Huqi (grimca humoristike)

Kujtimit të Maksut Hysit

Selmani, një fshatar andej nga anët tona, seç kishte një zakon të keq! Huq, - thuaj. Se emër tjetër nuk ke si i vë? ! Sa bënte tjetri toka me ty, (kur të vinte në shtëpi, sigurisht, ) dhe tak e kapte mashën dhe trazonte zjarrin. Se andej, nga anët tona, rrallë, shumë rrallë nuk ndizet zjarr në dhomën e miqëve, se bën ftoht. Epo vend malor, more babaçe. Ja, kështu po më tregonte, xha Maksuti, një plak i moçëm, i zgjuar dhe shumë muhabetçi. E kish këtë huq Selmani dhe bjerë e vdis. Se huqi është i keq. Jo se lind me ty, por e nxë, dhe të bënë për vete ky qerrata, por ti që e ke as që e vë re; të tjerët e shohin këtë huqin tënd, por, sado që nuk ta pranojnë, nuk ta thonë. E, jallane e keqe kjo, more babaçe. Çfarë të thuash? ! Mirë , ore mirë, e paska Selmani këtë huq e vate, por unë, ti, ai tjetri (kushdo xhanëm)e kanë zët dhe nuk durojnë që ti, more babaçe që të quakan Selman vjen dhe më trazon urat mu në vatër; e ke ti huq apo zakon, por, unë more Selman”efendi” nuk e honeps këtë huqin tënd, se më duket se, duke më trazuar zjarrin në vatër, më duket sikur më fut zjarrin në shtëpi. Dhe unë jam shtëpi e madhe, more burazer, me tre vëllezër që kemi nga një dënk fëmijë që me gjithë gratë vemi jo pak po aty nga 25 frymë. Një kope e tërë, që, po s’qe bariu i sert, vjen ujku dhe ta përrlan. Unë, po si më i madhi, e mbaj kërrabën në dorë, secilit ia kam dhënë detyrën për tërë kohën dhe, pak po çaloi puna tek njëri, ia vazhit me kërrabë:Ku ta marrë. Ata e dinë dhe nuk përpëlitin. Kështu e kemi gjetur nga të parët dhe kështu dhe vazhdojmë. Dhe kalojmë birinxhi. As sherre, as zënka. Se ndodh si me atë këngën e nuses që i këndojnë:”Dëgjo nuse se ç’thotë vjerra (i)/Vjerra (i)fol e ti mos fol/Se ti flet/masha kërcet/. Dhe ia dha të qeshurit, ndërsa më tregonte. Masha! Ja, për këtë të uruar mashë dhe po të tregoj. Ndaj dhe m’u kujtua Selmani. Se Selmani kudo që vinte, s’kish zanat tjetër:por tak dhe mashën. Epo nuk qenka sulltani dhe jo Selmani. Do t’ia pres huqin, - vendosa. E shoh që po vjen drejt shtëpisë sonë. Huqin po ia di. Tak unë dhe një të marr mashën dhe ia fut bishtin në prush. Skuqur pa skuqur mirë, e nxorra. Dhe, ashtu të nxehtë e lashë në vatër. Mbrriti dhe Selmani dhe, pa bërë mirë toka, drejt e tek masha. Por këtë radhë Çeçua kish biçak. Iu vizatua një pjesë e bishtit në dorë dhe, kur të shohësh, e vërviti fuqishëm në fund të dhomës. Unë, sado që s’e mbaja të qeshurit, bëra sikur u shqetësova. Bobo, - i thashë, - s’arrita të thosha se qe mbi prush! Po kot ky sqarimi im, se e tregonin lotët që i binin nga e keqja.
I solla një dopjo nga ajo për miq parëherë dhe sikur i kaloi e keqja. Por që atë ditë, mezalla s’e kapi mashë me dorë.
Ja, kështu, më tregoi duke qeshur këtë historinë e huqit të Selmanit. Por ju thashë që në fillim, se xha Maksuti ish si një enciklopedi e gjallë dhe, sado i pashkollë, qe shumë i zgjuar dhe kish një mënyrë të treguari që shok veten kishte.
