Kryeministri, propaganda dhe mediat

Maklen Misha

Mes morisë së fenomeneve negative që kanë karakterizuar politikën shqiptare në këto 18 vjet tranzicion, sulmet e paprincipta ndaj kundërshtarëve apo kritikëve, dhe fryrja e arritjeve imagjinare të kujtdo qeverie që qëllonte të kishte pushtetin ka qenë padyshim një nga më të turpshmet. Por duhet thënë se nëse ka pasur gjatë këtij tranzicioni një forcë dhe një njeri që i kanë perfeksionuar këto metoda të papranueshme të komunikimit politik, kanë qenë Partia Demokratike dhe njeriu që e ka dominuar këtë forcë gjatë gjithë kësaj periudhe Sepse duhet thënë se cilatdo qofshin të metat e mangësitë e zotit Berisha – për t’i numëruar ato nuk do të mjaftonte hapësira e kësaj gazete – ai gjithmonë ka shkëlqyer në këtë fushë, si kur ishte në opozitë, ashtu dhe tani që është në pushtet. Por për fat të keq, zoti kryeministër, nuk ka treguar deri më sot ndonjë shenjë se ka ndërmend të ndryshojë. Përkundrazi. Në fakt, aq pjellore ka qenë imagjinata e zotit Berisha si kryeministër për të shpikur ‘arritje’ e për të sajuar fushata shpifjesh e sulmesh banale, sa sikur suksesi i një qeverie të matej sipas këtyre kritereve, qeveria e tij do të ishte padyshim më e suksesshmja në historinë e tranzicionit shqiptar; një arritje kjo jo e vogël për një skenë politike si ajo shqiptare. Kështu edhe pse ka dështuar dukshëm në përmbushjen e qoftë dhe të ndonjërit prej premtimeve të bujshme që bëri në 2005, kryeministri jo vetëm që nuk gjen kurajën të analizojë dështimet, por harxhon paratë e shqiptarëve për të bërë ca ture e spote qesharake, që si vështirë t’u duken të besueshme edhe militantëve të tij më të zjarrtë. Dhe ndoshta gabohem, por nuk besoj të jenë të shumtë shqiptarët që i shohin si suksese madhore të qeverisë e shenja se Shqipëria është në rrugë të mbarë, përurimet shumë të bujshme të ndonjë vije uji apo të ndonjë rruge të ndërtuar nga pushteti lokal. Shumë, shumë, shfaqje të tilla të çojnë të mendosh se kryeministri ose i sheh shqiptarët si ndonjë tufë gomerësh, të cilëve mund t’u hedhë hi syve sa herë t’i teket – si puna e rritjes ekonomike dyshifrore, apo luftës së vendosur ndaj korrupsionit – ose ka humbur çdo lidhje me realitetin e dhimbshëm shqiptar; gjë që është e lehtë për t’u besuar nëse kihet parasysh periudha e begatë që po jetojnë zoti Berisha e të tijtë. Sidoqoftë e vërteta, këto nuk janë ogure të mira për askënd prej nesh.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes dhe jo më shqetësuesja. Në fund të fundit çdo qeveri në botë tenton ta paraqesë punën e saj me tone optimiste, edhe pse zor të gjesh një qeveri demokratike në Europë, që të guxojë ta trajtojë elektoratin me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë Berisha. Aspekti më shqetësues i komunikimit të zotit kryeministër është mënyra agresive sesi ky zotëri reagon ndaj çfarëdolloj kritike apo akuze që bëhet në drejtim të tij. Sepse edhe pse kërkesa e llogarisë ndaj qeverisë, qoftë nga opozita, media apo qytetarët e thjeshtë është një ndër kushtet themelore që mundësojnë funksionimin e një demokracie, zoti Berisha jo vetëm që nuk ndjen kurrfarë detyrimi për të dhënë sqarime, por në vend që të adresojë akuzën, përgjigjet rëndom duke sulmuar e sharë me rrënjë e me degë kritikët e tij. Herë-herë, kryeministri e merr vetë përsipër reagimin ndaj akuzave, duke prodhuar shpesh shfaqje që shastisin të madh e të vogël me egërsinë, rrugaçërinë e primitivitetin e tyre, siç ishte për shembull reagimi ndaj deputetit Balla. Por më së shumti, kjo detyrë u ngarkohet ca zëdhënësve ambiciozë e që duket qartë se vuajnë nga mungesa e shtyllës kurrizore, të cilët për të fituar pikë me kryeministrin s’ngurrojnë të lexojnë çfarëdolloj idiotësie t’u diktojë shefi i tyre. Mund të përmendet këtu për shembull debati mjaft i nxehtë me gazetën “Tema” për aferat korruptive të familjes e farefisit të zotit kryeministër e për skandalet e turpshme e me rezultate tragjike, ku flitet se është përfshirë i biri, apo sulmet e fandaksura ndaj G99. Sipas një logjike perverse, e padyshim produkt i një mendjeje të sëmurë autoritare, reagimi standard ka qenë të anashkalohen akuzat duke sulmuar akuzuesit: Ti më thua që djali im është i përfshirë në tragjedinë e Gërdecit e në emërimin e korrierëve të drogës nëpër ambasada, po ti je duke ndërtuar vila me paratë që ke vjedhur!!! Se në ç’botë funksionon një logjikë e tillë mbrojtje ndaj akuzave, këtë e di vetëm zoti kryeministër.
Por së fundi, i gjendur përballë një lumi akuzash të papërballueshme, si pasojë e morisë së skandaleve ku janë përfshirë njerëzit e tij, zoti Berisha duket se e ka humbur toruan deri në atë pikë sa mos të hezitojë të përdorë edhe metoda të dhunshme e autoritare për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve e denoncuesve të tij. Në një përpjekje për të mbuluar diellin me shoshë, kryeministri duket se ka vendosur të hedhë në sulm të gjithë arsenalin e shërbëtorëve të tij që kanë uzurpuar tashmë pjesën më të madhe të institucioneve të ‘pavarura’. Dhe rasti më i turpshëm ishte padyshim tentativa e KKRT dhe kryetares së saj Mesila Doda për të censuruar një spot të G99, duke kërcënuar me telefon e më pas duke gjobitur dy nga televizionet më të mëdha e profesionale në radhët e medias shqiptare: “News 24” e “Vizion Plus”. Sepse ndonëse nuk e quan për gjë të paguajë miliona nga taksat tona për të transmetuar ca spote absurde disa minutëshe për 45 ditë me radhë, zoti Berisha nuk mundet kurrsesi të pranojë një reagim mjaft demokratik, i cili thjesht sa i vë në dukje atë që tashmë e dinë të gjithë: ç’kuptim ka të njoftosh Berishën me telefon për korrupsionin, kur strumbullari i të gjithë korrupsionit në vend janë vetë Berisha e të tijtë?

