Hamleti në Mbrostar-Ura (1)

(Requem për Kujtim Spahivoglin)

Jam pakësa i vonuar, por, siodoqoftë, më mirë më vonë se sa kurrë. Këtë shkrim ka kohë që e ruaj në kujtesë si një plagë që dhëmb dhe më ka ndodhur si me Gurin mitologjik të Sizifit, e ngre dhe prapë rrëxohem me gjithë të. Ngjarja është e vjetër, gati 30-vjeçare, por, sado e vogël, më ka lënë një mbresë që dua që ta heqë nga trupi. Dua që ta ndajë me të tjerët: fillimisht me të afërtit e të ndjerit (gruan, Vllasovën; çupën e tij, Timin; të vëllanë, Skënderin dhe nuk di në ka të tjerë? ! ) mandej me të gjithë ata daashamirë të shumtë të tij që nuk janë vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë (ai ka patur një stat unik: shkonte në Kosovë për art! ) dhe, siç edhe ka ndodhur, me këtë kurbet galopant: në të katër anët e globit ku ka shqiptarë. Kam dhe një arsye tjetër: sivjet, me sa di unë, është 20-vjetori i tij (më duket ka qenë në shkurt? ! ) . Ka 20-vjet që fizikisht nuk është, por rron tek ata që e kanë njohur, një prej të cilëve jam edhe unë. Ndoshta jam i gabuar (për shkak se jam larg Shqipërisë) por nuk pashë ndonjë takim jubilar për nder të tij, të paktën sa kam ndjekur unë së largmi. Sidoqoftë, duke prurë këtë shkrim ” rekuem “  për Të, bëj një si apel për të gjithë ata që e kanë njohur, këtë artist të madh të skenës që, veç artistit, hynte në ata njerëz me zemër të madhe sa bota, pra apel për ta bërë sa më të plotë portretin e tij të bukur që, mjerisht, jo vetëm e masakruan, por e vranë para kohe.

* * *

Ka qenë vera e vitit 1960 a 61? kur e kam parë për herë të parë në skenë. Luhej  ” Hamleti “  i Shekspirit dhe për këtë rol debutonin në net të ndryshme, tre aktorët tanë më të mëdhenj në atë kohë: Naim Frashëri, Kadri Roshi dhe Kujtim Spahivogli. Naimi dhe Kujtimi ishin nën kujdesin e një regjisori sovjetik (Batko a Bratko më duket se kish mbiemrin? ! ) , kurse Kadriu përgatitej vetë. Unë-pse ta bëj hasha-isha fans i Kadriut. Kjo për dy arsye: e kisha parë tek ” I çudtitshmi “  dhe më kish befasuar dhe, nga ana tjetër, rrija me një të afërmin e Kadriut tek shtëpia e artistit, kur banonte tek pallatet ” Agimi ” . Aty, tek shtëpia etij, lexonim pirgun e letrave nga simpatizantët dhe këto, natyrisht, dikonin në shijen time. Por shkova i pashë që të tre me radhë. Kurrë nuk mund të harroj dy duar që sikur bënin dritë tek  ” përkëdhelnin “  në skenë kokën eJorikut, pastaj batutat që duket sikur dilnin nga një shpirt vullkanik: ishte, këtë radhë, i bukuri Kujtim Spahivogëli. Dhe më mbeti në mendje: i bukur, i paarritshëm. Mandej, e ndiqja në shtyp nga largësia, dhe më bëhej qejfi.

Lexoja-pse ta mohoj-edhe ndonjë poezi të tij. Shkëlqimin po e arrinte si regjisor dhe ca më tepër me kontributin që po jepte në Kosovë ku shkonte shpesh (gjithmonë sipas kujtesës sime, se sot nuk kam një organ shtypi për t’iu referuar) . Mandej-mos gaboj në mes viteve ‘70-erdhi dhe gjëma. E dëbuan. E përçudnuan. E maskaruan. Dhe, kur marrë të shkruaj për këtë dëbim tinëzar, s’ka si mos më vij në mend, një varg lapidar i Asdrenit nga poemthi ” Kryengritësi “  që thotë:  ” Dëbojeni ” Të ikë se na bën hije!” Dhe, për fat të keq, kështu ka ndodhur. Qenka zbuluar (më së fundi) se nuk ka patur kurrfarë vendimi për të ” linçuar “  këtë artist të madh të skenës, këtë luftëtar të madh të Kombit (ka qenë  ” Debatikas ” , këtë njeri kur kjo fjalë në çdo pozicion përbri tij duhet shkruar me të madhe. Dhe e dërguan në Fier. Në Fier po ku: në bonifikim. Në bonifikim po ku: në Mbrostar-Ura, tek ai poligoni (siç e quajmë ne, vendësit-se jam nga Mbrostar-Ura, fshat 3-4km larg Fierit) , ku dhe e ritakova. Por të mos harroj: u vrava dy herë shpirtërisht me këtë internim të Kujtimit edhe për një arsye tjetër: këtë do t’jua them më poshtë. Fieri ish qendër ku vinin kryeqytetas të sferave të ndryshme që ia kishin bërë ” borxh “  partisë: këtu kanë mbyllur sytë (në Fier) Sejfulla Maleshova dhe Sejfi Vllamasi. Kanë vuajtur dënimin artistë si Pëllumb e Xhuljeta Kulla, Leka Bungo, Maria Rafael edhe ndonjë tjetër. Por me Kujtimin ndodhi pak më ndryshe: e shoqja, Vllasova, e ndau. Kjo (kështu arsyetoja atëherë) më revoltoi mua më shumë. E braktisi atëherë kur i duhej më shumë. Dhe e mora Vllasovën më shumë inat se sa partinë dhe qeverinë. Në shkruaj tani kështu me letra të hapura, dua që, ndoshta, ajo ta lexojë dhe ta dijë mendimin tim.