Huqi, - thoshte ai, - fitohet gjatë kohës dhe duhet ndonjë hall i madh apo diçka e fuqishme që të ta heqë, po e fitove. Turqit huqit i thonë tabiat. Tani pse ta them këtë, se, si i moçëm që jam, kam njohur nga këta tabiatsësët. Një huqli të tillë e pata dhe në shtëpinë time. Të thashë që në familjet e mëdha, punët janë të ndara:një shkon në mulli, një bën punët e bujqësisë, një me blegtori (se vend blegtoral jemi, de! ), një po siguron drutë për zjarr se kope e madhe kjo jona, po një, siodozot unë, në krye se ndanë detyrat. I them unë djalit të madh (ky cdo ditë do shkonte me dy mushka të bluante në mulli)shiko:- Nesër nuk do shkosh me dy mushka, se njërën ma ka kërkuar Kalua për një hall të tij. Ia thashë në darkë dhe kështu ramë dakort. Kur ç’të shoh, sa u gëdhi, ai ngarkoi të dy mushkat dhe yrysht për andej nga mulliri. E shoh dhe i thërres. - Pa ktheu pak këtu! U kthye dhe kur ia vazhita me bastun bamp e në shpatulla. Dhe mos qe i vogël? I martuar me dy fëmijë. Ai:- Mirë bëre që më godite, po çfarë kam bërë? - Si, more çfarë ke bërë? Nuk të thashë që një mushkë të marrësh, se i kam dhënë fjalën Kalos! - Oh, baba, më fal se më është bërë tabiat. Domethënë, i qe bërë huq. Dhe qeshi.
Eh, - tha, - i keq apo i mirë është huqi, por unë ama nuk e honeps dot. Se ti ke dëgjuar, - më tha, - për Çelo benë. I dëgjuar ky. Shtëpi e madhe. Pa pse qe e tillë dhe kemi marrë andej. Sua, nuk ke se ç’i thua! Por ja dhe ky kishte një huq. Çfarë, - shpejtova unë, - si Selmani? JO, mor jo, - Selmanin bjema t’hu, se ku ma gjen, para huqit të Çelo beut. Të priste në shtëpi:si Çelo beu dhe bjerë e vdis. Po ishte si puna e asaj dardhës që e ka bishtin prapa. Shkoj unë mysafir dhe më vuri në buxhak. Muhabet, po si atje! Kur nga dritarja shikojmë që vjen një mik nga jashtë. Epo derë e madhe, or tynjatjeta, dhe rri e hapur. Unë po nuk e njoh këtë që po vjen. Ky, Çelua, më thotë:- Maksut be, ky miku që po vjen, nuk para dëgjon nga veshët. Prandaj m’i fol pak fort. Epo mirë, Unë zënë po si pushkë e kam patur qëmoti, se sokëllija duke ndërsyer qentë kundër ujqëve në mal, me bagëtitë. Më tha mua kështu dhe doli të priste mikun. Kur erdhën të dy. U ngrita dhe sa bëra toka me të, u ulëm ballë për ballë:dy qoshet e buxhakut. - Si je? - i bërtita. - Mirë faleminnderit- qe përgjigja. Por nëse zëri im qe pushkë, kjo e këtij të ardhurit qe si krismë topi. Unë bërtit dhe ai ca më keq. Çelo beu mend binte përmbys nga të qeshurit. Ç’e pyet? E shkulëm tavanin. Kur kaluan pak çaste, i afrohem dhe i bërtas:- Kur e kanë lënë veshët zotrinë tënde? ! Ai këtë radhë ulëriti:- Kë kanë lënë veshët? Mua apo ty? !
Domethënë, Çelo be firauni na kish kurdisur sipas huqit të tij. Ja, kështu, të keqen xhahxai ty është me punën e huqit. Hë, desh harrova:
Në Tiranë kam patur një mik doktor. Po qe jatro me halle. Njohur me të që në kohë të Zogut. Mirëpo gjatë luftës sikur s’i paska patur bathët mirë me këta si puna e Neshatit tim (Neshati, djali i madh i xha Maksutit, ish partizan që mbrriti gradën e gjeneralit). E më ta marrin ata”miqtë” e më t’ia bëjnë kurrizin më të butë se barku. E grinë me dajak. I kërkonin flori, me demek. E takoj:Gati nuk e njoha. More, - i them, - je ti apo nuk shoh nga sytë unë. Unë jam, - më tha. Po ç’më kanë bërë ata shokët e tët biri që t’ia tregojë varrit. Unë po u nxeva dhe i them (epo vitet e para të pasçlirimit qenë)po nuk gjete ndonjë avokat të zot. Gjasme ta mbronte. Gjeta. Po hë, ç’të tha? Më tha:- Zoti doktor a i duron të rrahurat për një muaj? Unë:- Opo një muaj, avash- avash, po bëhen!
