfaqen si historiformuese në gjithë letërsinë shqiptare. Tezat e Çabejt, që i referohen historicizmit të së menduarit, na rikujtojnë sot njërin prej aspekteve të rëndësishme të konceptimit dhe hartimit të Historisë së Letërsisë shqiptare.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com