Kriza financiare, rrezikohet përfshirja e Shqipërisë

Agim Bejtja
Korrieri

Sipas guvernatorit Fullani, në rast prekjeje të vendit tonë nga kriza financiare globale, bankat do të përgjigjen përpara autoriteteve dhe publikut të këtij vendi.

Duket se në fjalën e tij gjatë takimit të djeshëm me përfaqësuesit e bankave në vendin tonë, Fullani nuk ka përjashtuar prekshmërinë e sistemit tonë bankar nga kriza globale. “Ekziston rreziku që përcjellja e vështirësive që ndesh ekonomia e vendeve evropiane dhe më gjerë të pasqyrohet edhe në vendin tonë nëpërmjet uljes së prurjeve financiare nga emigrantët, përkeqësimit të deficitit tregtar dhe uljes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta”, u shpreh Fullani. Gjithashtu, guvernatori i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë u bëri thirrje drejtuesve të bankave në vendin tonë që të jenë të kujdesshëm në reagimet e tyre nëse edhe vendi ynë preket nga kriza financiare globale. “Ju duhet të vlerësoni ndikimin e këtyre skenarëve në objektivat e tyre të zhvillimit dhe të merrni masat e nevojshme për mbrojtjen ndaj tyre”, tha guvernatori Fullani. Ajo çka në fakt mund të vlerësohet si e rëndësishme në deklaratën e numrit 1 të sistemit tonë bankar, lidhet me thirrjen që u bëhet bankave lidhur me përgjegjshmërinë që kanë në rast të prekjes nga kriza globale. Sipas tij, bankat që veprojnë në Shqipëri janë përgjegjëse ndaj autoriteteve dhe ndaj publikut të këtij vend për mbarëvajtjen e veprimtarisë së tyre.

Agresiviteti me normat e interesit

Bankat e nivelit të dytë që operojnë në tregun shqiptar kanë norma interesi agresive mbi produktet që ofrojnë në treg. Kjo është deklarata e djeshme e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanit, gjatë takimit me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë. Ai vijoi më tej, duke u shprehur se “këto norma interesi vlerësohen si agresive, duke dhënë ndikim si në marzhe, ashtu edhe me potencial rreziku për sa i përket strukturës së bilancit kontabël”. Sipas Fullanit, Banka e Shqipërisë ka analizuar se hyrja në fuqi e ligjit për “Marrëveshjet e riblerjes” më 10 gusht të këtij viti, i ka gjetur të papërgatitura banka e nivelit të dytë, çka bën që çështja e lidhjes së kontratave për realizimin e marrëveshjeve të riblerjes të vihet urgjentisht në axhendën afatshkurtër të punës së bankave.Edhe FMN paralajmëroi krizë financiarePërfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Gerwin Bell, pohoi pak ditë më parë se në Shqipëri bankat zotërohen nga kapitali i huaj, çka sjell që kriza financiare që ka prekur botën të reflektohet edhe në vendin tonë. “Fakti se sistemi bankar në Shqipëri është i zotëruar nga investitorë të huaj, bankat mëmë të së cilave marrin pjesë në tregun ndërbankar evropian, përbën një mundësi që të reflektohen krizat nga këto tregje edhe në tregjet shqiptare. Kjo është një nga arsyet që ne këshillojmë Bankën e Shqipërisë të monitorojë më shpesh situatën monetare dhe financiare”, nënvizoi përfaqësuesi i misionit të FMN-së, Bell, duke shtuar njëkohësisht, se “kriza financiare ndërkombëtare çon në ritme më të ulëta rritjeje dhe punësimi në ekonomitë e tjera të Evropës, të cilat mund të ndikojnë në ulje të fluksit të dërgesave të emigrantëve”.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com