Raport i atë Domenico Pasi drejtuar qendrës në Shkodër.

Marrë nga: atë Giuseppe (Zef) Valentini, "Ligji i maleve shqiptare" (nga relacionet e Misionit Shëtitës 1880-1932)

Përktheu Dilaver Baxhaku, “Plejad”, Tiranë 2007.

Një shekull e ca më parë

4 shkurt 1895

“Plaga e gjakmarrjes është edhe në Renc, si në të gjithë Shqipërinë. Por është më mirë që të shihen tri rrethana themelore që shestonin ligjet e gjakut, për të mundur të vlerësosh faljen. Janë tri rrethana që e rëndojnë ose e bëjnë shpesh të pamundur faljen e gjakësit a të armikut. Së pari, gjaku i mikut; së dyti rrahja; së treti rrëmbimi i gruas, (për të mos thënë se po kaq e rëndë është edhe vrasja e qenit të tjetrit gjatë natës kur ai është në rojë të familjes a të mallit). Është kështu, sepse këto rrethana plagosin pa shërim sedrën apo nderin e shqiptarit, që për këta njerëz është gjëja më e shtrenjtë në jetë. Gjatë këtij misioni, në predikimet e faljes dhe të mbylljes, përveç pajtimeve personale u bënë edhe nja dyzet pajtime të tjera publike. Duhet shënuar se edhe faljet nuk ishin të gjitha për punë vrasjesh, por më shumë për shkaqe grindjesh a dëmtimesh të pronës së tjetrit, deri edhe për keqkuptime. Megjithëkëtë shumë nga këto pajtime patën një ndikim të madh moral në popull. I tillë ishte rasti i një djali të vogël dhjetëvjeçar, i cili u afrua para kryqit dhe kërkoi të thoshte diçka, dhe kur prifti e pyeti se çfarë dëshironte t’i thoshte Kryqit të Shenjtë, ai u përgjigj: ‘Fal gjakun e tim eti’. Dhe këto fjalë i thoshte me lot në sy. Prifti e pyeti prapë: ‘Je i sigurt se do ta mbash fjalën edhe kur të jesh bërë burrë dhe se nuk do ta kujtosh më gjakmarrjen?’. ‘Po – tha – djaloshi që tashti ia jap besën Jezu Krishtit’. Atëbotë i gjithë populli që ishte aty në kishë përplasi fort duart duke i thënë djaloshit njëzëri: ‘Qofsh faqebardhë! Qofsh i nderuar!’.

Po kështu erdhi para altarit një grua, të cilës i kishin vrarë të birin befasisht ndërsa po flinte. Dhe kjo grua duke puthur kryqin tha: ‘Deri tani nuk e kisha menduar kurrë se do ta falja gjakësin e tim biri, cilido që të më ishte lutur, madje prisja rastin që të hakmerresha me këto duar, por tashti e fal hasmin vetëm nga dashuria për Jezu Krishtin’. Dhe duke folur qante me dënesa.

Njërit ia kishin djegur të gjithë barin që kishte futur si zahire për dimër. Përveç dëmit që i kishin bërë, i duhej të mjerit të dëgjonte edhe gruan që e ngucte përnatë që ta gjente dëmtuesin dhe të hakmerrej. Gjatë predikimit të faljes u ndodhën rastësisht pranë burrë e grua. Ajo, e prekur nga predikimi, e shtynte burrin që të çohej e të afrohej tek altari për ta falur armikun e tij, të cilin edhe nuk e njihnin. Ndërsa burri mendonte se ajo po bënte shaka, prandaj vazhdonte të shante e të mallkonte atë që ia kishte djegur barin. Por, më në fund, duke parë se ajo e kishte me gjithë mend, u ngrit të puthë kryqin, duke thënë me zë të lartë se falte jo vetëm fyerjen, por edhe dëmin që i kishin bërë me djegien e barit. Pastaj, kur burrë e grua dolën nga kisha dhe u takuan përballë me priftin, ky e pyeti burrin e barit: ‘Pse ishe ashtu në mëdyshje për faljen, dhe prisje që gruaja jote të ishte më zemërgjerë?’. ‘Ah, zotëri – tha burri – çfarë të them? Ajo deri dje ishte më e tërbuar se unë, por zemra e Jezu Krishtit e zbuti dhe sot e bëri më zemërmirë se unë’.

Me shumë të tjerë e zura me gojë punën e hasmërisë që lidhet me rrahjen, e cila, sikurse thashë edhe më parë është ndër motivet më të vështira për t’u falur. Një herë njëri kishte shkuar në shtëpinë e një miku në Juban. Atje kishte plasur sherri dhe i zoti i shtëpisë e kishte rrahur dhe e kishte përzënë mikun nga shtëpia. Sipas zakonit, ai ia kishte kështu borxh gjakun mysafirit të rrahur. Shumë persona ndërhynë që ta bindnin të fyerin që ta falte tjetrin. Por ai as nuk u afrua te kryqi, sepse dy kushërinjtë e tij ishin shumë të egërsuar me mikun që e kishte rrahur, kështu që për të falur duhej më parë të binin në ujdi që të tre. Kur ja, në predikimin e parafundit, kur prifti po thërriste prapë nëse kishte ndonjë që donte të falte, erdhën që të tre për të puthur kryqin dhe për të dëshmuar se falin me zemër. Këtë pajtimin e fundit e prisnin me ankth të gjithë besimtarët në kishë, sepse ishin tre kokëfortët e fundit që kishin mbetur pa falur. Shumëkush nisi edhe të qajë me lot përmallimi e ngushëllimi, të tjerët thërrisnin me fjalë gëzimi”.

2 Komente

 flm per prurjen

shume interesante, edhe pse ka fene si qellim

dmth, as krishti s'i beri derman gjakmarrjes

këto rrethana plagosin pa shërim sedrën apo nderin e shqiptarit, që për këta njerëz është gjëja më e shtrenjtë në jetë.

Nderime At Domenico Pasi!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).