Miku i mbretit: vienezja që shkriu pasurinë e Ahmet Zogut
Çatin Saraçi
Milosao
25 Qershor 2006
Në nëntor të vitit 1929 u thirra urgjentisht në Tiranë. M’u desh të shpenzoja një javë para se të merrja vesh qëllimin përse isha thirrur. Zogu më kërkoi t’i shkoja për vizitë mbas darke se kishte për të folur rreth diçkaje me mua. Mbas një hyrjeje tejet të gjatë gjithë lajle-lule, mbas së cilës po rrekesha të hamendësoja se ku donte të dilte, Zogu u hodh e më tha: “Rreth një muaj më parë, ime më pa një ëndërr ku shprehej dëshira e saj që të martohem sa më shpejt të jetë e mundur. Zëri e këshilloi nënën se kurrkush nuk mund ta përmbushë këtë mision, por vetëm Çatini. Deri më sot s’më kishte shkuar mendja për t’u martuar, por ti e di që nuk ia bëj fjalën dysh sime mëje, ndaj dhe vendosa ta plotësoj dëshirën e saj. Tekefundit, mendova që nëna ka të drejtë dhe mua më nevojitet një trashëgimtar për fronin. Kam pasur disa oferta për t’u martuar me princesha europiane, por tashmë unë e kam bërë zgjedhjen time, çka do të të pëlqejë ty si dhe gjithë katolikëve në vendin tim, do të forcojë pozitën e Shqipërisë si dhe do të hapë perspektiva në të ardhmen për Shqipërinë e Madhe. Mendja më ka shkuar te vajza e mbretit të Italisë.”
“Në qoftë se e kishe ndarë mendjen përfundimisht për këtë gjë, mund të ma kishe thënë në mënyrë që të të kurseja shpenzimet e udhëtimit tim këtu. Ju jeni muhamedan dhe nuk ekziston kurrfarë shansi në këtë botë që t’ia dalësh mbanë kësaj pune. Sikur të vendosje të ndrroje fe, atëherë gjërat ndryshojnë dhe kjo çështje edhe mund të hajë diskutim.” Këto qenë fjalët e mia të para.
“E kam studiuar këtë çështje me shumë vëmendje dhe e njoh shumë mirë hendekun që ekziston midis religjioneve, por jam i vendosur ta kapërcej atë greminë duke paguar çfarëdolloj çmimi. Në fund të fundit, i dashur Çatin, Shqipëria ka pasë qenë e tëra katolike para pushtimit turk, këtu e pesë shekuj të kaluar, dhe duhet ta dish që krahina e Matit u konvertua në kohën e tim eti. E pse të mos çbëjmë atë që bënë gjyshërit tanë. Unë nuk them që besimi muhamedan është i keq, por mënyra kryekëput e gabuar se si ai interpretohet nga kleri injorant muhamedan është pa dyshim një handicap i madh dhe mbase pengesë për progres në të gjitha fushat,” tha Zogu me zë të ulët e të shtruar.
“Ju keni për të shkaktuar revolucionin më të mbrapshtë që mund të ketë përjetuar ndonjëherë ky vend dhe, nuk keni për të arritur gjë prej gjëje, por ndoshta keni për të plotësuar vetëm e vetëm një dëshirë tuajën.”
“M’i lerë mua këto andrralla,” u përgjigj Zogu. “Si fillim do të merrem me krahinën time dhe, në qoftë se pjesës tjetër do t’i shkojë nëpër mend t’i kundërvihet dëshirës sime, kam për të pasur në dispozicion garnizonet italiane të pajisura në mënyrë moderne. E si mundemi ndryshe t’u marrim armiqve tanë krahinat e humbura të Epirit, Kosovës dhe Gjakovës? Unë kam planet e mia dhe, një ditë prej ditësh, do t’i vë në jetë ato.”
Kjo farë bisede përmbante tharmin e diskutimeve që bënim në Vienë këtu e dymbëdhjetë vjet të shkuara. Mbartte një kumt atdhetar, përzjerë disi me disa ide të dyshimta. Por unë isha kuruar nga gënjeshtrat e Zogut para shumë e shumë vitesh dhe nuk e haja më sapunin për djathë, qoftë edhe për një sekondë të vetme. Teksa Zogu po këpuste broçkullat e veta, hartova sa hap e mbyll sytë një plan timin. Kur pushoi e mora fjalën dhe iu përgjigja se projektet e tij, ndonëse afatgjata, qenë jo vetëm atdhetare por edhe gjeniale. Dhe sakaq e sigurova për suksesin e shpejtë të tyre, duke shtuar se Italia do t’ishte e lumtur të dëgjonte lidhur me synimet e tij, ndërsa Vittorio Emanueli mezi ç’pret t’ju bëjë dhëndër.