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. hunter thotë:

    3 September 2008 @ 1:54 pm

    Ec aty! Ju jeni njesha, jo fjale. Bob Woodward e Carl Bernstein, as fresk nuk meritojne t’ju bejne juve.

  2. Koth thotë:

    3 September 2008 @ 2:09 pm

    Ti më thua që djali im është i përfshirë në tragjedinë e Gërdecit e në emërimin e korrierëve të drogës nëpër ambasada, po ti je duke ndërtuar vila me paratë që ke vjedhur!!! Se në ç’botë funksionon një logjikë e tillë mbrojtje ndaj akuzave, këtë e di vetëm zoti kryeministër.

    Ti thua mendimin tend, une tund koken time.

    Po ti kontradikten e ke brenda ketij paragrafi. Djali im sipas teje mund te akuzohet keshtu pa dogane nuk prish pune se eshte i imi, por nuk na the ku bazohesh per kete ti, ai, ajo.

    Se sipas meje nuk shko kjo keshtu thate pa i cik uje nga mbrapa.

    Se jane ca rregulla te pashkruara qe e lejojne tjterin te mbrohet me minimumi te njejtat mjete qe perdor dhe ti.

    G99 mire e beri qe e beri spotin vecse keto sofizmat qe si mundet ligji te veproje ne menyre arbitrare ( e kam fjalen per gjoben ) sikur zgjidhen andej nga gjykata me duket apo jam gabim ?

    Cer lidhje ka psh deshira ta zeme e Berishes per te qene ne delir ( spoti i qeverise ) me lirine e medias sikunder po thuhet ? Shume gjoba i jane vene News 24 e Gazeta Shqiptare dhe shume here ka qene ne padi civile po nuk jane quajtur dhune ndaj medias. Keshtu kam parasysh gjoben qe i eshte vene botuesit sepse figuronte me pagese per siguriemt shoqerore 0, apo padia civile e Leka Zogut ndaj kesaj mediaje kur botonte ne faqe te pare qe Zogu ishte i semure me SIDA.