Shumë mirë, - më tha avokati? ! Durove një muaj, pastaj të bëhet tabiat. . . Do methënë, huq. Dhe prapë qeshi. Opo shyqyr që shpëtoi kokën, se sa kanë ikur si qeni në vreshtë.
Ja, kështu, more babaçe, është kjo puna e huqit apo e tabiatit. Në është i mirë apo i keq gjeje vet ti, se unë jam i pagramë dhe kaq di. Hë dhe unë që po të llafos, nuk jam pa kusure. Pa huq! Se nuk thonë kot:kali i kuq, ka një huq! Po ky huqi im është pak si huq i të gjithëve:në Skrapar po se po. Po dhe gjetkë e kam hasur. Na kish ardhur një mik. Nga larg. Lab. Por i dëgjuar ky si për punë muhabeti, ziafeti, por dhe i humorit. Apo s’t'i ngrinte bejtet? Aty për aty. Dhe të dogëdiste keq. Po sa lezet që i kishin! Xhebro e quanin. Ua, - s’u përmbajta unë, - mos është Xhebro Gjika? Dora vetë ai që mos qoftë! - mallkoi ai duke qeshur. Epo ne në Skrapar (se mos vetëm ne? ! )e kemi zakon që mikut i nxjerrim lloj- lloj gjellësh për ta gositur. Duke filluar nga supa (i themi dhe çorbë? ! ) dhe më pas nja tri katër gjellë të tjera, duke përfunduar tek mishi i pjekur dhe bakllavaja në fund. Kështu dhe me këtë qerratanë. Këtë xha Xhebron tënd, me që e njohke. Mirë, o mirë, se nderin e shtëpisë tënde bën kur gostit me gjithë të mirat mikun, por ç’m'u desh mua? Se ja i ishtron gjithë ato gjellë mikut, dhe i thuaj:- Urdhëro mik, se gjellët janë të pakta? ! ! ! Dhe miku i mirë, zë dhe të thotë:- Ç’është ai llaf? Ka aq shumë sa të vijë të hajë dhe një fshat! Ty po si zot shtëpie zënë dhe të ngrohen krahët për këtë urim dhe, kështu, pak nga pak të bëhet huq, që këtë rixha (ha se gjellët janë të pakëta? ! )t’ua bësh të gjithë miqëve. Mirëpo ky Xhebro qerratai, ma preu huqin që thuaj, zotrote! Kur unë i thashë, urdhëro dhe ha se gjellët janë të”pakëta” dhe prisja të thoshte:- Ç’ne të pakëta? Po këtu ka sa për një fshat! AI, jeziti, më thotë:- Kush të tha t’i bëje të pakëta? Pse s’i bëre të shumta? ! Sikur më goditi me plumb mu në mes të ballit. Dhe ma preu huqin! Që atë ditë, more babaçe, në ha kur të nxjerrin, ha. Jo, jo, unë s’e ha më atë mut. . . Qe dinsës i madh, ky, Xhebrua! Po sa i pritur aq dhe hokatar qe! E, s’ka më nga ai sua burrash! Pra, siç të thashë, siç i preva unë huqin Selmanit, ma preu mua huqin, Xhebro Gjika nga Vlora. Por ka që dhe vdesin me huqin, sado të heqin. Tregonin qëmoti se në fshat një djalë e kish huq që vërshëllente. Fiu- fiu si ditën dhe natën. Mirë ditën se ia bënin kabull, por natën ç’kusur kishin njerëzia. I jepnin e merrnin, por fiu- fiu dhe s’ka, Pale kur vinte dy gishtat mbi buzë? A kishe veshë të dëgjoje? Bela e madhe! Pa na shkon kryeplaku dhe ankohet në hyqymet. Sjellin një xhandar ata dhe ma merr ky, birçja, për në xhandarmëri. E më t’m'i hyjnë dorë, që thuaj ti, e ta bëjnë fërtele. E lanë një ditë e natë atje në qeli. Të nesërmen ethirrën dhe i thonë: (donin t’i provonin mendjen që qe në taketuket apo jo? Se ekishin navasur mirë)- More është larg ai fshati yt që nga këtu? Dhe ai:- Ohu! Fiu- fiu, - vërshëlleu, - sa larg që është! Gjene në fis? ! Që ata për atë fërshëllimë e kishin marrë. E, ndodh që dhe vdes bashkë me huqin. Ka dhe të tillë. Po rrallë. Dhe unë këtu po i mbaroj këto grimca humoristike, për të pritur fjalën tuaj. Dhe ju, domosdo, do kini njohur”huqlinj”. Padyshim! . . . Se “çdo kali i kuq, e ka një huq! “Apo jo? . . .