Po të këqyrje me kujdes do të vije re se në shpirtin e Zogut nuk kishte mbetur qoftë edhe një fije e vetme morali. Për t’ia dalë mbanë e realizuar synimet e tij, për të nuk ekzistonin as skrupujt, as cipa ose amor proprio.
Mbasi u këshillova gjer’ e gjatë me vëllezërit, të nesërmen u nisa për në Romë me një plan të studiuar e të përpunuar më së miri…
Zogu analfabet
…Ahmet Zogu, i kurorëzuar më vonë mbret i Shqipërisë me lejen e Mussolinit, u lind rreth vitit 1893. Asokohe Shqipëria ishte një provincë turke dhe turqit nuk e kishin me detyrim regjistrimin e lindjeve në asnjë vend të Perandorisë. Të krishterët shqiptarë ishin të detyruar të regjistroheshin në librin e kishës, ndërsa krahina e Zogut duke qenë se qe kthyer en bloc në fenë muhamedane në vitin 1851 nuk e njihte këtë lloj regjistrimi. Familja e Zogut i përkiste një prej dyerve më të mira të fiseve të Matit, por kurrsesi nuk qe më e fismja, duke qenë se kreu i fisit ishte familja Selmani. Kur mbushi tetë vjeç, Zogu u dërgua në Kostandinopojë ku kreu shkollën fillore dhe mësoi të lexojë e të shkruajë turqisht në “mejtep”. Gjatë gjithë jetës së tij, Zogu ka kryer vetëm këto tri klasë shkollë. Nga Shqipëria kishte marrë me vete një tutor, që ia thoshin emrin Abdurrahman, një njeri krejtësisht analfabet, bëmat dhe krimet e të cilit janë përshkruar shpesh si nga autorët shqiptarë ashtu edhe nga ata të huaj. Mynxyrat e këtij njeriu nuk kanë lënë pa prekur edhe njerëzit e vatrës familjare. Tashmë dihet nga të gjithë që ai cyti vrasësit e të vëllait. Më vonë kur Zogu shtiu në dorë pushtetin e padiskutueshëm për të sunduar në Shqipëri, instinktitet bazike të Abdurrahmanit do të gjenin hapësirë për t’u ushtruar plotësisht. Po për të do të flas më pas dhe në mënyrë më të hollësishme në këtë libër. Zogu nuk arriti kurrë ta mësonte gramatikën e gjuhës shqipe, ndaj edhe sot e kësaj dite, ai nuk është i zoti të shkruajë qoftë edhe një radhë të vetme në këtë gjuhë. Ai nuk i ka shkruar kurrë njeriu një letër të vetme me dorën e vet. Është e vërtetë që njeh alfabetin dhe mund të shkruajë në turqishten e vjetër, por edhe në atë është gjysmak, siç më ka thënë Sulo Bogdo, i cili, njeh shumë mirë turqishten klasike dhe që i ka rastisur të shohë dorëshkrime të Zogut…
….Nuk e ekzagjeroj aspak në qoftë se pohoj se Ahmet Zogu ishte 75 përqind analfabet. Ai nuk ka lexuar kurrë më shumë se dy, tre libra gjatë gjithë jetës së tij dhe të gjithë ata, padyshim, kanë qenë rreth jetës së Napoleonit. Ai thurrte plane gjigande për t’ardhmen dhe pavarësisht nga fakti se ishte Presidenti i Republikës më të vogël në Europë, i pëlqenin lajkat dhe priste që ta adhuronin si Perëndi, madje edhe nga anëtarët e familjes së tij. Të gjithë ata që guxonin të mos i drejtoheshin e mbysnin me reveranca, shenjoheshin sakaq si armiq personalë të tij. Pak rëndësi kishte se sa e si shtypi i huaj e vinte në lojë dhe e përqeshte, ai vdiste për pak publicitet me çfarëdolloj çmimi – pavarësisht se mund të ishte për punë të mira ose krime. Dalëngadalë Zogu nisi të rrethohej nga një bandë