“Kultura” e baltës
Mimoza Dervishi
30 Shtator 2006
Gazeta Shqip
Nëse ka një komision që duhet ngritur sot në Shqipëri është ai që duhet të kontrollojë CV-të e deputetëve, edukimin e tyre, edukatën e tyre, moralin në familje dhe shoqëri. Ata janë përfaqësuesit më të lartë të një shteti, të zgjedhurit e një populli dhe si të tillë duhet të qëndrojnë një kokë më lart se të tjerët. Po a janë politikanët dhe Parlamenti shqiptar sot, njerëzit dhe institucioni më i zgjedhur i këtij vendi? Ai që supozohet të jetë tempulli i ligjeve, rregullave dhe kulturës, vendi i shenjtë që duhet të impononte respekt, është kthyer në një mejhane ku vetëm kulturë nuk reflektohet, ku injoranca e atyre që përfaqësojnë popullin shqiptar mvishet dhe me mungesën më elementare të edukatës që duhet të ketë çdo person i rrugës, jo më një grup që supozohet të jetë mbi to.
Nuk bën më përshtypje gjuha me të cilën flitet në podiumin e ligjeve. Situata që tensionohet në çdo çast pjell një gjuhë bastarde, që as për kronikat e zeza nuk do ishte e denjë. Sa pak respekt kanë për veten këta njerëz të shkalafitur, që rrinë si sarahoshë nëpër tavolinat e ligjeve, hedhin e presin mes njëri tjetrit si në kabare, zihen me grushte po t‘ia u dojë puna, shahen me gra e me motra dhe me mikrofon para. Cilët janë këta njerëz të veshur me imunitetin e të paprekshmit, që e kanë kuptuar kaq gabim rolin, detyrat dhe të drejtat e tyre?!
Është nevojë imediate të shikohet dhe rishikohet nga kanë ardhur këta deputetë e politikanë, me mungesën elementare të të folurit dhe komunikimit, për mos shkuar më tej te kultura e ideve, strategjive apo patriotizmit. Sigurisht të na falin ata pak politikanë ndryshe, që inteligjenca dhe profesionalizmi i lë gjithmonë larg sherreve dhe banaliteteve, dhe ata e dinë se cilët janë, ose më saktë, shoqëria e di se cilët janë dhe e bën mirë dallimin.
Ka disa deputetë sot që hyjnë në atë sallë, pse kishin bërë një dorë para, diku në një skutë të Shqipërisë dhe kjo veshje prej biznesmenësh ishte i vetmi kusht që ata përfaqësojnë një pjesë të elektoratit. Biznesmenët në botën demokratike shfrytëzohen për sponsorizim fushatash elektorale, por deri kaq. Ata, edhe më milionerët, kurrsesi s‘mund ta kapërcejnë sallën e një kKuvendi a kongresi, thjesht e vetëm thjesht, pse kanë ca para. Nuk po i hyjmë fare hesapit se si i bënë paratë disa deputetë shqiptarë, sepse gjuha e tyre dhe inteligjenca fare e cunguar flet vetë. Por për këtë punë, sot, dje në çdo kohë, politika tenton të ngrejë komisione nga të cilat absolutisht asgjë e mirë s‘ka ardhur. Komisionet gjithmonë kanë dalë me dy raporte dhe asnjëherë s‘ia kanë arritur qëllimit, përveç njollave të shpifjeve të lëna pas. E ngritur në filozofi dhe strategji lufte ndaj kundërshtarit, misioni i shpifjeve, sfumon dhe bën të pavlefshme edhe ndonjë të vërtetë aty këtu. Gjuha e politikës shqiptare është më harbutja në botë, më e keqe se e filmave horror dhe më e papranueshmja, jo vetëm për transmetimet publike televizive, por do kërkonte censurim edhe sikur të transmetohej pas mesnatës, kur fëmijët flenë.
Në Parlamentin shqiptar dhe tribuna të tjera politike flitet për serial killer, kriminelë drogmenë, pijanecë. Në cilin vend të botës ndodh kjo çudi? A u ka mbetur më gjak në deje këtyre politikanëve dhe a kanë sy e faqe të dalin ditën me diell nëpër rrugë, të takojnë elektoratin e tyre dhe nesër t‘u kërkojnë vota sërish. Politika shqiptare sot ka marrë përsipër rolin më përçudnues të mundshëm, atë të ç‘edukimit të Shqipërisë. Nga vendi ku fyhet Kushtetuta dhe ligjet nëpërkëmben institucionet, tallet dhe injorohet shteti, u kërkohet qytetarëve të Shqipërisë të zbatojnë ligjet dhe rregullat. Nga vendi ku një kryetar qeverie, deputet a ministër nuk respekton as gjykata as prokurori, nga vendi ku goja flet para ligjit, kërkohet që qytetari shqiptar të respektojë semaforin, policin, shtetin. Politikë sot do të thotë vendi i shfryrjeve të komplekseve, inateve, mërive, injorancës dhe perversitetit.