Dhe tani si e takova? Po vija me biçikletë nga Fieri për në shtëpi dhe, mu tek porta e poligonit, pashë një burrë që jepte e merrte për të hedhur mbi një reportabël, një platformë betoni. Ishihja duarët etija të veshura me një palë dorashka ” made in thes çimetoje “  që jepnin e merrnin, po s’po arrinte dot. Lashë bicikletën dhe iu afrova ta ndihmoj, Kur ç’të shoh? Qe ai: Hamleti! ! !  (dora vetë Kujtim Spahivogli) . -Hamlet, ti në Mbrostar-Ura? - i thashë. Ai, i befasur, lëshoi platformën dhe tha: -Ku më njeh? -Po ty të njeh e gjithë Shqipëria, -i them. Dhe pashë që iu rrëkëllyen dy lot të mëdhenj. Lot të mëdhenj prej burri të nëpërkëmbur. E kapa platformën dhe e hodha mbi reportabël. Tek po matej të më falënderonte, unë pashë që po afrohej ” fukaraj ” -një afie që hiqej si i varfër-por ishte sytë e veshët embretit. E keqja qe se ” fukarai ” më njihte mua dhe ky ” takim ” sado i rastsishëm, s’ishte në të mirën time. Frikën e njihja dhe s’kam pse të rrah gjoksin për trim.

Pedalova mbi biçikletë, për t’u shpëtuar syve të  ” fukarait “  (maskarait-më mirë) por pas mora dylotët e atij burri që më pikuan shpirtin. Shkova në shtëpi she shkrova aty për aty:  ” Kur qan një burrë ” . Duket sikur u çlirova nga një si makth, por, sakaq, dhe më filloi autocensura. Frika se mos më pa kush se çfarë shkrova. Dhe e grisa atë që shkrova. Vetëm nga frika. Ama lotët e Hamletit më kanë ndjekur dhe sot e kësaj dite. Diku, dikur, kur diktatura u përmbys, rishkrova për këtë artist të madh një poezi. Sado që s’është kushedi se çfarë unë po e sjell për ju. Sidoqoftë, unë pres që këtij artisti të madh t’i jepet vendi që ka merituar. Një qiri mbi varrin e tij! Amen! . . .

K u j t i m !

Post Mortum, Kujtim Spahivoglit

Ç’qe ajo dorë mizore që të ” vrau ” në gjumë?
Ty, shpirtmadhit, me zemrën si pëllumb?
Vendim hiç s’ka patur (të dënuan qesim? ! )
Kë shkele në kallo, i bukuri Kujtim? !

Një gojë si gjeratore, e keqe, e ligë
Voll helmin e cmirës: të ikë, të ikë!
Pëllumbin e bukur, me shpirtin e madh
E dëbuan nga Tirana: larg! Sa më larg!

Të bëjë beton, të hapë kanale
Ah,  gjuhë zezonë! Ah, gjuhë prej Kasandre!
Dhe shpirti i bukur u lodh, u cfilit
Të vretë pafajësia, nga pak për çdo ditë.

Dhe zemra më s’duroj (një ditë shkoi, u fal. . . )
Siç fiket një qiri që tretet me ngadalë.
Dhe iku pëllumbi (ndoshta në të pakthim)
Por ne që të duam: të presim, Kujtim!

Skena të pretë dhe njerëzit të presin
Se Njerëz si Kujtimi kurrë nuk vdesin.
Tek shkruaj këto vargje (më bëhet si i gjallë)
Atje, tek poligoni, tek hapte një kanal.

Ndaj them me veten time: ndoshta e shoh prapë? !
Ah, kjo shpresa ime, pse mbeti e thatë? ! . . .

13 tetor 2004

1. Mbrostar-Ura-fshat 3-4 km larg Fierit.

Përparim Hysi, dërguar për ” peshkupauje ” më 18 qershor 2007

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

22 Komente

  1. akull-naja thotë:

    18 June 2007 @ 10:34 pm

    Papi, me trishtove fare… Gjeta diku tregimin e te vellait, si vijon:

    Fillimet e Spahivoglit

    …Vëllai i tij i madh, Skënder Spahivogli, rrëfen shumë detaje nga jeta e artistit. Si mendoi të merrej me dramën, kur lindi dëshira e artistit, sa arriti dhe kush ia preu rrugën në krijimtarinë e tij, e plot detaje nga goditjet që ai mori në jetën e tij të shkurtër, prej 65 vjetësh.

