Kulti demokratik i individit
Gazeta Shqiptare
7-11-06
Askujt nuk i shkonte në mendje që edhe në sistemin demokratik mund të ngjallej kulti antidemokratik i individit. Madje, ata që e përjetuan diktaturën mund të kujtojnë se edhe në kohën e lulëzimit të saj, kishte periudha kur partia e vetme në pushtet bënte thirrje që jo vetëm nëpër organizatat bazë, por gjithë populli duhej ta luftonte kultin e individit, sepse ky, kulti individit, medemek na qënkesh në kundërshtim me idealet e parimet e partisë e të marksizmit të kulluar. Vetë udhëheqësi dilte herë pas here në popull e deklaronte se jini ju,- njerëzit e thjeshtë, pa jemi ne,- udhëhëqësit, e se vetëm partia ishte mbi të gjitha e mbi të gjithë… Këto broçkulla demagogjike nuk i hante kush, sepse askush asokohe, nuk guxonte të thosh as nëpër dhëmbë… pale hapur, se kulti i individit ishte i mishëruar si askurrkund te emri “legjendar” i Enverit, të cilin e shkruanin punëtorët në faqet e mureve, kurse kooperativistët me gurë nëpër faqet e maleve…
Ndaj shumëkush në atë kohë, e dinte se në të vërtetë thirrjet për të luftuar kultin e individit brenda partisë qenë një kurth i rrezikshëm për të zbuluar armiqtë e fshehur të partisë, ishin një karem që në të vërtetë nuk e hante askush. Kështu që njerëzit asokohe shpresonin se vetëm vdekja e udhëheqësit mund të rroposte njëherë e mirë edhe kultin e mallkuar të individit, kult që e bënte qytetarin e thjeshtë të ndihej i shtypur, i vockël, ingranazh, i pabarabartë, pa dinjitet, i poshtëruar.
Por që të ngjallej kulti i individit edhe në demokraci e që udhëheqësi kryesor i partisë të bëhej legjendar, historik, i pazëvendësueshëm, i plotfuqishëm dhe i padiskutueshëm, po aq sa merhumi në vakt, këtë nuk do ta besonte askush në fillim të viteve 90-të. Mjafton të shohësh mbledhjet e qeverisë e të grupit parlamentar të PD-së për të kuptuar se me çfarë prepotence dhe arrogance funksionon ndër ne kulti demokratik i individit e se çfarë ndryshimi ka ky lloj kulti me kultin e individit në diktaturë. Asnjëherë nuk kemi parë e dëgjuar që edhe formalisht të flasë ndonjë ministër, të thotë mendimin e vet hapur, pale të kundërshtojë, të bëjë oponentin ndaj mendimeve të çmuara të kryetarit, i cili dëgjohet me adhurim, përkushtim e përdëllim, edhe kur flet broçkulla, thuajse njëlloj si Enveri i lajthitur kur fliste me Vito Kapon në plenium…
Seanca parlamentare që do të miratonte Rezolutën kundër krimeve të diktaturës, edhe pse salla e Kuvendit qe vetëm me deputetët vartës të Doktorit, për nga mënyra se si e ndiqnin fjalën e tij histerike deputetët e maxhorancës, provon, edhe me figurë pa zë, se çfarë kulti individi ekziston brenda kësaj partie që quhet demokratike. Së fundmi pamë e kuptuam edhe njëherë se kush kundërshton kryetarin, si bëri Ngjela, bëhet një Ngjelë i ngrirë, i izoluar, humbet njeherë e mirë shansin dhe mundësinë që të bëhet deputet, se quhet armik dhe jo besnik në jetë të jetëve. Është e pamundur që të ketë demokraci funksionale në një shoqëri pluraliste, po qe se partitë funksionojnë me kult individi, po qe se brenda partive nuk ka e nuk mund të ketë demokraci të brendshme është e pamundur që në shoqëri mund të ketë demokraci reale, pasi shoqëria, më lehtë se partitë, drejtohet vetëm me diktat, urdhër dhe sundim të Njëshit.