njerëzish krejtësisht injorantë dhe analfabetë, të cilët nuk linin rast t’u shpëtonte pa e lyer me lajka dhe pa e lartuar si një gjeni të vërtetë dhe hero të kombit, ndonëse nuk kishte ditë që diku nëpër atdhe apo në ndonjë prej kryqyteteve të Europës të mos qëlloheshin për vdekje edhe ata pak atdhetarë shqiptarë që kishin mbetur. Për të shfarosur kundërshtarët dhe opozitën për Zogun nuk kishte asnjë mjet të keq. Ato ditë shtypi europian në përgjithësi kishte nisur ta quante Zogun “Ivani i tmerrshëm i Ballkanit”. Në tryezë ai priste nga njerëzit t’i kushtonin vëmendje të madhe, kurdoherë, dhe rrallëherë mund të lejonte njeri të shprehte opinionin e vet. Në ato raste kur ndodhte që ndokush të vepronte asisoj, Zogu nxitonte t’i kundërvihej dhe këtë e bënte thjesht për hir të shpirtit të tij kontradiktor. Po për të hyrë në një debat të njëmendtë të ngritur mbi argumente të shëndoshë, kurrkush nuk e kishte kurajon, edhe pse mund të zotëronte dijen e duhur. Jak Koçi dhe unë shkëmbenim vështrime nga njëra anë e tryezës në anën tjetër dhe vazhdonim të hanim duke vënë buzën në gaz. Një herë qëlloi që të ndodheshim vetëm për vetëm në dhomë me të dhe e shfrytëzuam atë rast për të shprehur lirisht opinionet tona, por sa herë e shihte veten të mbërthyer në qoshk e të çarmatosur, Zogu e ndryshonte temën e bisedës.
Besim i verbër
Nuk kishte njeri që Zogu t’i besonte më fort se mua. Jam i sigurtë se ai nuk ka dashur kurrë, në mënyrë të njëmendtë, më shumë se mua, nga të gjithë njerëzit e entourage-it të vet. Ne të dy e kuptonim shoqi-shoqin në mënyrë të përsosur. Do të sjell këtu një shembull nga njëqind të mundshëm. Kryepeshkopi i Shkodrës kishte ardhur në Tiranë për të protestuar kundër disa ligjeve që qeveria e Zogut kishte futur në fuqi dhe që, simbas kryepeshkopit Mjeda, qenë tërësisht të papajtueshëm me parimet e Kishës. Sa herë që Zogu kishte ndonjë audiencë, unë dilja në holl tok me sekretaret dhe adjutantët. Ra zilja dhe ishte Zogu që kërkonte praninë time. Sapo hyra në odë, Zogu më pa drejt e në sy dhe m’u shkreh me një farë toni të ashpër: “Si ke harruar ta urdhërosh ministrin e Drejtësisë lidhur me ato ligjet për Kishën, për të cilat edhe të porosita dje?” I rashë menjëherë në të përse bëhej fjalë me ta parë në fytyrë dhe, aty për aty, i ktheva bash atë përgjigje që ai donte të dëgjonte nga unë, pa kurrfarë ngurrimi: “Më vjen keq dhe i kërkoj ndjesë Shkëlqesisë Suaj për harresën time.” Zogu u kthye nga Kryepeshkopi dhe i tha: “Siç e shihni edhe zotni Saraçi është katolik. Tash ligjet kanë kaluar, por unë do të bëj të pamundurën të zhbëj atë çka është bërë gabimisht.” Unë nuk dija dhe as kisha dëgjuar gjë rreth ligjeve më parë, madje as Zogu nuk m’i kishte zënë ndonjëherë goje. Puna është se Kryepeshkopi u kthye i lumtur në Shkodër, ndërsa ne të dy, me të mbetur vetëm, u shkrimë gazit. Mund të përmend këtu një sërë bëmash të kësaj natyre. Natyrisht, premtimet e Zogut asnjëherë nuk viheshin në jetë dhe, mbasi kalonte ca kohë, ato shndërroheshin në barcaleta që qarkullonin në të gjithë vendin.