    “Mes pluhurit dhe vandalizmit, që iu bë shtëpive tona, më 2 shtator 1982, gjeta ca fletë ditari të vëllait im më të vogël, ku ai shkruante: ‘Parmbrëmë në shfaqje, Irina Sergejevna (pedagoge e Kujtimit në Rusi), më tha se asaj i paska telefonuar F.G. Ranjevskaja (artiste e popullit në Rusi) dhe i ka thënë se nuk do të më hiqet nga sytë ai shqiptari. Lutju në emrin tim që të mos dalë vetëm regjisor, por medoemos të bëhet aktor”… “J.A.Zavadski (profesor i Kujtimit në Rusi) më thotë pas provave gjenerale se ti duhet të luash patjetër Hamletin…” E këto janë pak nga rreshtat që Kujtim Spahivogli kishte hedhur në fletët e ditarit të tij, ku ka shënime që nga koha kur ishte student në institutin teatral të Moskës “GITIS’. “Në këto fletë gjen shumë dialogë me profesorin e tij Zavadski, synimet e artistit të cilat ia njihnim mirë në shtëpi, në familjen tonë, që kur ai ishte i vogël…”

    Kështu rrëfen vëllai i regjisorit, duke u ndalur në shumë detaje, që kur ai nisi të lidhej me pasionin e tij. “Ai shpesh herë merrej me ushtrime të veçanta, për të arritur tek mjeshtëria e aktorit. Shpesh i ushtronte këto elemente me veten, me studentët e tij, më vonë edhe me aktorët në skenë. Një herë na vjen gjyshja në kuzhinë dhe, me duar në kokë, thotë: “Qyqja na u çmend djali. Ka një javë që vetëm fërgëllon e dridhet në dhomë.” Por nuk vonon shumë dhe vjen Kujtim. E përqafon gjyshen dhe i thotë se po përgatitet të futet në Teatrin Popullor. Atë herë ishte 15 vjeç dhe vazhdonte shkollën teknike. Shumë shokë të tij më thoshin se ai ishte i shkëlqyer dhe mund të bëhej specialist i zoti, kurse të tjerët në lagje, më rrëfenin sesi Kujtimi improvizonte shfaqje në skena të rrethuara me batanije në oborrin e shtëpisë, në fushën e Bollvoreve etj.”,- tregon vëllai i regjisorit. “E, me gjithë këto prova që bënte me veten, Kujtimi nuk u bë dot artist i Teatrit Popullor. Ata nuk e pranuan. Kësisoj ai e la shkollën teknike dhe nisi shkollën e mesme artistike “Jordan Misja”, të posaçelur në vitin 1947, në degën e dramës, të cilën e mbaroi shkëlqyeshëm dhe e dërguan të studionte në Moskë. Edhe atje doli me diplomë “Sotliçijem” (shkëlqyeshëm), nën patronazhin e Zavadskit, për mëse 5 vjet”. Dhe pikërisht në Moskë , me këta artistë të mëdhenj, Kujtimi mësoi me zell të fshehtat e artit dramatik. E këto të fshehta ai ua përcolli më vonë studentëve të tij në Institutin e Lartë të Arteve. Ushtrimet, etydet e thjeshta dhe ato masive, plastikën e fytyrës dhe të trupit, të gjitha ua mësonte studentëve të tij dhe lumturohej kur studentët i kuptonin dhe i aplikonin këto ushtrime.

    Spahivogli, regjisor dhe aktor

    Pasi kishte ngritur Teatrin e Rinisë në Institutin e Arteve, Kujtimi u delegua në Vlorë për të krijuar teatrin dramatik në këtë qytet. Në atë kohë vëllai i tij, i cili punonte inxhinier me nëndetëset, kujton se regjisori po punonte për të vënë në skenë një shfaqje shumë të vështirë, “Fundosja e skuadrës” me skena masive, dekore të rënda, kostume e shumë figurantë. Më ankohej mua dhe më lutej ta ndihmoja… Dhe, në të vërtetë e ndihmuan komandanti dhe komisari i marinës ushtarake në Vlorë. Dhe shfaqja ishte një sukses vërtet për t’u shënuar jo vetëm nga puna se tij si regjisor në këtë teatër, por edhe në karrierën e tij. Më pas ai vuri edhe shumë drama të tjera në skenë, si: “Gratë gazmore të Uindsdorit”, “Në tufan”, “‘Mbi gërmadha”, “”Qielli i kuq”, “Karnavalet e Korçës” etj.

    Por në teatër ai parapëlqeu të luante edhe vetë në skenë. Nga rolet e tija më të spikatura ka qenë Hamleti. Kjo ka qenë një ngjarje e madhe në jetën skenike të teatrit shqiptar. Por, veç “Hamletit”, luajti edhe shumë pjesë të tjera, si: “Majlinda”, “Votra e huaj”, Dragoi i Dragobisë”, “Njeriu me pushkë”,. “Doni i qetë”, “Shumë zhurmë për asgjë”, “Parajsa dhe ferri”, “i panjohuri”, “Letra e humbur” etj. E, megjithëse jetoi pak dhe në një pjesë të jetës së tij e ndaluan të punonte si regjisor e aktor, ai la pas shumë vepra të mëdha në artin skenik dramatik.

    Fundosja e artistit

    Ishte viti 1971-72, kur regjisori Kujtim Spahivogli vendosi të vinte në skenë një vepër të Vladimir Majakovskit. Sapo ishte kthyer nga Shkupi ku kishte vënë pjesën “Karnavalet e Korçës”, ku kishin marrë çmimin e parë në konkursin e katërt të teatrove profesionistë të Maqedonisë. Në mendje kishte pikërisht veprën e Majakovskit “Banja”. Por ajo e godiste rëndë burokracinë. Premiera jo vetëm nuk i pëlqeu udhëheqjes së partisë, por edhe u ndalua menjëherë. Regjisori u cilësua artist liberal me frymë perëndimore dhe u përjashtua nga partia. Pastaj e çuan për riedukim në bonifikim të Fierit. Aty artisti punoi me kazmë e lopatë për shumë kohë. Vëllai i artistit, Skënderi, tregon sesi një punëtor mallakastriot, kockë e lëkurë, i thotë një ditë, teksa e sheh artistin të dobët, si veten, të djersitur, e që nuk u bënte bisht punëve të rënda. “Po ti o i vrarë, si i ngjitesh Dajtit ashtu drejt e në majë? Pse nuk i re pak anash e anash, duke e kthyer atë dorë të rreshkur sa në të majtë e në të djathtë…”