Vargjet e Majakovskit: thuaj partia e nënkupto Lenini, mund të transferohen pa frikë se mund të lajthitësh kësisoj: thuaj Parti Demokratike e vetëkupto Berisha. Aq e saktë është kjo qasje, sa ka jo pak analistë të pavarur dhe militantë të PD-së që besojnë sinqerisht se, me vullnet të lire, a me dorën e Zotit, po iku (qoftëlarg!) Berisha nga drejtimi i PD-së, nuk ka e nuk mund të ketë më Parti Demokratike. Pas vdekjes së Rugovës, edhe në LDK e Kosovës kanë filluar përçarjet, grindjet, mosmarrëveshjet, aq sa këto ditë po flitet se kjo parti edhe mund të çahet e të thërrmohet në disa parti…
Edhe ikja e vullnetshme e Nanos nga kryetarllëku provoi se edhe në PS ishte krijuar miti i kryetarit, kulti i tij, aq sa edhe ai vetë, me lëvizjen e tij të paradokohëshme, ashtu si mbështetësit e tij, beson sinqerisht se shumë shpejt do të vijë koha që ta thërresin në krye të sofrës ish kryetarin e tyre shpëtimtar “që i vjen prapa historia”, sepse pa të nuk mund të ketë suksese e fitore as në PS…
Për hir të së vërtetës kulti i Berishës, sikurse i Nanos, u rrit dhe u çimentua sidomos pas kthimit të tyre të dytë në pushtet. Berisha-kryeministër tani është më i fuqishëm dhe shumë më i padiskutueshëm se Berisha-president në vitet ‘92-‘97. Edhe Nanoja u bë më i padiskutueshënm dhe së gjalli derdh në bronx e në allçi për t’u shitur te tregu i çamëve vetëm kur dha dorëheqje për herë të parë e u rikthye në pushtet, duke mposhtur me “katarsisin” e tij të gjithë rivalët brenda dhe jashtë partisë. Rikthimet e tyre në pushtet nuk forcuan partitë, po kultin e individit, sepse krijuan bindjen jo vetëm te militantët partiakë, po edhe te indiferentët, se vetëm këta të dy janë të pathyeshëm, të pamposhtur, të pazëvëndësueshëm, të aftë të ikin e të kthehen kur e si të duan, pra vetëm ata janë udhëheqës të vërtetë që u vjen prapa historia. Pa ta, partia merr fund e bashkë me ta do të fundosen edhe ndjekësit e tyre.
Duke qenë se partitë konsiderohen me të drejtë se ato në të vërtetë nuk janë parti, as organizime vullnetare njerëzish me bindje politike të njëjta, por ca reparte me nënpunës gjynahqarë të mobilizuar e pa aftësira profesionale që presin në oborrin e partisë të emërohen a të çemërohen sa herë bie ose ngrihet nga fiku kryetari, pra që nga ky moment partitë, për shkak të kultit të individit janë të destinuara të jenë janë ca SHPK-ëra, dmth ca fabrika të sigurta që nuk synojnë të prodhojnë plotforma, ide, alternativa, por që të sjellin para pa punuar, që të japin prona të patrashëguara, vende pune jo vetem për vete, po për gjithë farefisin, që të lartësojnë edhe po qe se nuk ke aftësi e merita profesionale, që të dhurojnë mirëqënie e begati pa derdhur djersë, që të japin famë pa vepra, tituj, grada, poste, pushtet të pakufizuar, lavdi dhe, pse jo, po qe se respekton deri në vdekje kryetarin, meriton edhe një vend të sigurt në histori. Ata që ndjekin Berishën sot e Nanon dje e dijnë se në Shqipëri vetëm kryetari të jep ose ta heq mundësinë të bëhesh deputet, këshilltar në Bashki, drejtor drejtorie, doganier, shef komisariati, pra vetëm kryetari e ka në dorë që edhe në varr të të mbajnë fjalim e të thonë se ti nuk ke pas qenë një hiç, nuk ke jetuar kot në këtë dynja, po ke pas qenë dikur ministër kulture, edhe pse nuk ke patur asnjë lidhje me kulturën. Vetëm kryetarët mund të të bëjnë deputet, edhe pse ke qënë një injorant katundi a lagjeje, vetëm dëshira e vendimi i kryetarit mund të të shpallë person tepër të rëndësishëm, edhe pse ke pas qenë një polic, roje kantjeri, apo benzinate…
Të gjitha këto i ka në dorë të t’i japë ose të t’i heqë si shpërblim vetëm kryetari, dmth respekti i dëshmuar publikisht për kultin demokratik të individit. E përkthyer ndryshe, ajo duhet të quhet “besnikëria pa kushte ndaj kryetarit”, ndjekja e tij pas, adhurimi për të edhe kur ai bën marrëzira e zullume e turpe të papara. Kush i qëndron besnik kryetarit, ai e do partinë, madje edhe Shqipërinë dhe Kosovën, demokracinë dhe integrimin në Europë e në NATO e vetëm ai mund të shpërblehet e mund të marrë poste e ofiqe. Ndaj nuk ka gjasa që kulti i individit të dobësohet as në vitet që po vijnë e zor se mund të çlirohen partitë nga sundimi despotik i kryetarëve që luftojnë e besojnë se prapa po u vjen historia. Pas 15 vjetësh në gjasme-demokraci nuk ka e nuk mund të gjesh as edhe një anëtar partie që nuk e di se kryetari mund të të shpallë armik, ose hero, kriminel, ose dëshmor. Kryetari i partisë e ka në dorë të të ngrijë e të të shkrijë, të thotë në të gjitha ekranet se Presidenti i Republikës dhe Prokurori i Përgjithshëm, KLD-ja, mbarë opozita, ca nga ata të shoqërisë civile që “na kundërshtojnë”, janë të lidhur me krimin dhe korrupsionin.. E si mund të rezistoje para një furie të tillë propogandistike një anëtar i thjeshtë i partisw në Macukull a në Mallakastër, kur shikon se të gjithë deputetët, ministrat e altoparlantët partiakë, pa pikë sikleti e droje dalin në publik e si të telekomanduar thonë po ato broçkulla që ka thënë kryetari, mbrojnë po ato “ide” që nuk mbrohen dot, vetëm se kështu e do kryetari ynë i pagabueshëm?