Kryeministri është i pari në listën e të paedukuarve, në listën e dhunuesve të ligjit, i pari i shpifësve. Ai është gjeneratori i baltës, që tash sa vjet e ka shndërruar Kushtetutën në paçavure dhe Parlamentin në baltovinën e kombit. Ai akoma në çdo takim me të huaj flet për kriminelë nga opozita, duke harruar se bota qesh e tallet me njerëz të tillë, të sëmurë në tru, që kanë kaq pak respekt për veten dhe shtetin dhe aq pak përkushtim e respekt për qytetarët. Zëdhënësit e Kryeministrit dhe këtu kemi parasysh nga i pari deri tek i fundit në qeveri e parti, kanë përqafuar stilin e tij dhe kjo sëmundje ka infektuar dhe disa deputetë të opozitës.
Opozita duhet të ketë parasysh se në këtë moment që flasim, Berisha i ka çuar aq ulët pikët e tij, sa nuk i çoi qeveria socialiste pas tetë vjetësh në pushtet. Ai tani është opozitari më i madh i vetes. Brenda një viti, Kryeministri nuk pati kohë për investime dhe plotësimin e premtimeve të tij elektorale dhe me të drejtë ka nga ata që duan t‘i japin kohë. Por, për një vit, ai pati kohë mjaft të shkatërronte institucione të pavarura dhe t‘i hapte luftë gjithkujt. Për një vit, ai tregoi se nuk njeh as Presidentin, as prokurorinë, as Kushtetutën dhe asgjë tjetër veç vetes.
Duke lënë mënjanë harbutërinë dhe duke pasur parasysh që shqiptarët dinë ta bëjnë llogarinë, se si një Kryeministër i varfër befas ka një vajzë milionere, do ishte mirë që opozita të analizonte çdo germë të suksesit që shpalli Berisha për qeverisjen e tij njëvjeçare. Me fakte dhe argumente, me gjuhën e shifrave dhe ligjit, t‘i tregojë mazhorancës dështimin e vitit të saj të parë. Para se të merren me komisionet policeske, me të cilët shqiptarëve u është fryrë koka, klasa politike duhet të merret me çfarë humbi dhe çfarë fitoi shoqëria shqiptare gjatë këtij viti, që nga humbja e standardeve demokratike deri te humbjet monetare. Kursimet që bëri qeveria nga karburanti dhe nga shkurtimet në administratë, janë një hiç para humbjes së gjyqit të shtetit shqiptar, para gjithë atyre nëpunësve që u hoqën me të padrejtë. Sa para kushton dëmshpërblimi i tyre? Po miliona dollarë që shteti shqiptar i ka të humbura nga gjyqet me biznesmenë a kompani shqiptare dhe të huaj? T‘u tregohet shqiptarëve që ato para do dalin nga xhepat e tyre, të rrjepur e të pafajshëm. Në vend që ta çojnë Parlamentin sërish në pikën zero, aty ku jemi sot, te shkelja dhe mosrespektimi i Kushtetutës, klasa politike e zgjedhur dhe e nderuar për të hyrë në atë sallë, duhet të zgjedhë politikën ndryshe, atë të programeve dhe ideve.
Por, a mos ndoshta është kjo vetëm mungesë vullneti apo edhe mungesë inteligjence. Peshorja anon nga mungesa e inteligjencës dhe profesionalizmit, mungesë që sjell gjithë të këqijat me vete. Ka ardhur koha që të rishihet klasa politike, kush e meriton, kush jo atë vend. Në jetëshkrimin e politikanëve shqiptarë, sot morali nuk ekziston si kriter, por siç shihet as edhe shkollimi.
Nëse televizionet shqiptare do përdorin mekanizmin e bllokimit të fjalëve banale, me siguri që nga fjalimet e politikanëve do mbetej një “beeeeep” i gjatë dhe vetëm ca lidhëza pa kuptim do shkonin te shikuesi.
Klasa politike është më e pabesueshmja sot. Kjo është dhe arsyeja që askush nuk beson në akte civile, por nxitojnë t‘i veshin me ngjyra politike. Shembulli që vjen nga politikanët ka treguar deri më tani se askush nuk çan kokë për vendin, çdo lëvizje apo ngritje zëri me siguri e ka një qëllim të mbrapshtë nga pas. Kjo është arsyeja që askush nuk sjell argumente në duhet apo jo një lëvizje civile, por kultura e baltës kapërcen politikën dhe i hidhet shoqërisë civile. Intelektualet e vërtetë padyshim që ngjajnë më mirë se politikanët sot dhe ndoshta kjo është arsyeja pse dyshohet se do jenë ata zëvendësuesit e ardhshëm të politikës. Sepse kështu ka ndodhur deri më tani. Kjo është dhe një arsye, që intelektualët kanë heshtur, janë strukur dhe u ka ardhur ndot e tmerr nga baltovina politike. Por kjo duhet të jetë sot dhe arsyeja pse njerëz të shoqërisë civile duhet të jenë gjyqi i politikës dhe komisioni më i mirë për të kontrolluar atë. Le të niset me CV-të e politikanëve. Nuk do çuditemi shumë se nga kanë ardhur, por do kuptojmë se ku çalon e gjitha.
Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.