Gjermanët: Refuzuat 200 milione euro

Shekulli
19-08-2007

Drejtori i bordit të kompanisë “Axos Capital”, Jan Budden, shpjegon një intervistë negociatat me qeverinë shqiptare dhe skualifikimin e çuditshëm nga gara për privatizimin e “Albtelekom”. Premtimi i Berishës dhe interesi i qeverisë shqiptare për një ofertë konkurruese, sipas Budden, marrin një kthesë të papritur atëherë kur pala gjermane kishte marrë “ok” për këtë investim. Kthimi i mistershëm tek turqit e “Calik Enerji”, pas një periudhe të shkurtër kohore, ku vetë Berisha dhe ministri Ruli e kishin përshkruar marrëveshjen me turqit si tejet të korruptuar.

Përse, sipas mendimit tuaj, qeveria shqiptare nuk e mori parasysh ofertën tuaj?

Nga pikëpamja komerciale, ligjore, strategjike dhe teknike, nuk kemi asnjë shpjegim. Qeveria aktuale dhe veçanërisht, vetë ministri Ruli, e përshkruan shitjen e “Albtelekom” te “Calik”, si korruptive dhe në kundërshtim me interesat e vendit. Që nga ajo kohë (2005), qëndrimi zyrtar i qeverisë ndryshoi me 180 gradë, duke rezultuar në një garantim ekskluziviteti ndaj “Calik” dhe injorancë ndaj ofertave më tërheqëse (jo vetëm nga “Axos”, pavarësisht se oferta e “Axos” ishte më tërheqësja) në një proces artificial.

Ministria e Ekonomisë thotë se, “Axos” nuk përmbushte kriteret e investitorit strategjik për një privatizim të këtij lloji, duke qenë se nuk është një kompani që operon në sektorin e telekomunikacioneve”. Cili është komenti juaj?

“Axos” dhe investitorët e saj, kryen mbi 200 investime në sektorin e telekomunikacioneve gjatë 20 vjetëve të fundit, në një total prej 4 miliardë dollarësh. Për më tepër, “Axos” ofroi një partneritet me një nga operatorët kryesorë evropianë të Telekomit, i cili ka blerë disa operatorë ish-shtetërorë në Evropë. Ky është kualifikimi që Shqipëria ka dashur gjithnjë ta ketë.

Përse “Axos” nuk u paraqit para fillimit të tenderit?

Tenderi në fjalë “u ndot” pas deklaratave zyrtare të qeverisë së mëparshme. Kjo është arsyeja përse rezultoi vetëm një garues i pakualifikuar; ai që tani bleu “Albtelekomin”.

A ekziston një mënyrë ligjore, përmes së cilës oferta juaj mund të pranohej e prezantuar jashtë procesit të tenderit?

Duke qenë se nuk ka një proces ligjor tenderues, nuk ka si të ketë kufizime për një ofertë. Oferta u paraqit, në përputhje absolute, sipas standardeve ligjore ndërkombëtare më të larta. Duke qenë se nuk ka një proces zyrtar ligjor, nuk ka asnjë arsye që kjo ofertë të mos merret parasysh. Për më tepër, pas dy vjetësh çdo proces privatizimi, në mënyrë automatike, duhet të ishte anuluar zyrtarisht apo duhet të ishin marrë parasysh oferta më tërheqëse në interes të vendit.

A keni ndonjë koment në përgjithësi, mbi deklaratat që ministri Ruli ka dhënë për median shqiptare mbi këtë proces, dhe përfshirjen tuaj?

Është në interesin më të mirë të një ministri të Ekonomisë, që të forcojë pozitat e ekonomisë kombëtare. Varianti i ofruar (rreth 200 milionë euro më shumë për Shqipërinë), impakti strategjik i afrimit me BE-në dhe disponimi i një partneri strategjik, i cili është një ndër 5 kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në botë, është një zgjedhje që duhet ta bëjë qeveria juaj. Është brezi i ardhshëm i shqiptarëve, i cili dëshiron një “state of the art” (nivelin më të lartë) të infrastrukturës së telekomunikacionit, dhe që dëshiron të lidhet menjëherë me internetin (”Axos” ofroi të lidhë të gjitha shkollat me internet dhe të financojë një universitet telekomunikacioni).

Jemi në dijeni të faktit se jeni takuar me kryeministrin Sali Berisha. Çfarë u premtoi ai përfaqësuesve të “Axos”?

Në dy takimet që patëm në pranverë dhe në verë, të ndjekura nga një drekë me Kryeministrin, ne gjetëm një nivel të lartë interesi në tërheqjen e një investitori strategjik për “Albtelekomin”. Kryeministri, në mënyrë specifike na kërkoi që në takimin e parë të dorëzonim një ofertë, e cila më vonë do të konsiderohej e drejtë në “procesin” e shitjes. Ndërkaq, në një konferencë të gjatë telefonike me prof.dr.Horst Teltschick, ish-shef i stafit të kancelarit Kohl, tashmë kryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut (një konferencë e tillë e famshme u zhvillua në pranverë, ku u takuan liderët botërore, për shembull, vitin e shkuar u takuan Putin, Gates dhe Merkel), ai (Berisha) konfirmoi preferencën e tij për një partner të vërtetë evropian, çka do të ishte në interesin më të mirë të Shqipërisë.

