Fëmijët e bulqizakëve, kryesisht ata që duhet të frekuentojnë shkollën, kanë lënë mënjanë librat e rrezikun që u kanoset dhe kanë nisur punën në stoqet e kromit, duke mbledhur çdo ditë gurë kromi.Ata nuk e njohin 1 Qershorin dhe festën, pasi familjeve të tyre u duhen paratë e krahut, edhe pse ato sigurohen nga të miturit. Kushtet e rënda të jetesës dhe rritja e çmimit të kromit ka detyruar fëmijët e vegjël të sakrifikojnë kaq shumë, ndërkohë që bosët e kromit janë të gatshëm të shfrytëzojnë mundin e djersën e tyre, madje në mënyrën më të pamëshirshme. Një ton krom, i mbledhur nga fëmijë, gra, pensionistë dhe invalidë, grumbullohet nga firmat fantazmë me 50 mijë lekë të vjetër dhe shitet në tregun e kromit me 300 euro.

Në stoqet e kromit, pak metra mbi zyrat e Bashkisë, gjen çdo ditëfëmijë që mbajnë në duar kova e trasta ku hedhin kromin që grumbullojnë. Ata paradite duhet të jenë në bankat e shkollës, por preferojnë ta lënë mësimin dhe të sigurojnë pak para për vete dhe familjet e tyre. Disa prej tyre janë kaq të vegjël, sa nuk thonë as emrin e tyre. Sapo dikush u afrohet për t’i pyetur, ata ose ia mbathin nga “vendet e tyre të punës” ose nuk e hapin gojën. Ka raste kur fare pranë tyre, diku të fshehur qëndrojnë personat që merren me grumbullimin e kromit që mblidhet nga këta fëmijë.

Besi është vetëm 7 vjeç, por ka duar të vrara e me të çara të zeza. Është në fundin e klasës së parë, por i ka mbyllur librat në shtëpi dhe çantën e përdor për të mbledhur gurë kromi. Nuk duhet të çuditemi, me një çekiç të vogël në dorë di të dallojë kromin nga gurët e tjerë. E mbush çantën dhe e dorëzon pak matanë stokut. Kur e pyet “ku e shite kromin?”, nuk thotë asnjë fjalë. Ka porosi të mos flasë, ndryshe punët shkojnë keq. Çdo ditë atë e gjen mbi ndonjë stok kromi, që nuk është vetëm buka e tij, por dhe e familjes. Besi nuk është i vetmi fëmijë që shfrytëzohet në mes të ditës nga “firmat fantazmë” që mbledhin krom. Si ai punojnë dhjetëra fëmijë, kryesisht nga ato të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, nga ato që nuk kanë një shtëpi banimi normale, nuk kanë asnjë person në punë. Një ton krom i mbledhur nga fëmijë, gra, pensionistë dhe invalidë grumbullohet nga firmat fantazmë me 50 mijë lekë dhe shitet në tregun e kromit me 300 euro. Diferenca është e qartë. Prej vitesh, banorët e Bulqizës, sidomos gra dhe fëmijë të vegjël, që kanë lënë shkollën e shtëpitë për bukën e gojës, ngjiten tek stoku çdo ditë, nga mëngjesi deri në darkë, për të mbledhur krom për shitje. Dikur u tha se firmat nuk mund të grumbullonin krom në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që në stoqet e kromit sheh çdo ditë fëmijë të vegjël, teksa mbledhin mineralin.

Historia e stokut mbi qytet

Stoku i kromit mbi lagjen “Gjeologu” ka një histori të gjatë. Ndër vite, mijëra tonë inerte me përmbajtje kromi janë hedhur poshtë galerive. I gjithë masivi është pronë e shtetit. Dy vite më parë, Ministria e Ekonomisë publikoi njoftimin për shitjen e mineralit të stokut kryesor mbi qytet. Tenderi nuk u zhvillua. Arsyet ende nuk janë bërë të qarta. Vonesa e shitjes së stokut u dha më shumë zemër “të fortëve” të shtrijnë “zonat e influencës” në pronën e shtetit. Sherri nis pas grumbullimit të kromit, në mënyrë të pavarur nga qytetarë të ndryshëm dhe për kontrollin e zonave të caktuara të stokut. Janë të shumta rastet kur grupet ndeshen keq me njëri-tjetrin. “Kemi shumë frikë”, thanë fëmijë që mblidhnin krom. “Sapo zbresim poshtë, na diktojnë ku duhet ta dorëzonim kromin. Disa herë jemi tmerruar, kur grupet rivale kanë përdorur armët për të vendosur ku duhet dorëzuar kromi”.

8 Komente

Mjerimi... kafshat... s'kaperdihet...

Prap me hallet e fukarase ju? Hall kane bobat qe i kane dhene bakshishe qindra mijra dollarshe Genc Rulit.. s'rekuperohen lehte ato para...

Femije ,pa femijeri smiley

 

Te mjeret femije.  

Qofte edhe nje femijeri e vetme e shkaterruar eshte shume.

 plaga me e turpshme e qeverise berisha! po se vret kush mendjen. 

si mundet ky gazetari te flasi per bandat ne bulqize kur edit po i vjedhin votat ne tirane?!!!!!!!!!!!!!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).