Kjo sjellje është bërë me të vërtetë e neveritëshme. Kur një kryetar partie ka kaq shumë në dorë, atëhere ç’mund të mendojë një qytetar i pambrojtur? O njeri, sa nuk është vonë e po qe se do punë e të ardhme të sigurt, “eja bashkohu me ne!” Kulti demokratik i individit për këto arsye do të bëhet gjithnjë e më i fortë. Tashmë nuk mjafton që të ndjekësh kryetarin nëpër mitingje e të brohorasësh sa herë të kërkohet, të thuash se votën e jep për të, po duhet që kudo, në lagje, në rrugë, në klub, e sidomos nëpër media ta dëshmosh se je “me ne”, dmth me kryetarin, duke “provuar” se vetëm ai ka të drejtë e se vetëm ai mund të na shpëtojë e të nxjerrë në dritë! Vetëm ai është i ndeshëm, i drejtë, i pagabueshëm, i pakorruptuar, i padiskutueshëm, idealist i vërtetë!…
Vini re se si e shohin dhe si e dëgjojnë me adhurim e përgjërim të pa ndrojtur e të paturpshëm kryeministrin aktual jo vetëm ministrat, si Basha, as vetëm deputetët, po gjithë ata që i dalin Berishës përpara nëpër përurime rrugësh e mitingje… Më i trishtueshmi qe një nëpunës i vogël periferie andej nga Bregu kur Berisha shkoi për rrugën e Palasës. Një burrë i vockël edhe me trup i qëndronte anash Berishës dhe donte, i gjori, që me doemos të nxirrte nga goja një urim a një klithmë të parapërgatitur adhurimi për kryeministrin, po “shefi i madh” nuk e la, jo se nuk donte të dëgjonte të tilla ofshama, po se po i prishej komunikimi me kamerat, dmth me ne, që nuk jemi aty e që ai e di se po e ndjekim me adhurim e gjak të ngrirë…
Kulti demokratik i individit, si po duken bathët, nuk ka për t’u dobësuar as në të ardhmen e afërt, jo vetëm se as edhe një parti nuk e ka në statut të kufizuar në kohë mandatin e kryetarit, po se çdo statut e garanton fuqinë e pakudizuar të kryetarëve për të sunduar nëpërmjet instalimit të kultit. Sa më shumë qëndrojnë në pushtet këta atllarë të politikës, aq më e padiskutueshme dhe e papërballueshme bëhet fuqia dhe arroganca e tyre, aq më e pamundur bëhet heqja qafe e tyre nëpërmjet votës së lirë. Ashtu si PS kur ishte në pushtet, edhe PD, pas 3 korrikut duket sikur nuk egziston më si organizëm partiak, si një “bashkim vullnetar”, po veç si një zyrë kuadri që merret veç me emërime besnikësh e largime armiqsh nëpër poste. Ardhja në pushtet e amplifikon në maksimum kultin e individit të kryetarit dhe po aq e dobëson kur partia bie në opozitë e sidomos kur kryetari zëvëndësohet me një të ri që nuk është i pajisur me arnët e kultit të individit.