    Dhe rasti më i turpshëm ishte padyshim tentativa e KKRT dhe kryetares së saj Mesila Doda për të censuruar një spot të G99, duke kërcënuar me telefon e më pas duke gjobitur dy nga televizionet më të mëdha e profesionale në radhët e medias shqiptare: “News 24” e “Vizion Plus”.

    Ja keshtu shkruan autori, por nuk thote asgje per TCH ( se Klanin nuk po e llogaris )

    Atehere c`kuptim do te kishte qe une te besoj keshtu si befmas, pa pritur e kuptuar, kur gjoba eshte vendosur ne emer te ligjit dhe kur procesi akoma nuk ka fillu akoma nga ankim/zbatimi ?

    Cer perfitmi ka tjeter vec protagonizmit ketu ?

    A nuk eshte duke u transmetuar akoma spoti ?? Po me duket. Pjesa 8 milion mund te bjere nese gjykata vendos qe eshte bere ne kundershtim me ligjin.
    Aha , nese dhe ne gjykata ka kaq shume problem me drejtesine atehere na jepni argument se mund te jete i nevojshem revolucioni.

  3. Cudia thotë:

    3 September 2008 @ 2:23 pm

    Me sa kuptoj ti KOTH,,, nuk jetoke ne shqiperi…
    ska gjykata ne shqiperi, ska prokurori ne shqiperi, ka vetem nje numer personal te kryeministrit ku mund te telefonosh,,,,

  4. Koth thotë:

    3 September 2008 @ 2:54 pm

    ska gjykata ne shqiperi, ska prokurori ne shqiperi, ka vetem nje numer personal te kryeministrit ku mund te telefonosh,,,,

    Cudia,

    mireseardhe ne peshk, meqe te shof si per here te pare. Nuk ma do mendja qe ke ndryshu nick se keto gjera ne peshk sikur nuk egzistojne.

    Ta kam thene ne fund : me jep argument se mbase ka nevoje per revolucion. Si gadishmeri e mire shoqerore me duket apo dhe me kete nuk je dakort ?

    E kam fjalen qe per keto punet e drejtesise politika sikur nuk ankohet shume dhe jane duke punu se bashku opozite dhe pozite per te bere edhe reforma te tjera.

    P.S. Une jam ne moshe madhore mer per ti kuptu vete ca gjera. Mbase shkrimi ka qene per auditor kalamaqesh andej nga liqeni .

  5. N.Ago thotë:

    3 September 2008 @ 4:35 pm

    Edhe kërrmijtë, këtë lëpirje luksoze, do t’a kishin patur zili!

  6. Vapa e Gushtit thotë:

    3 September 2008 @ 5:24 pm

    Hapeni ca krahun per kete Maklenin se e ka marre revanshin per te ngjit shkallet e politikes edhe ky. Nga OJQ ne parlament - sounds familiar?

    Me sakte: cili eshte qellimi i ketij shkrimi? Te gjitha keto vazhdojne te sterr-thuhen e shkruhen e ngelen vec copa mllefi te leshuara ne ajer pa pike funksioni per ne te tjeret qe karieren politike e kemi sakrifikuar per hir te mireqenies se kombit. Perse nje shkrim i tille sillet tek peshku; nuk mjaftojne hartimet e Spiropalit, peshperitjet e Veliajt apo uji nen rrogoz i pseudo-diletanteve te tjere? Mos ua shtoni konkurrencen ketyre me siper se do u bjere vlera, lere pastaj ndotjen e akuariumit!

  7. Artian thotë:

    3 September 2008 @ 11:13 pm

    Aspekti më shqetësues i komunikimit të zotit kryeministër është mënyra agresive sesi ky zotëri reagon ndaj çfarëdolloj kritike apo akuze që bëhet në drejtim të tij.

    E ke thone me delikatese,por duhet thene e rrezikshme e zotit kryeminister,keshtu ka ardhur ai ne pushtet,me agrisivitet,me shpifje,me populizem.Keshtu vazhdon edhe sot ,hidh nje sy Mitingun e Lushnjes,ne 97,do te shikosh nje duce te vogel,me disa gangestera,malok bashke me te cilet mori pushtetin.
    Qe te flasesh se kush eshte Berisha shiko rrenjet qe e mbajne…
    http://www.youtube.com/watch?v=iramcReU3HQ

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com