Përparim Hysi, 17 gusht 2007
Dërguar për”peshkupauje”, më 17 gusht 2007

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

9 Komente

  1. eT thotë:

    23 August 2007 @ 1:42 pm

    çdo kali i kuq, e ka një huq
    ——-
    një the ?????

  2. edrus thotë:

    23 August 2007 @ 2:29 pm

    Papi, shumë e këndshëme si gjithonë historia jote.
    Dhe meqë po pyesje për punë huqesh do të tregoj një histori timen.
    Tani s’di ç’të të them se ishte ëndërr apo realitet, por po të tregoj ashtu si vanë punët.
    Isha ulur nën hijen e pemëve në lulishte dhe tek pija duhan për qejfin tim, më afrohet një plak dhe ulet pa thënë gjysëm llafi.
    E pashë me bisht të syrit: mjekërrbardhë, flokët e gjata deri mbi supe, kurrizin të drejtë dhe megjithëse dukej që ishte shumë i vjetër, përsëri ndihej në të një forcë e madhe.
    Çuditërisht, në atë moment, asnjë njeri tjetër përqark dhe jo se nga halli që s’kishte të tjerë, por edhe se po më pëlqente ai plak, i zgjata paqetën e cigareve dhe sa për të filluar muhabet e pyeta:
    - Hë xhaxha, ç’thotë vapa?
    - S’ka ç’të më bëjë vapa mua… unë e kam bërë vapën, mu përgjigj ai.
    Për ta ngacmuar një çikë muhabetin (huq dreqi ky i imi, e di ), e ngava sërish:
    - Ohuu xhaxha, kushedi se sa gjëra ke bërë ti, po pale sa do bësh akoma.
    - Dëgjo Edi, më tha, (dhe që këtu diçka filloi të më brante nga brënda:nga e dinte ai emrin tim?), unë jam Zoti, prandaj, megjithëse s’beson tek unë, për të të bindur që jam i gjithfuqishëm, më bëj tre kërkesa dhe unë do ti realizoj.
    Çuditërisht, pa u hutuar shumë dhe hazërxhevap ju ktheva:
    1-Dua që të zhdukësh korrupsionin në Shqipëri (e pashë që fytyra ju ngrys një çikë dhe mu duk sikur po e vija në vështirësi)
    2- Arkitekturë të re dhe moderne duke e ndërthurur me tradicionalen shqiptare për Tiranën, dhe duke e parë që pë e zija gjithnjë e më ngushtë, vazhdova më tej, bile për gjithë Shqipërinë

    Ngriti dorën si për të më prerë llafin dhe më tha:
    - Edi, unë jam zoti, por ti mos kërko gjëra që edhe për mua janë shumë të vështira për tu realizuar… prandaj, kërko të tretën.

    Duke qeshur nën buzë ju drejtova:
    - Kam një shok që ka një huq dreqi, flet ose me rrokje ose me smile dhe më shumë se emrin e tija, i pëlqen të përdorë nickname të ndryshëm…
    - si e ka emrin? ma preu shkurt
    Ja thashë emrin e shokut dhe e pashë që u zhyt në mendime… dhe pas pak filloi të flasë:
    - Dëgjo këtu, të thashë që do të të zgjidhja njërën, por do të të zgjidh dy: sa për atë të parën, ju mbush mëndjen amerikanëve sot që jeni terroristë të rrezikshëm dhe ata vijnë dhe ja u sjellin demokracinë menjëherë…
    - Po tjetrën? i thashë duke e parë në dritë të syrit.
    - Dëgjo këtu, sepse përveç atyre që më the ti, unë mendoj që të bëj dhe të gjitha autostradat, shkollat, spitalet, plazhet, parqe e ç’të duash… vetëm mos ma kërko të tretën :P
    Që ta kisha llafin, huqet janë të këqija i dashur Papi… nganjëherë s’ka ç’bën as perëndia ;)