Uniforma qesharake e mbretit
Qysh nga mosha dhjetë vjeçare kisha jetuar kryesisht jashtë shtetit, por kthehesha shpesh në Shqipëri, ku kisha mamanë dhe vëllezërit, të gjithë të martuar dhe që banonin në Shkodër. Muajt e dimrit më tërhiqnin veçanërisht ngaqë Shqipëria mbetet, edhe sot e gjithë ditën, një nga vendet më të mira në Europë për të gjuajtur. Një ditë, diku aty nga fillimi i vitit 1925, u ktheva në Tiranë mbas një ekspedite të gjatë gjuetie nëpër kënetat e moçalishtet midis Durrësit dhe Shkodrës. E mbajta vrapin drejt e në të ashtuquajturin pallat të Zogut, i cili, në të vërtetë, përbëhej nga katër oda dhe i përkiste llojit të shtëpive që në vende si Anglia nuk meritojnë t’i quash as kotixh. Hyra fill e në odën e pritjes së Shkëlqesisë së Tij. Me t’u dhënë te hyrja e odës u shastisa aq fort sa nuk po u besoja syve nga ajo skenë e jashtëzakonshme që më qe shfaqur, ndaj dhe thuaj se u shitova mu te pragu i derës duke këqyrur një copër herë të mirë para se të përshëndesja siç veproja zakonisht. Zogu u rrotullua e u kthye nga unë me një buzëqeshje të lumtur dhe më tha: “E shoh që po të pëlqekërka uniforma ime, ashtu siç më pëlqen edhe mua. S’do mend njeriu që e ka prerë dhe qepur është vërtet artist.” Gjithsekush në Shqipëri e dinte se, me përjashtim të nënës së Zogut, unë isha i vetmi person që mund t’i thoja gjëra që kurrkush tjetër nuk guxonte t’i zinte me gojë, madje as motrat e tij nuk e kishin atë privilegj. Asokohe unë shihja te Zogu t’ardhmen e Shqipërisë, ndaj dhe për këtë arsye gati-gati e adhuroja. Kur e pashë përkundruall pasqyrës nuk desha ta lëndoja për diçka që në vështrimin tim ishte një çështje e vogël, krejtësisht vetjake e madje fëminore. Ai vazhdonte të rrinte para pasqyrës me atë uniformë krejtësisht të bardhë: një xhufkë puplash të bardha mu në majë të një kapele gëzofi të bardhë kozakësh të qëndisur me fije të bardha, tunikë të bardhë, kilota të bardha, dorashka të bardha dhe, për çudinë time, edhe çizme lëkure të bardha që feksnin nga llustra. Madje, madje edhe rripat ku varej shpata qenë të bardhë.
“Më thuaj,” m’u drejtua sërish Zogu, “të pëlqen apo jo?” Duke qenë se nuk mori përgjigje, vijoi të fliste vetë: “Epo,” tha, “ushtarëve të mi jam i sigurtë që ka për t’u pëlqyer dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.” Vura re që e kishte kuptuar heshtjen time fyese. Nuk më shkonte aspak ndërmend që ta bëja t’i mbetej hatri, por ja që gjërat shkuan e rrodhën n’atë mënyrë. Të nesërmen në mëngjes ai kishte sajuar një kalim rreshtor të gardës personale dhe, me atë rast krejtësisht të kotë, kishte menduar të shpaloste para dyqind e pesëdhjetë luftëtarëve të fisit të tij madhështinë dhe shkëlqimin e asaj uniforme të paramenduar me aq kujdes e të qepur për merak.
E dashura vjeneze Francy
Francy, e dashura e zemrës, kishte ardhur nga Viena dhe banonte një hap përtej murit rrethues të parkut, vendit ku do të zhvillohej parada mëngjesin e ditës së nesërme. Dëshira më e madhe e Zogut ishte që ta linte gojëhapur atë. Për fat të keq, një si punë fotografi i oborrit ia doli të bënte një foto të vetme ku Zogu, veshur e ngjeshur me uniformën e bardhë, shfaqej si një pallua. Qysh nga ajo ditë, kjo fotografi është riprodhuar nga shtypi ndërkombëtar, sa e sa herë bëhej fjalë për Zogun. Revistat dhe gazetat vjeneze qenë të parat që e botuan fotografinë dhe, paskëtaj, barcaleta e plot vërejtje pa kripë do të thurreshin rreth asaj uniforme të shkëlqyer.
Në librin e vet “En Albanie sous l’oeil de Mussolini” (Shqipëria në dritë të syrit të Mussolinit) shkruar më 1933, Rene Vanlande thotë:
“Et le Presidente preside en grand uniforme blanc a brandebourgs noirs, avec sabre courbe et bonnet d’astrakan a aigrette vertigineuse. La dignite royale n’a pas change grand chose a sa tenue. Peut-etre l’a-t-elle plutot simplifiee? Un monarque peut dedaigner certaines fioritures indispensables, en Albanie tout au moins, au prestige d’un simple President de Republique. Et puis, il parait que, sur une scene parisienne, on a (blague) l’aigrette de sa Majeste, laquelle en aurait eprouve quelque chagrin”.