Sikundër jemi informuar, ka një hetim në proces e sipër nga Komisioni Evropian dhe qeveria amerikane, mbi procesin e privatizimit të “Albtelekomit”. A keni dijeni se në ç’pikë ndodhet ky investigim dhe/apo cili është fokusi parësor i hetimit ndërkombëtar?

Nuk mund të komentoj…

Oferta e “Axos”

Në ofertën e paraqitur, “Axos” ka për qëllim ta zhvillojë “Albtelekomin” në qendër të shërbimeve të telekomunikacionit rajonal. Albtelekomi parashikohej të ofronte shërbime konkurruese të telefonisë fikse dhe mobile (GSM dhe WiMax) për 50% të popullatës deri në vitin 2012. Përveç, 200 milionë eurove shtesë, krahasuar me ofertën fituese të “Calik”, marrëveshja do të përfshinte përhapjen e shpërndarjes së teledensitetit (telefonisë fikse për 100 banorë) nga niveli 8% që është sot në 25% brenda 5 vitesh, si dhe ndërtimin e një rrjeti WiMax, duke qenë se licenca për këtë teknologji do të përfshihej në transaksion. Gjithashtu, në ofertë parashikohet reduktimi i listës së pritjes për t’u pajisur me numra të rinj, si dhe ulja e tarifave dhe ngarkesës së roamingut ndërkombëtar, sipas standardeve të BE-së. Rritja vjetore e biznesit parashikohet në 15%, ndërsa konkurrenca në treg do të pësonte një rritje të ndjeshme. Nga ana tjetër, firma zotohet se do të jetë në gjendje të lidhë në rrjetin e saj të telefonisë fikse rreth 120 mijë konsumatorë në vit. Duke folur për partnerin e saj strategjik, “Axos” thotë se bëhet fjalë për një operator lider në tregun evropian, duke theksuar se partneri rezervon të drejtën e blerjes së shumicës së aksioneve të “Albtelekomit”.

Por, gjithçka është hedhur poshtë nga qeveria shqiptare, e cila preferoi 120 milionë eurot e turqve, përballë 320 milionë eurove të gjermanëve. Një qeveria, që siç tonë gojët e liga, preferoi të merrte një bakshish për të blerë një president të ri fringo, duke flakur në kosh, një faturë që do i shërbente të gjithë shqiptarëve, dhe pasojat e të cilës do t’i paguajnë sërish, po shqiptarët e thjeshtë.

Ndërkaq, gjermanët e “Axos Capital” dorëzuan një ofertë prej 320 milionë eurosh pranë qeverisë shqiptare, e cila u injorua symbyllazi, pavarësisht këmbënguljeve të përsëritura të firmës dhe rekursit diplomatik që pasoi. Tani, një hetim i Komisionit Evropian dhe i qeverisë amerikane rëndon mbi qeverinë shqiptare, pasi ajo konsumoi edhe mëkatin e fundit. Kjo ndodhi, kur Berisha dhe Ruli shpërfillën ndërhyrjen diplomatike të Gjermanisë, motori ekonomik i Klubit Evropian, një shtet për të cilin politologët thonë se u bë sebep për krijimin e vetë BE-së, si një strukturë që do të frenonte ekspansionin natyral të këtij kombi. Kjo ngatërresë, që i kalon kufijtë fizikë e kohorë të Shqipërisë, mund të ketë pasoja të pashlyeshme për vetë njerëzit që popullojnë këtë hapësirë të vogël gjeografike.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

4 Komente

  1. Pjer Thomas thotë:

    19 August 2007 @ 9:12 pm

    Eshte tamam siç e kam thene une para 2 vjetesh , se vlera e Telekomit shkon 250-300 milion euro. Seç filma luhen ne Shqiperi, veshtire te kuptohen . Turp per ate klase politike.
    Gjermanet nuk me pelqejne, per shkak te politikes fashiste qe ndjekin ndaj emigranteve, por çmimin e Telekomit e kane vlersuar mire.

  2. gene thotë:

    20 August 2007 @ 4:23 am

    Do jete me interes te dime nese gjermanet i ofrojne te njejten shume edhe calik dhe te dime nese calik do te pranoje kete shitje prej 300%.

  3. buda thotë:

    20 August 2007 @ 6:26 am

    pjer, Axos Capital nuk ka asnje lidhje me qeverine gjermane dhe politikat e emigranteve. Ato jane nje kompani investimesh private (ose private equity sic i quajne) qe investojne dhe menaxhojne kapitalin qe kane mbledhur investitoret e huaj. Edhe artikulli i shkruar tregon nivelin e injorances te atij qe e ka shkruar duke thene ‘Gjermanet’ e ndoshta per lexuesin jo mjaft te mireinformuar kujton se eshte qeveria gjermane qe po perpiqet te investoje… Por kjo nuk eshte kryesorja por fakti qe privatizimi i telekomit u be pa marre te pakten disa oferta te tjera…
    gene, sma merr mendja se calik mund ta shesi telekomin aq shpejt, besoj se mund ta kete ne kontrate dicka te tille por se nuk do ishte nje fitim mjaft i mire per shume pak kohe, do ishte…

  4. gene thotë:

    20 August 2007 @ 8:17 am

    Nuk besoj se qeveria shqipetare do te kish ndonje kundershti nese firma turke do te shiste telekomin tek nje firme gjermane keshtu qe nuk ka asnje problem cfare eshte shkruar ne kontrate.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com