    Por siç tregon i vëllai i tij, ai ishte vërtet nga ata artistët naivë. E, ndërsa Stanisllavski thoshte se artistët sikur i turpërohen naivitetit të tyre dhe sikur i fshihen kësaj, unë do të shtoja këtu se në gjyqin që Ramiz Alia i bëri Kujtimit para kolektivit të Teatrit Popullor kërkonte më shumë se naivitetin e artistit. “Mjaft bëre harakirin, - i thotë ai, - na fol për veten tënde. “Po unë për veten fola”, -thotë Kujtimi, pasi kishte një orë që bënte autokritikë denigruese të veprës së vet. - “Ç’kërkon më shumë…?” Kështu kujton vëllai i regjisorit, duke përmendur një varg dënimesh që e ndiqnin njëri-pas tjetrit artistin.

    E ndër dënimet më të rënda për artistin ishte shkurorëzimi me të shoqen, Vllasova Mustën. Ajo dërgohet tek i ati në Gjirokastër e, së fundi, Kutjimi mbetet vetëm me një plagë më shumë në jetën e tij. “Për herë të parë artisti derdh lot”,- tregon i vëllai. ” E keni vënë re, - na thoshte Kujtimi,- se kur ndahen dy njerëz të afërt, po i patën sytë të përlotur, si njëri-si tjetri, ndarja është e përkohshme, ama po qe njëri esëll, s’bën çarje më asgjë…”.

    Por vujatjet e tija vijuan edhe më tej. “Pasi kishte mbaruar “me sukses” riedukimin me punë të rënda, ai po jetonte vetëm me pensionin e nënës dhe frutat e bahçes sonë, sepse nuk i jepej asnjë punë nga shteti, madje as punë krahu. E pak kohë më pas, më 2 shtator të vitit 1982, me urdhër nga partia, i shembet forcërisht shtëpia, duke rrafshuar me buldozer avllinë dhe bahçen dhe duke e lënë ashtu të shkretë për shtatë vjet rresht, derisa u kujtuan ca hijena-komshinj të bëjnë në truallin tonë një pallat me kontribut vullnetar”.

    Këto gjëra kujton vëllai i madh i artistit Kujtim Spahivogli, nga shumë e shumë detaje të hidhura nga jeta e artistit. Pastaj bën një paralelizëm të çuditshëm. Kujton rivënien në skenë të dramës së Majakovskit “Banja” nga regjisori Altin Basha. Basha e mori “guximin” në vitin 2000 dhe e kujtoi regjisorin e nmirënjohur Kujtim Spahivogli, madje ia kushtoi atij këtë vënie në skenë.

    Burimi:http://www.edsh.org/diskutime/viewthread.php?tid=80

    Paqe mbi shpirtin e Kujtim Spahivoglit!

  2. Perparim Hysi thotë:

    19 June 2007 @ 2:28 am

    Akull-naja!Të faleminderit që jo vetëm ndoqe këtë shkrim timin,por e bëre dhe më të plotë.Të them të drejtën,sikur ndjej pak çlirim nga gjithë ai makth që s’e kam lehtë ta harroj.Kam këtu një njeri që ka punuar me atë,atje tek poligoni.E kujton me përgjërim dhe më tha,kur ra muhabeti:-Seç bëra,si i ri që isha.Fyeva një kuadro dhe Kujtimi më tha:-Mbaje zemërimin se me atë që bëre,s’dihet se si do të vejë halli.(e kish pësuar për vete i ziu dhe kujtonte se”kamzhiku”njësoj do fshikullonte mbi këdo).Por”partia e punës” bënte kujdes:”…edhe kur gabon njeriu “inë”(sipas Enverit),dihet se ka rënë preh e armikut të kllasës”.Ç’monstruozitete që të bëjnë të vjellësh.Të shkuara,të paharruara,kur thonë.
    Përparim Hysi,18 qershor 2007

  3. adriatik thotë:

    19 June 2007 @ 9:35 am

    akull-naja, shume faleminderit qe solle tregimin e te vellait te Kujtim Spahivoglit. Nuk e quaj te ndershme qe tregimi i Skenderit te konsiderohete nga ana e Papit si plotesues i tregimit te vet medioker. Me gjithe ate, gjithemone e kam quajtur sakrilegj perpjekjet e njerzve per te fituar “fame” duke u mbeshtetur tek sakrificat e martireve. Te faleminderti akull-naja edhe nje here per sinqeritetin qe prute ju me postimin e tregimit te te vellait te Kujtim Spahivoglit.

    Qeramudin Bollofocka, me 19 Qershor, 2007.

  4. akull-naja thotë:

    19 June 2007 @ 3:20 pm

    Adriatik, qetesohu he burre, se Perparimi s’i mori pronesine jetes dhe vepres se Spahivoglit. Thjeshte na solli nje moment qe e ka prekur, dhe qe me preku dhe mua, aq sa te shkoja te kerkoja informacion mbi kete figure qe une vete s’e kam pasur fatin ta njoh. Shkrimi m’u duk shume interesant ndaj dhe e solla. Ja shendet!