Kryetarëvë të partive në pushtet, të mëdha a të vogla, nuk u bie në mend të mbledhin, sipas statutit, forumet e partisë që medemek “të vendosin institucionet e partisë” për vijën e platformat e partisë, sepse tashmë në parti vendos për çdo gjë vetëm kryetari, që në këtë rast është kryeministër. Për nismën ‘një euro’, për hapjen e dosjeve, për ndryshimet në Kushtetutë, për legalizimet, për qëndrimin ndaj Presidentit dhe institucioneve të pavaruara, etj, as edhe një herë të vetme, as edhe formalisht, nuk kemi parë e dëgjuar të mblidhet ndonjë forum partie që të diskutojë e të vendosë kolegjialisht, po kemi parë e dëgjuar “shefin e madh” që, krejt papritur,del në mexhilis e shpall nëpër mbledhjet monolog të qeverisë, të grupit parlamentar, a të sallës së Kuvendit nisma të rëndësishme, të cilat më pas do të duhet të mbrohen nga “qëndrestarët” mediatikë, të cilët duhet të hidhen edhe në zjarr për t’i mbrojtur idetë e mrekullueshme e të papara të kryetarit të tyre të lavdishëm…
Kulti i individit nuk është thjesht një shkop magjik që i mban partitë të lidhura me një “unitet” të hekurt e të palëkundur, që e mban anëtarësinë grrushtbashkuar, si dikur, po është edhe një karem i shijshëm që shërben për të bërë kariere cilido që e do me shpirt karierën e shpejtë e pa shumë mundim. Kush nuk e fut në buzë këtë karem, kush nuk i bindet kultit, do të mbetet jashtë dere. Kjo është arsyeja përse ky “mjet” i marrë borxh nga diktatura vazhdon të jetë kaq i nevojshëm dhe kaq i pazëvendësueshëm edhe në demokraci. Kjo është arsyeja përse të gjitha emërimet që janë bërë gjatë këtij viti në administratë, janë bërë mbi një parim të shenjtë e të pashkruar: si në qendër, si në periferi do të emërohen vetëm “qëndrestarët”, ata që nuk iu larguan partisë në ditët e saj më të vështira, ata që i qëndruan besnik Berishës pas humbjes së pushtetit të tij absolut më 1997-tën! Këta njerëz që e kanë respektuar kultin e individit edhe kur ishim në opozitë janë më se të provuar, ata nuk është e nevojëshme t’i kontrollosh e të dyshosh për ta se mund ta tradhtojnë kryetarin! Në Shqipëri bën hajër vetëm ai që kultin e individit e ka busull të vetme orientuese në jetën e tij, ai që e pranon se është një hic para kryetarit të partisë! Kush e ndjen dhe e thotë hapur se pa kryetarin është vërtet një hiç, me kryetarin në ballë mund të bëhet një diç!
Edhe partitë e vogla satelite e dushkare nuk jetojnë dot pa kultin demokratik të individit, kult që, me sa duket, është motorri i vetëm që i vë në lëvizje e në punë të gjitha partitë shqiptare… Kështu, le t’i ikin Xhuvelit, Pollos a Milos të gjithë deputetët, ata kreun e partisë nuk ka për ta lëshuar së gjalli, se e dijnë që, po nuk qe më kryetar, ata do të humbasin jo vetëm nderet, favoret e të drejtën “për të qënë i pari në katund”, po edhe mundësinë për të qënë sërish deputet. Po mund t’i rrezikohen edhe “ato që kanë fituar me djersën e ballit”…
Këta njerëz që vetëndihen të shquar, të pazakontë, të mençur e të rëndësishëm e kanë humbur jo vetëm dëshirën, por edhe mundësinë që të kthehen aty ku kanë pas qënë, pra nuk mund të pranojnë që të bëhen njerëz të thjeshtë, qytetarë të zakontë, si ne…Këta të lindur për të qënë udhëheqësa mund të bëjnë të pamundurën që të mbeten udhëheqësa, edhe sikur në parti të mbeten vetëm gratë e fëmijët e tyre..
Edhe pse kanë kaluar mbi 15 vjet në demokraci, në Shqipëri asnjë parti, qoftë e madhe, qoftë e vogël, nuk ka për ta kufizuar me statut mandatin e kryetarit dhe vetëm kjo mjafton për të kuptuar pse të gjitha partitë, pa përjashtim, edhe kur kanë humbur në zgjedhje, nuk i kanë ndryshuar e madje as nuk mund t’i ndryshojnë dot kryetarët. Asnjë parti, parlametare ose jo, zbaton ose jo parimin një anëtar një votë, nuk ka për të funksionuar nëpërmjet oponencës, demokracisë së brendëshme, fraksioneve, konkurencës dhe debatit të brendshëm, po vetëm nëpërmjet kultit demokratik të individit që po e le shoqërinë shqiptare me qytetarë pa dinjitet, pa një opinion publik të vetëdijshëm, pa shoqëri civile aktive që ka vullnetin e duhur e të mjaftueshëm për të luftuar padrejtësitë e përditëshme dhe skandaloze të sherrpolitikës…
Kico Blushi
Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.