  3. Perparim Hysi thotë:

    23 August 2007 @ 3:31 pm

    Edrus!Te pershendes se ti hyn tek”huqelinjte”e bukur.Dua qe te gjeshe ate”huqin”magjik,gjithmone per te mira.Po xha Maksuti(sa burre i ndershem ka qene!)nuk pati fatin te arrinte kete tranzicionin tone te ndritur,se do kish shpikur ndonje marifet si te atij plakut qe t’u shfaqe ne ate enderrimin tend qe,gjithesesi,e ke patur te bukur.Ata qe shohin enderra te bukura,-thone,- kane zemrat te medha sa bota.E bejne edhe clodhjen aktive:mendja gjithmone i ngjet atij mullirit qe blaun e bluan miell te mire.
    eT!S’kam si mos e ve re vemendjen tuaj per cdo shkrim timin.Te falenderoj.E verteta keshtu eshte:ka me shume se nje huq…

  4. doriani thotë:

    23 August 2007 @ 5:22 pm

    z.Perparim,urime per zellin me te cilin i dedikoheni te shkruarit.Une personalisht nuk kam forca ta bej te njejten gje dhe e pranoj pak me keqardhje,por meqe shoh shpesh kete lloj tregimi nga ty,do te le lejosh te jap mendimin tim edhe pse si ke thene dikur ti;bejme pjese tek kjo tryeze dhe nuk eshte mire te konsiderojme jeri-tjetrin.Stili i narracionit tend me duket si ai i perrallave te “nje mije e nje nete”,-ve.Stil i shtruar i qete qe te fton te pergjumesh kendshem mbi te,por sipas meje nga njeri subjekt ne tjetrin dicka duhet te ndryshoje,te jete si nje veshje qe bere per te njejtin person,por qe duhet nderruar ne raste te ndryshme.Kete nuk e kam vene re tek ty.Rrefenjat e tua,mendoj se jane pak”fotozhenike” ndonjehere,e thene ndryshe si nje person i bukur ne paraqitje,por qe ne fotografi nuk del mire.Asyet mud te jene me shume se nje dhe nuk them se eshte rasti ti flasim ,edhe pse jam i sigurte se i ke te qarta me mire se une shume procede krijuese hde me ben paksa pershtpje kjo deshira jote per te mos ndryshuar,per te qene fanatik i asaj qe perfaqeson.Per mua teorine e evolucionit duhet ta shtrish edhe paksa brenda aparatit tend e brendshem krijues,sepse vertete mund te behesh fotozhenik per shijet e mia dhe shume te tjereve qe mund ta mendojne si une(gjej rast te them qe shpresoj te jene sa me te paket ne numer).Kam patur nje mik ne el, i moshuar qe shkruante ne kete forme qe shkruan ti,Hyjni Ceka quhej(apo quhet,nuk e di se kam kohe qe nuk kthehem atje) dhe kam mesuar shume prej tij.Kjo per te treguar se nuk e nenvleresoj kete lloj proze por doja ta shihja me ritem tjeter,me bashkekohor.

  5. Anxhelina Prenika thotë:

    23 August 2007 @ 6:26 pm

    Zoti Perparim,
    Se pari dua tju them qe me te vertet me pelqejn historit tuaja, ndonjeher me kujtohen shum fjal qe i degjoj shpesh nga babai im, (gjithashtu fierak). E me te vertet me cmallin dhe me japin kenaqsi historit qe shkruani. Pergezime dhe faleminderit.

  6. Perparim Hysi thotë:

    24 August 2007 @ 3:34 am

    Z.Prenika!Të falënderoj për mendimet dhe,në se je e bija e Shyqyriut, të m’i çoshë babës suaj shumë selame nga unë.E kujtoj si një burrë fisnik.Dhëntë zoti të jetë kështu.Në u gabofsha,përsëri respekte për një lexuese si ju.

  7. Anxhelina Prenika thotë:

    24 August 2007 @ 7:07 am

    Faleminderit,
    por jam e bija e Rustem Prenika. Sidoqoft ju lutem mos ndaloni se shkruari se me te vertet na cmallni e na ngallni shum kujtime femijerie.
    Faleminderit dhe nje here.

  8. Perparim Hysi thotë:

    24 August 2007 @ 3:35 pm

    Anxhelina!Aq me mire: a i ke thene Rustemit per mua?M’i ka cue selamet dhe kur qe me sherbim ne Shkoder.Pershendetje te perzemerta familjarisht!

  9. artani thotë:

    29 August 2007 @ 5:14 pm

    Stili i jetes ne Tirane ..

    http://www.youtube.com/watch?v=KjNUnD5ODPo&NR=1

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com