  5. Perparim Hysi thotë:

    19 June 2007 @ 4:33 pm

    Akull-naja!Paske shpejtuar se,tani,sapo e hapa dhe pashë shënimin tënd shumë domethënës.Unë s’pata për qëllim që të marrë”tapitë” e të shkruarit bukur,por aq sa më jepet për t’u çliruar nga një makth i vjetër.Natyrisht,indjeri Kujtim Spahivogli, për të ardhur në plotninë e tij si figurë demensionale disaplanëshe,nuk ka si ndjehet i plotë me një shkrim kalimthi timin.I vëllai,e shoqja,e bija dhe kushedi se sa të tjerë mund të kontribuojnë dhjetëfish më shumë në këtë drejtim.E,sa për Adriatikun,që më quan mua mediokër, do t’i përgjigjesha vetëm me dy rreshta të Hygoit”I përgjigjem një akt-akuze”:
    “Nishan më mori proza juaj plot me vrer,
    Ju më bërtisni:”Plaç!”-unë ju them:”Qofshi me nder!”
    Përparim Hysi,19 qershor 2007

  6. Idris thotë:

    19 June 2007 @ 4:54 pm

    Papi! E di qe ne nivelin si vjershetar je nje lirik i bukur! Ne keto sprovat e prozes qe padyshim i lexoj me qejf kur kane nenshkrimin “Hysi”, me duket sikur kerkon ta ngjyesh penen per ta bere interesante prurjen ne “bojen” e politikes.
    Me dashamiresi te them si ne disa sprova te me pareshme nuk po te kuptoj. Nje lirik me mllefe nuk eshte me lirik.Me kete te fundit i hoqe dhe namin balades per vallen ne Mbrostar.Lere Spahivoglin te prehet me thirrjen’
    —- RRofte Partia…(te jesh i bindur Jo ajo Demokratike as e Ballit).
    Per kuriozitet tendin ndoshta dhe e di Mihallaq Luarasi eshte i vetmi student Shqiptar qe ka mbrojtur diplomen ne Hungari me medaljen e Arte ne rrolin e Hamletit,ne institutin me ne ze te Regjizures ne hungari me nxenes nga e gjithe BOTA.

  7. Idris thotë:

    19 June 2007 @ 4:58 pm

    Nje shtojce.Prurja Hygojane nuk eshte origjinale por e huazuar nga Saadi;
    Nje i paditur shau nje njeri
    ky duroi e tha ;-O fat flori
    mei lig jam une nga c’thua ti
    se turpin brenda fare s’ma di.
    Besoj Pap na thote dicka me te plote se mbivleresimi ose nenshtrimi katolik i vetevetes.

  8. ardi thotë:

    19 June 2007 @ 5:35 pm

    ….Me kete te fundit i hoqe dhe namin balades per vallen ne Mbrostar.Lere Spahivoglin te prehet me thirrjen’
    —- RRofte Partia…(te jesh i bindur Jo ajo Demokratike as e Ballit).
    Per kuriozitet tendin ndoshta dhe e di Mihallaq Luarasi eshte i vetmi student Shqiptar qe ka mbrojtur diplomen ne Hungari me medaljen e Arte ne rrolin e Hamletit,ne institutin me ne ze te Regjizures ne hungari me nxenes nga e gjithe BOTA.
    ….sa kompetent jeni ju me keto fjali te “padiskutueshme”….ne pergjithesi flet me gjysma mendimesh,…duke harruar qe disa nuk jane dhe aq te “zgjuar” ti shkojne deri ne fund atyre gjysmave qe ke ne mendje ti….na e “zgjero” dhe neve horizontin ….

  9. adriatik thotë:

    19 June 2007 @ 6:22 pm

    Perparim, une nuk bej proze dhe as qe mar mundimin qe te marr nishan prozen tuaj. Une edhe me pare ta kam thene cope mendimin tim; te respektoj si njeri, por nga ana tjeter me duket hipokrizi te them nje gje tjeter per tjeter.

    As qe do te kisha shkruar, por ti po vazhdon te besh te presekutuarin edhe pse si mesues gjuhe e letersije ke qene shume me i nderuar e i respektuar se shume njerz te tjere te pushkatuar e te internuar etj etj. per idealet e tyre dhe jo per ato plage te shoqerise shqiptare qe sot i gjejme me shumice.

    E them me plot gojen qe me pelqejne shume poezite qe ke sjelle ne peshk, thuajse te gjitha, por vjersha per K. Spahivoglin nuk eshte e brumit tuaj qe paraqesni tek vjershat e meparshme. Degjo Papi, me beso se s’kam asnje vrer kunder teje, une mediokrequajta shkrimin tuaj dhe jo juve.

    Nga ana tjeter “Leter me litar ne gryke” nuk duhet te shkruhej me kete titull sepse te si mesues i letersise e njeh mire Julis Fucik dhe “Reportazh me litar ne gryke” vepren e tij. Po keshtu perparim, edhe vjershat e Xhelaledin Rumhiut, e te te tjereve te Orientit duhet ti perifrazoje egzaktesisht me Emrin e Madh te Buharase dhe jo si krijime te tua.

    Aty binin ne sy dhe vargjet e mrekullueshme te bejtexhinjve te qyteteve mesjetare shqiptare po edhe ata te ndikuar nga Orienti dhe nga Ponenti gjithemone kane ditur te nxjerrin individualitetin e tyre. E me gjithe ate une prape te falnderoj per sjelljen e atyre vjershave. Ne nje shkrim te dikurshem te tregova dy pista per te gjetur eshtrat e te ndjerit xhaxhait tuaj, nuk e di a te sherbyen ndopak apo jo.