Francy kishte të zhvilluar një shqisë humori të hollë vienez dhe, një mbrëmje, mbas darkës, më hoqi mënjanë në një qoshk të odës duke e lënë Zogun vetëm në tryezë dhe duke qeshur nën hundë nxori nga çanta e dorës dhe më tregoi një fotografi të prerë nga një prej revistave të Vienës. Një ditë më mbas, ministri i Brendshëm mori urdhër të mblidhte ku ishin e ku s’ishin dhe të asgjësonte të gjitha riprodhimet e asaj fotografie. Sigurisht, ky veprim nuk bëri gjë tjetër veçse i përkeqësoi punët dhe i bëri edhe më zi nga ç’ishin. Siç do të shkruante Monsieur Rene Vanlande, “Dalëndalë e në një farë mënyre uniforma nisi të amendohej – çizme të zeza dhe ca kordonë të zinj përbënin ndryshimin - ndonëse ende vijonte ta ruante atë trajtë qesharake.”
Para ndoca vitesh u shtrëngova të ndihmoja financiarisht të dy miqtë e mi, Zogun dhe Jak Koçin. Nuk ishte se kisha ndonjë para për hesap tim, por gëzoja një farë kredie prej emrit të familjes, kësisoj e shfrytëzova për të marrë hua një shumë parashë dhe për t’ua huazuar miqve të mi. E vërteta është se jam paguar gjithmonë në datën e caktuar. Nuk kam përfituar kurrë nga Zogu ndonjë ndihmë financiare ose asistencë. Për herë të parë, mbasi u larguam nga Beogradi për në drejtim të Vienës, Zogu më dha rreth 200 paund, të gjitha kartëmonedha në dinarë, nga 250.000 paund që ai i kishte pasë marrë të thata në dorë nga Pashiqi në Beograd. Kjo ishte shuma e parave me të cilën Zogu duhej të paguante oficerët dhe të gjithë njerëzit e tjerë si dhe të pesë mijë mercenarët që i erdhën në ndihmë Zogut nga kufiri jugosllav deri kur hyri në Tiranë. Në atë kohë, me qëllim që të pështjellonim qeverinë shqiptare, para se të niste sulmi i madh, ne u larguam nga Beogradi dhe morëm për në Vienë. Mbas një qëndrimi të shkurtër në Vienë dhe në Pragë, befas Zogu u kthye dhe shkoi drejt e në kufirin jugosllavo-shqiptar, prej nga ndërmori fushatën e vet të suksesshme.
Në ecejaket sa nga njëri klub i natës në tjetrin ndërmjet Vienës dhe Pragës, peliçeve të shtrenjta dhe arturinave ekstravagante, një pjesë e mirë e parave të Pashiqit firuan dhe me të mbërritur në Tiranë, Francy zuri të japë ndihmën e vet të pakursyer në mënyrë që të soseshin një orë e më parë edhe ato çika para që kishin mbetur. Argjendarët dhe rrobaqepësit e Parisit dhe të Vienës, hynin e dilnin turravrap, njëri mbas tjetrit, nga rezidenca e Francyt me po atë shpeshtësi që ministrat e kabinetit të Zogut hynin e dilnin nga shtëpia e tij.