    Qeramudin Bollofocka, 19 Qershor, 2007

  10. Perparim Hysi thotë:

    19 June 2007 @ 6:29 pm

    I dashur Ardi!Unë as që i vë në dyshim ato që thuaj për Luarasin që,siç e di unë,është një regjizor i madh.Po unë nuk di gjë për sukseset e tij në Hungari.Shkruaj vetëm për gjëra që i di:m’i kanë parë sytë dhe,siç e sheh,edhe këto që “m’i kanë parë sytë”,nuk i them dot tamam.Po u futëm në ato hulli,jo në Hungari apo Rusi,jashtë çdo dyshimi,arti rus ka qenë shumë larg atyre që përmend ti.Ka qenë një shkollë më vete dramaturgjia e Stanisllavit dhe dishepujve të tij.Dhe hiç nuk kam shtruar hipotezën që t’i kundërvë,të ndjerin Spahivogëli,qoft edhe akcilit prej artistëve të tjerë të skenës.Unë e kam dashur dhe më është dhimbsur për tragjedinë që vuajti.Se nuk e meritonte.Po u nise nga partishmëria,të gjithë do të këndonin sipas një dirigjenti.Ndryshe,e pësonin siç edhe e pësoi edhe Luarasi me të shoqen,zonjën e nderuar Edin.Eplot të tjerë që nuk është vendi këtu t’i përmend.
    Përparim Hysi,19 qershor 2007

  11. Paul Tedeschini thotë:

    19 June 2007 @ 6:34 pm

    Perparimit dhe “Akull-najes”!
    JU LUMT!
    Na bete te kujtojme ato kohra te tmerrshme te mallkueme.
    Populli qe harron, nuk asht popull!
    ———————————-

    Perparim!
    A te kujtohet ajo rruga pergjate lumit Gjanice nga lagjia LIRI qe vjen nga Ure-Mbrostari tend e qe te qonte ne qender te Fierit? Aty nga mesi nga e majta ish dikur hotel Mallakastra me restorantin e vet, qe ma vone e kishin prishur. Aty ishte hotelgjeshe nje grua ne moshe, shume e mirsjellshme, familje deshmori. E hengri me vone ajo sepse e bija u martua me Foto çamin ate mesuesin e kimise, minoritar, qe kish dollar me grushta sepse kish te jatin ne Ameriqì te arratisur.

    Rreth muajit tetor 1960 po hanim dreken une, Ivziu, Sabriu dhe ca shoke te tjere. Ulet afer meje ne tavoline nji i moshuar trupshkurt dhe i heshtur. Deshi te pinte uje dhe une ia mbusha goten nga Kane e ujit qe kishim mbi tavoline. Mbasi hengri “miku” i yne dhe iku, me tha Sabriu:
    Orè e di ti Paul se kujt ia mbushur goten me uje ti?- “Armikut” Sejfullah Malishoves!
    Dhe une, qe nuk e njihja fare, e ketheva ne humor:
    Orè ti Sabri! E di ti se edhe sikur ta dija se ai ish Sejfullah Malishova, une prap qe prap do ia mbushja goten me ujet, sepse pak muaj me pare dhashe provimin e Historise se Partise dhe me takoj te flisja per Tradhetine e Mukjes dhe e shava ne provim Sejfullahin sa mujta dhe mora note te mire. E kish hallall Sejfullahi goten e ujit!
    U mbyll me te qeshura biseda, por une nuk e harrova me fetyren e tij. Me vone mora vesh se kish vdekur ne varferi dhe mizerje te plote ne nje dhome te vetmuar.

    Nga pikpamja njerzore mu dhimbt, por mu kujtua se ai kish qene anetar i Internacionales se Trete Komuniste ne Moske dhe se keto na e kishin sjellur ne Shqiperi koleren komuniste, qe me vone i korri edhe ato vete.

    Perparim!
    Po ish general Skender Vinçanin nga Korça, drejtor te bonifikimeve ne Fier ne rrugen e fermes qe te shpie ne plazhin e Semanit, qe pastaj e rrasen brenda ku me duket se vdiç, e njihje ti? Une e kam njohur mire dhe kam patur vazhdimisht kontakte me ate. Njeri shume korrekt.Ai kishte dy vajza nxenese te mrekullueshme ne gjimnazin 18 Tetori: Dolores dhe Zana. Dy vajzat e tjera i mbante e shoqja ( divorc i detyruar)! Nuk dij gje se ku jane ato tani.
    Aty kishim edhe vajzen e Bullatit te pushkatuar mbas konferences te Tiranes ne vitin 1956. Vajze e mrekullueshme.
    Aty patem edhe Pranvera Shehun mbesen e shokut Memet. E shokut Memet, orè. Nuk te kujtohet ty shoku Memet nga Mallakastra? Ke humbur fare o Perparim nga memorja ti! Memeti orè! Nuk ke vajtur kurr ti ne Ballsh aty ku u mblidhshim neve te gjithe tek ajo kafèja ne qender qe bente ligjin gja Selua?
    Po kish njeri qe ti fliste Pranveres orè! Te gjithve u shkonte, naaaaaa! Une nuk çava koken fare dhe e bera timen. Ndoshta nuk isha koshjent se ç’beja, por e bera timen dhe nuk me ndodhi asgje. Omer Haxhia u preokupua aqe shume se me dergoi Athina Gjergon, ate shoqen e ngushte te Ligor Berdallit qe ish martuar me ate hungerezen e vockel bjonde (nuk te kujtohet?). Athinaja i uli pendet se e pau se kish te bente me nje te “çmendur” dhe nuk kish ndermend te hidhej ne ere. Pastaj ashtu e nakatosem ca ate meselè dhe e rregulluam me “Konsensus” siç i thone tani.

    Po ato grekrit komunist te ardhur me provokacionet e 2 gushtit 1948, qe i kishin sjellur ne Fier, Te kujtohen? Njeri prej ture ishte nji djale afro te tridhjetave, me syza, profesor kimie i zoti, kish studjuar ne Prage e pastaj ne Tirane. Ish shum i sjellshem dhe i mbatur. Nji dite te bukur e arrestuan dhe nuk e pame me. Kush e di ku e kishin dagedisur te gjorin. Humbi si uji ne rere.
    Po ato kosovart qe ishin arratisur nga Kosova dhe i kishin sjellur aty ne Fier per ti patur nen kontroll, nuk te kujtohen?
    Me thauj, qe te te thom! ç’kemi pare!
    Po ai nenkryetari i deges, ai shkodrani qe kish qene nji nga atentarort komunist me te degjuar gjate liftes Nacional çlirimtare i mbiquajturi “harapi”, qe ne mars te vitit 1961 me pare vrau kruetarin e deges ne shtepine ku jetonin bashke, kushuririn e shokut Memet, dhe pastaj ia keputi vehtes, te kujtohet Perparim!
    Perparim! Me paska marrur malli te flas pak edhe ashtu si nga ana e juaj, ku kalova ca vite rinie dhe ku njoha dhe bera miq te mire dhe te paharrueshem.

    Kohra!o! Kohra!

  12. ardi thotë:

    19 June 2007 @ 6:37 pm

    …i dashur Perparim…me ke keqkuptuar…une i jam drejtuar Idrizit, pasi ka folur me kompetence (si gjithmone “absolute”) ne rrjeshtat e kopjuar…ku i them se edhe nese ka dijeni per ato qe thote/ja fut kot, te na bej te ditur te gjitheve…
    …shkrimet e tua jane te pakta qe me japin kenaqesi, nga thjeshtesia dhe menyra tradicionale e tregimit shqiptar, pa snobizma e “modernizma” e kopjizma kompetentash - kalamajsh….

  13. ardi thotë:

    19 June 2007 @ 6:39 pm

    …shkrimet e tua jane NGA te paktat TREGIME qe me japin kenaqesi, nga thjeshtesia dhe menyra tradicionale e tregimit shqiptar, pa snobizma e “modernizma” e kopjizma kompetentash - kalamajsh….

  14. Idris thotë:

    19 June 2007 @ 9:38 pm

    Po ti c’pate?! Mos je nga Gjirokastra dhe i ke i nat kokat qe dalin tek Qafa e “Pazarit”
    Nuk e di sa shkolle ke dhe i kujt kohe je O i pernderti Ardi. Sidoqofte ne se e ke te mesmen per ty familja ka paguar dicka dhe ti dashke te mesosh nga une pa para gjera qe s’te hyjne pune por qe them se te lartesojne ashtu kot.
    E ke mire ngalasu me historite e Papit. Ne se ke ndonje denim nga koha e diktatures te lutem na bjer fjalen mbrojtese. Nuk besoj se ke qene “snob”
    Kuptoj qe Papi me ka kuptuar pa sa per ty kemi kohe tja “fusim kot” kur te biesh ndonje gje.

  15. Perparim Hysi thotë:

    19 June 2007 @ 11:18 pm

    Duke iu përgjigjur të gjithëve nga pak,së pari dua të veçoj ty Idris që(gjë që as më çon ndonjëherë në mendje)më thëke se kam marrë nga Buharaja dhe tak u kam vënë emrin tim.Je nxituar,pakësa, apo e ke bërë nga një keqdashje,nuk di si të them.Jam gati të ballafaqohem dhe ti vër përbri vargjet që unë i paskam marrë dhe i kam bërë pronësi timen.Po të ishim ballë për ballë dhe ku pronësia intelektuale mbrohet me ligj,pa m’u dridhur qerpiku do të padisja:as më pak dhe as më shumë.Kush më njeh mirë,e di që ballin e kam të pastër dhe kurrë,në asnjë rast,nuk jam tunduar as nga paraja,as nga pushteti dhe as ngas lavdia.Natyrisht,që nuk pres dafina për çdo gjë që shkruaj,por-dhe këtë ta ngulësh në kokë mirë ti dhe kushdo tjetër-nuk duroj kur më akuzojnë pa të drejtë.As që e kam mohuar që kam qenë mësues letërsie,por në zverku m’u rrop për arsye subjektive(që nuk vareshin nga unë)nuk mund të harroj se çfarë kam hequr.Zotëri i nderuar,Idris, duhet të pyesësh për mua para se t’më bësh atë akuzë sa keqdashëse,aq dhe të poshtër njëkohësisht.Dhe së fundi, bën mirë që,sa herë të shohësh shkrimet e mia,të mos humbësh kohën tënde të çmuar,sado që thuaj që”unë të paskam kuptuar”.Edhe një gjë tjetër:kur erdhi demokracia,i pata mundësitë që dhe unë të bëhesha”derr i kënaqur,por-e dinë të gjithë ata që më njohin-mbeta Sokrat i vuajtur.”Dhe kështu,siç duket,edhe do vdes.
    Përparim Hysi,19 qershor 2007

  16. Perparim Hysi thotë:

    19 June 2007 @ 11:21 pm

    Ardi!Të më falësh,në të keqkuptova dhe në të konfodova me dikë tjetër.
    Të falënderoj për mendimet e tua.
    Përparim Hysi,19 qershor 2007