Sapo kisha mbërritur në Bari, në Itali, ku duhej të merrja në dorëzim Konsullatën si dhe të bëja sytë katër e mbikëqyrja lëvizjet e tufës së madhe të udhëheqësve të opozitës, duke përfshirë edhe Fan Nolin, të cilët qenë larguar e kishin gjetur strehë atje. Nuk kisha as dhjetë ditë që kisha mbërritur kur ndodhi diçka, e cila edhe pse nuk përbënte ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme për atë çka quhet politikë në Ballkan, më befasoi krejt. Një i ri shqiptar qëlloi për vdekje një prej prijësve të opozitës sonë. Një ditë më parë vrasësi kishte ardhur në zyrën time dhe buzagaz më kish thënë se kishte ardhur në Bari për të kryer një vepër të madhe patriotike. Unë e njihja fort mirë qysh nga koha e shkollës. Prejardhjen e kishte nga qyteti im i lindjes dhe e dija që ishte thjesht një aventurier dhe burracak i pashoq. Prandaj dhe nuk e mora mundimin ta paralajmëroja udhëheqësin e opozitës me të cilin vijoja të mbaja ende marrëdhënie të mira personale. Një vit para se të ngjante ajo që ngjau, kisha mundur t’i shpëtoja jetën viktimës, po në Bari, ndaj për këtë arsye ai vetë si dhe familja e tij kishin shprehur mirënjohjen e tyre, si mua ashtu edhe njerëzve të farefisit tim. Duke qenë se kisha marrë njoftim një javë para se të ndodhte atentati, unë e kisha shpëtuar atë njeri prej pritës së ngritur nga njerëzit e partisë së Zogut. Asokohe mendoja se Zogu nuk ishte i lidhur, të paktën drejtpërdrejtë, me asi gjëmash. Mbas këtij episodi tragjik ia dola t’i fitoja zemrën Zogut e të bëhesha njeriu i tij më i besuar, kësisoj isha në gjendje të shpëtoja shumë jetë njerëzish. Përsa i takon krimit të mësipërm ishte mëse e natyrshme që emri im të përlyhej e të lidhej me atë të Zogut. U nisa për në Tiranë dhe kur mbërrita e gjeta Zogun dhe kunatin e tij, Ceno Kryeziun shend e verë dhe krenarë për atë çka kishte ngjarë në Bari. Qysh nga ai çast e më mbas ndryshuan një herë e përgjithmonë ndjenjat e mia kundrejt Zogut.
Përktheu: Virgjil Muçi
(Marrë nga libri “Zogu i shqiptarëve”, botim “55”, 2006)
25 July 2006 @ 1:03 pm
Liber interesant!
14 November 2007 @ 11:09 pm
Kisha pershtypjen sikur Zogu ka pas te pakten nje arsim fillor te plote dhe ndonje kurs nja dyvjecar ushtarak. Nga ngjarjet e pershkruara me vertetesi dhe rrjedheshem nga Catin Saraci, mora vesh se ai paskaqene nje gjysemanfalbet dhe me edukate shume qe e afron me Ivanin e Tmerrshem dhe Ali Pashe Tepelenen. Per me teper nxora konkluzionin se ai me shpalljen e vetevetes mbret, nepermjet intriges dhe krimit, me siguri Shqiperine e ka veshtruar si nje bace prone te tije.
Kjo i takon personalitetit te tije. Me figuren e vete negative i beri dem te madh vtes, rrethit te vete dhe Shqiperise, sepse kur te huajt talleshin “me xhestet, bemat dhe paraqitjen e tij, ishte indirekt apo edhe direkt nje tallje per Shqiperine. Kjo qenka edhe arsyja perse ne Karten e Aleances Se Atllantikut ne Gusht1941 prej 26 shtetesh, ku merrnin pjese edhe perfaqesues te Cekise qe ia leshuan vendin ushtrive te Hitlerit pa bere “bam” asnje pushke e pa rene asnje deshmor, te Norvegjse qe ia kishin dhuruar vendin Gjermanit krejtesisht ne menyre paqesore, nuk ishin thirrur per pjesemarrje perfaqesuesi i Shqiperise qe e kishin pritur fashizmin me arme, me deshmore dhe me nje rrezistence aktive te mepastajme me cetat e Abaz Kupit, Myslim Pezes, etj. e me gjere. Ndoshta jane figura te tilla, te molepsura qe populli yne i lejone mbi koke, prej te cilave gjithenje prishet imazhi i tij i vecante qe rrezaton vetemi vyrtyt human verbues per gjithe te medhenjte pompoz te botes. Keta pompoz kane nderhyre vijueshmerisht, qe nga kohet qe s’mbahen mente, per te prishur imazhin e popullit tone te perhershem ne Ballkan. Prijesit tane, per cudi, te cdo kohe i asgjesojne vete, ata qe pozicionohen kunder te huajve qe nderhyjne ne punet tona kometare.
Me kete mesazh qe na jepet per Zogun duhet shkruar nje trilogji e madhe me titullin “Tragjedia Jone’ dhe pse jo nje epope tragjike me tre drama tragjike.
15 November 2007 @ 12:02 am
Interesant dhe fakte te reja mbi injorancen dhe intrigat qe bente kunder kundershtareve te tij politik…nuk e kuptoj pse duan ta ngrene larte kete figure te dyshimte disa tifoze te tije.