  17. Perparim Hysi thotë:

    19 June 2007 @ 11:32 pm

    I dashur Paulin!Përfitoj nga rasti që të bëjë të njohur(më mirë të plotësoj ato çka shkruan.)E ka marrë ajo Foto Çamin dhe ka përfunduar në Amerikë.Për lexuesët:jo ai Foto Çami i Birosë,de!Nexhip Vinçani ka qenë drejtor i bonifikimit,pastaj i NSHN-së dhe,kur Enverin ezuri skleroza,u kujtua,e rifuti në burg dhe,kur doli,pak rrojti dhe vdiq.Të ndjerin Nexhip,e kam patur muhabetçi dhe ish burrë me kulturë.Për Sejfullan kam ca momente që,ndoshta,ndonjëherë tjetër do t’i tregoj.E mbesa e Mehmetit(Shehut),në kohën etyre(deri nga viti 1981)të hanin me dhëmbë.Mandej,ranë nga degët dhe u bënë për t’u mëshiruar.Dhe përsëri e morën veten dhe janë birinxhi,kur thonë.E keqja është,i dashur Paulin, se kashta dhe gruri u përzien tok dhe,siç më duket mua,delja e zezë po e zezë mbeti.
    Përqafime nga Përparim Hysi,19 qershor 2007

  18. Idris thotë:

    19 June 2007 @ 11:33 pm

    Me vjen shume keq pap! cdo gje per ty e kam patur te paster perjashtuar disa prozave per te cilat edhe te jam shprehur.Nuk e di ku te kam akuzuar se vjedh nga Buharaja.per te mos me ngelur merak me bjer nje rresht.Duke qene e fundit here si pjesmarres ne prurjet e tua ( si respekt per deshiren tuaj) po lehtesoj shpirtin me definicionon. Liriket nuk kane mllefe. Shkarko sa te mundesh shpirtin e vrare ne vargje.

  19. adriatik thotë:

    19 June 2007 @ 11:45 pm

    papi. Ore c’ke me Idrizin ti, kritikat ti bera une ty dhe eshte mire qe atyre kritikave tu pergjigjesh te gjithave jo vetem per Buharane. Pasi te diskutosh ato, kam edhe ca te tjera qe nuk besoj se do te dogendisin.

    Qeramudin Bollofocka, 19 Qershor, 2007.

  20. Perparim Hysi thotë:

    19 June 2007 @ 11:58 pm

    Idris!Kam qenë konfuz dhe s’paske qenë ti,por Adriatiku që ka hedhur baltë mbi mua.Duket,i ngacmuar nga një akuzë tendencioze dhe krejt e turpshme,e humba arsyen dhe u zbraza mbi ty.Të më falësh,se të rëndova.Ç’kam shkruar,janë për Adriatikun dhe për ta mbyllur këtë replikë po të them,o Adriatik,se”Reportazhin e Julius Fuçikut”jo vetëm e njoh,po e kam dhe këtu me vete.Po unë nuk mund të ndryshoja titullin e një letre origjinale të ndjerit xhaxhait tim,pse nuk të pëlqeka ty.Sa për dijeni,kjo letër origjinale është botuar po me këtë titull në shtypin e kohës dhe pikërisht tek organi”Liria”.Sa për ato insinuatat e pista,se”gjasme kam marrë nga përkthimet e Buharasë”,ato shpifje i paçë për vete dhe,po të kisha afër,do të kisha çuar në gjyq si shpifës dhe trillues.Jam i moshuar,tanimë,dhe nuk e mësoj dot zanatin e vjedhësit.Jam aq i tensionuar sa kushedi se ç’profka mund të shkruaj të tjera.
    Adriatik!Rrugët e mia me ty priten.E gjeçë andej nga nuk e pret.
    Përparim Hysi,19 qershor 2007

  21. Idris thotë:

    20 June 2007 @ 12:34 am

    Pap i dashur me lehtesove por jo shume .Me bute. pervoja jone na tregon se nuK del mosha dhe sikur 300 vjet te rrosh me inate e mllefe. Edhe Tiku dic do te thote .Pyete .
    Keto i them se je nje shpirt lirik kaq sa kam kuptuar dhe as kam dijenine me te vogel te interesimit dhe njohjes personale.
    Dhe e theksoj katerciperisht i bindur qe nje lirik ,aq Me tepr si Ju aq i lidhur e i shkrire me vargun popullor, mund te perdore forma te tjera jo ne proze per tu shprehur. Mendoj se perkrahja qe te jep Ardi eshte ‘mikroskopike ” ne raport me c’ke prure tek peshku ku je prezantuar si i vecorishem.
    Mendoj se kushdo eshte vetvetja por nganjehere desherojme qe edhe dikush qe admirojme eshte pjese e kritikes po aq sa e pelqimit Ndryshe?….Perse marrim pjese ne prurjet e te tjerever ?..Vetem per levdata? Per humor aty “percartet”edhe Tedeskini ,po vape eshte dhe na falet moshes sone kur edhe si dashamires mendoj se perpiqet te te largoje nga kurthi i kujtimeve negative.

  22. adriatik thotë:

    20 June 2007 @ 2:13 am

    Papi, ti mund te me mallkosh; mallkimi yt eshte i rende dhe mbase shpejt realizohet ky mallkim por une as te vrava as te preva. Jam shume i prekur nga fjalet e tua qe po i sjell me poshte:

    “Jam aq i tensionuar sa kushedi se ç’profka mund të shkruaj të tjera”.

    Mallkimin ta pranova dhe kjo ndofta te qeteson qe te mos shkruash me profka te tjera.

    Qeramudin Bollofocka, 20 Qershor, 2007.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com